«Njeriu jugosllav» dhe sporti

Sporti dhe kultura fizike kishte rol kyç në projektin socialist të Jugosllavisë së dikurshme dhe në krijimin e «Njeriut të Ri» jugosllav. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, sporti u bë elementi kryesor për të krijuar superioritetin ideologjik të «Bashkim-Vëllazërimit» dhe Lidhjes së të Painkuadruarëve. Një studim i publikuar rishtazi në Revistën Ndërkombëtare të Historisë së Sportit merret gjerësisht me implikimet politike dhe ideologjike në sportin jugosllav. Dialogplus sjell një përmbledhje të artikujve kryesorë.



Të dhënat historike për ngjarjet ndërmjet dy luftërave botërore në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Jugosllavi tregojnë se sporti kishte rol qendror në vendet komuniste në të gjithë botën. Sporti përgjithësisht shihej si arenë dhe mjet prej ku forcohej tutje ideja e revolucionit dhe në këtë formë nuk kishim të bëjmë vetëm me sportin si të tillë, por me një «sport revolucionar» që do t’i shërbente drejtpërdrejt çështjes komuniste. Historikisht, qasja komuniste (nëse mund të quhet e tillë) mbi sportin, kulturën dhe aktivitetet fizike është definuar në dy mënyra. Karl Marxi vetë e shihte sportin dhe aktivitetin fizik brenda konceptit të shfrytëzimit të kapitalizmit, konsumerizmit dhe topitjes së shtresës së mesme. Pasuesit e Marxit po ashtu ngulmonin se sporti, duke qenë pjesë përbërëse e kulturës së shtresës së mesme, e pasivizon tutje klasën punëtore.

Gjatë viteve 1920 dhe 1930, në Bashkimin Sovjetik u shfaqën tri grupe të interesit të cilat përkrahnin forma dhe ideologji të ndryshme të sportit. Grupi i parë i njohur si «Proletkultists» besonte se sporti ishte pjesë përbërëse e «kulturës së proletariatit». Grupi i dytë i njohur si «Higjienistët» besonte se sporti ishte i rëndësishëm si pjesë e edukimit shëndetësor. Ndërsa grupi i tretë i njohur si «Spartakistët» besonte se sporti është i rëndësishëm për ndërtimin e gjithanshëm të socializmit. Pavarësisht kundërthënieve, të tri grupet bashkoheshin në kundërshtimin e tyre ndaj sportit si nocion kapitalist dhe natyrës së tij garuese. Për të tri grupet, transformimi i sportit duhet bërë nëpërmjet strukturave shtetërore dhe Partisë Komuniste. Në këtë mënyrë, sporti do të bëhej mjet për t’u përballur me problemet sociale të kohës si alkoolizmi, sëmundjet e ndryshme, si dhe për emancipimin e gruas. Me fjalë të tjera sporti dhe ajo që do të njihej më vonë shkurt si fizkulturë do të krijonin «Njeriun e Ri» socialist, i cili do të definohej para se gjithash nga vlerat e barazisë, punës së palodhur dhe disiplinës. «Njeriu i Ri» vazhdimisht portretizohej si punëtor dhe sportist në formë të shkëlqyer fizike, gjithmonë i gatshëm për tu përballur me vështirësitë që i kanosen rendit socialist.

Kështu fizkultura u promovua politikisht për t’u përhapur sa më shumë dhe për t’u përfshirë në programet mësimore në shkolla dhe në vende të punës. Ideja ishte se duke përmirësuar shëndetin fizik të popullsisë, çdo njeri do të ishte më i dobishëm për vendin e tij të punës, për industrinë e vendit si dhe për mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Sovjetik. Mirëpo nga mesi i viteve të 1930, sporti u shndërrua në një politikë agresive pasi ish lideri sovjetik Jozef Stalini do ta përdorte atë për presion ideologjik dhe fizik.

