Një vepër tendencioze mbi Vilajetin e Kosovës

Millosh Jagodiq: «Marrëdhëniet serbo-shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912)», botoi: Zavod za udžbenike, biblioteka Jazon, 408 faqe, Beograd

Foto: Nagip Ismaili - Nagi



Një temë qendrore në kuadër të shkencave historike serbe e përbën historia e periudhës së vonshme osmane në Kosovë deri te pushtimi serbo-malazez në Luftën e Parë Ballkanike (1912/13) dhe veçanërisht marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Duke pasur parasysh krizën e Kosovës sidomos viteve të fundit janë botuar mjaft vepra shkencore dhe publicistike dhe publikime burimesh, me ç’rast pandërprerë paraqitet tabloja sipas të cilës popullsia serbe në Kosovës qenkësh shtypur, vrarë e dëbuar sistematikisht, derisa shteti i pafuqishëm osman paskësh lejuar që kjo të ndodhë dhe pjesërisht paskësh nxitur këtë qëllimisht.

Edhe gjenerata e re e historianëve i kushtohet çështjeve të bashkëjetesës në Kosovën e periudhës së vonshme osmane. Në monografinë e tij, me të cilën doktoroi më 2008 në Universitetin e Beogradit, Millosh Jagodiqi hulumton marrëdhëniet serbo-shqiptare në Vilajetin e Kosovës në vitet 1878 deri më 1912. Si bazë e burimeve atij i shërbejnë dokumentet e pabotuara serbe nga fondi i Arkivit Shtetëror të Serbisë, pjesërisht edhe të Arkivit Shtetëror të Jugosllavisë, të Arkivit të Akademisë serbe të Shkencave dhe të Arteve, të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë si dhe të Arkivit të Institutit Ushtarak në Beograd. Këto autori i plotëson edhe me raporte diplomatike austro-hungareze, britanike, franceze dhe gjermane të publikuara në përkthimin maqedonas si dhe me botime aktesh serbe. Krahas tyre ai vështron burimet narrative serbe, udhëpërshkrimet dhe kujtimet e konsujve serbë, udhëtarëve dhe mësuesve si dhe një sërë statistika të popullsisë, të cilat janë publikuar nga shteti serb.

Pas hyrjes së shkurtër (fq. VII-XI), në të cilën autori prek paksa gjendjen e hulumtimeve, dhe pas një kapitulli mbi krijimin e Vilajetit të Kosovës, mbi kufijtë e tij administrativ që ndryshuan disa herë dhe organizimin administrativ (fq. 1-15), punimi është i ndarë në gjashtë pjesë kryesore. Në kapitullin e parë («Mburojë e Perandorisë», fq. 17-127) Jagodiqi ofron një pasqyrë historike mbi periudhën të cilën e hulumton (1878-1912). Këtu në qendër të vëmendjes është çështja e marrëdhënieve osmano-shqiptare dhe politika osmane ndaj shqiptarëve, në dritën e të cilave, sipas mendimit të tij, duhet parë marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Ai argumenton se shqiptarët kanë qenë shtetas lojalë dhe të besueshëm dhe rrjedhimisht edhe shtyllë e rëndësishme mbështetëse për shtetin osman në politikën e tij ndaj popullsive të krishtera, Fuqive të Mëdha të krishtera dhe shteteve të Ballkanit. Për pasojë Abdylhamiti II kishte bërë një sërë koncesionesh ndaj shqiptarëve në mënyrë që t’i integrojë ata përhershëm në Perandorinë Osmane. Monopolin e mangët të pushtetit shtetëror në Kosovë ai e interpreton si rrjedhojë të koncesioneve të qëllimshme të osmanëve, në vazhdimësinë e të cilave shqiptarët arritën të konsolidojnë «arbitraritetin» e tyre në rajon (fq.51). Në pjesën vijuese («Pabarazia», fq. 129-181) Jagodiqi shpjegon sesi përkundër qëllimit të reformave të Tanzimatit edhe më tutje vazhduan të ekzistojnë pabarazitë ligjore dhe sociale mes myslimanëve dhe jomyslimanëve. Për këtë ai përmend shembullin konkret të serbëve, gjendjen e të cilëve ai e karakterizon si të disfavorshme në krahasim me shqiptarët. Shqiptarët kryesisht të «paarsimuar» myslimanë, të cilët paskëshin qenë armiqësor ndaj serbëve, ai i quan «fanatikë» (fq. 131) dhe në përgjithësi konstaton një identitet të theksuar fetar të shqiptarëve myslimanë. Sipas tij, ata u favorizuan nga autoritetet osmane, dominonin edhe më tutje policinë dhe xhandarmërinë dhe, për dallim nga serbët, mund të bartnin armë. Jagodiqi gjerësisht merret me rrethanat agrare, të cilat i ilustron me tabela. Ndonëse agallarët që zotëronin tokën kryesisht ishin myslimanë, edhe një pjesë e vogël e ortodoksëve të pasur kishte tokë, e cila punohej prej çifçinjve serbë. Por, shumica e ortodoksëve dhe myslimanëve ishin bujq të lirë, të cilët kishin pak tokë të veten. Në përgjithësi edhe këtu autori konstaton një pozitë të pabarabartë të shqiptarëve dhe serbëve dhe një «epërsi» të të parëve (fq. 181).

