Njeriu i njëmijtë

Rudyard Kipling



Një njeri në njëmijë, Solomoni thotë,
Do jetë për ty më shumë se një vëlla i mirë,
Ia vlen ta kërkosh edhe gjysmë jete nëpër botë,
Ta kesh për gjysmën që vjen më e vështirë.
Nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë të tjerë,
Varen nga ato që bota tek ti sheh,
Njeriu i njëmijtë mbetet miku yt përherë,
Në mot me shi, me borë, me diell apo me re.

Lutjet që thua, premtimet që bën janë kot,
Vetë kërkoje mikun e ditëve të këqija;
Gjithë të tjerët, vërtet bëhen shumë, sot,
Por ata nisen nga pamja, emri apo lavdia.
Nëse e gjen, edhe ai ty do të kërkojë;
Atëherë, ligësia botës në dorë i mbetet,
Sepse njeriu i njëmijtë me ty do notojë
E do zhytet pas teje, në të gjitha detet.

Mund t’i përdorësh lirisht paratë e tij,
Si ai të tuat për një kohë të ligë;
Dhe do qeshni çiltër, pa drojë, si fëmijë;
Se ju njiheni mirë, s’ka arsye për frikë.
Nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë të tjerë,
Të duan për festë apo aheng;
Njeriu i njëmijtë, kur bota nxjerr vrer,
Është aty, me të ndan çdo trishtim e brengë.

Të tijat janë e mira dhe e keqja jote,
Sido që koha, t’i sjellë për ty, papritur;
Kur duhet, për mikun, dil përballë kësaj bote,
E mbroje me forcën e atit për foshnjën e mitur.
Tërë të tjerët bashkë, largohen me vrap
Para turpit, dënimit e talljes, – gjithë gaz;
Njeriu i njëmijtë ecën me ty në një hap
Drejt litarit të varur e çka vjen pas…

Përktheu: Rudi Bobrati