Një udhëtim sa për një llaf goje

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini po viziton Ballkanin, të cilin e ka quajtur «zemër të Europës». Kjo tingëllon bukur, por Brukseli po tregohet gjithnjë e më i pafuqishëm në qetësimin e gjelave politikë të Ballkanit. Të gjitha ekonomitë e vendeve të Ballkanit mezi gjenerojnë 89 miliardë dollarë – po aq sa gjeneron Sllovakia vetëm. Andaj politikanët në Ballkan llomotisin aq shumë për tema nacionale dhe nacionaliste.

Federica Mogherini.



Në prag të vizitës në Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini tha: «Për Bashkimin Europian puna me Ballkanin perëndimor, një rajon në zemër të Europës, është prioritet kyç. Unë po punoj për të parë secilin prej partnerëve të Ballkanit perëndimor të ecë përpara në rrugën e reformave drejt BE-së, dhe dua të garantoj se kjo është rrugë e pakthyeshme. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbesin esenciale në këtë kontekst».

Të thëna nga Mogherini këto fjalë tingëllojnë bukur. Por, realiteti në terren është në kundërshtim me procesin e integrimeve europiane. Njëkohësisht gjendja e BE-së është aq e ndërlikuar, saqë në periudhën afatmesme nuk mund të pritet ndonjë hap serioz drejt zgjerimit. Në Konferencën e Sigurisë në München, e cila u mbajt para dy javësh, zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, holandezi Frans Timmermans, deklaroi: «E di shumë sigurt se ne nuk do të arrijmë kurrë të zgjerohemi nëse nuk i zgjidhim problemet fundamentale të BE-së».

Mogherini mund të flasë për integrimin në BE si proces të pakthyeshëm, mund ta quajë Ballkanin zemër të Europës, por ajo në Kosovë po vjen për të hapur një urë, të cilën ekstremistët serbë e kanë mbajtur të bllokuar që nga viti 1999. Përkundër «marrëveshjeve historike» në Bruksel, të arritura më herët nga paraardhësja e Mogherinit, Catherine Ashton, BE në Kosovë vazhdon të merret me një grusht ekstremistësh serbë, të cilët i ka toleruar tepër gjatë, duke përkëdhelur njëkohësisht qeverinë e Aleksandër Vuçiqit.

«Në të vërtetë krahas vështirësive me Brexitin, Greqinë, Rusinë, Turqinë dhe së fundi me Amerikën interesi (i BE-së) ndaj 18 milionë banorëve të Ballkanit perëndimor është tepër i vogël. Aq më tepër që ato nuk gjenerojnë as 89 miliardë dollarë në vit – më pak se Sllovakia», shkroi së fundit gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Këto shifra brutale tregojnë përse politikanët në Serbi, në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë flasin me ton superdramatik për tema emocionale siç janë fatet e kombit, grinden pa fund për rezultatin zgjedhor, për sistemin e drejtësisë (të cilin e kontrollojnë), për ndarjen e plaçkës. Bashkimi Europian i ka 28 shtete anëtare. Një shtet i vetëm, Sllovakia, i bart në xhep ekonomitë serbe, shqiptare, kosovare, maqedonase, malazeze dhe boshnjake.

Meqë në aspektin ekonomik gjashtë shtetet e Ballkanit lëngojnë pandërprerë, ndërkohë që kriza politike po thellohet. Në Shqipëri sërish ka eskaluar polarizimi konstant mes dy blloqeve politike, Bosnjë-Hercegovina lirisht mund të quhet «shtet i dështuar», Mali i Zi mbetet i rrezikuar nga opozita proserbe e përkrahur nga Rusia, në Serbi kryeministri Vuçiq dhe partia e tij, të përkrahur nga mediat kriminale të bulevardit, po ngushtojnë hapësirën demokratike, në Maqedoni dy partitë e mëdha po pretendojnë pushtetin, ndërkohë që presidenti Gjorgje Ivanov ka refuzuar t’i jap mandatin liderit të socialdemokratëve me arsyetimin bizar se platforma e partive politike shqiptare qenkësh shkruar në Shqipëri, në Kosovë hendeku mes klasës politike të korruptuar dhe kriminalizuar rëndë dhe shumicës së heshtur të popullsisë po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërsa opozita e përçarë nuk po arrin të mobilizojë masën kritike për ndryshime thelbësore.

Anëtarësimi në BE, siç shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», varet në radhë të parë nga vetë kandidatët. Ato jo vetëm që duhet t’i avancojnë sistemet e tyre ekonomike, të drejtësisë dhe sociale në nivel perëndimor, por «duhet të ndërtojnë një kulturë politike pa urrejtje, pa përbuzje etnike apo fetare. BE tashmë është tepër e shkapërderdhur për të qenë në gjendje të punojë mirë. Prishës të tjerë të paqes asaj nuk i duhen». Nga ky këndvështrim Federica Mogherini po zhvillon një udhëtim nëpër Ballkan sa për një llaf goje.