Në kapitullin e tretë («Krimet», 183-224) autori tematizon çështjen e dhunës në Kosovën e periudhës së vonshme osmane. Këtu Jagodiq shqyrton raportet konsullore serbe, ku mbaheshin shënime të sakta mbi serbët e vrarë, dhe përmbledh tabela të detajuara statistikore mbi qarqet e veçanta administrative, në të cilat ai për çdo vit bën dallimin mes të vdekurve dhe të plagosurve si dhe llojit të akteve të dhunshme (mes tjerash plaçkitje e djegie, zjarrvënie, vjedhje bagëtish, plaçkitje, rrëmbim vajzash, dhunim).

Duke pasur parasysh këto të dhëna Jagodiqi flet për «qëllimet dhe praktikat gjenocidale» (fq. 209) të shqiptarëve kundër serbëve. Dhuna ashpërsohej si pasojë e krizave dhe luftërave të jashtme të Perandorisë Osmane. Autori thekson se dhuna e shqiptarëve kundër serbëve nuk mund të krahasohet me atë mes popullsisë shqiptare, e cila ishte po ashtu shumë e pranishme, por kjo dhunë bazohej në të drejtën zakonore, e cila ekzistonte në shoqërinë shqiptare, dhe gjakmarrjen që ndërlidhej me të. Tutje ai plason tezën se administrata osmane duronte dhunën kundër serbëve, madje ky paskësh qenë «interes strategjik i shtetit» për të arritur «homogjenizimin fetaro-etnik» (fq. 183) të Kosovës.

Pasojë e dhunës së dukshme ishte frika e përgjithshme mes serbëve, të cilës Jagodiqi i përkushtohet në kapitullin vijues me titullin e njëjtë «Frika» (fq. 225-240). «Frika nga vdekja» (fq. 225) kishte bërë që serbët të mos kenë mundësi t’i braktisin fshatrat e tyre përkatësisht lagjet dhe hapësira e tyre e lëvizjes pjesërisht ishte e kufizuar në mënyrë ekstreme. Njëkohësisht autori konstaton momente frike edhe te pala shqiptare: që nga lufta ruso-osmane e viteve 1877/78 shqiptarët frikësoheshin nga pushtimi i rajonit prej Serbisë dhe Malit të Zi dhe hakmarrjes së serbëve për aktet dhunshme të kryera nga shqiptarët. Në kapitullin e ardhshëm «Shpërngulja dhe kolonizimi» (fq. 241-304) Jagodiqi argumenton se shteti osman e kishte forcuar «politikën e tij të homogjenizimit fetar» (fq. 241) përmes vendosjes sistematike të shqiptarëve dhe myslimanëve, të cilët «gjatë luftës së viteve 1877/78 kishin ikur nga territoret e çliruara të Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë si dhe myslimanëve, të cilët kishin braktisur Bosnjën dhe Hercegovinën pas okupimit austro-hungarez» (po aty).

