Një shqyrtim i disa hipotezave të Hasan Kaleshit

[rreth artikullit të Hasan Kaleshit – Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e islamit, shkaqet themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve[1]]

Foto: Shutterstock.com

Që në fillim asht mirë me i theksu ato pika ku Hasan Kaleshi ka plotësisht të drejtë:

– „në historiografinë e Shqipërisë zyrtarisht është imponuar një qëndrim negativ karshi Perandorisë Osmane, invazionit të turqve në Ballkan, kulturës lindore, madje kundër çdo prurjeje që ka të bëjë me Lindjen.“

– „(n)ë shumë vende të librit “Historia e popullit shqiptar”, i cili dhe reflekton qëndrimin zyrtar të historiografisë shqiptare, hasim shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, si për shembull “turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”[2], “aziatikët turq”, “barbarët”, etj.“

Kryesisht ka të drejtë kur thotë se:

– „Ngrihen në qiell shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan në latinisht dhe italisht, kurse hidhet poshtë tërë letërsia e atyre shqiptarëve që shkruan në gjuhët orientale. Shumica e këtyre shkrimtarëve jo që jetuan nëpër vende të huaja, por jetuan e krijuan në atdheun dhe në mesin e popullit të tyre.“

Pra, asht e vërtetë që historianët enveristë kishin një qëndrim negativ kundrejt Perandorisë Otomane, kulturës islamike lindore dhe çdo prumjeje që kishte të bante me Lindjen. Po ashtu, asht e vërtetë që shprehjet „turqit e tërbuar“ e ndonjë tjetër nuk janë shprehje që bajnë pjesë në terminologjinë shkencore. Nuk u ngritën bash në qiell as perëndimorët, por u botuen vepra e pjesë të veprave të autorëve që shkruen në latinishte, tue ua shartu, për aq sa ka qenë e mujtun, anët religjioze, ndërsa asht e vërtetë që ata që shkruen në gjuhët orientale u lanë në hije padrejtësisht. Deri këtu Hasan Kaleshi, në pjesën ma të madhe, ka të drejtë. Historia e shekujve të kaluem prej historianëve enveristë qe trajtu me një qasje propagandistike, si me pasë qenë ngjarje që kanë ndodhë jo shekuj ma parë, por si me pasë ndodhë dje. Ballafaqimi ka qenë ma shumë propagandistik në stilin e “armikut të jashtëm” dhe “rrezikut të përhershëm nga të huejt”. Sulltanët portretizoheshin si me pasë marrë pjesë në Luftën e Dytë Botnore, përkrah fashistëve, e jo me dhjeta e qinda vjet ma parë. Turqit shiheshin si komb i formuem, solid, që kishin ardhë në tokat arbnore me synime kombtare dhe jo si një perandori e përbame prej shumë popujsh dhe e udhëhequn prej një dinastie me synime pushtimi e shfrytëzimi, si çdo perandori tjetër në histori, me shumë udhëheqës e komandantë edhe shqiptarë. Tue i lexu librat e historiografisë enveriste krijohej përshtypja se sapo të dilnim nga shkolla do të shihnim jeniçerë me shpata të zhveshuna tue pritë me na i heqë kokat!

Jo vetëm që nuk u zunë në gojë ata që kishin shkru në gjuhët orientale, por edhe bejtexhinjtë që kishin shkru me një shqipe të stërngarkueme me fjalë gjuhësh orientale jepeshin me kokrra krype. Pra, ka pasë një tendencë të shpërfilljes së një pjese të figurave historike, zmadhim të disa ngjarjeve e vumje në hije e disa të tjerave. Mirëpo, le të mos harrojmë, po kjo ka ndodhë në atë kohë edhe në historiografinë turke, greke, serbe, malazeze e bullgare, po edhe botnore. Pra, historiografia shqiptare nuk bante ndonjë përjashtim të madh nga ky model ma shumë propagandistik sesa shkencor dhe deformiteti i paraqitjes së historisë nuk ndalej vetëm te Perandoria Otomane por në çdo periudhë historike. Ndoshta deformitetet ma të shumta kanë ndodhë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, për një shkencëtar të sotëm të mirëfilltë, kjo gja asht problematike. Por, përgjegjja shkencore ndaj deformiteteve, shpërdorimeve propagandistike, nuk asht deformiteti tjetër i po këtyne argumenteve. E duket se andej prihet edhe mënyra e argumentimit të Kaleshit në këtë artikull. Tue qenë se këtë referat e ka lexu në Stamboll, mendoj se Kaleshi asht dashë me ua përkujtu historianëve turq deformitetet që ata ia kanë ba historisë në raport me shqiptarët, ndërsa kur të shkonte në Tiranë t’ua lexonte ndonjë pjesë të këtij referati për deformitetet e shqiptarëve kundrejt historisë së Perandorisë Otomane dhe, eventualisht, historisë turke.[3]

Natyrisht, Kaleshi parandin që qëndrimet e tija të shprehuna në këtë kumtesë kanë me u trajtu si “heretike”, sepse asht i ndërgjegjshëm se po ban njëfarë “herezie”. Por, të qenit “heretik” nuk e ban askënd, automatikisht, me qenë edhe në anën e drejtë. Autori, diku në fillim të shkrimit të tij, pohon: “Administrata e osmanëve në Ballkan, shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe padrejtësitë që me të vërtetë iu bënë popullit shqiptar shihen nga prizmi i shekullit XIX.” Megjithatë, në vijim të artikullit të tij për këto “padrejtësi” autori nuk thotë asnjë fjalë dhe nuk jep ndonjë qëndrim nga prizmi ma i drejtë, i vetë atij si historian, nga cilido shekull që kishte me zgjedhë aj vetë. Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruen latinisht shkruen për rezistencën që populli shqiptar i bani Perandorisë Otomane në periudhën kur marrëdhëniet shqiptaro-otomane ishin në kulm të acarimit, kur rezistenca shqiptare ishte ma e madhja dhe sulmi otoman ma i rrepti. Bahet fjalë për një gjendje lufte. Cilido popull në planetin tonë, edhe vetë turqit, do ta kishin ngritë në qiell këtë luftë për liri, ashtu sikurse ngrihet në qiell, me të drejtë, nga historianët dhe letrarët turq, fjala vjen, lufta për lirinë e Turqisë e udhëhequn nga Mustafa Kemal Ataturku.

Pra, nuk ishte keq që letrarët shqiptarë të cilët kishin shkru latinisht ishin botu e “ngritë në qiell” përderisa ata kishin shkru për një epokë të lavdishme të popullit shqiptar, por nuk ishte mirë, natyrisht, që letrarë shqiptarë, të cilët kishin shkru në gjuhët orientale, nuk përmendeshin, megjithëse tashma kishin kalu shekuj të tanë e ata vazhdonin të trajtoheshin si të huej, e jo si pjesë e letërsisë sonë, së paku aq sa autorët që shkruen latinisht. S’ka pasë trajtim të mirë as të bejtexhijve të cilët kishin shkru me një shqipe të stërngarkueme me fjalë orientale, me një stil që ishte modë e kohës dhe jo një mohim dashalig i gjuhës amtare. Të njëjtën gja e banin edhe vetë poetët turq me turqishten. Në otomanishte shkruheshin poezi pa asnjë fjalë të vetme turke në të. Prandej, këta autorë shqiptarë duhet të studiohen e të botohen, tue qenë se janë dëshmi e një kohe në jetën kulturore të shqiptarëve. Nga ky vështrim kjo vërejtje e Hasan Kaleshi asht e drejtë.

Hipotezat problematike të Hasan Kaleshit

Pjesa problematike e vështrimit të Kaleshi nis kur aj thotë: „(p)adyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por, nuk mund të thuhet njësoj edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm.“

Serbët dhe bullgarët mun me u thanë se humbën shtetet e tyne mesjetare të formueme prej principatash por ata:

a) nuk e humbën organizimin e kishës. Përkundrazi, organizimi i kishës së këtyne popujve mbeti i fuqishëm dhe i privilegjuem. Kisha ortodokse ishte nën mbrojtjen e vetë sulltanëve, nën patronatin e Perandorisë dhe Patrikana e Kishës Ortodokse nuk ishte kurrkund tjetër pos në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë, aty ku kjo Patrikanë gjendet edhe sot e kësaj dite. Kisha Ortodokse kishte privilegje të mëdha. Fjala vjen, në gjysën e dytë të shek. XVI u banë rindërtime të kishave në Patrikanën e Pejës,[4] manastireve u lejohej mbajtja e pronave dhe lidheshin me statusin e vakëfeve. Jeta e murgjve serbë nga udhëtarë të huej raportohej se ishte shumë e mirë në këtë kohë, qysh ishte rasti me manastirin e Ravanicas, Mileševos etj. Kisha Ortodokse Serbe gëzonte një pozitë veçanërisht të favorshme në këtë kohë, mbas rithemelimit të Patrikanës së Pejës me 1557[5], me kërkesën e Sokollu Mehmet Pashës, i cili e emëroi në postin e patriarkut vëllain e tij, Makarijen. Kështu u kriju një hierarki e plotë sllave e kishës.[6] Kjo pozitë mun ilustrohet me faktin që një vit ma vonë Patriku Makarije arrijti me marrë fermanin nga Sulltani që të gjithë të krishterët në territorin e tij lypsej me pagu taksat e kishës atij,[7] e ndër këta të krishterë përfshiheshin edhe katolikët. Fuqia e Kishës Ortodokse Serbe u rrit aq shumë sa me 1578 ata ishin në gjendje me i pagu Sulltanit 120.000 akçe në vit si “dhuratë” për me vazhdu të drejtën e vjeljes së taksave. Kishat ortodokse, tue përfshi manastiret e Atosit, ishin të privilegjueme prej Sulltan Bayezidit, Mehmetit I dhe Muratit II.[8] “Një aleancë me Kishën Ortodokse i dha shtetit otoman me një shans të artë që ta legjitimojë sundimin e tij. Tue i futë në përdorim institucionet e Kishës Ortodokse (…) qeveria otomane konsolidoi legjitimitetin e tij me popullsitë që i kishte pushtu”,[9] pohon studiuesja Zhelyazkova. Edhe në fund të shek. XVI spahijtë e krishterë sponsorizuen ndërtimin e manastirit të ri në Plevle të Pazarit të Ri me 1592. Një spahi pagoi për pikturat e kishës së Apostullit të Shejtë në Patrikanën e Pejës me 1633. Ndërsa me 1642 patriku serb i kujtonte dy spahij të vjetër, Miloš dhe Stoiko. Kjo tregon se jo vetëm Kisha Ortodokse kishte privilegje, por në atë kohë kishte edhe spahij ortodoksë.

b) serbët, grekët dhe bullgarët nuk e humbën as kulturën e tyne sepse kultura në atë kohë kurrkund në Europë nuk zhvillohej jashtë kishave e manastireve dhe letërsia e tyne vazhdoi me u zhvillu pa asnjë pengesë, bashkë me shkollat dhe shkrimin e tyne. Ata ma vonë themeluen edhe shtypshkronjat e tyne. Fjala vjen, një shtypshkronjë greke nuk nisi punën në Stamboll, me 1625-28 ndërsa serbët kanë pasë së paku tetë shtypshkronja[10].

