Një sinjal për ndryshime dhe kundër Gruevskit

Qytetarët e Maqedonisë – sllavë e shqiptarë - në zgjedhjet e fundit kanë kërkuar një qeveri të re. Pa Nikola Gruevskin! Koalicioni qeveritar ka humbur 19 deputetë. Partia e Ali Ahmetit gati është përgjysmuar në Kuvendin e Maqedonisë. A e ka dëgjuar këtë mesazh Ahmeti? Nëse jo, është koha e fundit.

Nikolla Gruevski.



Përpjekja e parë për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë pas zgjedhjeve parlamentare ka dështuar. Kryeministri Nikola Gruevski i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, mes tjerash kërkesën për avancimin e gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare në tërë Maqedoninë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore sipas përbërjes etnike të vendit. Një refuzim i tillë tregon sërish se Gruevski e shikon Ahmetin vetëm si mbajtës të shkallëve për t’u ngjitur në pushtet. A do të heq dorë shefi i BDI-së nga ky rol poshtërues që ia ka caktuar lideri i partisë maqedonase me shkurtesën që i ngjan një supe me shkronja – VMRO-DPMNE?

Gjasat që Gruevski të gjejë partnerë të tjerë për koalicion janë të vogla. Socialdemokratët e Zoran Zaevit përjashtojnë një aleancë me Gruevskin, raportet mes dy liderëve të dy partive më të mëdha maqedonase janë të karakterizuara nga urrejtja e ndërsjellë. Partitë politike shqiptare (Besa dhe Aleanca për Shqiptarët) kanë fituar besimin e elektoratit shqiptar me premtimin se nuk do të bashkëpunojnë me «bandën e Gruevskit». Pas zgjedhjeve Gruevski hapur e ka kërcënuar BDI-në me konsekuenca nëse nuk pranon koalicion me VMRO-DPMNE, një parti që e konsideron veten konservatore, por në thelb është vetëm një taraf për kontrollimin e resurseve të shtetit maqedonas. Gruevski ka bërë të ditur se nuk do të ndihet i obliguar të marrë në qeveri partinë e parë shqiptare, siç ka vepruar në vitet 2008, 2011 dhe 2014. Por as Gruevski, as Ahmeti nuk duhet të jenë të sigurt që BDI do të jetë përsëri partia e parë shqiptare në Maqedoni po qe se dështon krijimi i qeverisë dhe mbahen zgjedhje të reja parlamentare.

Qytetarët e Maqedonisë – sllavë e shqiptarë – në zgjedhjet e fundit kanë kërkuar një qeveri të re pa Nikola Gruevskin. Koalicioni qeveritar ka humbur 19 deputetë. Partia e Ali Ahmetit gati është përgjysmuar në Kuvendin e Maqedonisë. A e ka dëgjuar Ahmeti këtë mesazh? Me një koalicion me parti klienteliste Gruevski dhe VMRO-DPMNE e tij kanë fituar 51 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa socialdemokratët 49. Duke qenë se Gruevski kontrollon edhe foletë e zogjve dhe vrimat e urithëve në Maqedoni, nuk është fare befasuese që ai fitoi këtë numër deputetësh. Gara nuk ka qenë e barabartë: në njërën anë një parti (VMRO-DPMNE) që kontrollon të gjitha mekanizmat dhe arkat e shtetit, në anën tjetër opozita e përgjuar dhe kërcënuar nga aparati shtetëror. Megjithatë, dëshira për ndryshime në Maqedoni ishte e qartë – si te sllavët, ashtu edhe te shqiptarët. Këta të fundit madje votuan në mënyrë masive për socialdemokratët – jo që nuk e njihnin të kaluarën e LSDM-së, por për shkak se ishin të mllefosur me qeverisjen skandaloze të Nikolla Gruevskit dhe mungesën e guximit nga ana e BDI-së për të braktisur anijen që po fundosej. Vota shqiptare për socialdemokratët maqedonas ishte mesazh për rrëzimin e Gruevskit.

Arsyet përse Gruevski është i papranueshëm si kryeministër mund të lexohen në analiza serioze për gjendjen në Maqedoni. Para një viti, më 18 janar 2016, gazeta gjermane «Frankfurter Rundschau» shkruante: «Maqedonia, ajo është një rast i kriminalitetit qeveritar. Një grup i vogël, i lidhur me miqësi e farefisni me kryeministrin Nikola Gruevski dhe kushëririn e tij, shefin e shërbimit sekret, së pari e ka grabitur VRMO-në, njërën prej dy partive të mëdha në vend, pastaj tërë shtetin. <Familja>, siç quhet klani i Gruevskit, është pasuruar, ka ushtruar presion ndaj gjyqtarëve, ka mbyllur media opozitare, ka kërcënuar gazetarë dhe me gjasë edhe ka vrarë, ka burgosur kritikë dhe i ka dënuar në procese të frikshme. Me vende të punës në shërbimin publik ajo ka blerë vartës besnikë dhe ka manipuluar një palë zgjedhje parlamentare – ky është një regjistër i padrejtësive të pashembullta në politikën europiane».

