«Njerëzit i duan klishetë»

Etienne Piguet është profesor në Fakultetin e Gjeografisë në Universitetin e Nëshatelit dhe nënkryetar i Komisionit Federal të Migracionit. Prej më shumë se 20 vjetësh ai e vrojton rrjedhën e politikës dhe të emigracionit në Zvicër. Opinioni i tij për imazhin e shqiptarëve në Zvicër.

Profesor Etienne Piguet. Foto: zVg.



Zoti Piguet, si do ta përshkruanit imazhin e shqiptarëve në Zvicër?

Në gjykimin tim, i cili nuk i referohet ndonjë vëzhgimi shkencor, këtu bëhet fjalë për një rast klasik të një transformimi progresiv të imazhit me kalimin e kohës.

Kishte një fazë të parë të emigrimit të shqiptarëve, kryesisht nga Kosova, që karakterizohet nga ndonjë transparencë. Ata ishin punëtorë dhe kryesisht burra, të cilët u rekrutuan nga Zvicra. Kjo gati u harrua. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur një rekrutim të fuqisë punëtore nga Italia. Kur ky burim u shterua, atëherë u sollën njerëz nga Spanja, pastaj nga Portugalia dhe nga ish-Jugosllavia. Kosova ishte një regjion i rëndësishëm në vitet e ‘80-ta, por edhe më parë. Këta punëtorë ishin shumë të dobishëm për ekonominë zvicerane. Ata ishin fleksibël dhe të gatshëm të kryenin punë të rënda.

Por, këto kontingjente ishin të padukshme, kryesisht burra pa familje. Gati nuk vërehej që ekzistonin. Kur stagnoi zhvillimi ekonomik, ata pjesërisht duhej ta lëshonin Zvicrën. Kjo ka ndodhur në vitet e ‘70-ta, por edhe në fillim të viteve të ‘90-ta. Në këtë kohë, saldoja e emigracionit për disa vite ishte negative. Kjo domethënë që shumë prej atyre që e humbën punën duhej të ktheheshin. Ishin pasojat e modelit tradicional zviceran, i cili nuk ishte domosdoshmërisht human.

Pastaj erdhi i ashtuquajturi Modeli i njohur i Tre Rrathëve; Jugosllavia u pa si një vend tradicional. Në këtë kohë filluan trazirat politike në Jugosllavi; fillimisht në veri, më pas edhe në jug të federatës. Më 1991 erdhi vendimi i Zvicrës, me të cilin Jugosllavia nuk u klasifikua si një vend rekrutimi. Ky është një moment i rëndësishëm, sepse nga këtu për njerëzit nga Kosova ishte më vështirë për të ardhur si punëtorë në Zvicër. Nga ky moment u shpeshtuan kërkesat për azil; edhe për shkak të gjendjes së vështirë politike në vend. Në këtë kohë u shfaq një fytyrë e dytë e shqiptarëve; nuk ishin më ata punëtorët e mëparshëm të padukshëm, por refugjatët. Me këtë rast harrohet që arsyeja përse shumë njerëz nga Kosova kërkonin strehim në Zvicër ishin të afërmit e tyre që tanimë jetonin në Zvicër.

Kishte faza kur shqiptarët shiheshin si refugjatë, por u shfaqën edhe problemet me trafikun e drogës. Në vitet e ‘90-ta ndodh një përkeqësim i imazhit të shqiptarëve në Zvicër, megjithëse bëri një mot i bukur i reputacionit të shqiptarëve në vitet 1999-2000, gjatë spastrimeve etnike dhe deportimeve. Kjo shprehej në trajtë të mirëkuptimit për praninë e tyre. Ky disponim vërtet nuk zgjati shumë, por e shënoi një kthesë në qëndrimin ndaj shqiptarëve në Zvicër.