Po ashtu osmanët i kishin dhënë «shtytje» (fq. 242) shpërnguljes serbe nga Kosova, por edhe migrimit të brendshëm serb nga fshatrat në qytetet që konsideroheshin më të sigurta. Këtë osmanët e kishin bërë duke «toleruar krimet shqiptare» (po aty). Pasi që në shumë raste shpërngulja ndodhte nën presionin shqiptar, ajo mund të quhet «dëbim» (fq. 244), i cili «u zbatua në mënyrë të planifikuar dhe konsekuente, (…) qoftë përmes përfitimit material, qoftë përmes dhunës» (fq. 304). Në pjesën më të madhe të këtij kapitulli autori prezanton regjistra osmanë dhe serbë të popullsisë, me qëllim që të ilustrojë përmasën e emigrimit dhe ndryshimet në strukturën etno-konfesionale të popullsisë. Në kapitullin e fundit me titull «Politika e pafuqishme» (fq. 305-362) Jagodiqi i qaset në mënyrë përmbyllëse politikës së Serbisë ndaj Perandorisë Osmane dhe popullsisë serbe në Kosovë. Ai konstaton një interes të shtuar të Serbisë për rajonin pas vitit 1878, tematizon raportin rivalizues ndaj Austro-Hungarisë dhe përshkruan hapjen dhe rëndësinë e konsullatave serbe dhe të popëve serbë. Meqë Serbia nuk pati sukses ta bind Portën mbi domosdoshmërinë e krijimit të kushteve më të mira të jetesës për popullsinë serbe, atëherë, konstaton Jagodiqi, Serbia qe e detyruar të përdorë metoda «jolegale». Kështu u jepej ryshfet shqiptarëve për t’i mbrojtur fshatrat serbe, vriteshin kryeplaçkitësit shqiptarë dhe popullsia serbe pjesërisht armatosej, ndonëse kjo në fund të fundit s’pati sukses. Kësisoj Serbia, sipas autorit, ishte e detyruar që nëpërmjet luftës të imponojë kushte të tjera dhe më të mira jetësore për serbët.