Zgjimi kombtar i këtyne popujve ndodhi mbrenda Perandorisë Otomane dhe krijimi i shteteve kombtare ndodhi edhe ma herët sesa aj i italianëve (1848), e i ndonjë tjetri, bashkë me atë të gjermanëve (1871) etj. Grekët e krijuen shtetin kombtar me 1829, serbët me 1878, malazezët (1878). Ma të vonuemit në krijimin e shteteve kombtare ishin pikërisht ata që qenkëshin “ndihmu” ma së shumti sipas Kaleshit, dmth. shqiptarët: me 1912; natyrisht, në fund mbetën kurdët, të cilët as sot e kësaj dite nuk kanë arrijtë me pasë një shtet të tynin.

Tashti, shqiptarët, thotë Kaleshi, nuk e kishin asnjënin prej këtyne prandej nuk humbën asgja. Qoftë edhe nëse pranohet kjo hipotezë, shtrohet pyetja: çka përfituen? Perandoria Otomane nuk u lejoi as shtet, as “kishë” apo “xhami” të tynin, pra, me këtë mendoj, as kulturë, as shkrim në gjuhën e tyne. Shqiptarët në shek. XV, si popull, pësuen ma së shumti prej të gjithë popujve të tjerë të Gadishullit Ilirik dhe na e dijmë arsyen: sepse banë rezistencën ma të madhe kundër Perandorisë Otomane dhe kjo, në një mënyrë, asht një shpjegim i logjikshëm. Me pasë ndodhë që shqiptarët me dalë fitues nga ky ballafaqim, ata do të kishin përfitu ma së shumti. Dolën humbës dhe, natyrisht, pësuen ma së shumti. Rreth katërdhjetë vjet (1443-1478) shqiptarët banë një rezistencë të rreptë dhe ky asht fakt. Cili popull tjetër në Gadishullin Ilirik, i cili kishte shtet, kishte organizim kishtar, kishte kulturë dhe shkrim ishte në gjendje me e ba këtë? As shteti, as kisha, as kultura dhe as shkrimi nuk arrijtën me mobilizu një rezistencë të tillë çfarë banë shqiptarët duke mos i pasë ato! Qysh shpjegohet kjo? Çka kishin shqiptarët që u veçuen me mobilizimin, me fuqinë dhe me vendosmëninë açik prej gjithë popujve të tjerë, për m’iu kundërvu e me i rezistu kaq shumë Perandorisë Otomane? Kjo do të duhej të kishte qenë objekt i trajtimit serioz nga historianët. Po ashtu, vetëkuptohet se jo vetëm tash, por as atëherë, luftat nuk janë ba për shkak të urrejtjeve etnike, racore apo fetare, por për shkak të interesave ekonomike dhe rivalitetit politik. Vetëm si ilustrim le të përmendim rastin e Uzun Hasanit, i cili ishte sulltan turkoman i Akkojunëve (Delebardhëve), ishte mysliman,  sundimtar i Azerbajxhanit, i pjesëve të ndryshme të Irakut, të Turqisë, të Iranit dhe të Sirisë së sotme, në vitet 1453-1478. Dhe Sulltan Mehmeti II, në të njëjtën kohë, luftonte në perëndim të Perandorisë kundër Skënderbeut dhe në lindje kundër Uzun Hasanit. Këtë të fundit e mundi mbas Betejës së Otlukbelit, me 1473 ndërsa Shqipnia ra nën sundimin otoman me ramjen e kështjellës së Shkodrës me 1478, vit kur vdiq edhe Uzun Hasani.

Në të vërtetë, nga krejt çka u tha ma sipër mun me dalë një tjetër konkluzion, krejt i përkundërt: otomanët jo vetëm që pushtuen tokat shqiptare, por gjyku për nga organizimi dhe rezistenca që shqiptarët ua banë otomanëve, mun me u thanë se pushtimi otoman ndoshta ndali pikërisht një proces kur shqiptarët po dilnin në skenën historike si populli ma i fuqishëm i Gadishullit Ilirik. E thomi këtë ngaqë kështu dëshmuen ngjarjet që vijuen: mbretnitë egzistuese të Ilirikut ranë si kulla prej letre para ushtrive otomane, ndërsa ishin shqiptarët ata që i banë ballë për dekada kësaj Perandorie pa e pasë një organizim shtetnor. Kjo bjen krejtësisht ndesh me krejt ato që pretendon Kaleshi kur pohon se „(n)ë kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.“ Qysh asimilohet një popull që, kur erdhi koha e sprovës, i bani ballë Perandorisë ma të fuqishme në botë, ndërsa popujt që kishin shtete e mbretën u tretën? Duket gati e pabesueshme, por asht fakt i vërtetë që shqiptarët kishin zhvillu një mënyrë egzistimi krejt të veçantë shoqnor duke jetu si një grup shoqnor mbrenda një organizimi shtetnor pa u vu re. Kjo asht arsyeja që profesori i Universitetit të Kembrixhit, John Blintiffi, u detyru me shpikë një term të ri sociologjik: “etnicitet ‘pasiv’”, (“passive” ethnicity”), për me mujtë me shpjegu egzistencën e shqiptarëve në Greqi, të cilët jetonin aty me shekuj por nuk ishin vu re.[11] Asht interesante me theksu edhe një fakt që pohon Malcolmi në lidhje me zhdukjen e shqiptarëve nga regjistrat: “Nëse një shqiptar niste me jetu si një serb [dmth. nëse merrej me bujqësi si serbët], ndoshta mbas një kohe nuk përshkruheshin ma si “shqiptarë” në dokumentet zyrtare” por futeshin në një kategori me serbët.[12]

Problem asht, natyrisht, që Kaleshi nuk paraqet fakte të qëndrueshme për pohimet e tij. Vetë thotë se ky shkrim i tij mun me u pa si „aventurier“ e ndoshta edhe „heretik“, por thotë se në këtë shkrim të shkurtë s’ka me mujtë me i argumentu këto pohime „aventureske“ sepse shkrimi qenkësh „i shkurtë“ dhe premton se ka m’iu kthy këtij problemi dhe me e argumentu! Mirë. Nëse në një shkrim të shkurtë me pretendime shkencore shtrohen hipoteza të mëdha, atëherë ato duhen me u arsyetu shkurt ose nuk duhet me u shkru fare; hipotezat e mëdha duhen me u lanë e me u thanë vetëm kur munden me u argumentu në një shkrim të gjatë! Ngaqë, qysh e thotë K. Sagani, “pohimet e jashtëzakonshme kërkojnë edhe fakte të jashtëzakonshme”.

Alarmi rreth rrezikut të asimilimit të plotë të shqiptarëve

Kur Kaleshi thotë se populli shqiptar “rrezikonte të asimilohej i tëri”, aj duhet me dhanë argumente “të tëra” të jashtëzakonshme e me na kallxu se qysh nuk u asimiluen malazezët dhe makedonasit të cilët:

a) ishin dhe janë sllavë;

b) flisnin një gjuhë të njëjtë ose shumë të ngjashme me serbët e bullgarët;

c) ishin nën tutelën e kishës serbe e bullgare deri vonë;

ç) ishin dhe janë shumë ma të pakët për nga numri nga shqiptarët.

d) s’kishin as shtet e as identitet të qartë dhe prap e rujtën qenien e tyne dhe sot janë kombe;

Qysh ndodhi kjo? Qysh mujtën qinda mija malazezë – me mbetë pa u islamizu – me e rujtë veçorinë kombtare, e miliona shqiptarë s’do të kishin mujtë? Qysh paskan mujtë makedonët, katër-pesë herë ma të pakët në numër, me rujtë veçorinë e tyne kombtare e shqiptarët jo? Këto janë fakte që asht e pamundun mos me i pa, edhe ma e pamundun me u ra moh. Mbasi institucionet shtetnore, kishat, shkollat, kultura e gjithçka tjetër që zen në gojë Hasan Kaleshi nuk ndihmuen serbët, bullgarët e grekët me i ba ballë Perandorisë Otomane, çka ishte ajo që ua bani të mundun shqiptarëve me e ba këtë rezistencë? Sipas meje duhen me qenë disa faktorë. Shqiptarët duhet të kenë qenë popullsi e madhe në numër në Gadishullin Ilirik; organizimi fisnor i tyne duhet të ketë qenë një mekanizëm shumë efektiv dhe kur ky organizim u ngrit në një nivel mbifisnor, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, u ba shumëfish ma i fuqishëm dhe këtu nuk duhet me u lanë menjanë ndikimi i fuqishëm i Ligjës së Maleve (Kanunit Shqiptar) që funkciononte si rregullator i jetës së shqiptarëve; masandej, mungesa e ndikimit të një hierarkie fetare të fuqishme qendrore që mun bante që populli të përkulej para cilitdo sundues, ashtu qysh ndodhi me kishën ortodokse, e cila shpesh ka bashkëpunu ngusht me autoritetet otomane dhe u ba instrument i këtij pushteti. Popujt e tjerë kishin një organizim shoqëror homogjen fetaro-politik, shqiptarët kishin një organizim shoqëror heterogjen, juridikisht afetar dhe të baraspjesëtuem në pikëpamje të qeverisjes, i cili para rrezikut të një armiku të jashtëm u mobilizu dhe u heterogjenizu shpejt. Pavarësisht që sistemi i organizimit fisnor shqiptar nuk shfaqej haptaz, aj funkciononte si njëfarë shteti brenda shtetit. Ky mun me qenë një shpjegim i mundshëm se si shqiptarët arrijtën me i shpëtu asimilimit edhe nga sistemet shtetnore romake, bizantine e sllave por edhe otomane. Shumë studiues përmendin si faktor të randësishëm edhe terrenin e paqasshëm malor i cili duhet të ketë lujtë rolin e vet, gjithashtu. Ishte taktikë e popullsisë shqiptare e zhvillueme me shekuj që të bahej një përshtatje sipërfaqësore me ngjyrën e çdo pushtuesi, ndërsa në thelb vazhdonte jetën e zakonshme, të patrazueme e të pandryshueme.