Vështirësitë erdhën përsëri në vitet 2000. Ishte një kthesë tjetër, sepse me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me UE-në për njerëzit në Kosovë bëhet akoma më vështirë për të ardhur në Zvicër. Kështu ata nuk ishin më në qendër të vëmendjes së opinionit. Edhe për faktin që ata në ndërkohë u integruan në shoqëri. Në shumë fusha ata ranë në sy si punëtorë të mirë. Por, në disa qarqe të shoqërisë zvicerane dominonte ende imazhi i shqiptarëve të viteve të ‘90-ta – si refugjatë, trafikantë droge etj. Në gjykimin tim, në pjesën më të madhe janë të pranuar. Sot janë afrikanët me ngjyrë, myslimanët…, të cilët po konfrontohen me mosbesim. Sigurisht myslimanë, të cilët e përfaqësojnë një islam konservator, çka për shqiptarët myslimanë vlen vetëm rrallë.

Sipas përshkrimit tuaj të zhvillimit të emigracionit shqiptar në Zvicër, imazhi i shqiptarëve nuk është as i i zi, as i bardhë, por më shumë gri…

Po, kishte periudha të errëta dhe më të bardha. Unë jam optimist. Tendenca po shkon në një drejtim të mirë.

Sa i përket imazhit negativ, shqiptarët kanë rënë në sy më shumë si trafikantë droge. Është folur edhe për shpërdorim të rrjetit social… Çfarë ka ngelur më së shumti në kujtesë nga ky imazh negativ?

Në shikimin tim, akuza e shpërdorimit të mbështetjeve sociale në debatin e përgjithshëm për migracionin në Zvicër ekziston. Dhe, kjo është shumë e ashpër. Personalisht, në vitet e ‘90-ta në kokat e zviceranëve e kam vërejtur një lidhje më të ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe trafikut të drogës. Kjo sot nuk ekziston. Kjo veti u përshkruhet afrikanëve me ngjyrë. Shpërdorimi i rrjetit social vlen më shumë për azilkërkuesit. Dhe, natyrisht, atëbotë shumë azilkërkues ishin shqiptarë nga Kosova. Prandaj edhe kjo lidhje. Madje ka pasur edhe një shpjegim etnik për marrëdhënien ndërmjet identitetit shqiptar dhe delikteve e trafikut të drogës. Ekzistonte ideja se shqiptarët jetonin në rrethe kulturore me struktura klani, çfarë do ta përbënte një parakusht për mafien. Kjo është e papranueshme, por përbënte një paraqitje ideale për shpjegime të thjeshta: Shqiptar-klan-mafia-trafik droge, që funksiononte. Mund të jetë që perceptimi i këtij komuniteti në regjione të ndryshme të vendit është i ndryshëm.

A keni një shpjegim eksplicit, përkatësisht një hipotezë, si ka ardhur deru te ky imazh?

Kishte shumë faktorë të cilët kanë ndikuar njëkohësisht. Në vitet e ‘60-ta, në fillim të emigracionit italian është folur shumë për një dallim kulturor. Në fillim erdhën njerëz nga veriu, pastaj nga jugu. Kur arritën këta të fundit thuhej se kishin shprehi të tjera jetese: një raport tjetër me gratë, hanin ndryshe… Kjo ideja e dallimit kulturor u thirr edhe në vështrimin e shqiptarëve në vitet e ‘90-ta. Dallimi me atë konsiston në faktin që në atëbotë pothuajse nuk kishte papunësi. Nuk ishte problem të gjeje një vend pune. Dhe, nëse nuk mund të gjeje një punë, duhej ta lëshoje vendin. Në vitet e ‘90-ta, papunësia ishte vërtet e ulët, por ishte e pamundur t’i dëboje azilkërkuesit. Kishte shumë të papunë, sikur nuk kishte pasur me emigracionin italian. Përveç kësaj, atëherë nuk ka ekzistuar mundësia e trafikut të drogës në këto përmasa. Kështu u identifikua një grup problematik në kuptimin kulturor dhe penal. Ky asociim me mafien për italiano-jugorët ishte gjithashtu i mundur. Atëbotë mungonte papunësia dhe trafiku i drogës.

Këto asociacione lindin nga kontaktet direkte të qytetarëve me komunitetin shqiptar në këtë rast, apo…? Cilët janë mekanizmat që kontribuojnë në krijimin e tij?

