Njëri flet për referendum në Turqi, tjetri për dronë të postës zvicerane

«Hayir» apo «evet»: mbi përplasjen e botëve në Zvicër.

Foto: Shutterstock



Ministri i Jashtëm turk kishte paralajmëruar se do të qëndrojë në Zvicër të dielën. Në hotelin Hilton në Opfikon afër aeroportit të Zürichut ai do të takonte konsujt turq në Zvicër dhe Austri, por edhe shumë bashkëvendës të tij nga diaspora turke. Pasi mediat njoftuan për këtë vizitë dhe qëllimin e saj – propagandë për referendumin mbi sistemin presidencial në Turqi -, hoteli Hilton njoftoi se për shkaqe sigurie nuk ishte në gjendje t’i vinte në dispozicion një sallë kryediplomatit turk.

Pala turke kërkoi një sallë tjetër, ndërsa qeveria e kantonit të Zürichut hapur shprehte shqetësimin se në një takim të diasporës turke mund të përplasen përkrahësit dhe kundërshtarët e Erdoganit. Mendim tjetër përfaqësonte qeveria e Zvicrës. Për të ardhja e ministrit turk nuk paraqiste ndonjë problem. Pas gjithë kësaj tollovie një gjë është e qartë: ministri ka anuluar vizitën në Zvicër.

Të shtunën Holanda ia ndaloi atij aterrimin dhe me apo pa dashje i dha një mbështetje Rexhep Taip Erdoanit dhe teorisë së tij se europianët vetëm flasin për lirinë e shprehjes, por në fakt nuk e tolerojnë atë për të gjithë. Në të vërtetë me këtë qasje Erdoani rrotullon faktet: në shtëpinë e tij ai ka kufizuar dukshëm lirinë e shtypit dhe të shprehjes, ndërsa i dërgon ministrat e tij në Europë që, duke shfrytëzuar të arriturat demokratike perëndimore, të bëjë propagandë për sistemin e tij presidencial, i cili e çon Turqinë drejt një diktature me parlament sa për sy e faqe.

Ndonëse ministri i Jashtëm turk nuk erdhi në Zvicër, eksponentë të partisë së Erdoanit AKP janë mjaft aktiv mes Gjenevës dhe Zürichut. Javëve të fundit ata janë takuar me turq në sallën e një kishe protestante dhe në banesa private, duke kërkuar prej tyre që në referendum të thonë «evet» (po). Kush thotë «hayir» (jo) konsiderohet tradhtar ose terrorist. Siç njoftojnë mediat zvicerane qeveria turke ka ndërtuar një rrjet spiunazhi në Zvicër, ku përveç agjentëve ka luajtur rol edhe një imam. Shefi i shërbimit sekret gjerman ka deklaruar se pala turke ka intensifikuar aktivitetet e shërbimit sekret në diasporën turke. Fjala më e urryer nga regjimi i Erdoanit tani për tani është «hayir». Para disa ditësh policia në qytetin turk Konya konfiskoi një broshurë që kishte për qëllim të njoftonte qytetarët mbi rrezikun e pirjes së duhanit. Meqë broshura përmbante fjalën «hayir», ajo nga autoritetet ndërlidhej me fushatën kundër referendumit.

Ndërsa demokracia turke bën hapa prapa dhe ekonomia e Turqisë stagnon, në Zvicër flitet për përparimin e madh teknologjik. Posta zvicerane vitin e kaluar ka testuar me sukses disa dronë. Së shpejti pritet që dronët e parë të transportojnë pako. Vetëm përfytyrimi duket futurist: sot porositni një palë dorëza, nesër në ballkonin tuaj aterron droni me pako. Ky është versioni supermodern i postës së porositur. Që nga dhjetori posta zvicerane, e cila nuk është vetëm postë, por edhe ndërmarrje transportuese me mijëra autobusë anekënd Zvicrës, pra që nga dhjetori kjo ndërmarrje shtetërore është duke testuar dy autobusë, të cilët ecin pa shoferë. «Hayir» apo «evet»: përplasja e botëve të ndryshme vazhdon.