Në vazhdim, atë që në fillim e shtron si hipotezë me mjaft dyshime, çuditnisht, Kaleshi nis me folë për asimilimin si një fakt të kryem e të padyshimtë:

„Në këtë vend shohim përleshjen e gjuhëve dhe kulturave të grekëve, romakëve dhe sllavëve, si dhe gjatë kësaj periudhe nuk ekziston madje as një gjurmë që e karakterizon kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare. Normalisht në kushte të tilla politike dhe kulturore, mundësitë për asimilimin e shqiptarëve qenë mjaft të mëdha dhe dihet se asimilimi ka qenë i fuqishëm, por për fat të keq për këtë nuk kemi informacione të nevojshme (nën. im).“

Qysh shihet, Kaleshi vetë e pranon se „për këtë nuk kemi informacione të nevojshme”. Në histori, kur nuk ka informacione të nevojshme, nuk duhet me ba pohime fare. Duhet me thanë vetëm se nuk ka informacione. E, prap, megjithëse e thotë dhe e pranon me gojën e vet këtë, në paragrafin vijues Kaleshi nis me folë si me pasë “informacione të nevojshme“:

„Këtë asimilim e realizonin sidomos kishat ortodokse, katolike dhe ajo pravosllave. Në shek. XII në Shqipëri kishte 20 peshkopi [sic]. Peshkopitë në Veri qenë në varësi të peshkopisë [sic] së Tivarit, ato të Shqipërisë së Mesme me Peshkopinë e Durrësit, ndërsa ato të Jugut me peshkopinë  [sic] e Ohrit. Dy të fundit qenë të lidhura me Patrikarkalen  [sic] e Stambollit, kurse ajo e Tivarit me Romën.”

Tashti, me ba me e pa asimilimin në bazë të priftave dhe kishave puna ndërlikohet sepse po ta zbatonim këtë metodë asimilimi me numrin e hoxhëve dhe të xhamive do të dilte se shqiptarët qenkëshin asimilu qysh moti në turq e arabë! Nuk ka mundësi që secila fe ta ketë pasë synim asimilimin. Me shku në kishën katolike, ortodokse apo në xhami nuk asimilohesh, por orientohesh fetarisht, dmth. bahesh katolik, ortodoks apo mysliman. Por nuk zhvishesh nga të qenit shqiptar. Mbetesh shqiptar, serb, grek, turk etj.

Në vazhdim Kaleshi përpiqet me ba një parashtrim të kujdesshëm me disa fakte për shkaqet e shpejtimit të asimilimit të shqiptarëve tue thanë:

„E gjithë Shqipëria qe mbushur me kisha dhe manastire. Në fillim të shek. XIV, në Shqipëri kishte 20 manastire katolike, numri i manastireve ortodokse sigurisht që ka qenë edhe më i madh. Siç kuptohet nga regjistrimet e vitit 1416 të Shkodrës, në fshatrat përreth Shkodrës kishte një numër të madh priftërinjsh, përafërsisht për çdo 20 shtëpi kishte nga një prift.“ Dhe vëren me vëmendje dhe zgjuemsi të pazakonshme që „(e)dhe gjuhët si latinishtja, greqishtja dhe sllavishtja që fliteshin nëpër kisha ishin të panjohura për shqiptarët.“

Por, edhe kjo pikëpamje asht problematike sepse me ardhjen e Perandorisë Otomane në trojet shqiptare u ndërtuen xhami e teqe. (E vërteta asht që në kohën që po stabilizoheshin otomanët Europën e kishte kaplu rryma e Reformizmit dhe Bibla e pjesë të Biblës po përktheheshin në gjuhët e popujve të veçantë, e me këtë edhe në gjuhën shqipe, me 1555.) Tashti, turqishtja e arabishtja që fliteshin në këta tempuj çfarë ishin? Gjuhë të njohuna për shqiptarët? A del kështu sikur edhe këto ishin mjete asimilimi apo jo? Këtë nuk e thotë dot Kaleshi. Por, si mos me qenë boll kjo punë, Kaleshi vazhdon me pohu, pa fakte dhe “informacione të nevojshme”, natyrisht: „Shqiptarët e asaj kohe jetonin në rrethana tepër të palakmueshme politike, kulturore dhe kishtare, ndërsa asimilimi etnik kishte marrë përmasa marramendëse.“

Po faktet? Po referencat për këtë “marramendësi” marramendëse ku janë? S’ka. Sepse pak ma nalt vetë Kaleshi e pranon që „fatkeqësisht s’ka informacione të nevojshme“ ndërsa toni alarmues i artikullit të tij shtohet tue „marrë përmasa marramendëse“. Si duket faktet dhe pohimet e Kaleshit zhvillohen në përpjesëtim të zhdrejtë! Sa ma shumë që shkrun artikullin me dyshime e informacione të pamjaftueshme, aq ma shumë e bind veten dhe dyshimet e veta i kthen në fakte dhe nis e shërbehet me to:

„Në të tilla rrethana, turqit erdhën në Ballkan dhe krijuan ndryshime të mëdha politike, etnike dhe kulturore. Tani shtrohet pyetja: sikur të mos vinin turqit në Ballkan e të mos i jepnin fund pushteteve bizantine dhe serbe, athua shqiptarët do t’i bënin ballë këtij procesi asimilues? Përgjigja ime është: Jo. Shtrirja e turqve në Ballkan dhe shpërbërja e pushteteve bizantine dhe serbe në shek. XV, përveç ndërprerjes së këtij asimilimi etnik të shqiptarëve, dalëngadalë vërejmë fillimin e ndryshimit të pamjeve të tokave të banuara në njërën anë me shqiptarë – sllavë dhe në anën tjetër vetëm me sllavë.“

Nga pohime të këtilla duket sikur misioni i vetëm i Perandorisë Otomane paska qenë çlirimi i shqiptarëve dhe jo ekspansioni i vetë asaj. A mun me qenë e vërtetë kjo? Edhe përgjegjja jeme asht, natyrisht: jo! Luftat e periudhës skënderbegiane e dëshmojnë këtë. Fjala vjen, në territoret ku u zhvilluen betejat e ushtrisë së tij, as atëherë, as sot, nuk kishte sllavë, por shumicë absolute me popullsi shqiptare.

A kishte “vërshim” të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni Perëndimore?

Sipas Selami Pulahës dhe Noel Malcolmit, me 1490 në Kosovë kishte rreth 64.328 banorë taksapagues të krishterë dhe një numër i vogël ishin myslimanë. Sipas kësaj Malcolmi llogarit se popullsia e përgjithshme duhej të sillej në rreth 350.000 banorë[13]. Shumica e këtyre taksapaguesve jetonin në katunde. Asht llogaritë se vetëm 3.5 për qind e banorëve të Kosovës jetonin në qytete në fund të shek. XV.[14] Me 1455 janë regjistru vetëm 42 katunde të lana shkret prej 600 sa kanë qenë.[15]

“Rritja e islamit në Kosovë, gjatë periudhës së hershme islame ishte një dukuni gati ekskluzive urbane. Me 1480 në katundet rreth Prizrenit nuk kishte asnjë mysliman. Në nahijen e Moravës nga 1.020 votra familjare vetëm gjashtë ishin myslimane dhe me 1566/7 nga një mijë katunde të Sanxhakut të Vuçitërnës kishte vetëm 46 votra familjare myslimane. Në Novo Bërdë me 1488/9 kishte 38 mahalla, që të gjitha të krishtena; me 1525 aty kishte 42 mahalla të krishtena dhe katër myslimane dhe me 1544 38 të krishtera dhe pesë myslimane. Në gjithë Sanxhakun e Vuçitërnës me 1530 kishte vetëm katër xhami. Ritmi i islamizimit u shpejtu vetëm në gjysën e dytë të shek. XVI dhe në periudhën 1582-91 përqindjet e popullsisë myslimane në qytetet kryesore ishin: Prishtina 60%, Prizreni 66 %, Novo Bërda 37%, Trepça 21%, Janjeva 14%.”[16]

