Një zog humb shtëpinë me zhdukjen e bunkerëve

Shqiptarët mund të gëzohen që po i lënë pas kërpudhat e betonit të Enver Hoxhës, por kjo e detyron një dallëndyshe timide t’ia nisë nga e para.

Foto: Shutterstock



Mauro Fasola s’e fsheh një farë trishtimi kur kujton si ka ndryshuar Shqipëria mes vizitave të tij, e para në 1996-ën dhe tjetra në 2013-in.

Para nëntëmbëdhjetë vjetësh, me një grup biologësh, ky profesor i ekologjisë nga Pavia në Lombardi, i binte nga ana në anë rezervatit natyror të Lagunës së Karavastasë për identifikim zogjsh. Zona ishte mbushur me bunkerë kundër-ajrorë që shihnin nga vendi i tij, Italia.

Për Fasolën, i cili tani është 65 vjeç, ky ishte «reagim i ekzagjeruar dhe paranoiak» ndaj «aktit hajvan» të pushtimit fashist të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, kinse për shkak të korrupsionit të politikanëve të saj.

Një bunker ishte mu në mes të Divjakës, ngjitur me Karavastanë. Një banor po ngrinte shtëpinë mbi një tjetër. «S’të lë kush ta shkatërrosh bunkerin,» i thotë fshatari Fasolës. «Por për të ndërtuar mbi të, s’ka problem.»

Të tjerë quknin arat e mbjella. Në rripin e tokës që ndan lagunën nga deti radhiteshin strehimet për artilerinë kundërajrore. Bunkerë më të vegjël qepnin linjën mes rërës dhe pyllit të pishave, me ç’duket për këmbësorinë.

Një zog i rrallë në Itali, një dallëndyshe kërbishtkuqe, po hynte në njërin bunker. «Me siguri do kishte folenë brenda,» thotë Fasola. «Plus që është zog që jeton në koloni, prandaj nëpër bunkerë do kishte dhe të tjera fole.»

Fole të tjera pati. Duzina të tëra kërbishtkuqesh të ngjitura tavaneve të bunkerëve. Të gëzuar nga ky zbulim, ai dhe Taulant Bino, i vetmi vrojtues zogjsh në bordero që kishte Shqipëria, nxituan t’i botonin rezultatet tek Alauda, revista e Shoqatës për Studime Ornitologjike në Francë.

Hirundo ose Cecropis daurica u përcaktua si dallëndyshe e Liqenit të Bajkalit në Siberi nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, punë burokratësh luteranë të punësuar nga Perandoria Ruse për të studiuar territoret e saj në ekspansion.

Në Ballkan, dhjetëvjeçarët e fundit ato po përhapeshin prej jugut të gadishullit drejt veriut, mes shtigjeve që krijonin lumenjtë me derdhje në Adriatik, por edhe nëpër karstet e litoralit slloven.
Më e rrallë se dallëndyshet e zakonshme, është më e bukur se ato, me kërbishtin ngjyrë ndryshku. «Është shumë zog i bukur! Ka atë bishtin e zi dhe shpinën e kuqe,» thotë Fasola.

Por cicërima, meh. «Këngë mediokre» e pat quajtur në vademecum-in për rendin e harabelëve dhe dallëndysheve në Evropë Paul Géroudet-i, ornitologu i njohur zviceran.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, kur Fasola dhe Bino vizitonin prapë zonën, bunkerët që shihnin nga Italia ishin zhdukur. Një pjesë u kishin lënë vendin zhvillimeve turistike, asaj sipërmarrjeje që fillon me një restorant me dysheme çimentoje dhe mbyll ciklin me blloqe të tërë apartamentesh për pushuesit në bregdet.

Rezervati natyror i Karavastasë kish mbetur thuajse i paprekur, por të varfërit mes shqiptarëve u kishin vënë dinamitin masave të betonit për t’u marrë shufrat përforcuese të hekurit, dhe për ti shitur për pak pare në metalurgjik.

«Kjo prishi folenizimin e dallëndyshes,» thotë Fasola.

Bunkerët. Ato rëndojnë edhe më shumë kujtimet e komunizmit. Kurrkush nuk ua di numrin e saktë, por hamendjet vërtiten mes gjysmë dhe një milioni. Ishin ndërtuar për tu bërë ballë sulmeve të dy superfuqive, sovjetike dhe amerikane.