Libri që po e trajtojmë është një vepër tendencioze e një historiani të ri serb, e cila në argumentimin e saj nuk dallon nga punimet e deritanishme të historianëve serbë për këtë temë. Sado premtues të tingëllojë titulli i veprës, këtu nuk bëhet fjalë për një rikonstruksion të bashkëjetesës në periudhën e vonshme osmane. Në fakt autori e shikon të kaluarën e sytë e të sotmes dhe skicon një histori konflikti shqiptaro-serb, i cili paskësh ekzistuar gjithmonë dhe në të cilin serbët paskëshin qenë viktimat e vetme. Ky argumentim bëhet i qartë me vetë përzgjedhjen e titujve të kapitujve. Jagodiqi vë në pah dhunën myslimane kundër popullsisë serbe në Kosovë, por nuk e vendosë atë në kontekstin përkatës të dëbimit të popullsisë myslimane në Ballkan në kuadër të luftërave dhe themelimit të shtetit në çerekun e fundit të shekullit të 19-të. Kështu ai nuk e përmend dëbimin nga trupat serbe të popullsisë myslimane, pothuaj tërësisht shqipfolëse nga Sanxhaku i Nishit në kuadër të luftës ruso-osmane të viteve 1877/78, por e quan atë imigrim dhe vendosje. Njëkohësisht ai thekson se ky kishte qenë një aksion i zakonshëm në kohëra lufte dhe i provokuar nga luftimet. Po ashtu, sipas tij, myslimanët nuk kishin shprehur dëshirën të jetojnë në shtete të krishtera. Në rastin serb ai flet për dëbim, i cili «pas luftës u zhvillua vazhdimisht dhe buronte nga një politikë e dëbimit, e cila zbatohej në mënyrë konsekuente» (fq. 366). Por, pikërisht dëbimi i popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit luajti një rol të rëndësishëm në dinamikën e marrëdhënieve serbo-shqiptare në Kosovë. Në përgjithësi lexuesi pothuaj nuk mëson asgjë për mekanizmat dhe format e bashkëjetesës së padhunshme, të cilat gjithashtu kanë ekzistuar. Jagodiqi po ashtu përqendrohet pothuaj plotësisht te shqiptarët myslimanë. Por, do të kishte qenë interesante të mësohet më shumë pikërisht mbi bashkëjetesën e shqiptarëve katolikë me serbët. Në përgjithësi autori sa i përket raporteve osmano-shqiptare sjell një pamje tepër lineare pa kthesa. Për shembull ai nuk përmend konfliktet në periudhën e vonshme të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) mes shqiptarëve dhe shtetit osman. Dhunën e shqiptarëve ai e sheh si pasojë të organizimit të tyre social në fise dhe thekson rëndësinë e gjakmarrjes, por këtu duhet theksuar se në Kosovë, me përjashtim të zonave malore në perëndim, nuk jetonin fare fise, sepse këndej shoqëria ishte e organizuar në familje të mëdha. Në të vërtetë Jagodiqi përmend edhe dhunën mes popullsisë shqiptare, por e minimizon rëndësinë e saj. Edhe roli i Serbisë në eskalimin e dhunës mes serbëve dhe shqiptarëve dhe rëndësia e armatosjes së popullsisë serbe nuk janë të ndriçuara sa duhet.

Kjo është për keqardhje, pasi që një sërë argumentesh të Jagodiqit gjithsesi janë të sakta. Ta zëmë dhuna ishte aspekt dominues i jetës së përditshme, por kjo dhunë ndryshonte në intensitet dhe në rajon ushtrohej në pjesën më të madhe nga myslimanët, një aspekt ky që nuk përmendet sa duhet në historiografinë shqiptare. Por, është problematike të përdoren nocione të pavenda, populliste, siç është rasti në këtë vepër, dhe të krijohet një pamje e njëanshme. Krahas mbështetjes ekskluzive në material arkivor serb si negative duhet të përmendet edhe lista relativisht e shkurtër e literaturës. Përveç literaturës serbe dhe disa punimeve në anglisht mbi Perandorinë Osmane nuk është marrë pothuaj fare parasysh literatura sekondare ndërkombëtare. Pikëpamja shqiptare mbi periudhën e vonshme osmane në Kosovë mungon plotësisht me përjashtim të disa artikujve të shkruar në serbokroatisht. Kështu është shqyrtuar vetëm literatura serbe e përberë nga kujtimet dhe udhëpërshkrimet. Toponimet jepen vetëm në variantin serb. Shikuar nga ana metodiko-teorike bie në sy se Jagodiqi nuk kultivon raport kritik me disa nocione, për shembull komb/kombëtar dhe «çliruar», por as nuk i prek vështirësitë që dalin nga përdorimi shkencor i statistikave të popullsisë. Përmbledhja e punimit në anglisht është gjuhësisht katastrofale dhe është dashur të lekturohet para se të shtypej. Pozitivisht duhet përmendur fotografitë, një regjistër me tabela dhe grafika si dhe regjistri i personave dhe toponimeve.

(Botuar për herë të parë në revistën: Südost-Forschungen. Revistë ndërkombëtare për historinë, kulturën dhe gjeografinë e Europës Juglindore)

*Eva Anne Frantz është historiane dhe anëtare e komisionit për Evropën Juglindore, Turqinë dhe rajonin e Detit të Zi në kuadër të Akademisë Austriake të Shkencave.