Duke qenë se përhapja e islamizmit kishte marrë hov në fund të shek. XVI, tashti, sipas teorisë së Kaleshit, fundi i këtij shekulli do të duhej të kishte shënu një kataklizmë në dyndje të popullsisë: vërshimin e shqiptarëve nga malet e Shqipnisë Administrative Veriore për në Kosovë dhe ikjen masive të popullsisë sllave përtej veriut të Kosovës. Në mënyrë të njëjtë kundërthanëse këtë e thotë edhe G. Stadtmülleri[17]. Por një gja e këtillë nuk shënohet kund në analet e historisë. E vërteta tjetër faktike asht ajo që pohon Malcolmi se “(p)opullsia e Kosovës në këtë periudhë ishte shumë ma e madhe sesa ajo e Shqipnisë Veriore dhe Qendrore, e shkalla e saj e rritjes ishte, ç’asht e vërteta, ma e ulët. Kjo nuk asht ajo që do të pritej nëse një vërshim i madh nga Malësia Shqiptare të kishte qenë tue e vërshu Kosovën”[18]. Pra, qysh po shihet, – edhe po të kishte pasë dyndje të tilla – qysh pretendojnë Kaleshi, Limanovski dhe historianët serbë, shqiptarët e Shqipnisë Administrative Veriore s’kanë pasë as kapacitet të tillë popullsie për me mbushë ma shumë se gjysën e qyteteve të Kosovës e të Maqedonisë me banorë shqiptarë, pa i zanë në gojë edhe mbushjen me popullsi edhe të katundeve të këtyne regjioneve. Malcolmi pohon se “(a)sht e qartë, për shembull, që rritja e popullsisë myslimane nuk ishte shkaktu nga çfarëdo dyndje masive e popullsisë myslimane prej së jashtmi”[19]. Jo vetëm kaq, Malcolmi shkon edhe ma tutje dhe konkludon: “Shumica dërmuese e myslimanëve në periudhën e hershme të Kosovës duhet të jetë produkt i konvertimit të popullsisë vendore nga krishtenizmi.”[20] Në këtë përfundim vjen edhe studiuesja Grozdanova, e cila pohon se prej katër faktorëve, konvertimi ishte aj që lujti rolin më vendimtar në ndërrimet demografike.[21] Faktet shtohen edhe me të dhanat që jep përshkrimi që ia ban Prizrenit arqipeshkvi, Pjetër Mazreku, me 1623 – pra para luftave austro-otomane – dhe tregon numrin dhe kombësinë e banorëve. Aj thotë se në Prizren kishte 12 mijë banorë myslimanë shqiptarë, 600 serbë dhe 200 katolikë shqiptarë.[22] Nëse 12 mijë banorë do të kishin qenë ardhacakë, kjo do të thoshte që Prizreni paska pasë 800 banorë, para “vërshimit” shqiptar. Po ashtu e shohim se shumica dërmuese e popullsisë së Prizrenit asht myslimane tashma, rreth 70 vjet para luftës austro-otomane, megjithëse Kaleshi, Limanovski e historianë serbë pretendojnë se një “vërshim” i shqiptarëve ka ndodhë mbas këtyne luftave.

Nëse pohim i Malcolmit asht i vërtetë, atëherë fakti që sot e dijmë se shumica dërmuese e këtyne të krishtenëve të konvertuem në myslimanë janë shqiptarë, tregon qartë që këta të krishtenë duhet të kenë qenë shqiptarë dhe jo sllavë. E kundërta, nëse ngulmohet në argumentin se, në të vërtetë, shumica e popullsisë ishin sllavë, kjo kërkon dëshmi të pakundërshtueshme të një procesi të dyfishtë islamizues dhe shqiptarizues, që ndodh në të njëjtën kohë, të kësaj popullsie prej 95 për qind, prej një pakice prej 5 për qind, (ky pesëpërqindsh asht sipas përllogaritjeve të H. Kaleshit).  Por dëshmi, që një proces i këtillë të ketë ndodhë në mënyrë masive, nuk egzistojnë kund. Nuk kishte as kushte minimale për me ndodhë një proces i këtillë. Asht e pamundun me mendu që sllavët paskan qenë shumicë prej 95 për qind, qenkan konvertu në myslimanë dhe qenkan asimilu nga pakica shqiptare prej pesë për qind. Sipas një logjike të shëndoshë, do të duhej me ndodhë e kundërta, pakica shqiptare do të duhej të ishte kthy në sllavë myslimanë, mbasi sllavët paskan përba shumicën dhe ata, sipas kësaj pandehme, qenkan islamizu, tue qenë se paskëshin përba shumicën.

Malcolmi shkrun se: “Një studim i një regjistri të taksave të krahinës së Shkupit dhe të Tetovës në shekullin XVI tregon se përpjesëtimi i të konvertuemve në mes të kryefamiljarëve u rrit nga një çerek sa ishte me 1520, në një të tretën me 1540 dhe arrijti gati në gjysën në fund të viteve 1560.”[23] Me këtë, tashti, problematizohet shumë qëndrimi i Kaleshit se në Shkup e Tetovë nuk kishte asnjë shqiptar. Ose duhet me pohu se ishin të krishterët shqiptarë që u konvertuen në myslimanë, ose duhet me u dëshmu se prej nga erdhën gjysa e popullsisë së Shkupit dhe Tetovës. Nëse vazhdohet me idenë e “vërshimit” të shqiptarëve nga malet, atëherë do të duhej me paraqitë dëshmi për një eksplozion demografik në malet e Shqipnisë Administrative Veriore që pandalshëm prodhonte shqiptarë për furnizimin e qyteteve dhe katundeve nëpër rrafshinat përreth. Malcolmi tregon ma imtësisht se edhe në vendet ku regjistroheshin ardhacakë, një numër shumë i vogël i tyne ishin shqiptarë: në Pejë me 1485, nga 121, vetëm pesë ishin shqiptarë, në Prizren me 1591, nga 41, vetëm pesë kishin emna shqiptarë. Malcolmi konkludon me të drejtë që evidenca dëshmon fuqishëm kundër idesë se ka pasë një emigrim masiv nga Shqipëria Veriore.[24] Edhe për një dyndje me një numër të naltë fantastik prej 400 mijë e deri 500 mijë banorësh të popullsisë serbe nga Kosova me Arsenije Čarnojevićin në krye me 1689-90, që pretendohet nga historianë serbë, Malcolmi e hedh poshtë me fakte dhe e sjell numrin në afërsisht 40 mijë persona, pra, dhjetëfish ma të vogël nga pretendimet false serbe. Një pjesë e madhe e kësaj popullsie, bile shumica, ishin nga Nishi dhe rrethinat e tij e jo nga Kosova, thekson Malcolmi. Shto faktin se ndër të ikunit nga Kosova kishte po ashtu edhe shqiptarë, prej të cilëve deri vonë u rujtën edhe katunde të tana (si Pllatiqeva, Nikinci, Jaraku dhe Hërtkovci në Srem). Nëse me shumicë për një numër prej 40 mijë personash kuptojmë përafërsisht 30 mijë persona, atëherë mbeten një numër prej 10 mijë personave. Nëse edhe nga këta heqim 2-3 mijë shqiptarë kelmendas, flasim për një numër prej rreth 7 mijë personash sllavë të ikun, nga 350 mijë sa llogaritet se ka pasë Kosova në këtë kohë. Kështu dalim te shifra e popullsisë prej 340 mijë sllavësh që duhej të ishin kthy një herë në myslimanë, e masandej në shqiptarë, prej rreth 17 mijë shqiptarësh pakicë!

Studiuesi, Anton Minkovi, i cili asht marrë me shumë imtësi me çashtjen e konvertimeve në Gadishullin Ilirik, paraqet një përfundim që në vitet 1488 deri 1491, dmth. brenda katër vitesh, në sanxhakët me shumicë shqiptare gjendja paraqitej kështu: Sanxhaku i Prizrenit: 1 i konvertuem; i Shkodrës, i Dukagjinit, i Elbasanit, i Janinës, i Moresë e i Prevezës: asnjë i konvertuem; i Ohrit: 11 të konvertuem; i Vlorës: 12 të konvertuem. Pra, për katër vjet, në territoret me popullsi kryesisht shqiptare kishte vetëm 22 të konvertuem.[25]  Kjo tregon, sipas Minkovit, që pushtimi Otoman nuk kishte pasë ndikim shpërbamës në Gad. Ilirik. Në gjithë Ilirikun, gjatë shekullit XV, konvertimi e popullsisë në myslimanë ishte 2.5 për qind.

harta-1Me 1535 sipas sanxhakëve (Tabela 5 – marrë nga vepra e A. Minkovit) kemi të dhana shumë ma të sakta dhe ato tregojnë se në Sanxhakun e Moresë kishte 2.1 % votra familjare të konvertueme në myslimanë; i Janinës 1.9 %;  i Shkodrës 4.5 %; i Ohrit dhe i Prizrenit nga 1.9 %; i Prevezës 0.1 %;  i Elbasanit 5.6 %.[26] Në periudhën nga 1569-83, në Nahijen e Shkupit, kishte 873 votra familjare të konvertueme në myslimanë, në atë të Manastirit: 304, të Prilepit: 178, të Tetovës: 291, të Kërçovës: 43, të Ohrit: 123, të Dibrës së Epërme: 77; të Dibrën së Poshtme 555 dhe në atë të Rekës 94.[27]

harta-2Doemos, raporti statistikor i popullsisë nuk tregon se në Maqedoni të kishte pasë ardhje të një popullsie të re, por konvertim të popullsisë egzistuese nga një fe në tjetrën. Prandej, hipoteza e Kaleshit se në fshatnat e Shkupit, në Tetovë etj. nuk kishte asnjë shqiptar nuk mban ujë. Sipas B. McGowanit popullsia jomyslimane e Gadishullin Ilirik si tanësi u rrit për 50 për qind gjatë shekullit XVIII.[28] Në çerekun e parë të këtij shekulli procesi i islamizimit në gadishull nis e ndalet. Aj vazhdon vetëm në Shqipni e Dobruxhë deri kah fundi i këtij shekulli.

