«Njeriu është perëndi kur ëndërron e mezi është një lypës kur mendon»

INTERVISTË – 40 pyetje – 40 përgjigje: Lindita Ahmeti, poete nga Shkupi.

Lindita Ahmeti.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.

Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Në Tetovë. Janë aty një varg përmendoresh të trashëgimisë sonë kulturore, janë, pastaj, dy universitete të cilat tubojnë shumë të rinj. Ky qytet ka dhënë shumë burra që i kanë prirë rezistencës kundër aksioneve të ndryshme për asimilimin e shqiptarëve dhe të cilët janë ngritur kundër planeve për dëbimin e popullit tonë nga vatrat stërgjyshore. Me një fjalë, këtu shumë emra burrash janë shkruar me shkronja të arta në altarin e lirisë. Tetova, pra, ka të kaluar të lavdishme, një të kaluar që të frymëzon. Por jo vetëm kaq. Ajo të mrekullon edhe me pamëninë që ka. Është shumë e bukur. Tetova është ëndërr.

Sabato në bisedat e njohura me Borgesin e përmend një mendim të Hölderlinit, të një poeti që e dua shumë: «Njeriu është perëndi kur ëndërron e mezi është një lypës kur mendon»… Unë po them se kur je në Tetovë ngrihet perdja e ëndrrave. Mendoj se atje relaksohem sepse largohem nga përsiatjet që t’i imponon përditshmëria. Atje gjithmonë jam në «pushtetin» e muzës, e cila t’i vë në lëvizje ndjenjat duke të ballafaquar me të kaluarën dhe, njëherësh, edhe duke të të ulur pranë miqve të veçantë që kam atje e që janë profesorë universitarë dhe krijues letrarë e intelektualë me peshë. E dua Tetovën. Mendoj se Tetova është qyteti i cili frymon më madhërishëm shqip. Me kënaqësi do të kisha jetuar në këtë qytet.

Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishte e mundshme?

Do të kisha dashur ta shoh Ali Pashë Tepelenën. Për këtë figurë të madhe historike gjithmonë kam pasur respekt. Nuk duhet shumë mend që të na kujtohet se ishte pikërisht Ali Pashai ai që i vuri pykën shkëmbit të stërmadh e të pathyeshëm të quajtur Perandoria Osmane. Pas tij perandoria do ta marrë tatëpjetën e dihet si përfundon. Ai pra është nismëtari i një kthese vigane në historinë botërore.

Dhe, nuk është entuziazmuar më kot Bajroni me Ali Pashain.

Çka do ta pyetnit së pari?

Pse nuk i bashkuat forcat me Bushatllinjtë? Pse nuk e bëtë së bashku me ta dhe me prijësit tjerë shqiptarë një program gjithëpërfshirës për çlirimin e tokave shqiptare dhe kombit tonë?

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Mbreti Zogu I. Për fat të keq shtetet komuniste si Shqipëria enveriste dhe Jugosllavia titiste u munduan t’i shlyejnë të gjitha meritat e Mbretit Zogu I. Megjithatë, gjurmët nuk fshihen dot. Tash del në shesh se ai i vuri gurët e parë në themelet e ardhmërisë europiane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Përveç kësaj Mbreti Zogu I i veshi petkun shqiptar realitetit tonë. Në këtë sfidë u nis nga vetja. Së pari e hoqi prapashtesën «olli» nga mbiemri i tij, pastaj i hyri punës për ngritjen e kalasë moderne kombëtare. Për fat të keq, ai e ngrinte murin ditën, fqinjët ia prishnin natën. Njësoj si puna e Kështjellës së Rozafës.

A ekziston Zoti?

Realiteti në të cilin kam jetuar unë dhe në të cilin ka jetuar populli shqiptar ma bën të vështirë  mundësinë që t’i iki dyshimit të fortë. Dhe, këtë dyshim po e lë si kryefjalë në përgjigjen që e kërkon kjo pyetje.

Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Tash po e lexoj «Ali Pashain» e Aleksandër Dymasë (i ati), një biografi e romanizuar, përkthyer nga Fatmir M. Dibra. Stili i Dymasë, dihet, është tërheqës, mirëpo ka plot pasaktësi kur bëhet fjalë për shqiptarët. Libri është i ngarkuar edhe me paragjykime për ne, si rezultat i propagandës së atëhershme e cila i sheh tokat shqiptare si toka ekzotike dhe, rrjedhimisht, edhe shqiptarët si popull ekzotik. Natyrisht autori i pranon shkathtësitë e Ali Pashait, por e thekson brutalitetin e tij si metodë parësore për arritjen e qëllimeve të tij. I këtillë është fillimi i librit. Ta shohim si do të zhvillohet më tutje dhe si do të përfundojë. Do si do, ia vlen të lexohet, sepse, fundja, plotësohet përvoja me qëndrimet e të huajve për botën e okupuar shqiptare në kohën kur Perandoria Osmane kishte nisur të lëkundej.

Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Kam dëshirë ta vizitoj Zarën. Ne, në familjen time gjithmonë kemi folur për këtë qytet ku gjendet edhe lagjja Arbnesh që ka një histori të dhembshme, por edhe krenare e në të cilën jetojnë bashkatdhetarët tonë të shpërngulur nga viset veriore shqiptare për shkak të dhunës shtetërore osmane. Kemi dashur ta vizitojmë, por nuk na u bë.

Në mungesë të librave nëpër bibliotekat tona, jemi përpjekur ta bëjmë një mozaik nga ndonjë shkrim i rrallë gazetaresk dhe ndonjë emision i rastësishëm televiziv dhe kryesisht nga drama «Nita» e shkrimtarit arbnesh Josip Rela (e shkruar në shqip) që t’i përfytyrojmë skenat e dhembshme të arbneshve  kur pleq, gra, fëmijë nisen drejt veriut duke marrë me vete vetëm gjuhën shqipe, kujtimet për fshatin e lindjes dhe fenë e të parëve.

Nga Arbneshi do të dalin plot burra të dijes të cilët i kanë dhënë kontribut të pakontestueshëm kulturës kroate dhe kulturës shqiptare. Përveç Josip Relës le t’i kujtojmë edhe muzikologun dhe poetin Shime Deshpali dhe ilirologun më të madh Aleksandër Stipçeviçin, me të cilin kam pasur fatin e mirë të njihem dhe të dëgjoj si rrëfente në të folmen shqipe të Arbneshit.

Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Në Çekosllovaki. Në qytetin Teplice v Çehah. Atje kam qenë për kurim në një spital të specializuar. Kam qenë e vogël fare dhe për një kohë të shkurtër e mësova çekishten. Gjuhën edhe sot e kuptoj mjaft, por vitet që kaluan pa komunikuar e bënë të veten. Sot nuk e flas dot. Më vjen keq pse ndodhi kështu ngase për mua është një gjuhë melodike e një vendi lirik. Gjuha e Jaroslav Hashekut, Milan Kunderës dhe Vaclav Havelit. Dhe, atdheu i tyre nga ku kam kujtime shumë të mira.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Në vitin 1991, qershor. E kemi pritur gjatë kohë këtë çast. Ishte një pritje e madhe jona me shpresë se po na hapet dera për në «parajsë». Me të kaluar të kufirit, ndërkaq, me kontaktet e para me policinë dhe me doganierët shqiptarë, me pamëninë e zymtë të shtëpive të fshatit të parë, u zhgënjeva, ngase para syve të mi në vend të parajsës doli mjerimi. Zhgënjimi shkonte duke u shtuar sa po vazhdonim rrugën. Objektet e kooperativave të atjeshme, bunkerët, ndërtesat, realiteti në përgjithësi, nuk ofronin dritën e kënaqësisë dhe të gëzimit, por shijen e hidhëtisë dhe errësirën në të cilën kishin kaluar bashkatdhetarët tanë në periudhën komuniste. Këtu janë edhe shumë gjera të tjera të pakëndshme, madje edhe të panumërta, të cilat nuk harrohen. Ndër to më të dhembshmet janë dramat individuale të shumë njerëzve, rrëfimet e të cilëve i dëgjova atëherë.

Një moment i ndritshëm, por fatkeqësisht i vetmuar, ishte flamuri i madh kuq e zi i cili valonte në anën shqiptare, flamur ky i ndjekur me decenie në anën e Jugosllavisë politike.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Më shqetësojnë zbrazjet e fshatrave dhe të qyteteve tona. Më pikëllon largimi i rinisë sonë. Kam frikë se do të pasojë asimilimi ynë masiv. Kjo për mua do të ishte fatkeqësia më e madhe.

Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Robert Grejvs-in. Më pëlqejnë të gjitha romanet e tij ku mjeshtërisht pasqyrohet jeta e shumë figurave antike dhe personazheve të mitologjisë greke e romake. Më pëlqen edhe poezia e tij dhe më pëlqejnë veçmas hulumtimet që ka bërë në fushë të filologjisë klasike të cilat shërbejnë si literaturë bazike për filologët klasikë.

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

Kultura britanike.

Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Andrra.

A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Nuk e di. Nuk është pjesë e traditës sonë.