Me përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet fuqive perëndimore dhe ish-Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, të dyja blloqet do të provonin që në vazhdimësi të tregonin superioritetin e tyre në arenën ndërkombëtare. Sukseset në sport, sidomos arritja e rezultateve në garat ndërkombëtare u bë një formë popullore për të dëshmuar sukseset e njërit sistem apo tjetrit. Në këtë mënyrë edhe sporti po bëhej politikë dhe për rrjedhojë, edhe politika po ndërhynte në ridefinimin e sportit. Mu për këtë, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendet komuniste më gjerësisht investuan masivisht në profesionalizimin e sportit. Në këtë situatë, më me rëndësi u bë vetë fitimi i ndonjë medalje në Lojërat Olimpike se sa krijimi dhe përmirësimi i kushteve për zhvillimin e sportit për popullsinë e gjerë. Vetëm më vonë do të kuptohej sa shumë ishte investuar edhe në skema dopingu nga vetë shtetet në fjalë, si rezultat i fetishizimit të rezultateve olimpike.

Në Jugosllavi në anën tjetër, historia e sportit nuk është tërësisht e lidhur me rritjen e socializmit jugosllav. Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet, sporti ishte bërë aktiviteti më i dashur i popujve jugosllavë. Duke qenë aktiviteti kryesor shoqëror dhe kulturor, sporti ishte bërë edhe forma më e përhapur dhe më e dukshme e modernizimit dhe pranimit të vlerave perëndimore të jetës urbane. Me qindra klube sportive u themeluan në gjithë vendin dhe ndeshjet futbollistike e meçet e boksit mbushnin sallat. Disa nga klubet më të njohura si klubi BSK Jugosllavia nga Beogradi, Građanski dhe HAŠK nga Zagrebi dhe Hajduk nga Spliti u bën elemente identifikimi kulturor dhe kombëtar për shumë njerëz në Jugosllavi.

Në Jugosllavinë socialiste, qasja komuniste ndaj sportit ishte shumë e ndikuar nga leximet ideologjike në Bashkimin Sovjetik. Shumë klube sportive jugosllave ishin shpesh mbështetëse dhe simpatizante të komunistëve sovjetikë. Ashtu si në vendet tjera komuniste, klubet sportive përdoreshin për propagandë dhe aktivitete tjera politike. Një nga ngjarjet më të suksesshme të këtyre klubeve ishte bojkotimi i Lojërave Olimpike të vitit 1936 në Berlin, në të cilat një numër i sportistëve të njohur jugosllav refuzuan të merrnin pjesë për arsye ideologjike. Përveç kësaj, u tentua që edhe të shuhej tërësisht flaka olimpike gjatë kohës kur po parakalonte ekipi jugosllav në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike.

Në vitin 1945 u themelua i ashtuquajturi Komiteti Jugosllav për Kulturë Fizike (Fiskluturni odbor Jugoslavije, FOJ) organ i cili do të rregullonte dhe drejtonte sportin socialist jugosllav nga një perspektivë tërësisht centraliste. FOJ nxori katër elemente të cilat do ta definonin sportin jugosllav. Së pari, sporti ishte pika themelore e aktiviteteve zbavitëse të rinisë jugosllave. Së dyti, sporti do të kontribuonte në pajtimin ndërmjet popujve jugosllav dhe në forcimin e «Bashkim-Vëllazërimit». Së treti, sporti do të përmirësonte aftësitë e punës dhe të mbrojtjes së kombit. Së katërti, sporti do të duhej të përmirësonte imazhin e Jugosllavisë socialiste nëpërmjet pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare. Në përputhje më këto elemente, autoritetet jugosllave të kohës ndërtuan një numër stadiumesh, pishinash sportive si dhe kontribuuan drejtpërdrejt në formimin e klubeve të reja sportive gjithandej vendit. Kështu edhe Jugosllavia do të krijonte «Njeriun e Ri» jugosllav nëpërmjet sportit.

Pas ftohjes së raporteve me Bashkimin Sovjetik, sporti jugosllav filloi të liberalizohej. Politikat sportive filluan t’u delegoheshin republikave dhe rajoneve të caktuara si dhe institucioneve që merreshin me sport. Shteti dhe strukturat e partisë dalëngadalë u tërhoqën nga klubet sportive, duke i lënë ato të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur. Disa nga klubet që ishin drejtpërdrejt nën emblemën shtetërore u shuan tërësisht. Kjo ndodhi me klubin sportiv «Krahët tanë» (Naša Krila) i cili ishte i lidhur me aviacionin jugosllav.