Kaleshi pretendon se “(n)ë të tilla rrethana, turqit erdhën në Ballkan dhe krijuan ndryshime të mëdha politike, etnike dhe kulturore”, por Minkovi pohon të kundërtën tue thanë se “(p)ushtimi otoman i Ballkanit ishte i ngjashëm me pushtimet arabe në shekullin VII në atë që nuk solli ndryshime të mëdha në jetën ekonomike të gadishullit. Konvertimi në fenë islame që ndërlidhej me pushtimin, prandej, ishte minimal.”[29]

Pra, në shekullin XV konvertimi ishte minimal. Në shek. XVI kishte një përhapje ma të madhe. Vetëm në shek. XVII pjesa rurale e popullsisë nisi me pranu islamizmin. Përfundimi që duhet me u nxjerrë asht që dy shekujt e parë të pushtimit otoman konvertimi në myslimanë në fillim ishte shumë i pakët dhe i ngadalshëm, në shekullin e dytë ishte jomasiv ndërsa në shekullin e tretë të këtij sundimi otoman ndodh islamizimi masiv sidomos i shqiptarëve. Por në këtë shekull, tue qenë se egzistojnë të dhana ma të sakta, nuk shënohet ndonjë dyndje kataklizmike e popullsisë, qysh dojnë me paraqitë Kaleshi e Limanovski. Pra, “ardhja e turqve”, edhe mbas dyqind e kusur vjetësh, nuk shkaktoi ndryshime të mëdha etnike në Gadishullin Ilirik. Qysh e pamë, Noel Malcolmi pohon se Veriu i Shqipnisë Administrative – edhe pa ndonjë dyndje të supozueme – kishte popullsi të pakët. Le të ilustrojmë këtë me të dhanat për Tetovën në fund të shek. XVI. Sipas regjistrit të viteve 1569-83 të Nahijes së Tetovës, fjala vjen, në qytetin e Tetovës kishte 330 votra familjare myslimane. Prej tyne 184 votra familjare, dmth. 55.8 për qind, ishin të konvertueme në këtë periudhë. Në katundet përreth Tetovës kishte 384 votra familjare myslimane, prej tyne 107 ishin të konvertueme, dmth. 27.9 për qind. Nga totali prej 714 votrash familjare myslimane, 291 ishin të konvertueme, dmth. 40.8 për qind.[30] Pra, për 14 vjet kishte ndodhë konvertimi në myslimanë i 40 për qind të popullsisë në Nahijen e Tetovës. Sipas një teorie të Kaleshit e të Limanovskit islamizimi lidhet me dyndjen e shqiptarëve. Por në asnjë dokument s’bahet fjalë për kurrfarë ardhacakësh. Nëse këta 40 përqind kishin me qenë sllavë, a kishte me qenë e mujtun që po këta të asimilohen në shqiptarë? Jo vetëm se nuk ka të dhana, po kjo as që duket e mundshme.[31]

Kaleshi dhe Limanovski dalin edhe me teorinë se shqiptarët ishin të favorizuem nga Perandoria Otomane. Por këto nuk pajtohen me të dhanat historike. A. Zhelyazkova hedh poshtë këto pretendime tue i qujtë ekzagjerime e duke ilustru me një urdhën të guvernatorit të Rumelisë të datës 7 shtator 1704 kadilerëve të Berit, Dojranit e të vendeve të tjera[32] dhe konkuldon se “asnjë zyrtar qeveritar nuk kishte me supozu që shqiptarët e shek. XVII e XVIII mujnë me të vërtetë me paraqitë shtyllën kurrizore të sundimit otoman në Ballkan.”[33] Ajo thekson se pohimet e Kaleshit i sheh të “ekzagjerueme” tue e futë në një kallëp me Nijazi Limanovskin, tue thanë që “edhe Kaleshi, edhe Limano[v]ski argumentojnë se shteti otoman në mënyrë që ta forcojë kontrollin, ndihmoi ekspansionin territorial shqiptar”[34].

Nuk mun pa u përmendë edhe një fakt që fiset shqiptare në Veri (dhe në Himarë në Jug) kishin një vetëqeverisje mjaft të veçantë nga qeveria qendrore e Portës së Naltë dhe nuk kishin ndonjë arsye të fuqishme me e lanë strehën e sigurtë për një shpërngulje në ndonjë vend të pasigurte,[35] ashtu qysh e kishin edhe malazezët. Shpërngulje sporadike ka pasë vetëm nga njerëz që ishin në gjakmarrje dhe kërkonin një vend ma të sigurtë.

Çfarë tregojnë emnat ortodoksë, katolikë dhe myslimanë të shqiptarëve?

Pra, edhe një herë: „(A)thua shqiptarët do t’i bënin ballë këtij procesi asimilues?“ e pyet veten Kaleshi dhe jep përgjegjen ma të shkurtë të mundshme: „Jo.“ Dmth. shqiptarët nuk do të kishin mujtë me i shpëtu asimilimit në asnjë mënyrë po të mos vinin turqit! Kaleshi thotë se sjell edhe dëshmi:

„Të fillojmë nga Kosova; për këtë informacione autentike ofron Tahrir Defteri Mufassal i Vilajetit VLK i vitit 1455. Para së gjithash, ky defter dhe të tjerë që do t’i shfrytëzojmë në vazhdim, vërtetojnë mendimin tashmë të ngulitur në historiografinë serbe se deri në luftën austriako-turke të viteve 1683-89, nëpër fshatrat e Kosovës nuk jetonin shqiptarë. Kur analizojmë emrat dhe mbiemrat e krye-shtëpiakëve të regjistruar në Tahrir Defterët për pagesat e tatimeve, në mesin e 646 vendbanimeve gjejmë mbi 80 emra dhe mbiemra të shqiptarëve si: Gjon i biri i Kozhicës, Radica Arbanas, Gerdash Arbanas, Arbanas i biri i Bogdanit, Mazreku i biri i Ivanit, Arbanasi i biri i Todorit, Dimitrije Arbanas dhe emra e mbiemra të ngjashëm si këta. Veçanërisht është interesante se këto shtëpi shqiptare gjendeshin në rajonin e Moravës në brendësi të Kosovës, pra shumë larg nga vendet e llogaritura etnike të serbo-shqiptarëve. Një realitet të tillë e hasim edhe në Maqedoninë e vitit 1467. Nga ana tjetër, gjendja është krejt ndryshe në pjesët kufitare serbo-shqiptare. Sipas një regjistrimi të kryer në vitin 1482, në nahinë e Alltun-Ilisë që ndodhet në rajonin e Gjakovës së sotme, vendet malore ishin të populluara me serbë kurse rrafshi me shqiptarë. Duke u bazuar në fakte të tilla dhe nëse marrim parasysh përqindjen e shumicës dhe pakicës së popullatës, arrijmë në përfundim se Kosova nuk popullohej më shumë se 4-5% me shqiptarë.“

Kaleshi pohon se Kosova në vitin 1482 “nuk popullohej më shumë se 4-5 % shqiptarë”. Mirëpo, disa rreshta ma poshtë aj po ashtu thotë se “(m)adje unë jam i mendimit se të gjithë këta shqiptarë i përkisnin fesë pravosllave”. Pra, shqiptarët në Kosovë paskan qenë pakicë, e kjo pakicë paska qenë ortodokse, sipas Kaleshit. Problemi këtu asht që islamizimi i popullsisë në Kosovë nxori në shesh një shumicë. Dhe kjo shumicë doli të jetë shqiptare dhe jo sllave. Qysh e pamë, ardhje masive të popullsisë jo vetëm që nuk kishte, por as nuk mun kishte. Kështu këto dy pohime të Kaleshit, po edhe të ndonjë historiani tjetër, bahen kundërthanëse. Pajtohem me Kaleshin që kjo “pakicë” e shqiptarëve në Kosovë ishin ortodoksë, por nuk pajtohem se shqiptarët ishin pakicë. Përllogaritja që e nxjerr këtë “pakicë” asht numërimi vetëm i personave me emna qartësisht josllavë, eventualisht të përziem. E këta, natyrisht, janë pakicë. Por po të bahej edhe sot numërimi i popullsisë vetëm me emna, shqiptarët në Kosovë kishin me dalë pakicë, ngaqë shumica kanë emna myslimanë. Dhe kishte me dalë që në Kosovë janë 20 apo 30 për qind shqiptarë (kaq jam tue pandehë se janë emna shqiptarë). A asht kjo e vërtetë? Natyrisht që jo. Emnat janë fetarë. Regjistrimi ka mujtë me ndodhë që të jetë ba ose në bazë të të dhanave egzistuese të kishës ortodokse, ose të jetë mbledhë prej zyrtarësh otomanë me ndihmën e priftave ortodoksë, tue qenë se shqiptarët ishin ortodoksë dhe mbanin edhe emna ortodoksë. Këtë e thomi tue u nisë prej vetë atyne fakteve që nxori në shesh islamizimi i shqiptarëve, sepse ato e tregojnë këtë shumë qartë. Islamizimi u pranu ndër të krishtenët kryesisht në vijat ku kishte popullsi shqiptare, në trojet historikisht të banuara me shqiptarë. Kështu feja e re muhamedane shërbeu si letër lakmusi për me tregu cilët ortodoksë me emra sllavë kishin qenë, në të vërtetë, shqiptarë e cilët jo. Në Bosnjë ka ndodhë i njëjti proces, por në vija religjioze: ajo popullsi që kishte qenë bogumile, as katolike, as ortodokse, pranoi islamizmin. Nuk kishte kurrfarë “vërshimi” të popullsisë. Nga ky vështrim ardhja e otomanëve nuk ndali kurrfarë asimilimi, por e bani të mujtun konvertimin e një popullsie nga një fe në tjetrën. Sllavët ortodoksë nuk u banë myslimanë me shumicë asnjëherë. Ata mbetën sllavë dhe ortodoksë. Hierarkia e kishës ortodokse nuk u dobësu, por mbeti po kaq e fortë me ardhjen e otomanëve, ndonjëherë tue ia kalu edhe vetë pushtetit otoman. Për me kuptu fuqinë e vërtetë të kishës e të priftave ortodoksë duhet me lexu letrën që ungji i Pjetër Bogdanit, Andre Bogdani ia dërgon Propagandës Fide, ku ankohet tue thanë se priftat ortodoksë janë tue ba ma shumë dhunë mbi katolikët shqiptarë sesa vetë pushteti otoman.[36][37] Apo shpërdorimin e Patriarkut Kalinik, i cili mbasi u emnu si patriark mbas Arsenijes, ua imponoi taksat edhe katolikëve.

