Një vigan i letërsisë

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit amerikan Philip Roth.

Philip Roth.



Pak muaj para se t’i mbushte 85 vjet, Philip Roth i dha një intervistë të gjatë gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung». Mes tjerash aty Roth rezononte edhe për ditët e tij të pleqërisë. «Edhe pak muaj do të braktis moshën e shtyrë për të arritur moshën e pleqërisë dhe për t’u fundosur edhe më thellë në luginën e hijes. Është e habitshme që unë në fund të çdo dite ende jam këtu. Kur shtrihem në shtrat gjatë natës, qeshem dhe mendoj: ‘Jetova edhe një ditë’. Pastaj është po ashtu e habitshme të zgjohesh tetë orë më vonë dhe të shohësh se ka filluar mëngjesi i ditës tjetër dhe unë ende jam këtu. ‘E mbijetova edhe një natë’ – ky mendim më bën të qeshem përsëri. Shtrihem në shtrat duke qeshur dhe zgjohem duke qeshur. Jam shumë i lumtur që jetoj ende».

Por, Roth ishte i vetëdijshëm se përkundër iluzionit se jeta do të vazhdonte, ajo një ditë do të merrte fund. «Do të shohim sa zgjat fati im». Ky fat zgjati deri dje. Dje Philip Roth vdiq në New York në moshën 85-vjeçare. Roth ishte dhe do të mbetet një vigan i letërsisë. I madh si romansier, i adhuruar nga lexuesit në SHBA dhe Europë, por edhe anë të tjera të botës, i shpërblyer me gati të gjitha çmimet e rëndësishme letrare. Një çmim Roth nuk e mori – Nobelin e famshëm, por për këtë s’bëhej aq merak ose merakun dhe zemërimin e fshihte pas humorit të tij të papërsëritshëm. Në një bisedë me revistën gjermane «Der Spiegel» ai thoshte se është shumë krenar që është i vetmi autor i gjallë që ka një edicion të vetin në Library of America, ai shpresonte se do të vazhdonte të ishte mirë me shëndet, se do të shijonte lumturinë. Nobeli? Philip Roth përgjigjej: «Ah, çmimi Nobel, as që mendoj për të».

Në përkujtimet e para të mediave europiane dhe amerikane Philip Roth përshkruhet si «më i madhi shkrimtar i kohës sonë». Nuk ka asnjë teprim në këtë vlerësim. Ai që në të gjallë të tij i përkiste kanonit të klasikëve. Rothit deri diku i afroheshin vetëm këta tre autorë amerikanë: Cormac McCarthy, John Updike dhe Don DeLillo. Roth thoshte se miqtë e tij më të mirë janë qetësia e madhe dhe serioziteti i jashtëzakonshëm. Me këtë qasje ai udhëtoi nëpër karrierën e tij të gjatë si letrar. Botoi 27 libra – romane, novela, tregime, ese, intervista. Në shqip janë përkthyer këto romane të tij: «Komploti kundër Amerikës», «Inati», «Del hija», «Ankimi i Portnoit», «Martesë me një komunist». Nëse tentohet të përshkruhet me tri fjalë vepra e tij, atëherë ato do të ishin: humori, seksi dhe racizmi (jo i tij, por i shoqërisë amerikane). Te romani «Ankimi i Portnoit» personazhi Aleksadër Portnoi i rrëfehet një psikoanalisti mbi seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Ky është një monolog i një djaloshi të humbur në maninë e tij seksuale, në kodet morale dhe kureshtjen ndaj nënës së tij.

«Njolla njerëzore», po ashtu i përkthyer në shqip, konsiderohet si njëra prej kryeveprave të Philip Roth. Edhe këtu, si në shumë romane të Roth, personazh prominent është Nathan Zuckermani, i cili takon një profesor, i cili si pasojë e keqkuptimeve ka humbur gjithçka – prestigjin, familjen. Sekretin e madh ai mund ta ndajë vetëm me Faunian, të dashurën e tij. Ky roman, i xhiruar si film, ka marrë edhe çmimin Oskar. Roth ishte një autor i sarkazmës, humorit dhe melankolisë, këtë të fundit e kishte edhe një lloj trashëgimie hebraike. Roth u lind në Newark afër New Yorkut. Shumë shokë të tij të fëmijërisë ai do t’i bëjë të famshëm më vonë në romanet e tij. Në vitin 2016 Roth ia dhuroi 4000 libra nga fondi i tij privat një biblioteke në Newark. «Jam 83-vjeçar dhe s’kam trashëgimtar», tha ai atëbotë. «Jeta është vetëm një episod i shkurtër, kur je i gjallë».