Një xhami nën vëzhgim

Një gazetar hulumtues jep alarmin: Basellandi është shndërruar në një vatër të nxehtë të terrorizmit. Një gazetë lokale e hulumton skenën. Shqiptarët ndër të dyshuarit për ekstrmizëm. Gjendja në Liestal si në disa vende të tjera të Zvicrës.




Gazeta «Basellandschaftliche Zeitung» i ka hyrë hulumtimit. Shkak për këtë u bë një deklaratë e reporterit të luftërave dhe gazetarit të vitit 2014 në Zvicër, Kurt Pelda: Basellandi është bërë një vatër e nxehtë e terrorizmit. Kryetari i qytetit, Likas Ott, nuk u beson syve as veshëve: «Këtu po zihet diçka e pavërtetë».

Gazeta i referohet Ekspertit të sigurisë në ETH, Lorenzo Vidino. Sipas tij, xhihadistët dhe simpatizantët e ISIS-it vijnë nga rrethet e gjeneratës së dytë të migrantëve, kryesisht me prejardhje nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova ose Bosnja – janë njerëz të lindur në Zvicër ose së paku të rritur këtu. Ka edhe një grup të madh të konvertuarish. Që shumë xhihadistë zviceranë dhe simpatizantë vijnë nga ambiente shqiptare, e konfirmon për gazetën vet gazetari Kurt Pelda.

Fakti që shumë ekstremistë janë myslimanë të ballkanit, për gazetën është paksa kontradiktor, sepse islami në ballkan ka qenë tradicionalisht tolerant dhe apolitik. Para dhjetë vjetësh rekrutimi bëhej nga migrantët e gjeneratës së parë, me prejardhje arabe.

Pretendimet e Pelda-s refuzohen edhe nga Drejtoria e Sigurisë së Basellandit. «Pohimi nuk është i provuar, as nuk korrespondon me perceptimet tona», citohet zëdhënësi i Drejtorisë, Adrian Baumgartner. Skena, thuhet më tej, qëndron nën vëzhgimin e specialistëve të Policisë së Basellandit. Në të vërtetë, në një rreth të kufizuar shihen megjithatë grupime të cilat dyshohen për ekstremizëm ose që po radikalizohen. Por, për shkaqe të hetimit nuk jepen më shumë detaje.

Në rajonin e Basellandit, deri më tani prokuroria është marrë vetëm me një rast: Një simpantizant i ri i ISIS-it nga postuar në internet video të dhunshme publicitare për organizatën. Rasti, raporton gazeta, i është deleguar Prokurorisë Federale, ka thënë Baumgartner.

Predikuesit e dhunës në xhaminë e Liestalit

Në janar Drejtoria për Siguri dhe Qeveria kishin folur për një numër njëshifror të xhihadistëve në Baselland, të cilët ishin të gatshëm të shkonin në «luftën e shenjtë». Kryetari Lukas Ott flet për një simpatizant të ri të ISS-it, me prejardhje turke që është nisur në drejtim të Irakut, apo Sirisë. Në të gjithë Zvicrë, thotë gazeta, janë 60 deri 70 të tillë.

Përkrah xhihadistëve të veçantë, në rrethet e xhamive shihen rryma të salafistëve. Si ithtarë të një interpretimi fundamental të Islamit, salafistët e refuzojnë rendin demokratik të Zvicrës, por nuk shfaqet publikisht si të dhunshëm. Një studim i rëndësishëm i departamentit të sigurisë së ETH-së e përmend shoqatën «Kandil». Sipas studimit, hapsira e namazit të tij qenka një vend i njohur ku grumbullohen salafistët e Zvicrës. Xhamia gjindet në një zonë industriale të Liestal-it për në drejtim të Büren-it dhe nuk identifikohet si e tillë. Shumë nga banorët nuk e kanë ditur që përveç komunitetit të moderuar islam të Palazzo-s paska pasur edhe një tjetër. Në hapsirat e «Kandil»-it, ku luten kryesisht të rinj nga Ballkani, në mënyrë të përsëritur janë paraqitur predikues radikalë, si puna e salafistit nga Berlini, Ahmud Abdul Baraa dhe imami nga Kosova Mazllam Mazllami, raporton «basellandschaftliche Zeitung».

Roli i Radio Dawa-së

Gazeta ka gjetur paraqitje në Liestal të konveritit të njohur në Islam, ish boksierit Pierre Vogel. Nuk dihet nëse kjo paraqitje ka ndodhur në hapsirat e «Kandil»-it. Nuk dihet edhe nëse ekzistojnë lidhje ndërmjet shoqatës dhe Radio Dawa-së, një faqe interneti në regjionin e Baselit, e cila, sipas gazetarit Pelda, simpatizon ISS-in dhe al-Kaidën. Kjo, sipas tij, shihet në afishimet e tij në faqe.

Kryetari i qytetit thotë se ka dijeni për paraqitjen e një predikuesi radikal në shoqatën «Kandil», por tërhejek vëmendjen që për këtë të mos akuzohen të gjithë besimtarët e xhamisë. «Edhe në ato xhami ku falen ekstrmistët, ata janë qartë pakicë», thotë edhe Pelda. Ndërkaq studimi i ETH-së sugjeron që radikalizimi bëhet nëpër vendet private të lutjes dhe në ato pak xhami konservative që ka. Shumica e xhamive zvicerane e refuzojnë ekstremizmin.

Gazetari mendon se Liestali nuk është i vetmi vend ku veprojnë ekstremistët. Tendenca të ngjashme ai sheh edhe në Biel, Winterthur ose Dietikon. Dhe e relativon paksa pohimin e tij fillestar: «Për mua, sipas hulumtimeve të mia, në Liestal dhe rrethinë ka një fole të islamistëve». ks