Një vigan gjerman

Ai që bashkoi Gjermaninë dhe i dha hov integrimeve europiane: Helmut Kohl, kancelari me merita historike, ka vdekur në moshën 87-vjeçare. Një përkujtim dhe disa detaje mbi politikën e tij ndaj Ballkanit - dhe sidomos Kosovës.

Helmut Kohl (1930-2017).



Frika se lajmi mund të jetë i rrejshëm vërehej në çdo titull medial të premten në mbrëmje. Pothuaj të gjitha redaksitë gjermane i referoheshin gazetës «Bild», e cila e dha lajmin e para për vdekjen e Helmut Kohlit. Në vitin 2015 gazeta «Die Welt» kishte njoftuar gabimisht se Kohli kishte vdekur dhe kësisoj atëbotë shkaktoi një huti të përgjithshme publike.

Të premten në mbrëmje lajmi për vdekjen e Kohlit ishte i vërtetë dhe për përkrahësit dhe rivalët e tij, për miliona gjermanë, për burrështetas dhe të interesuar të tjerë për historinë e Europës në gjysmën e dytë të shekullit të XX u mbyll një epokë, një kapitull. Në moshën 87-vjeçare vdiq një vigan gjerman. Avokati i tij njoftoi se Kohl vdiq në shtëpinë e tij në Ludwigshafen. Kohl ishte 16 vjet kancelar i Gjermanisë. Asnjë shef qeverie nuk e ka drejtuar më gjatë Gjermaninë. Këtë rekord ka gjasa ta kalojë kancelarja e tanishme Angela Merkel nëse i fiton zgjedhjet parlamentare në shtator. Gjasat për këtë janë intakte.

Kohl është një figurë historike për shumë arsye: gjatë qeverisjes së tij ra Muri i Berlinit, u bashkua Gjermania, shteti i bashkuar u anëtarësua në NATO, ai hodhi themelet për Europën e bashkuar dhe të integruar, ai hoqi dorë nga marka gjermane dhe ishte njëri nga etërit themeltarë të valutës së përbashkët europiane, euros.

Një bashkëpunëtor i besueshëm për Helmut Kohlin ka thënë se ai ishte personaliteti që ia hoqi botës frikën nga gjermanët. Me qasjen e tij modeste ndaj burrështetasve të tjerë, me dukjen provinciale, të cilën duket se e kultivonte me qëllim, me fjalë të matura dhe larg mendjemadhësisë kosmopolitane, Kohl ngjalli besim dhe krijoi respekt në Londër te Margaret Thatcher, në Paris te François Miterrand (më 1984 presidenti francez dhe kancelari gjerman vizituan varrezat e ushtarëve gjermanë në Verdun dhe për disa minuta i shtrënguan duart njëri tjetrit – një fotografi për histori, që simbolizonte pajtimin mes Francës e Gjermanisë), por para së gjithash Kohl arriti të krijojë një raport mirëbesimi ndaj Mihail Gorbaçovit, i cili u bë vizionar prej zori: kur e pa se komunizmi s’ka ardhmëri, ai hoqi dorë nga ambiciet sovjetike për të mbajtur nën pranga popujt e Lindjes dhe nuk e pengoi bashkimin e Gjermanisë. Kjo mbetet një meritë historike e Gorbaçovit. Një politikan dogmatik në Kremlin lehtë do të mund të shkaktonte një tragjedi në mbarë kontinentin.

Pas lajmit për vdekjen e Kohlit flamujt në Bruksel u lëshuan në gjysmështizë, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se Kohli ishte një fat për historinë gjermane, kancelarja Merkel e quajti gjerman dhe europian të madh, ish-kancelari Gerhard Schröder tha se Kohl ishte patriot i madh dhe europian, ish-presidenti Bill Clinton theksoi se Kohli ishte i thirrur t’u përgjigjet disa prej pyetjeve më monumentale të kohës së tij – «dhe duke iu përgjigjur atyre si duhet, ai e bëri të mundshëm ribashkimin e një Gjermanie të fuqishme, prosperuese dhe krijimin e Bashkimit Europian. «Ai ishte një burrë, të cilin unë e shikoj si njërën prej figurave më të mëdha udhëheqëse politike në Europën e pasluftës», tha ish-presidenti amerikan George H. W. Bush. Sipas Mihail Gorbaçovit gjermanët e quajtën Kohlin «kancelar të bashkimit – kjo është e saktë dhe e drejtë». Henry Kissinger, edhe vetë një monument i politikës botërore, tha: «Jam i pikëlluar për humbjen e një miku të ngushtë dhe të besueshëm. Helmut Kohli ishte një figurë historike».