Për ta rekonstruktuar një reputacion të tillë, duhen disa raste problematike. Dhe, mjafton që vetëm disa raste problematike të dalin në medie dhe njerëzit të flasin për këtë. Apo ata bëhen dëshmitarë të pakëndshmërive në rrugë dhe zë fill përgjithësimi. E njëjta vlen edhe për një shpërdorim të rrjetit social. Mjafton një raport për një rast në «Blick», dhe menjëherë mendon se të gjithë ata që i kanë këto karakteristika janë të prirë për këtë. Njerëzit i duan klishetë.

Teza se mediet kanë kontribuar që komunitetet e emigracionit ta kenë një emër të keq ekziston sigurisht… A mendoni edhe ju se raportimi mediatik për shqiptarët në Zvicër ishte apo është tendencioz?

Sigurisht që mediet e luajnë një rol, kjo është e qartë. Por, mendoj se mediet në Zvicër raportojnë në mënyrë të diferencuar. Natyrisht ka gazeta bulevardeske si «Blick» apo «Le Matin», por ato nuk krahasohen me atë që vërehet në Britaninë e Madhe. Atje niveli i gazetarisë së verdhë është vërtet shumë më i ulët se ky në Zvicër.

Unë do të thoja që një rol në këtë marrëdhënie e luajnë edhe autoritetet. Shpeshherë në diskursin e tyre kishte, për shembull, paqartësi lidhur me refugjatë të vërtetë dhe të rremë. Kur Jugosllavia më 1991 u degradua në Rrethin e Tretë, diskursi që dominonte ishte se ekzistonin shumë dallime kulturore. Gjithsesi unë nuk do t’i përcaktoja mediet në mënyrë paushale si shkak.

Shtoji kësaj faktin se ishte një segment i papriviligjuar shoqëror që bart edhe trauma…

Arsyet e emigrimit natyrisht janë shumë të ndryshme. Nga një grup i emigracionit pret një diskurs të përbashkët dhe një strukturim me njerëz, të cilët mund të flasin në emrin e tij. Sigurisht që pas një lufte pavarësimi, shoqëria është e ndarë. Kjo është e vështirë për ta kuptuar vendet e nikoqire.

Kohëve të fundit, në mediet gjermanofone ka pasur disa artikuj që i çmojnë përpjekjet e shqiptarëve për t’u integruar. A ju ka rënë juve në sy një raportim pozitiv për shqiptarët në Zvicër?

Po, kjo është shumë e qartë. E para, kjo ka të bëjë me realitetin. Ka një emigracion shqiptar shumë të diferencuar – tani e kemi gjeneratën e dytë. Dhe, gjeneratës së dytë në Zvicër kryesisht i ecën mirë. Kemi studime për italianët, spanjollët… e edhe për shqiptarët. Këto tregojnë që fëmijët po gjenden më mirë se prindërit. Tingëllon e vetëkuptueshme, por ky është një sukses për një komunitet emigracioni. Në vende si Franca apo Holanda, gjërat nuk po zhvillohen domosdoshmërisht në drejtimin që fëmijët të dalin më mirë se prindërit. Këtu prindërit kanë ardhur si punëtorë dhe fëmijët janë të papunë. Ne në Zvicër jemi të lumtur që  tregu i punës është i hapur dhe gjenerata e dytë po e kap shansin. Shkollat nuk janë të ndara në «të mira» dhe «të këqija», pothuajse të gjithë i ndjekin të njëjtat shkolla. E kanë në dorë vetë fëmijët të nxjerrin më shumë nga ajo. Këtë e kanë vërejtur mediet. Pra, ka të bëjë me realitetin dhe me vullnetin e mirë të medieve, të cilat nuk po shihen si aq miqësore ndaj emigrantëve, sepse raportojnë shpesh për delikte. Dëshirojnë të paraqiten si të balancuara dhe i sjellin këto suksese. Por, këto suksese janë një e vërtetë dhe këta janë shembuj të mirë për të ardhmen.

Cilat janë përvojat tuaja me komunitetin shqiptar në Zvicër – qofshin private apo profesionale?

