Një vend pa minare: rregullat e bulevardit zviceran për qytetarët e huaj

Gazeta bulevardeske zvicerane «Blick» ka shtypur një «Kontratë integrimi», të cilën duhet ta nënshkruajnë të huajt. Kërkesat janë të qarta, por shpeshherë mund të interpretohen edhe si absurde. Dhe kur bëhet fjalë për biznes rregullat harrohen, siç tregon shembulli i qytetit Interlaken, i cili është një Mekë alpine për turistë arabë.



Gazetat bulevardeske jetojnë (edhe) nga popullizmi. Tituj të mëdhenj, kërkesa të qarta, fjali të shkurtra. Së fundi gazeta zvicerane «Blick» ka publikuar një «Një kontratë integrimi» për të huajt. Këtë kontratë duhet ta nënshkruajë çdo i huaj që vjen në Zvicër dhe e ka ndarë mendjen të jetojë në këtë shtet – qoftë si refugjat politik (nëse i plotëson kushtet) apo i ardhur në rrethana të tjera. Kjo është kërkesa e autorëve të kontratës. Si çdo aksion i shtypit bulevardesk edhe ky lehtë mund të kthehet në absurd.

Për shembull në pikën 1 mbi të drejtat e të huajve thuhet se «ligji në Zvicër vlen për të gjithë». Vërtet? Parimisht po, por edhe këtu ka dallime: një i huaj me kuletë të zbrazët duhet të angazhohet shumë për të marrë lejen e qëndrimit – të mësojë mirë njërën nga gjuhët zyrtare të vendit (më së miri gjermanisht), të mos bie në konflikt me ligjin, të punojë pandërprerë. Nëse jeni milioner apo multimilioner rus apo latinoamerikan, atëherë lejen e qëndrimit e merrni pa problem, madje edhe nëse vazhdoni të flisni dialektin tuaj të Bolivisë apo të Siberisë.

«Ligji qëndron mbi religjionin», thuhet në njërën nga pikat e «Kontratës për integrim». Edhe kjo është gjysma e së vërtetës. Nga viti 2006 komunitetet myslimane të turqve dhe shqiptarëve kërkuan që xhamitë e tyre t’i zgjerojnë edhe me minare – një simbol i dukshëm i islamit. Kjo i nxiti qarqet konservatore zvicerane të mbledhin nënshkrime për një referendum, ku populli do të vendoste: duam apo jo të kemi minare në Zvicër? Dhe populli tha jo, s’duam. Zvicra është mbase vendi i vetëm në botë ku janë të ndaluara minaret. Minaret ekzistuese s’mund të prisheshin. Në Zürich një sekt mysliman nga Azia ka ndërtuar para shumë vitesh xhaminë e vet me një mini-minare, në një lagje të qytetit Winterthur besimtarët myslimanë shqiptarë që para referendumit kanë vendosur mbi kulmin e xhamisë së tyre një minare prej teneqeje – një ide jo fort origjinale.

Pas ndalimit të minareve në vitin 2009 hotelierët zviceranë i rroku paniku. A do të vinin tani turistët nga vendet e Gjirit Persik? A do të vinin sheikët me familjet e tyre të mëdha? Apo Zvicra do të bojkotohej? Gati asgjë nuk ka ndryshuar. Në qytete si Interlaken vazhdojnë të vijnë arabë dhe të bien në sy me veshjen e tyre tradicionale. Interlaken është Meka e turizmit arab në Zvicër. Por hotelierët ende janë në panik. A do të vazhdojnë të vijnë arabët edhe në të ardhmen nëse gratë arabe nuk kanë të drejtë të mbulojnë tërë fytyrën?

Shumica e arabëve vijnë pas ramazanit për t’u çlodhur në Zvicër. Disa vijnë edhe gjatë ramazanit. Këta janë finokë: i referohen Kuranit, i cili thotë se kush udhëton nuk duhet të mbajë ramazan. Dhe arabi vjen në Interlaken, shijon atmosferën e bukur, freskinë, liqenet, alpet, kodrat, në dyqane gjen gjithçka, orë dhe djathë dhe çokollata, por edhe nargjile. Ramazanin nuk e mban, sepse është «në udhëtim». Për arabët me kuletë të trashë rregullat e shtypit bulevardesk të Zvicrës nuk vlejnë. Nuk ka turistë më të çmuar se arabët në Zvicër. Mesatarisht çdonjëri prej tyre harxhon 430 franga – për çdo ditë! 430 franga bëjnë 400 euro. Pra, turisti arab e lë në Zvicër çdo ditë një rrogë mësuesi apo polici kosovar. Ashtu diçka.

Rregulli numër 3 i gazetës «Blick» thotë se në Zvicër burri dhe gruaja janë të barabartë. E saktë. Por edhe këtu duhet pak saktësi: gratë në Zvicër tek në vitin 1971 kanë fituar të drejtën e votës. Sa për krahasim: Shqipëria ka lejuar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje në vitin 1920 – njëkohësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Çekosllovakinë e atëhershme. E drejta e votës për gra nuk vlente në tërë territorin e Zvicrës. Në kantonin Appenzell burrat kryeneç tek në vitin 1990 i lejuan gratë e tyre të hyjnë në vendvotime – pasi u detyruan nga drejtësia zvicerane. Po më 1990 edhe shteti i Samoas (në Polinezi) u dha grave të drejtën e votës.

«Kontrata e integrimit» e gazetës «Blick» ka edhe disa pika të tjera, për shembull: burrat (myslimanë) nuk kanë të drejtë të refuzojnë t’ua japin dorën grave për përshëndetje. Vitin e kaluar dy nxënës në rrethinën e Baselit nuk pranonin t’i jepnin dorën mësueses. Kështu një shkollë në një katund të humbur zviceran u bë temë globale, për këtë rast shkruan edhe gazetat e mëdha amerikane. Prindërit e nxënësve u gjobitën, që nga atëherë është kthyer pak qetësia në sistemin shkollor zviceran. Por jeta është dinamike dhe kushedi çfarë planesh kanë «myslimanët e vërtetë» dhe shtypi bulevardesk zviceran. Ndoshta para 1 gushtit, ditës nacionale të Zvicrës, gazeta «Blick» jep këshilla për të huaj mbi ndezjen e fishekzjarrëve.