Edhe nëse do të pranohej hipoteza e Kaleshit se ardhja e otomanëve ndali asimilimin e shqiptarëve në sllavë, atëherë po kjo do të duhej me vlejtë edhe për otomanët, dhe ardhja e tyne do të duhej me shënu vërtet fundin e asimilimit në sllavë, por fillimin e asimilimit të shqiptarëve në turq! Por as kjo historikisht nuk asht e saktë.

Kaleshi pretendon se ka një argument të fortë kur thotë se “(s)asinë e madhe të asimilimit dhe fuqinë e ndikimit të huaj e tregon qartë fuqizimi i fiseve shqiptare pas shpërbërjes së perandorisë së Dushanit. Nuk hasim asnjë element që principatat e quajtura Grop[a], Muzaka, Topi, Dukagjin[i] dhe më vonë edhe Kastriot[i] që të mund t’i quanim principata shqiptare. Te asnjëri nuk ka një emër origjinal shqiptar (psh. grekët dhe sllavët emrat e njerëzve i kanë origjinalë greqisht dhe sllavisht) ose janë të martuar me gra të huaja ose nënat i kanë të huaja; të gjithë shkrimet i kanë shkruar në gjuhë të huaja; muzakët e kanë përdorur gjuhën greke, topaijt dhe kastriotët greqishten, latinishten dhe sllavishten, ndërsa Balshajt kanë shkruar në gjuhët latine dhe sllave.”

Kjo asht një përpjekje e pafat për argumetim: mbretnit e parë anglezë jo vetëm që nuk kanë pasë emna anglezë, jo vetëm që nuk kanë shkru në anglishte e nuk kanë dijtë as edhe një fjalë të vetme anglisht, por mbreti, Richard Zemërluani, në Angli ka kalu vetëm gjashtë muej të jetës së vet. Me pohu sot në historiografi që Richardi nuk ka qenë mbret anglez bahesh gaz i dynjasë. Me thanë, për këtë arsye, se nuk ka pasë Mbretni të Anglisë, nuk të merr kush ma seriozisht. Deri në shek. XV gjuhë e oborrit mbretnor anglez ka qenë frangjishtja normane dhe gjuhë të vetme të vetme të kancelarive angleze kanë qenë frangjishtja dhe latinishtja. A të shtojmë që anglishtja nuk asht folë në Parlamentin Anglez deri kah fundi i shek. XIV. As sulltanët otomanë nuk kanë emna turq, por emna arabë. Gjysa e ma tepër prej 36 sulltanëve kanë pasë gra joturke: greke, serbe, polake, hebreje, shqiptare, ruse, gjeorgjiane etj. Shumica e sulltanëve parapëlqenin ma shumë me shkru persisht[38]. Administrata përdorte otomanishten. Asht interesante që Kaleshi merret edhe me gratë ose nënat e huaja të princave shqiptarë! Një shpërdorim i këtillë propagandues ndodh me prejardhjen e supozueme sllave e nanës së Skënderbeut, Vojsavës. Mirëpo, le të përmendim që edhe grueja e Sulltan Muratit II dhe nana e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit, sulltanit ma të famshëm otoman, ishte serbja Mara Despina, e bija e despotit serb Đurađ Brankovići, e cila mori emnin si sulltaneshë, Hüma Hatun, edhe sot e ka tyrben e vet në xhaminë Muradije të Stambollit.[39] Ashtu si nanat dhe gratë e shumë sulltanëve të tjerë ishin të hueja. Në të vërtetë, shek. XIV shënon rekordin e martesave të sulltanëve me gra të hueja. Pra, nëse mbretën e perandorë nëpër tanë rruzullin nuk i jepnin randësi disa veçorive që ma vonë u banë kombtarisht të randësishme, martoheshin me gra të hueja, pse Hasan Kaleshi kërkon diçka ma shumë prej princave shqiptarë?

Natyrisht, duhet me pranu se lëvizje të popullsisë ka pasë nga çdo popull në Gadishullin Ilirik. Por jo në përmasa që theksojnë historianët serbë për qëllimet e tyne politike dhe as në përmasa që dojnë me e paraqitë Kaleshi e Limanovski, tue ia vërtetu broçkullat shoviniste historianëve serbë. Ma së shumti shpërngulje kanë pasë shqiptarët, por për këtë asht shkru pak! Me qinda mija shqiptarë janë shpërngulë në Itali, si pasojë e luftës kundër Perandorisë Otomane, e që simbas disa pohimeve mun me i ra rreth një e treta e popullsisë së përgjithshme të shqiptarëve në atë kohë! Kjo s’i ka ndodhë as serbëve, as grekëve, as bullgarëve.

Duhet me theksu edhe një fakt që asimilimi nuk ka qenë as qëllim, as strategji e Perandorisë Otomane. Nuk ka fakte për këtë. Asimilim në çka? Në turq? Asht e pamundshme sepse Perandoria Otomane s’i ka dhanë ndonjë randësi të veçantë as idesë së turknisë, as vetë gjuhës turke.[40]  Ajo çka ka synu Perandoria Otomane ishte krijimi i qytetarit otoman, ashtu sikurse Perandoria Romake që pretendonte krijimin e qytetarit romak. Otomanishtja, në pjesën ma të madhe të sundimit të Perandorisë Otomane, asht ndërtu në distancimin dhe ndryshimin aq të madh të turqishtes në një gjuhë që u ba e pakuptueshme edhe për vetë shumicën dërmuese të popullit turk, në trajtën e otomanishtes, e cila njihej vetëm nga të shkolluemit,[41] diçka si latinishtja për mbretnitë e Europës Perëndimore. Në këtë vijë, po ashtu, duhet me theksu që asnjë historian serioz nuk ka pohu me argumente që të ketë pasë konvertim të dhunshëm në masë në fenë islame gjatë Perandorisë Otomane, ose ato kishin qenë të rralla[42]. Nuk përjashtohen raste të veçanta të veprimit të ndonjë sundimtari të veçantë në ndonjë krahinë apo pas betejash e marrjesh të qyteteve, por asnjëherë nuk asht vërtetu që kjo të ketë qenë politikë shtetnore e dhunshme e Perandorisë.[43] “Gjatë viteve të ekspansionit otoman administrata e sulltanëve nuk ka ba ndonjë përpjekje për islamizim apo akulturim të nënshtetasve “ordinerë”, dmth., katundarëve joskllavë dhe shehërlij të cilët nuk ishin të rekrutuem nëpërmjet devşirmes.”[44] Kjo nuk ndodhte edhe për një arsye thjesht ekonomike: të konvertuemit në myslimanë nuk paguanin taksa sa ata jomyslimanë dhe kjo do të nënkuptonte pakësim të të ardhurave në thesarin perandorak.

Asht ironike që argumenti ma i fortë që banorë me emna ortodoksë sllavë nuk janë domosdo sllavë[45] vjen bash prej qytetit të lindjes së Hasan Kaleshit, prej Kërçovës. Një lagje e tanë quhet “Mahalle-i Arnavudan” (“Mahalla e shqiptarëve”). Por Kaleshi i interpreton faktet në mënyrë shumë të çuditshme:

„…në një regjistrim të vitit 1487 të bërë në një lagje të shqiptarëve (Mahalle-i Arnavudan) në Kërçovë të Maqedonisë lindore. Edhe pse kjo lagje është quajtur ‘Mahalle-i Arnavudan’, nga emrat e kryefamiljarëve të saj kuptojmë se shumica e tyre e qenë sllavizuar.“

Pse thomi se Kaleshi interpreton në mënyrë të çuditshme? Sepse thotë se ngaqë emnat e kryefamiljarëve paskan qenë ortodoksë „kuptojmë që shumica e tyre qenë sllavizuar“! Kaleshi duhet me na shpjegu se pse kur një shqiptar e paska emnin ortodoks qenka i sllavizuem apo i greqizuem, e nëse e ka emën katolik qenka i italianizuem apo i latinizuem, ndërsa kur e ka emnin turk apo arab nuk asht i turqizuem apo i arabizuem? Pra, Kaleshi nuk ka fakt që lagjja të jetë sllavizu, pos faktit që banorët kanë emna sllavë. Ata vetë quhen shqiptarë dhe mahallën e qujnë shqiptare! Për me qenë edhe ma ironike, kjo lagje, edhe në regjistrimin e nëpunësit otoman, quhet Mahallë shqiptare dhe jo Mahallë sllave, ashtu sikurse një mahallë me emna turko-arabë nuk duhet me qenë domosdo as turke, as e turqizueme, por mbetet shqiptare, megjithëse banorët mujnë me pasë emna myslimanë. Kjo mënyrë gjykimi e nxjerr Kaleshin jo të besueshëm dhe ve në dyshim gjykimin e tij jo bash shkencor apo qysh e qun Malcolmi “shpjegim i thjeshtëzuem”[46]!  A mjafton me theksu faktin që banorët e katundeve të Rekës së Keqe në Maqedoni deri në shek. XX kanë mbetë edhe ortodoksë, edhe shqiptarë? Kaleshi pohon:

“Vetëm njëqind vjet pas sundimit turk, kur absolutisht kishte marrë fund organizimi i shtetit serb dhe roli i madh i kishës, ashtu siç kishte përfunduar sllavizimi i popullit shqiptar, gradualisht kishte filluar të ndryshonte edhe gjendja e mëhershme etnike dhe fetare. Shohim rritjen e emrave origjinalë shqiptarë të kryefamiljarëve, në disa vende të populluara shqiptarët janë shumicë, serbet i braktisin disa rajone, ndërsa vendet e zbrazura gradualisht mbushen me shqiptarë.”