Unë kam kontakte me intelektualë, të cilët pjesërisht janë për një kohë të gjatë në Zvicër. Janë një shtresë njerëzish nga Kosova, Shqipëria – një diferencim, i cili nuk është rast me të gjitha grupet në Zvicër. Shpresojmë që në të ardhmen do të kemi më shumë studentë me prejardhje shqiptare nëpër universitete. Edhe pse gjenerata e dytë pjesërisht është ende e re… Kështu unë për momentin nuk kam shumë studentë shqiptarë, por ata ekzistojnë.

Njoh edhe disa që punojnë në gastronomi; por ata nuk mund të identifikohen menjëherë se janë shqiptarë. Tamilët nga Sri Lanka kanë ardhur në të njëjtën kohë si shqiptarët në Zvicër. Ata identifikohen mirë si të huaj. Ata janë edhe në numër më të vogël në Zvicër. Tek ata ka edhe më pak martesa të përziera.

A ka qenë imazhi i shqiptarëve shpesh temë në rrethin tuaj?

Jo, vërtet! Unë merrem me çështje të emigracionit, por jo edhe aq me identitetin, komunitetin dhe integrimin, por më shumë me zhvillimet demografike. Megjithatë e kam pasur një përvojë interesante, që është shumë e rëndësishme. Ndoshta jam shumë optimist në pohimet e mia, por kur është fjala për diskriminimet në tregun e punës, këtu diçka lë për të dëshiruar. Këtu ka një diskriminim të njerëzve që kanë emër shqiptar.

Më 2003 e kemi kryer një studim – «Nomen est omen: Quand s’appeler Pierre, Afrim ou Mehmet fait la différence». Ne dërguam dosje aplikimi të njerëzve fiktivë me profile krejt identike. Kështu kishim mundësinë të identifikojmë sa përgjigje do t’u vinin kandidatëve me emra zviceranë dhe sa atyre me emra portugezë… dhe shqiptarë. Rezultati: Për ftesë në një intervistë, një zvicerani i duheshin tri aplikime, një kandidati me emër shqiptar shpesh i duheshin tri herë më shumë aplikime.

Ky ishte një problem i shpërfillur. Studimi ynë ishte i pari që ka tërhequr vëmendjen nga ky problem. Shpresoj që në ndërkohë situata e shqiptarëve në tregun e punës ka ndryshuar, edhe pse është vështirë ta luftosh këtë. Në njërën anë mund të ketë të bëjë me ksenofobi të kulluar, por nuk është e thënë të jetë patjetër kështu. Ka situata kur merr 50 aplikacione dhe duhet të përzgjedhësh sa më shpejt që të jetë e mundur. Atëherë përjashtohen me automatizëm të gjithë kandidatët që nuk u përgjigjen përfytyrimeve standarde; për shembull ata që nuk kanë emra zviceranë etj.

Në total, imazhi i përgjithshëm i shqiptarëve në Zvicër është më i mirë se atëbotë, por vazhdon të ketë diskriminim dhe vështirësi të ngjashme.

Çfarë duhet bërë që kjo të përmirësohet?

Shoqëria zvicerane njëherë duhet ta realizojë që ka diskriminim. Për këtë duhet të diskutohet. Çështja është nëse duhet shkuar më tej, apo vetëm të diskutohet për të dhe të pritet. Unë këtu jam i ndarë, nëse kjo duhet ilegalizuar dhe të sillet një ligj kundër diskriminimit. Një ligj të tillë është në Britaninë e Madhe, ku mund të ankohesh kundër diskriminimit. Diçka flet për këtë, por mund të jetë edhe kundërproduktiv.

Nga ana e komunitetit të emigrantëve duhen afirmuar persona prominentë dhe histori suksesi, që kanë rrënjë shqiptare dhe për të cilat nuk dihet. Kjo tregon që këta njerëz janë të aftë dhe nuk ka arsye për diskriminim.

(Intervista është zhvilluar për botimin «Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», Alain Maillard & Kujtim Shabani, ISEAL, 2016 Lausanne.)