A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Do ta mbaja anën e popullit tim me të gjitha mundësitë materiale e intelektuale që kam.

Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Nuk jam e ngarkuar me urrejtje aq shumë sa të mos e takoj cilin do njeri.

A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Po, përfundimisht! Kjo do ta qetësonte rajonin. Dhe, kështu do të realizohej një pjesë e ëndrrës shqiptare.

A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Standardi e ka anashkaluar dialektin e veriut. Kjo është dobësia e madhe e gjuhës shqipe me të cilën komunikojmë sot. Është koha të plotësohet ky standard, të pasurohet me leksikun dhe përmbajtjet tjera gramatikore të dialektit të veriut. Dialekti i veriut ka mundësi të shumta të cilat do ta vitalizonin standardin.

Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Kombit dhe kulturës shqiptare, përgjithmonë.

Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Do t’i kisha hequr kufijtë e absurdit që e ndajnë popullin tonë gjithandej. Dhe, do përpiqesha ta bëj një arsim unik kombëtar.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Prindërit e mi, të cilët s’mund t’i ndaj.

Cilat media preferoni t’i lexoni?

Revistat letrare. Fatkeqësisht ato na mungojnë shumë. Është ky një boshllëk të cilin duhet ta trajtojmë si një problem serioz.

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

Vjollcë. Në antikë kjo ka qenë ngjyrë e aristokracisë. Kështu ka mbetur edhe sot – simbol i fisnikërisë. Purpurin e kanë zbuluar fenikasit e lashtë dhe gjatë, gjatë kohë e kanë ruajtur fshehtësinë e prodhimit të tij. Prandaj ngjyra, që ka pasur nuanca të ndryshme, nga e kuqja te ngjyra vjollcë ka qenë e rrallë dhe si e tillë shumë e shtrenjtë. Kjo është arsyeja se atë kanë mundur ta sigurojnë vetëm më të pasurit. Në Romën e lashtë me ngjyrë purpuri ka qenë vetëm brezi i lidhur rreth togës. Ky brez me ngjyrë purpuri ka qenë i mbrojtur me ligj dhe i është lejuar vetëm elitës. Këtë ngjyrë e ka edhe lulja e quajtur Iris Illyrica.

Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Bari i tamblit (lule rradhiqe; lat. Taraxacum).

Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Durimin.

Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Fisnikërinë.

Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Guximin dhe urtinë.

Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Stipe Mesiqin.

Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Ibrahim Rugovën.

Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

Ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majkon.

A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Jo, nuk ka. Për fat të keq ka më shumë mëkate. Ai nuk ka bërë kurrfarë përpjekjesh për realizimin e vendimeve të Bujanit, nuk ka bërë zë për represionin e partizanëve serbë mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, nuk ka bërë përpjekje ta njoftojë botën për aksionet policore antishqiptare të mbledhjes së armëve, ka lejuar, pa reaguar me kohë, vrasjen mijëra shqiptarëve të rinj në Tivar, Dubrovnik e tutje dhe përfundimisht me dekada i mbajti të mbyllur kufijtë për shqiptarët e mbetur jashtë Shqiptarë politike.

A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës? 

Jo. Ai s’i ka pranuar vendimet e Konferencës së Bujanit, s’e ka përdorur autoritetin e vet për pengimin e terrorit ndaj shqiptarëve. Ka mundësuar hapjen e burgjeve të shumta ku gjithmonë ka pasur plot shqiptarë. Vonë, dikur, kur është rrezikuar pushteti i tij, ka lejuar të avancohet pak pozita e Kosovës, ka lejuar që të jetë edhe shqipja në përdorim publik, kuptohet, krahas serbishtes dhe, përfundimisht, ka lejuar formimin e Universitetit të Prishtinës. Do si do, ka qenë pak më elastik se Enver Hoxha. Ndoshta edhe kanë bashkëpunuar mes vetes.

Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Aleksandër Rankoviqi.

Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Lëvizjes partizane jo, lëvizjes së rezistencës – po.

Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Janë disa. Unë do ta veçoja Jusuf Buxhovin. Është e bukur vepra e tij letrare dhe është impozante vepra e tij historiografike.

Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Ismail Kadare.

Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Bekim Fehmiu. Mendoj se nuk ka nevojë të komentohet vepra e Bekimit. Është e madhe.

A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Jo.

A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Ka qenë realitet shekuj me radhë. Ta shohim si do të zhvillohen punët tash e tutje, kur çdo kënd i viseve shqiptare vlon nga misionarët e ndryshëm me qëllim që «të dëshmojnë» se feja e secilit nga ata është «e vërteta.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Europianizimi i tërësishëm i popullit shqiptar, që do të thotë kthimi te rrënjët, te burimi.