Njëzet mijë euro s’mund ta bëjnë Prizrenin me galeri

Komuna e Prizrenit e ka në plan që të hapë një galeri – institucion ky që i mungon qytetit. Por zyrtarët lokalë pranojnë se ende nuk është përcaktuar udhërrëfyesi për jetësimin e këtij projekti. Nuk është caktuar as lokacioni. I vetmi hap konkret që është bërë deri më tani për këtë projekt është sigurimi i mjeteve.




20 mijë euro është shuma me të cilin Komuna e Prizrenit mëton t’i bëjë çarenë komunitetit artistik. Nga përfaqësuesit e opozitës, ndarja e një shume të tillë mjetesh për galerinë e qytetit është cilësuar ofenduese. Ata konsiderojnë se me këtë shifër nuk mund të planifikohet një projekt i mirëfilltë, shkruan sot «Koha Ditore».

Drejtori për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prizrenit, Arhim Ajazi, ka konfirmuar se për projektin e galerisë së qytetit ky dikaster ka arritur që të sigurojë 20 mijë euro. Gjysma e mjeteve janë bartur nga rishikimi i buxhetit të vitit 2015 dhe gjysma tjetër nga planifikimi i buxhetit për vitin e ardhshëm.