Njëherë ti mua, pastaj unë ty…

Efektet e «biografisë» së kryetarit të Kosovës, shkruar nga dy gazetarë britanikë (me gjasë të paguar mirë), tani janë shpalosur gjerësisht – dhe njëri nga efektet është përplasja me akuza mes kryetarit dhe kryeministrit. Natyrisht për hesape të tyre.

Foto: Shutterstock



Në librin e dy gazetarëve britanikë, të prezantuar si «biografi» e kryetarit të Kosovës, theksohet se i dyshuar për tregti me «organe njerëzore» është Ramush Haradinaj – dhe jo kryetari i tanishëm i Kosovës. Emri i këtij të fundit qenkësh përmendur gabimisht, pretendojnë autorët. Ata i referohen një gazetari amerikan, të cilit kështu i paskësh thënë një dëshmitar. Se kush është ai dëshmitar, nuk merret vesh.

Thënë më së buti: kjo është gazetari kafehanesh. Si akuzë është e rëndë. Dhe duket se Haradinaj ka kaluar në ofensivë kundër atyre që i konsideron shpifje ndaj tij në të ashtuquajturin libër për «jetën e veprën» (e deritanishme) të presidentit të Kosovës. Hapi i parë ka qenë botimi i dëshmive mbi pazaret që presidenti dhe armata e tij «mediale» dhe «diplomatike» kanë bërë me avokatin nga Londra Geoffrey Nice, që dikur ka qenë njëri nga prokurorët kundër diktatorit serb në Hagë.

Nice qenkësh zemëruar se ballkanasit sërish ia hodhën. Pak para vdekjes së diktatorit serb në qeli, ai kishte marrë një ilaç që e pezullonte ndikimin e medikamenteve kundër tensionit të lartë të gjakut. Ka dyshime se kundërilaçin i cili përshpejtoi vdekjen e ish-liderit serb, në qeli e kanë futur avokatët e tij – apo këshilltarët juridikë, sepse para trupit gjykues ish-sundimtari serb mbrohej vetë. Tani Nice ndihet i mashtruar nga disa ballkanas të tjerë. Kërkon para, jo pak para. Tregon me dëshmi se ka bërë marrëveshje me qeverinë e Kosovës në kohën kur shef i saj ka qenë kryetari i tanishëm, përmend emra të ujëbartësve të ndryshëm që kanë depërtuar në institucione dhe të cilët shërbimet nëntokësore edhe dallaveret i shohin si punë fisnike.

Çka na mëson ky skandal i hulumtuar nga gazeta «Express»? Na mëson se dy krerë të institucioneve të rëndësishme të shtetit, kryeministri e kryetari, kacafyten mes vete, përpiqen t’ia hedhin njëri-tjetrit, ta ngarkojnë njëri-tjetrin me mëkate (të bëra apo të pabëra), t’i nxjerrin njëri-tjetrit skandale në sipërfaqe (ekzistuese apo jo ekzistuese), t’ia bëjnë gropën njëri-tjetrit. Krejt kjo bëhet për hesape të tyre.

Të dy kanë obligime kushtetuese për t’i shërbyer vendit. Dhe çfarë bëjnë? Njëri lidhë kontrata për hallet e tij private, tjetri pushon në një hotel të shtrenjtë në Zvicër dhe nuk ofron asnjë dëshmi se kush e pagoi këtë banket alpin. Nga letra e avokatit Nice burojnë indikacione se për të shkruar «biografinë» e presidentit ka punuar një ekip i tërë dhe arka me honorarë duket se ka qenë e thellë.

A nuk është ky rast për drejtësinë? Kjo është një pyetje heretike në një vend ku drejtësia është e kapur nga politika. Çështja duhet të shihet ndryshe: këta që «na kanë çliruar» kanë të drejtë edhe të na plaçkitin nga pak, sidomos kur u vjen rasti të jenë pranë vegshit të buxhetit. Dhe qytetarët e Kosovës rastin ua kanë dhënë pameritueshëm gjatë! I vetmi ngushëllim: së paku po dalin në dritë maskarallëqet. Pas disa rasteve të arbitrazhit, ku Kosova ka humbur ose rrezikon të humbë miliona euro për shkak të paaftësisë, papërgjegjësisë dhe grykësisë së pushtetarëve, tani le të merremi pak me një jurist britanik, i cili dikur fliste kundër krimeve të diktatorit serb mbi shqiptarët, ndërsa tani ankohet se liderët e shqiptarëve e kanë mashtruar.