Njerëz dhe situata



Një ndër klasikët e letërsisë moderne botërore, «Alkimisti», e ka monumentalizuar një urtësi të provuar shumëfish: Thesari i premtuar i një rruge të largët është vetë udhëtimi. Caku i tij është vetëm një shkas.

Edhe rruga më e largët fillon me hapin e parë, përkujton një urtësi kineze. Dhe, xhevahiret nganjëherë gjenden mu aty pranë. Një kalimtari joindiferent do t’i binin patjetër në sy raftet me revista falas në ambientet e Aeroportit të Cyrihut. Një kioskë falas! Dhurimi i vazhdueshëm i gjithë atyre ‹magazineve› me përthyerje, letër dhe artikuj profesionalë nuk është i vetëkuptueshëm. Fabulën e zbërthen pasagjeri fqinj në avion: për më pak se tri orë ai e lexon një gazetë voluminoze zvicerane me zellin e atij që sapo e ka mësuar leximin, nga A-ja në Zh! Ai është krejt shpërfillës edhe ndaj shpjegimit nga ekuipazhi i masave të sigurisë në rast avarie të aeroplanit. Me etjen për informacion që e karakterizon atë, ai mund ta konstruktonte vetë një avion. Nuk është çudi: një mik zviceran – gazetar – fluturon me avionin që e ka konstruktuar vetë. Në fakt, tani kryeredaktor i një reviste zvicerane «rastësisht» u bë gazetar, ndërsa inxhinieria i ka kaluar në pasion. Sido që të jetë, është një karrierë për t’u admiruar.

Demonstrimi i masave të sigurisë në avion dhe repertori tjetër i ekuipazhit meriton patjetër vëmendje. Edhe për faktin që instruksionet e sigurisë u dhanë në turqisht dhe në anglisht, kurse lajmërimi për ofertën e produkteve pa taksë që mund të bliheshin në avion – në turqisht, anglisht, gjermanisht dhe ndonjë gjuhë tjetër! Cinikët pohojnë se edhe prodhimi i televizorëve me ngjyra është diktuar nga publiciteti, që artikujt e reklamuar të dalin sa më joshës… Rroftë biznesi!

Aeroporti i Antalias është më modest se ai i Cyrihut. Por, adhuruesit e Turqisë më sigurojnë se ajo së shpejti do t’i befasojë të gjithë me një aeroport të ri që do ta ndërtojë në vend. Mashallah! Ndonëse këtu nuk ka shumë vend për ironi; turqit i kanë pothuajse të gjitha aeroportet e Ballkanit. Uroj vetëm që ta adoptojnë edhe profesionalizmin e shërbimit zviceran. Sepse të indinjon doganierja në stacionin e kontrollit të imët që t’i kapë me rrëmbim syzet e diellit nga koka dhe i gjuan shkujdesur në enën e gjërave që shkaktojnë alarm në detektorin e sendeve të ndaluara. Kjo sjellje ndoshta nuk është mungesë takti, por reflektim i arrogancës së një shteti të fortë që po përballet me jorespekt nga Perëndimi. Flakë për flakë! Për më tepër, në euforinë e një ngjitjeje ekonomike dhe të forcimit në logun politik ndërkombëtar. Nëpunësen e shtetit ndoshta e mashtrojnë sytë e shkruar të pasagjeres që duket si perëndimore…

Një kundërthënie që nxjerr në pah në njëfarë mënyre një krizë identitare të Turqisë. Pavarësisht lëkundjeve të viteve të fundit, ajo prej një shekulli është në ethet e oksidentalizimit. Me një vështrim krejt sipërfaqësor i serialeve turke, divizionit të parë në betejën e imponimit të jashtëm, të bien në sy gjithë ato aktore dhe aktorë biondë. Ende më shumë të tillë me sy të shkruar. (Kush është biond dhe me sy të shkruar – a la Mustafa Kemal – e pret një karrierë të ndritur në Turqi. Së paku në kinematografi.) Një imazh aspak reprezentativ për popullin e Turqisë që shohim në botë dhe në vend. Mesazhi i këtij investimi: Ne jemi si ju – Evropë!

Por, syzet e diellit janë pak gjë. T’i humbasësh syzet e të parit është pothuajse një mallkim. Një okulisti i bëri përshtypje të jashtëzakonshme fakti që shqiptarët betohen «për sytë e ballit». Por, deti nuk i kursen as fëmijët, jo më gjyzlykët. Gjithsesi, kush i ka përvetësuar mirëfilli shprehitë perëndimore, është i imunizuar nga pakëndshmëri të këtilla. Organizata të ndryshme, nëpër të cilat janë të siguruar qytetarët në Zvicër, lëshojnë lista të gjërave që duhen marrë patjetër në një udhëtim. Aty bën pjesë edhe zgjidhja për situatën kur mbetesh pa syzet. Çfarë ngel, është dëgjimi i mirë. Dhe, fikja e një shqise e forcon tjetrën. Por, edhe me syzet nuk ka se si të mos zënë veshët thirrjen e nënave bijtë e tyre që nuk dalin nga uji i detit – «Kushtrim!», apo «Ebu Bekër!». Edhe ky i fundit një shqiptar – me brekë plazhi, biond… Por, kjo nuk është e vetmja gjë që nuk shkon me këtë emër.

Regjimi i kazermës, kur duhet të ushqehesh tri herë në ditë në hotel, të pengon të dalësh dhe ta njohësh më mirë vendin dhe njerëzit e tij. Atë që takon vazhdimisht, personeli i hotelit, është shumë miqësor dhe i angazhuar. Më tepër se profesional, është njerëzor dhe i papërtueshëm. Të tillë duhet të jenë banorët e këtij vendi. Bujtina punëson në shërbim disa veta me gjymtime – pa gishta, pa dorë fare…, por me shumë zemër. Në Zvicër, për shembull, janë krijuar programe për angazhimin e personave të hendikepuar. Pa dyshim, një e arritur e sistemeve perëndimore që e ka vullnetin ta integrojë këto kategori në tregun e punës. Profesionalisht. E, në Turqi ky është një integrim në jetën e përditshme shoqërore. Me shpresë, një kurajë, të cilën nuk e kanë perëndimorët. Sidomos në raport me turistët.

Plazhi është një sfilatë më vete. Aty flitet turqisht, gjermanisht, frëngjisht, rusisht, shqip… Njerëz nga e gjithë bota, të çliruar nga bagazhi i punës së përditshme dhe me të njëjtin diell në kurriz. Vetëm një specie u ka vënë rrezeve të tij ndalim – gra të mbuluara deri në grykë i dorëzohen vetëm detit pa dyshim.

Në një javë pushim sheh njeriu gjithë ato gjëra. Po detit ç’i shohin sytë në kaq muaj? Ai tani ka dhe syzet e mia…