Një udhëtim plot befasi mbi dy rrota nëpër pesë liqene të Tiranës

Një shëtitje e shkurtër që nisi për të shuar kuriozitetin mbi liqenin e Kasharit u kthye shumë shpejt në një kapërcim disa-kilometërsh në pesë liqene në Tiranë, ku fundi i udhëtimit pati shijen e ëmbël dhe të hidhur të bashkudhëtarëve me të cilët na poqi udha.

Liqeni i Kallmetit

Me t’i hipur biçikletës dhe pas një endjeje të shkurtër rrugicave të kryeqytetit për të gjetur një gomist, ashtu sikurse çdo udhëtim i gjatë apo i shkurtër, edhe ky nis me sfidën e të larguarit trafikut dhe smogut të Tiranës.

Pas rreth 10 kilometrash nga qendra e Tiranës në rrugën dytësore të Kasharit, shfaqet Liqeni i Kasharit, i cili ndan dënimin si i dyti më i ndotur në Tiranë, pas atij Artificial dhe përpjekjen për t’u kthyer në një park tërheqës për kryeqytetasit.

Liqeni i Kasharit.
Liqeni i Kasharit

I rrethuar nga kodrat që arrijnë rreth 100 metra, liqeni i Kasharit, kryesisht i përdorur si rezervuar për ujitjen e tokave të zonës, nuk është i vështirë për t’u mbërritur mbi dy rrota. Megjithatë, ai është mjaft i ekspozuar nga dielli dhe të vetmit ‹vizitorë› të tij janë peshkatarët e grepit dhe barinjtë e dhenve.

Një vështrim i shpejtë i hartës për pikën më të afërt blu, më bëri ta hedh bicickletën krahëve për të kapërcyer një mbikalim në autostradën Tiranë-Durrës, për të dalë në Kamëz e më pas për të shkelur me disa metra qarkun e Durrësit.

Liqeni i Tapizës është disi i vështirë për t’i ardhur vërdallë për shkak të shtëpive të rrethuara me gardhe që të ndalojnë ta aksesosh nga çdo pikë, por pas gjetjes së një shtegu lopësh mes kodrave panorama e tij ishte mëse shpërblyese.

Peizazhi i Tapizës duket sikur ka dalë nga ndonjë prej pikturave të impresionistit Claude Monet. Kodrat e buta përreth, njerëzit e pakët meditues në distanca të largëta dhe ngjyrat në harmoni vetëm sa të lehtësojnë krahasimin…

DSC_1214
Liqeni i Tapizës

Pas 20 kilometrash rrugë, tundimi për t’i dhënë fund udhëtimit u kapërcye nga shfaqja në radarin tim të një tjetër liqeni të panjohur.

Muskujt tashmë ishin ngrohur, kodrat qenë të buta, uji qe akoma i ftohtë në termusin tim, pra nuk kishte arsye për t’i dhënë fund gjuetisë së peizazheve blu.

Me t’u rikthyer në qarkun e Tiranës, Liqeni i Qinamit i fshehur pas rrugëve të pluhurosura të fshatit dhe shtëpive të heshtura ku aty-këtu lëviz ndonjë pulë, është pika e duhur për t’u çlodhur dhe për të mbledhur fuqitë për kapërcimin e radhës.

Eksplorime të tilla të zonave pranë kryeqytetit e kanë bukurinë në faktin se nuk marrin shumë kohë për t’u arritur, dhe jo domosdoshmërisht kërkojnë planifikim më larg se mëngjesi i asaj dite.

Por pjesa që më pëlqen më së shumti nga udhëtimet me biçikletë qëndron në rastin më të zakonshëm te shikimet kureshtare që i ngjallen vendasve dhe në rastin më të mirë te shkëmbimi i një bisede me ta.

Liqeni i Qinamit.
Liqeni i Qinamit

Disa, ashtu sikurse një shofer i zonës që ndaloi të më pyesë nëse udhëtimi po më shkonte mirë dhe nëse kisha nevojë për kurrëgjë, mjaftohen vetëm me një përshëndetje të shkurtër. Të tjerë, mishërojnë pikërisht një nga vlerat më të thella të shqiptarëve ndër shekuj, mikpritjen.