Kaleshi nuk na tregon se cilët qenkan ata emna “origjinalë shqiptarë”? Aq ma shumë se çfarë ndodh me këta emna në shekujt e ardhshëm. A bahen këta emna edhe ma “origjinalë”? Apo bahen emna myslimanë? Dhe kur bahen emna myslimanë, a don me thanë kjo që shqiptarët po zhduken etnikisht apo që shqiptarët po islamizohen? Natyrisht, me “emna origjinalë” Kaleshi mendon në emna që spikaten si shqiptarë dhe dallohen nga ata sllavë. Por kjo statistikë e emnave në dam të emnave shqiptarë vjen e bahet nëse jo ma keq atëherë njësoj edhe në arealin e islamizuem të shqiptarëve. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se ata janë turqizu apo arabizu, sepse kanë me qenë bash këta shqiptarë të islamizuem që kanë me qenë shtylla e frontit për pavarësinë e Shqipnisë. Në mënyrë të njëjtë emnat ortodoksë nuk nënkuptojnë që shqiptarët të jenë ba as sllavë, as grekë. Pra, parimi kaleshian do të duhej me vlejtë njësoj si për atë fe, si për këtë fe. Nëse dikush po u sllavizoka me emna ortodoksë, atëherë, po ky do të duhej edhe të turqizohej e arabizohej me emna muhamedanë. Por kjo nuk asht e vërtetë. Për me kuptu problematikën e emnave personalë, gjatë regjistrimit, fjala vjen, Pjetër Bogdani, Andre Bogdani, Ndre Bratiçi dhe Nikollë Bratiçi do të shënoheshin si Petar Bogdanovic, Andrija Bogdan(ovic) Andrija Bratic dhe Nikola Bratic[47]. Nëse nuk do të kishim dëshmitë e tjera që këta kanë qenë shqiptarë, shumica e historianëve do të kishin qenë të bindun se këta katër persona kanë qenë pa dyshim serbë. Pra, çashtja paraqitet shumë ma komplekse sesa që duket në shikim të parë.

Masandej Kaleshi pohon:

“Sipas Tahrir Defterit të vitit 1467, në rajonet pa asnjë shqiptar siç qenë Kërçova, Gostivari, Tetova dhe fshatrat përreth Shkupit, islamizohen dhe shqiptarizohen.”

Edhe po të kishte qenë Perandoria Otomane perandori e shqiptarëve, procesi i dyfishtë i islamizimit dhe i shqiptarizimit kishte me qenë proces jo vetëm i vështirë por i pamundun. Koha për të cilën flet Kaleshi asht periudha kur po zhvillohej lufta dyzetvjeçare me këtë popull, një vit ma vonë nga data e këtij dokumenti, me 1468, do të vdiste Skënderbeu, ndërsa Perandoria paskësh qenë tue shqiptarizu! Sa për asimilim etnik, kjo perandori kishte me i kthy këta banorë në turq e jo në shqiptarë. Por e theksuem ma sipër që Perandoria Otomane, si çdo perandori,  nuk ka ndjekë një politikë asimilimi sepse shtylla mbi çka qëndron një perandori asht pikërisht përbamja e saj prej shumë popujsh.

Me 1467 në Kërçovë – gjithnjë sipas pohimeve të vetë Kaleshit – s’paska pasë asnjë shqiptar. Po si u ba që disa paragrafë ma nalt vetë Kaleshi shkrun se me 1487 në Kërçovë zyrtari otoman kishte shënu një mahallë të tanë që quhej “Mahalle-i Arnavudan”. Këtë nuk e thotë askush tjetër por vetë Hasan Kaleshi në po këtë artikull. Tash, a don me na mbushë mendjen autori Kaleshi se mahalla në Kërçovë mbiu për njëzet vite, sa ka dallim në mes të Tahrir Defterit 1467 dhe regjistrimit të vitit 1487? E para, për njëzet vite nuk bahet një mahallë e tanë e Kërçovës me shqiptarë në atë kohë dhe, edhe po të ishte ba, ajo mahallë në asnjë mënyrë nuk do të bahej mahallë e shqiptarëve ortodoksë, sipas logjikës që shtron vetë Kaleshi, sepse Kaleshi ban fjalë për dyndjen e shqiptarëve myslimanë në territore të reja e jo të atyne ortodoksë! Pra, qysh u ba që Kaleshi në një pjesë të artikullit të tij pohon se me 1467 s’paska pasë “asnjë shqiptar” jo vetëm në Kërçovë, por as në Gostivar, Tetovë e katunde përreth Shkupit, e në pjesën tjetër vetë thotë se kishte një mahallë të tanë në Kërçovë ku që të gjithë ishin shqiptarë, sipas tij “të sllavizuem”?! Duket qartë që autori në artikullin e njëjtë jep dy pohime që e kundërshtojnë plotësisht njëna-tjetrën.

Në vazhdim Kaleshi i kthehet jugut të Shqipnisë dhe Greqisë, por me një ndryshim kohor të madh dhe iluzion argumentativ sepse kjo për çka flet Kaleshi nuk ndodh në kohën e “ardhjes së turqve” por në kohën ku po afrohej fundi i Perandorisë në Gadishullin Ilirik, pra mbas vitit 1912, në kohën e “shkuarjes së turqve”:

“Kur vilajeti [i Janinës] i bashkohet Greqisë, të gjithë këta banorë shqiptarë të krishterë u greqizuan nën ndikimin e administratës shtetërore, shkollës dhe kishës, tani këtu nuk mund të flitet madje edhe për një pakicë shqiptare. Por greqizimi i shqiptarëve myslimanë qe i pamundur, sepse këta kishin ikur në Shqipëri ose me rrugë të ndryshme ishin dërguar në Turqi në vend të romanëve. Një pjesë e këtyre shqiptarëve sot mund të gjenden në pjesën Atmejdani të Stambollit. Feja islame ka qenë dhe është pengesa kryesore e greqizimit të tyre.”

Jemi tash në kohën kur nacionalizmat e Gadishullit Ilirik bajnë punën e vet. Kështu duhemi me e zgjanu pak rrethin e argumentit e me thanë që vërtet shqiptarët e krishterë që mbetën në Greqi nisën me u greqizu nëpërmjet aparatit represiv shtetnor shovinist grek. Po me shqiptarët myslimanë që shkuen në Turqi – edhe ata nga Greqia – çfarë ndodhi? Kaleshi thotë se ata “sot mund të gjenden në pjesën Atmejdani të Stambollit”! Po mirë, çashtja nuk u shtru ndonjëherë se në ç’vend janë shqiptarët gjeografikisht, po ç’kombësi kanë ata, qoftë në Greqi, qoftë në Turqi. Pra, çfarë ndodhi me këta shqiptarë myslimanë në Atmejdan të Stambollit? A ishte dhe a asht feja e tyne myslimane pengesa kryesore kundër turqizimit të tyne? Natyrisht që jo. Na e dijmë që nuk u dërguen në Turqi “me rrugë të ndryshme” por me marrëveshje ndërshtetnore turko-greke, dmth. antishqiptare, për shkëmbim të popullsisë “turke”, ashtu si me marrëveshje turko-jugosllave, dmth. antishqiptare, për shpërnguljen e “turqve” nga trojet shqiptare në Jugosllavi për në Turqi.

Duhet me përfundu me një pohim të Kaleshit, i cili tue marrë shkas prej një skajshmënie, shkon kah skajshmënia tjetër, por e thotë një të vërtetë, që periudha e sundimit otoman nuk ishte edhe pa ndonjë element pozitiv. Por këto elemente pozitive nuk mujnë me u argumentu me fakte kundërthanëse dhe me hamendje. Islamizimi i shqiptarëve, natyrisht, rriti distancën e dallimit nga popullsitë fqinje sllave dhe greke, por nuk ka qenë, as nuk ka mujtë me qenë, faktor vendimtar mbrojtës nga asimilimi dhe zhdukja e plotë. Në të vërtetë, një qëndrim i këtillë ka një kurth mbrenda: nëse do të pranohej se ardhja e otomanëve dhe islamizimi i tyre mundësuen ekspansionin shqiptar, atëherë po ashtu do të duhej me u pranu se pikërisht ky fakt i të qenit myslimanë i shqiptarëve u shërbeu shteteve shoviniste kristiane si arsyetim për gati zhbimjen dhe zhdukjen e shqiptarëve nga kontinenti europian. As njëna, as tjetra nuk ka mundësi që të jenë ma me peshë sesa interesat ekonomiko-politike të shteteve, ashtu qysh ka qenë gjithmonë, gjatë gjithë historisë.

Shkenca e historisë, në të ardhmen, duhet të dëshmojë se në cilat periudha kohore dhe në cilat fusha pushtimi otoman pati edhe efekte pozitive, tue qenë se një sundim i tillë zgjati rreth pesë shekuj. Dhe pesë shekuj nuk mujnë me u shqyrtu lehtë, as me e u vlerësu me disa fjali duke qenë se politikat shtetnore të Perandorisë Otomane kanë ndërru jo vetëm mbas sundimit të çdo sulltani, por kanë ndryshu edhe gjatë sundimit të një sulltani. Ata shekuj as nuk mujnë me qenë shekuj të errësirës, qysh asht përpjekë me e qujtë njëna palë, as shekuj të prosperitetit dhe shpëtimit, qysh po përpiqet me thanë pala tjetër. Një ditë, doemos, edhe kombet që jetuen nën Perandorinë Otomane duhet ta shkrujnë veprën “Çfarë banë otomanët për ne?”, ashtu qysh pyeten kombet e Europës Perëndimore sot se “Çfarë banë romakët për ne?”. Por kjo, doemos, duhet të jetë e zhveshun prej zellit propagandistik dhe ambicieve me synime për ringjalljen e së kaluemes së tretun e të bamë tashma histori.

(Kumtesë e shkrueme për Konferencën Shkencore Ndërkombtare “40-vjetori i vdekjes së Hasan Kaleshit” e organizueme nga Dega e Orientalistikës e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës e mbajtun me 6 tetor 2016. Një version pak ma i shkurtuem i kësaj kumtese u lexu në këtë konferencë.)

_________________________________

[1] Hasan Kaleshi, Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e islamit, shkaqet themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve, gazeta “Koha ditore”, 11 dhe 18 korik 2016.