Kohl ishte i sëmurë prej vitesh. Fotografitë e fundit publike të tij u plasuan në opinionin nga Ipeshkëvia në qytetin Speyer, të cilën e kishte vizituar me gruan e tij të dytë, Maike Kohl-Richter. Gruaja e parë e Kohlit, Hannelore, ia mori jetën vetes në vitin 2001; ajo vuante nga një alergji e dritës. Raporti i Kohlit me dy djemtë e tij ishte i vështirë, viteve të fundit pothuaj se nuk mbanin kontakt. Drama e familjes Kohl ishte temë edhe në mediat gjermane. Gruaja e dytë e kancelarit historik ishte 34 vjet më e re se ai dhe u kujdes që pas martesës ta izolojë dhe mbajë Kohlin nën kontroll të rreptë. Kohl qeverisi Gjermaninë nga viti 1982 deri më 1998. U zgjodh kancelar në vitet 1983, 1987, 1990 dhe 1994. Më 1998 humbi zgjedhjet dhe pasardhës i tij u bë socialdemokrati Gerhard Schröder.

Edhe raporti i Kohlit me partinë e tij u keqësua pas vitit 1999, një vit pasi ai humbi zgjedhjet. Atëbotë u bë e ditur se Kohl kishte pranuar donacione për partinë e tij nga njerëz anonimë. Ai refuzoi me këmbëngulje të tregojë emrat e donatorëve, ndonëse këtë e kërkon ligji gjerman për financimin e partive.

Ndaj krizës në Jugosllavi Kohl mbajti një qëndrim ambivalent. Përkundër propagandës serbe se Kohl ishte shkatërrues i Jugosllavisë, sepse sistematikisht paskësh përkrahur shkëputjen e Kroacisë dhe Sllovenisë, kjo nuk i përgjigjet fakteve historike. Gjermania pranoi pavarësinë e këtyre dy republikave jugosllave tek pasi për këtë hap i bindi edhe shtetet e tjera të Bashkësisë (së atëhershme) Europiane. Një presion të madh për të mbështetur Kroacinë ndaj Kohlit ushtroi gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ).

Bashkëpunëtorë të Kohlit kanë treguar se kancelari ishte gati i traumatizuar nga komentet gati të përditshme të FAZ, ku apelohej për të mos lënë nën mëshirën e çetnikëve serbë Kroacinë. Kohl kundërshtonte një angazhim më të madh të Gjermanisë në Ballkan edhe për arsye historike. Kohl kishte përjetuar tmerret e Luftës së Dytë, vëllai i tij kishte rënë në luftë.

Sa i përket Kosovës Kohl një kohë të gjatë u angazhua për kthimin e autonomisë së suprimuar nga Serbia. Në qershor të vitit 1998, kur në Kosovë po eskalonte konflikti, Kohl (bashkë me ministirn e Jashtëm Klaus Kinkel) priti në Bonn liderin e atëhershëm kosovar, Ibrahim Rugova, dhe shefin e qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi. Sipas revistës «Der Spiegel» kancelari ia kishte bërë të qartë palës shqiptare se ai mbështet një autonomi të gjerë për Kosovën, por jo pavarësinë. Bukoshi citohej të ketë thënë se gjatë takimit Kohl kishte shprehur një ndjenjë parimore të solidaritetit me shqiptarët e Kosovës. Këtë ndjenjë Gjermania e shprehu sidomos në pranimin e mijëra refugjatëve kosovarë, të cilët iknin nga terrori i regjimit serb. Në Gjermani u lejua të veprojë qeveria në ekzil, e cila përmes fondit të trepërqindëshit financoi jetën paralele në Kosovë.

Politikani i gjelbër gjerman Ludger Volmer ka shkruar se në tetor të vitit 1998 parlamenit gjerman me porosi të qeverisë së vjetër të Kohlit dhe të qeverisë së sapozgjedhur të Schröderit kishte vendosur të marrë pjesë në bombardimin e Serbisë. Gjatë bombadimeve të NATO-s regjimi i Beogradit ishte përpjekur ta angazhojë Kohlin si ndërmjetësues mes NATO-s dhe Slobodan Millosheviqit. Kjo përpjekje kishte dështuar. Gazetarja e revistës «Der Spiegel» Renate Flottau dëshmon në ditarin e saj të luftës nga Prishtina se pas takimit me Millosheviqin, Rugova kishte treguar se diktatori serb kishte ofenduar rëndë Bill Clintonin, ndërmjetësuesit amerikanë Christopher Hill dhe Richard Holbrooke, por para së githash Gerhard Schröderin. Sipas Rugovës, Millosheviqi kishte thënë se nën Helmut Kohlin NATO nuk do ta kishte bombarduar kurrë Serbinë. Përfaqësuesi i fundit i Kosovës që ka takuar kancelarin historik gjerman ka qenë ish-ambasadori i Kosovës në Berlin Vilson Mirdita. Takimi ishte zhvilluar në shtëpinë e Kohlit në Ludwigshafen. Ambasadori Mirdita kishte njoftuar se i kishte dhuruar kancelarit një shtatore të Nënës Tereze dhe një hartë me mineralet nga nëntoka e pasur e Kosovës. Kancelari Kohl me atë rast citohet të ketë thënë: «Një popull qe i ka dhënë botës një personalitet të tillë si Nëna Terezë padyshim që ka një perspektivë të ndritshme».