Njëherë krimi, pastaj sistemi

Parimi «fituesi me fituesin në qeveri» është irracional. Kjo tani i shërben Gruevskit si shkak për trazira. Ndërkohë që shumica e tij është e kontestueshme. Në njëfarë mënyre, ajo i detyrohet edhe një angazhimi të errët të partive shqiptare.

Foto: esfera / shutterstock



Histeria e partisë së Nikola Gruevskit është bartur në Parlamentin e Maqedonisë. Prej ditësh aty po luhen skena groteske, ku deputetët e tij po zhvillojnë një debat të pafund me diskutime dhe replika me njëri-tjetrin. Për qëllimin e saj nuk dyshon askush: Demoralizimi i kundërshtarit politik, deri në imponimin e zgjedhjeve të tjera të përgjithshme, së bashku me ato lokale, në pranverë. Trampolina e këtij ligjërimi: Platforma e partive shqiptare në Maqedoni.

Tema e Platformës së partive shqiptare, që nga Gruevski quhet Platforma e Tiranës, kurse nga shqiptarët Deklaratë, duket është ezauruar. Para së gjithash, është argumentuar se ai nuk e ka me përmbajtjen e saj, edhe pse nuk ka asnjë garanci se do t’i rrekej me ndonjë pasion implementimit të saj. As me faktin, në vetvete, sikur krijohet përshtypja, që ajo është nënshkruar në Tiranë. Megjithatë, ka ngelur pa u spikatur një element që nuk është se nuk është tanguar.

Sipas të gjitha gjasave, shkrehja e partisë së Gruevskit kundër «Platformës së Tiranës» lejon edhe një lexim tjetër. Xhindosja e tij me Tiranën pra nuk ka të bëjë me përmbajtjen e Platformës, a Deklaratës, sepse ajo është reflektim i identitetit të njohur politik të shqiptarëve në Maqedoni, por me bindjen e partive shqiptare të Maqedonisë nga kryeministri Edi Rama për të koalicionuar me Zoran Zaevin. (Për dallim nga Ilir Meta, i cili ka lobuar për Gruevskin!).

Gruevski, pas përcaktimit të partisë së Ali Ahmetit për Zaevin, ndihet i prerë në besë. Me këtë është shkelur kodi, për të cilin vetë Ahmeti u rropat aq shumë në vitet 2006-2008, kur Gruevski e zgjodhi si partner partinë e Arbën Xhaferit, edhe pse ajo nuk e fitoi shumicën e votave të shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, Ahmeti e ka një vrasje ndërgjegjeje për këtë shkelje të parimit të vet. Prandaj, edhe molisja e partisë së Ahmetit për ta refuzuar Gruevskin.

Parimi i etabluar nga 2008-ta quhet fituesi i maqedonasve koalicionon me fituesin e shqiptarëve. Nga kjo pikëpamje, edhe Gruevski, edhe Ahmeti, duket se kanë të drejtë të vuajnë. Por, përveç faktit që ky është një koncept irracional, argumentimi i Gruevskit çalon edhe në vërtetësinë e premisave të tij. Pyetja që shtrohet është nëse ai vërtet është fitues i shumicës së votave te popullata maqedonase? Jo vetëm në planin moral, por edhe në atë të fakteve.

Dihet që partia e Grueskit, pavarësisht se ka dalë me një deputet më shumë se ajo e Zaevit, ka një rënie të ndjeshme të deputetëve. Kjo e bën atë qartësisht një humbës të madh moral. Por, ajo është akuzuar për shumë shkelje, të cilat nuk janë proceduar edhe falë anëtarëve shqiptarë në Komisionin Qendror Zgjedhor, ndonjëri prej të cilëve ka qëndruar gjithë kohës si gur varri! Dhe, kjo është vërtet për t’u merakosur: Çka i bën ata kaq të bindur ndaj kësaj partie maqedonase?

Fati i shumicës te maqedonasit varej në një fije peri. E vendoste një komunë shqiptare në Tetovë. Një lëvizje e vogël dhe Gruevski mbase do të ishte aty ku për çka thuhet e bën gjithë këtë rrëmujë tani. Ç’është luajtur pak ditë para rivotimit në këtë fshat, do të mund të shkruhej një dramë kadareane. Njohës të ngjarjes rrëfejnë për një mobilizim në ethe të të dyja partive të vjetra shqiptare në favor të partisë së Gruevskit! Koncentrimi në një vend të vogël i të gjitha mashtrimeve.

Irracional mund të quhet parimi «fituesi me fituesin», në rastet kur të tillë mund të dalin dy parti të djathta me akcente nacionaliste. Çfarë arti do të duhej për t’i ikur luftës së programuar. Irracional do të ishte ky parim edhe në situatën kur fituesi maqedonas e refuzon një platformë genuine të tjetrit, dhe ky duhet të koalicionojë patjetër. Irracional bëhet ky parim kur ai nuk e konsideron faktin që njëri prej partnerëve është në të drejtën e tij ta refuzojë tjetrin që ndiqet penalisht.

Nuk duket më mirë as e kundërta: Çfarë kuptimi ka kur fituesi maqedonas mund ta marrë cilëndo parti shqiptare në koalicion, përkatësisht më të voglën? Atëherë dalja në zgjedhje te shqiptarët e humb kuptimin. Përse duhet ta votojnë një parti, kur mandatari mund të shërbehet lirisht sipas levërdive të tij? Për më tepër, një qeveri e tillë, për shkak se ligje të caktuara mund të sillen vetëm edhe me shumicën e dyfishtë, në këtë rast atë të shqiptarëve, nuk do të ishte funksionale.

Kohëve të fundit nga opinionistët kërkohet një aktivizim i faktorit shqiptar në Maqedoni. Një reagim i vendosur ndaj baltës që po hidhet mbi shqiptarët. Në fakt, do të duhej të siguroheshim se ata i kanë shkëputur lidhjet me këtë elitë të korruptuar të Maqedonisë dhe segmentet e veta të përfshira në marifete me këto elita. Të procedohet me durim, duke i ndërruar njëherë aktorët e inkriminuar, pastaj duke e ndërruar sistemin e reprezentimit të qytetarëve dhe popullatave.