A është normale që një parti politike shqiptare të bëjë koalicion me një parti të tillë maqedonase? Nëse veprimet e VMRO-së shihen si normale, përfshirë edhe përgjimin e së paku 20 mijë qytetarëve, atëherë gjithçka është e mundshme. Ndoshta Ali Ahmeti kalkulon me provokimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke shpresuar se ata shqiptarë që ia dhanë votën socialdemokratëve maqedonas do të kthehen në «gjirin e ngrohtë» të BDI-së. Një pritje e tillë është jorealiste. Kjo pjesë e elektoratit shqiptar iku për shkak se ishte e dëshpëruar me partitë shqiptare, sidomos me BDI-në. Në zgjedhjet e ardhshme, pa marrë parasysh kur mbahen ato, BDI-në mund ta braktisin edhe më shumë zgjedhës. Njerëzit nuk janë budallenj: Gruevski ka zhvilluar një fushatë albanofobe dhe maqedonocentriste. Për të provokuar edhe më shumë shqiptarët ai e futi në listën e kandidatëve për deputetë edhe Johan Tarçullovskin, një kriminel lufte i dënuar nga Gjykata e Hagës për vrasjen e gjashtë shqiptarëve në një fshat afër Shkupit dhe keqtrajtimin e rëndë të më shumë se 100 të tjerëve. Tarçullovski është zgjedhur deputet. Çfarë të drejta të shqiptarëve mund të realizohen me këtë strukturë të politikanëve të VMRO-së? Ky mbetet ende sekret i Ali Ahmetit.

Zyra e Fondacionit «Konrad Adenauer» në Shkup në një analizë nënvizon se me kërcënimet kundër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kundër gjykatave dhe me fjalime provokuese Gruevski e ka mbyllur derën ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky fondacion është si të thuash degë e partisë së Angela Merkelit në Shkup. Analizat e fondacionit janë pjesë e politikave gjermane ndaj Maqedonisë. Dihet se Gruevski ka vite që nuk është pritur në Berlin, në Washington, në Londër dhe në Paris. «T’i akuzosh (siç bën Gruevski) ambasadorët dhe përfaqësuesit e organizatave të huaja për ndërhyrje në punët e brendshme në përgjithësi dhe ushtrim direkt të ndikimin ndaj anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në veçanti është një manovër e dukshme për të larguar vëmendjen nga problemet vetjake», shkruan Fondacioni «Konrad Adenauer» në një analizë të botuar së fundit. Tradicionalisht fondacionet e partive konservatore, siç është edhe «Konrad Adenauer», përkrahin partitë konservatore, siç pretendon të jetë VMRO e Gruevskit. Por fondacioni gjerman ka një mendim të qartë: «Interesat personale duket se janë më të rëndësishme se mirëqenia e komunitetit. Maqedonia po rrëshqet edhe më thellë në krizë».

Partitë shqiptare në Maqedoni, pas konsultave sidomos me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me zyrtarë të Kosovës, kanë prezantuar një platformë me kërkesa të qarta si zbatimi i përpiktë i parimit të multietnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtetformuese, arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese, debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike, arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, integrimi i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Shqiptarët në Maqedoni nuk po kërkojnë asgjë më shumë nga ato të drejta që kanë serbët në Kosovë – ndonëse serbët kosovarë janë pakicë, ndërsa shqiptarët në Maqedoni përbëjnë mes një të tretës dhe një të katërtës së popullsisë së këtij vendi. Nëse Gruevski nuk është i gatshëm as të bisedojë për këto kërkesa, atëherë partitë politike shqiptare duhet të negociojnë me socialdemokratët. Këtë duhet ta bëjnë edhe në shenjë respekti për votat e atyre shqiptarëve, të cilët të dëshpëruar me politikën e qeverisë maqedonase parapëlqyen një qeveri tjetër – pa Nikola Gruevskin dhe Sasho Mijalkovin, roli i të cilëve endet mbetet i paqartë në «betejën e Kumanovës», ku u vranë disa ish-luftëtarë të UÇK-së, shumica prej të cilëve pjesë e rrjeteve të krimit transballkanik. Çdo përpjekje për t’i bërë Gruevskit një portret tjetër përveç se atë të një diktatori të korruptuar, tregon më së paku mosnjohje fatale të situatës në Maqedoni. Edhe Ali Ahmeti duhet të dëgjojë sinjalin që përçuan zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni – nëse dëshiron të mbahet në mend edhe për disa merita që ka në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.