Në pesë kilometrat nga liqeni i Qinamit deri në Kallmet rruga fillon e vështirësohet për shkak se bëhet më e tatëpjetë, por gjithsesi ndryshimi i perspektivës dhe vizita e rrugëve të pashtruara mbi biçikletë vetëm sa e shton ndjesinë e aventurës.

Për të shkuar në Liqenin e Kallmetit, i cili është në formë V-je duhet të udhëtosh mes tij deri në pikën nga ku mund të shohësh të dyja anët. Kodrat e buta, të mbjella, natyra miqësore dhe kujdesi i treguar nga vendasit për këtë liqen, e kthyen atë lehtësisht në të preferuarin e udhëtimit tim.

Liqeni i Kallmetit.
Liqeni i Kallmetit

Megjithatë, pas katër orësh nga nisja e aventurës (rreth 3 orë mbi biçikletë) vapa bëri të vetën dhe mbarimi i ujit të freskët më detyroi të nxitoj këmbët dhe të marr rrugën plot surpriza të kthimit.

Në Kallmet në pragun e një shtëpie, ndalova të pyes një zonjë rreth të 60-tave nëse kishte ndonjë burim ose çezmë uji të freskët në atë zonë. Ajo më tha se të vetmen çezmë e kisha kaluar disa kilometra më parë, por nxitoi në shtëpi dhe u kthye me tre shishe uji të freskët. E falënderova pa masë dhe qëndrova për disa minuta në hije për të shijuar me gllënjka të mëdha freskinë e ujit mes vapës përvëluese.

Bejto, një banor i zonës në të 60-at, më pyeti se nga vija. Nxora celularin dhe i tregova në hartë rrugën që kisha ndjekur. I entuziazmuar për udhëtimin tim nga Tirana me biçikletë dhe i nderuar që kisha zgjedhur Kallmetin, ai më ftoi të shtrohesha për drekë me të dhe të shoqen. Pasi i shpjegova se koha nuk më priste, ai e porositi bashkëshorten të më mbështillte me gazetë një simite shtëpie të lyer me gjalpë e të fuste një copë të madhe me djathë.

Një grup i vogël banorësh u mblodhën për të më përshëndetur dhe për të mësuar më shumë rreth udhëtimit tim. Ata më thanë se nuk u ndodh shpesh të takojnë çiklistë nga këto anë. Pasi u shova kuriozitetin për udhëtaren e mistershme që kishin parë së largu të merrte rrugën me biçikletë drejt liqenit, u përshëndetëm dhe i uruam njëri-tjetrit fat.

Bejto gjithsesi këmbënguli ta merrte biçikletën në bagazhin e Benzit të tij dhe të më linte në Zall Herr për të vazhduar rrugën pasi të kishim pirë një kafe. Por kur i shpjegova se po e regjistroja të gjithë udhëtimin për të matur rrugën dhe shpejtësinë, ra dakord të më priste atje.

Bejto peshkatari, deri më tani mban ‘medaljen’ e entuziazmit nga të gjithë njerëzit që kam njohur në udhëtimet e mia me biçikletë. Ne biseduam për pasionet sportive që na shtyjnë drejt aventurave dhe ai më shpjegoi se pasioni i tij ishte peshkimi.

Sytë e tij nisën të shkëlqenin ndërsa më tregonte për peshqit që kishte kapur, për pritjen disa-orëshe (me raste edhe një ditë) në lojën peshk-peshkatar zhvilluar në peizazhet më të mrekullueshme të Shqipërisë dhe me një buzëqeshje të madhe pranoi se me gëzimin e një sporti, vjen gjithnjë varësia e ëmbël ndaj tij.

Befasisë sime për bukurinë e peshkimit ai iu përgjigj menjëherë me një ftesë për t’iu bashkuar grupit të tij të peshkimit me grep kurdo që të isha e lirë.