Edhe pse dokumentet e fundit e tregojnë atë Shqipëri hermetike më të rëndësishme se ç’mund të merrej me mend për lojërat e Luftës së Ftohtë, këto kërpudha betoni ishin tepri tragjikomike.
Nga fundi i viteve tetëdhjetë, kriza e rëndë ekonomike po i zinte vendin frikës nga pushtimi imperialist si prioritet, dhe vijat e mbrojtjejet po nisnin të braktiseshin. Diku, shërbenin si fole për të dashuruarit e kësaj shoqërie konservatore, tjetërkund, aty për aty, si nevojtore çasti.
Dallëndyshet preferojnë të ndërtojnë foletë në qoshe ndërtesash pranë njerëzve, për të shfrytëzuar zinxhirin ushqimor që poshtë njeriut vazhdon me bagëtitë. Plehrat organike të bagëtive mbledhin insektet, këto të fundit janë ushqim për dallëndyshe dhe të tjerë zogj. Megjithëse ha të njëjtin ushqim, dallëndyshja kërbishtkuqe preferon foletë në hapësira vertikale, nëpër të çara shkëmbinjsh. «Është shumë i turpshëm si zog,» thotë Bino, ornitologu nga Tirana.

Por si mjet përshtatjeje, gjatë shekullit të kaluar kërbishtkuqet mësuan t’ua ngjeshin foletë sipërmarrjeve njerëzore të çuara dëm. Ornitologët i gjenin nëpër barqe urash të harruara të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Francë, fortifikime të luftës së dytë botërore në Pirenej apo karkasa ndërtesash në Bullgari. Në Shqipëri, u hynin në punë ato kërpudha betoni. Gati gati sikur natyra reklamon dhe ndreq çmendurinë njerëzore, reflekton Fasola.

Bino sikur nuk di ç’mësim të nxjerrë. Në Universitetin e Montpellier-it në Francë, ai i pat përfunduar ato studime biologjie që Enver Hoxha, porositësi i bunkerëve, i pat lënë në mes gjysëm shekulli më herët. Ishte nga të rrallët profesorë të Universitetit të Tiranës që u fut në grevë urie për heqjen e emrit të Hoxhës nga universiteti në vitin 1991. Më vonë, bëri pjesë në një qeveri që donte të shpërbënte trashëgiminë staliniste të Shqipërisë, përfshirë këtu ç’kishte mbetur nga muzeu i Hoxhës, një tjetër kaba betoni.

E prapëseprapë, mbas grevës së urisë, ai u nis për ligatinat e jugut të Francës për studimet e tij ornitologjike. Punimin e doktoraturës e pati mbi pelikanin kaçurrel, zogun magjepsës që folenizon në Karavasta. E ka ëndërr të arrijë të nxjerrë katalogun e zogjve të Shqipërisë.

Dhe kohët e fundit, ka krijuar Shoqatën Ornitologjike Shqiptare, e cila po inkurajon dhjetëra amatorë të rinj të zogjve. Në një takim syresh një fundjavë plot diell nëntorin e kaluar, Bino u tregonte kolegëve fotografi folesh të kërbishtkuqes. Ishin interesante, foleja e atij zogu ka një tunel prej ku hyn në një kupolë më të gjerë, gati si një farë modeli bunkeri i bërë nga një dallëndyshe, i cili i ngjitet tavanit të bunkerit tamam, të bërë nga njerëzit.

Nga prilli, më nisi fotografinë e një tjetër foleje kërbishtkuqeje që sapo kish marrë afër Topojës në Fier, dhjetë kilometra e ca tutje Karavastasë. Më thotë se planet për gazsjellësin nga Azerbajxhani për Itali e çajnë atë fushë mes për mes mes, duke marrë rrezik me vete edhe folenë me gjithë bunker.
«Bunkerët sjellin kujtime traumatike për shumicën, por për mua si ornitolog janë strehë për ata zogj. Edhe për lakuriqët e natës. Edhe lakuriqët e natës i duan bunkerët.»

(BIRN Albania, Reporter.al)
http://www.reporter.al/nje-zog-humb-shtepine-me-zhdukjen-e-bunkereve/