Tërheqja e politikës ishte graduale dhe në shumë raste lidhjet joformale ndërmjet politikës dhe klubeve sportive mbetën. Megjithatë, pavarësimi i klubeve sportive doli të ishte më i vështirë se sa dukej. Klubet sportive nuk ishin kompani fitimprurëse që të mund të nxirrnin të ardhura në mënyrë të pavarur. Derisa ato do të kishin nevojë për fonde nga organe të financuara nga shteti, ato nuk do të arrinin asnjëherë të bëheshin të pavarura plotni. E vërteta është se klubet sportive në Jugosllavi, pavarësisht suksesit dhe pavarësisht numrit të fansave që kishin, nuk u ndanë kurrë tërësisht nga «shteti». Këto lidhje joformale do të vazhdonin deri në fundin e Jugosllavisë socialiste. Edhe në ditët e sotme, këto marrëdhënie vazhdojnë të jenë të përziera në shumë prej klubeve anembanë ish-Jugosllavisë.

Sporti u bë arenë për formimin dhe forcimin e identitetit jugosllav jo vetëm brenda por edhe jashtë Jugosllavisë. Kur vendi përballej me ndonjë kërcënim të jashtëm, sporti përdorej si formë mbrojtjeje dhe për të siguruar mbështetje ndërkombëtare. Një gjë e tillë ndodhi gjatë ndeshjes futbollistike ndërmjet Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik në Lojërat Olimpike të mbajtura në vitin 1952 në Tampere të Finlandës. Për shumë komentues të asaj kohe, kjo ndeshje u prit si përballje përfundimtare ndërmjet dy vendeve që pas ftohjes së raporteve. Jugosllavia gjatë tërë kohës e përdori këtë ndeshje për ta artikuluar tutje idenë e vendeve të painkuadruara dhe në këtë mënyrë për t’i bërë bisht konfliktit. Sporti në Jugosllavi po ashtu u përdor për promovimin e turizmit dhe kjo u pa më së miri me organizimin e Garave Mediterane në Split të mbajtura me 1979. Ndërkaq, Lojërat Olimpike Dimërorë të mbajtura në Sarajevë në vitin 1984 do të mbahen mend si koha kur Jugosllavia brenda vendit promovoi suksesin e «Bashkim-Vëllazërimit» e ndërsa në arenën ndërkombëtare promovoi superioritetin e saj ideologjik me vendet e painkuadruara. Asokohe në njërën anë kishim thellimin e krizës politike dhe ekonomike brenda Jugosllavisë, dhe në anën tjetër një përshkallëzim të Luftës së Ftohtë, dhe Sarajeva u portretizua si pikëtakim për të gjithë popujt jugosllav dhe popujt e botës.

Pavarësisht rëndësisë që pati në politikën e brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë, sporti dhe politika në sport nuk është studiuar sa duhet, qoftë nga studiuesit e vendeve të ish-Jugosllavisë apo nga studiuesit ndërkombëtarë. Në fakt, edhe vetë historiografia jugosllave, duke qenë tradicionale në qasjen e saj, nuk është marrë thuajse fare me aspektet e kulturës fizike dhe sportit. Përpjekja e parë serioze në këtë drejtim është publikuar tek në vitin 1967 kur u publikua Antologjia e Historisë së Kulturës Fizike në Serbi (Zbornik za istoriju fizičke kulture Srbije). Mirëpo kjo revistë shkencore u mbyll në vitin 1970. Po këtë vit në Zagreb u lansua një revistë e ngjashme shkencore e quajtuar Historia e Sportit (Povijest sporta) e cila ndonëse në një trajtë tjetër vazhdon të publikohet edhe sot. Profesionistët nga Zagrebi dhe Beogradi publikuan së bashku për vite të tëra dhe ndërtuan një enciklopedi të sportit dhe kulturës fizike të Jugosllavisë. Ky dokument është pikë referimi për gjithkënd që rreket të studiojë sportin gjatë periudhës jugosllave.