Kështu, ndërsa mbante shënim numrin tim të celularit në iPhone që i kishte sjellë i biri nga Anglia, Bejto filloi të më fliste për pasojat e Brexit dhe Bashkimin Europian. Ky zotëri fisnik ishte plot befasi!

Pas pak minutash, mora rrugën e kthimit për në Tiranë. Ndërsa orientohesha në rrugët e panjohura të Kamzës, një tjetër liqen që mu shfaq në hartë, më sfidoi për një shtrëngim të fundit të dhëmbëve, të cilin jam e kënaqur që e bëra.

Paskuqan.
Paskuqan

Me baterinë e celularit që po më mbaronte, vendosa të pyesja banorët për rrugën për në Liqenin e Paskuqanit. Kështu, pyeta një djalë mbi biçikletë, i cili u ofrua të më shoqëronte.

Donaldi, një 15-vjeçar nga Dibra që jeton prej vitesh në Paskuqan me familjen më pyeti gjithashtu se nga isha nisur. I tregova se kisha bërë 45 kilometra rrugë duke kaluar nëpër katër liqene dhe se ky ishte ndalesa ime e fundit.

Më tepër se entuziast për kilometrat e mia, Donaldi u shpreh i shqetësuar për faktin se isha nisur e pashoqëruar. Ai më pyeti se si më kishte lejuar mamaja ta bëja këtë dhe pasi mori vesh moshën time, më pyeti «Je e fejuar apo e martuar?»

Duke vënë buzën në gaz, iu përgjigja se isha mjaftueshëm e rritur për të mos marrë lejen e mamasë kur dilja nga shtëpia dhe i thashë që nuk jam as e fejuar dhe as e martuar. Ai më kërkoi ndjesë për kuriozitetin dhe më shpjegoi se vajzat në lagjen e tij nuk do të mund ta bënin kurrë aventurën time për shkak se «të tjerët» do të flisnin shumë keq për to.

Ne diskutuam një copë herë për absurditetin e ndrydhjes nga familja të vajzave për shkak të përgojimit nga fqinjët dhe pastaj nisa t’i shpjegoj se kjo është diçka shumë e rrallë në Tiranë, ku vajzat janë më të lira të jetojnë të pavarura.

Donaldi nuk dukej gjithsesi i bindur nëse ishte apo jo e mundur që unë të kisha në dorë timonin e jetës sime e ta drejtoja atë qoftë edhe nëpër pesë liqene në Tiranë.

Liqeni i Paskuqanit.
Liqeni i Paskuqanit

Ai këmbënguli të më shoqëronte në kthim për të më treguar rrugën, por pasi kaluam disa qindra metra ndaloi të më qeraste me pije për t’u freskuar dhe më shpjegoi se ishte ndjerë i obliguar të më shoqëronte që të tjerët të mos më ngacmonin apo të mos flisnin keq për mua.

Ndonëse e falënderova djaloshin që po tregohej i sjellshëm me një të panjohur me biçikletë, i shpjegova se nuk kishte përse të shqetësohej për fjalët që qarkullonin në mjedisin ku ai jetonte.

«Ne jetojmë për kënaqësinë tonë» – i thashë, «jo për të kënaqur të tjerët». Ai pohoi me kokë, sikur kjo të mos ishte e mundur në realitetin e tij dhe pastaj ne i lamë shëndenë njëri-tjetrit.

Kilometrat e fundit deri në Tiranë kaluan pa u ndjerë.

Po kthehesha me ndjenja të ëmbla dhe të hidhura në shtëpi. Realiteti nuk ishte i njëjtë për të gjithë dhe ndërsa u ndjeva me fat që nuk ndodhesha në kurthin e një patriarkalizmi të tillë, i premtova vetes se në aventurën e ardhshme do të takoja më shumë vajza për të dëgjuar anën e tyre të historisë.

Pse jo, edhe për të shkëmbyer ndonjë fjalë inkurajimi që do t’i bënte të dilnin e e të ndiqnin të lira pasionet e tyre në jetë.

(reporter.al: http://www.reporter.al/nje-udhetim-plot-befasi-mbi-dy-rrota-neper-pese-liqene-te-tiranes/)