[2] Shprehja “hordhitë turke” nuk do të duhej me paraqitë ndonjë problem të veçantë nëse nuk do të merrej parasysh kuptimi figurativ. Edhe në Fjalorin e shqipes (2006) jepet ky shpjegim: “hordhi, -a f. sh. -(të) 1. hist. tërësia e fiseve endacake mongole ose osmane. 2. fig. ushtri e madhe barbare; turmë e egër që vret, pret e shkatërron mizorisht: hordhi fashiste.” Pra, kuptim i parë, kryesor, asht neutral dhe në një punim shkencor përdorimi i kësaj fjale nuk do të duhej me u lidhë me kuptimin e dytë. Aq ma shumë që vetë fjala “hordhi” vjen nga turqishtja “ordu” ashtu si në anglishte që asht ba “hordes” dhe nuk ka kuptim denigrues.

[3] Fjala vjen, një shembull dhe një test i pashmangshëm për historianët turq asht trajtimi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Aj nuk vlerësohet si një luftëtar i lirisë së popullit të vet, por shpesh trajtohet si një tradhtar e bukëpërmbysës, eventualisht roli dhe veprimtaria e tij heshten krejtësisht! Në të vërtetë, me kqyrë holl, figura e Skënderbeut asht ma afër me figurën e Kemal Ataturkut, që të dy kampionë të lirisë së popujve gjegjës. Po e jap vetëm një shembull të thjeshtë: në sheshin qendror të Londrës, në Trafalgar Square, prapa Pirgut të Nelsonit ndodhet shtatorja e George Washingtonit, udhëheqësit të luftës kundër Britanisë së Madhe dhe babait të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A mun dikush me paramendu shtatoren e Skënderbeut apo Ismail Qemalit në sheshin kryesor të Ankarasë apo Stambollit, mbrapa monumentit të Ataturkut? Ja, ky asht problemi i shumë historianëve turq, shqiptarë  e të tjerë: mungesa e distancës së nevojshme nga e kaluemja. Trajtimi i historisë për politika ditore. Edhe kur bahen përpjekje për me ritrajtu ndonjë aspekt të historisë, shpesh, kjo bahet tue e kthy historinë në stand up comedy, sikur ndodh me trajtimin e figurës së Sami Frashërit në historiografinë turke, kur vihet në diskutim nëse aj ndihej shqiptar apo turk.

[4] Malcolm, N., Kosovo – A Short History, Macmillan, London, 1998, fq. 109; Zirojević, Crkve, fqt. 27-31

[5] Malcolm, po aty, fq. 109

[6] Masters, Bruce, Christians in a changing world, në The Cambridge History of Turkey, Volume 3, 2006, fq. 276

[7] Lamansky, Secretes d’etat, apendiksi, f. “064”. Në Malcolm, N., Kosovo – A Short History, fq. 127

[8] Zhelyazkova, Antonina, Islamization In The Balkans As An Historiographical Problem: The Southeast-European Perspective;The Ottomans and the Balkans : a discussion of historiography / edited by Fikret Adanir & Suraiya Faroqhi. 2002, fq. 261.

[9] Kia, Mehrdad, The Otoman Empire, Greenwood, 2011, fq. 113

[10] https://www.rastko.rs/isk/isk_09.html (20 shtator 2016)

[11] Ky profesor megjithëse kishte punu me dekada në Greqi në vendet arkeologjike, kurrë nuk e kisht e vu re egzistencën e shqiptarëve atje derisa një ditë shkon në një ekspeditë arkeologjike në një vend afër një fshati i cili ndë dukje ishte fshat tipik grek. Por kur studentët krijojnë kontakte me fshatarët ata dëgjojnë se njerëzit flisnin një gjuhë krejt të panjohun, megjithëse studentët kishin mësu greqishten. Ia tregojnë këtë profesorit të tyre dhe aj në fillim nuk beson në fjalët e studentëve dhe mendon se ata nuk e kanë kuptu greqishten. Ma vonë, kur e pyet priftin e fshatit, i cili po ashtu asht shqiptar (arbëror), profesori e kupton se me dhjetëvjeçarë ka kalu në Greqi pa e kuptu se egziston një popullsi shqiptare. Jemi tue ba fjalë per shekullin XX. Ma vonë profesori, John Bintliff, shkroi një artikull të veçantë për këtë The Ethnoarchaeology of a “Passive” Ethnicity: The Arvanites of Central Greece, në K.S. Brown and Yannis Hamilakis, eds., The Usable Past: Greek Metahistories, Lexington Books, 2003, i cili ka me u botu së shpejti në gjuhën shqipe.

[12] Malcolm, po aty, fq. 55.

[13] Pulaha, S., Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI, (studime dhe dokumente), Tiranë, 1983, fq. 650.

[14] Malcolm, po aty fq. 100.

[15] Malcolm, po aty, fq. 101; Hadžibegić, Oblast Brankovića, vol. 2, p. ix.

[16] Pulaha, S., Qytetet e rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI në dritën e të dhënave të reja të regjistrimeve kadastrale osmane”, GASh, vol. 9, për vitin 1979 (1980),  fq. 26. Në Malcolm, po aty, fq. 106.

[17] Georg Stadtmüller, http://www.trepca.net/2003/0603/030624-islamizmi.te.shqiptaret-georg-stadtmuller.htm (20 shtator 2016).

[18] Malcolm, Po aty, fq. 112.

[19] Inalcik, H., Osmanli Imperatorlugun kuruluş[u], f. 641.  Në Malcolm, po aty, 106;

[20] Malcolm, po aty, 107.

[21] Grozdanova, Narodnost, fqt. 586-87. Në Minkov, A., po aty, fq. 55.

[22] Krasniqi, Mark, Neki manje poznati izvori o stanovnistvu Kosova, Geografski Vestnik, Ljubljana, XLIX (1977), fq. 122.

[23] Malcolm, po aty, 107; Kaleshi Shënime, f. 168.

[24] Malcolm, po aty, 112

[25] Minkov, Anton, Conversion to Islam in the Balkans: Kisve Bahasi Petitions and Ottoman Social Life, 1670-1730, Brill, fq. 39.

[26] Minkov, po aty, fq. 41

[27] Minkov, po aty, fq. 50

[28] McGowan, B., Head Tax Data for Ottoman Europe, 1700–1815,” në Economic Life in Ottoman Europe: Taxation, Trade and the Struggle for Land, 1600–1800, fq. 82. Në Minkov, A., po aty, fq. 58.   

(Cambridge, 1981), 80–104

[29] Minkov, po aty, fq. 62

[30] Minkov, po aty, tabela nr. 5, fq. 50.

[31] Një problem tjetër i patejkalueshëm për argumentin e ardhjes së shqiptarëve myslimanë në Kosovë e Maqedoni asht rasti i Bosnjës. Nëse në Kosovë e Maqedoni, për hir të argumentit mun me u supozu se paska pasë “vërshim” të popullsisë shqiptare, shkridhet pyetja e pashmangshme: kush e “vërshoi” Bosnjën me popullsi myslimane? E nëse në Bosnjë ishte një popullsi vendase që u kthy në fenë e re, pse kjo të mos ketë ndodhë edhe në Kosovë e Maqedoni? Masandej, po kaq problematik shfaqet çashtja e islamizimit të popullsisë në Shqipninë Veriore, ku ashtu si në Kosovë e Maqedoni Perëndimore ata kthehen e bahen popullsi shumicë. A kishte ndonjë “vërshim” të ndonjë popullsie edhe në këto zona apo kishte ndodhë vetëm një konvertim si çdokund tjetër në trojet e banueme me shqiptarë?

[32]Në urdhën thuhet: “…disa shqiptarë haramë [rebelë, plaçkitës, hajdutë] ia kanë dalë me marrë pozita të martolos basit [komandantë të trupave rezervë]. Secili prej tyne ka mbledhë 200-300 shqiptarë haramë rreth vetes dhe kanë kry vrasje, plaçkitje dhe shkelje të tjera kundër nënshtetasve të sulltanit dhe kundër udhëtarëve të tjerë.” Zhelyazkova, Antonina, The Ottomans and the Balkans, fq. 239

[33] Zhelyazkova, Antonina, po aty, fq. 241.

[34] Zhelyazkova, Antonina, po aty, fq. 239.

[35] “Tue qenë të paqasshëm në malet e tyne, rebelimi u ba endemik ndër jyrykë në vargmalet e Taurusit dhe ndër fiset shqiptare në Gadishullin Ilirik”, (“Being inaccessible in their mountains, rebellion became endemic with the Yöröks on the Taurus range and among the Albanian tribes in the Balkans.”), An Economic and Social History of Ottoman Empire 1300-1600, Volume I, (ed. Inalcik, H., Quataert, D.), fq. 41.

[36] Radonić, J., Rimska kurija u južnoslovenskim zemljama u XIV do XIX veka, Beograd, 1950, fq. 342 “Ortodoksët, thotë aj, po kaq kundërshtarë të rreptë të katolikëve sa edhe turqit. Sidomos Sulltani u del në mbrojtje ngaqë ka vijë gjaku nga Sulltan Murati II i cili për grue e ka pasë Maricën “la figlia di Georgio despote”. Patriku, i cili e ka vendqëndrimin në Graçanicë, vetëm një milë larg nga  Janjeva punon në zhdukjen e katolikëve. Aj kërkon nga katolikët obligime krejtësisht të ndryshme nga ato të cilat ata i japin turqve.” Shih edhe në “Pjetër Bogdani dhe vepra e tij”, (referate nga Konferenca shkencore përkujtimore me temë Pjetër Bogdani dhe vepra e tij), AShA e Shqipërisë, Tiranë, 1991. „Patrikana e Pejës ishte bërë, siç shkruan historiani serb Jovan Radoniqi, tepër agresive ndaj shqiptarëve katolikë. Presioni i saj mbi shqiptarët katolikë ishte bërë, sipas pohimeve të dy prelatëve shqiptarë, Gjergj Bardhit (1642) dhe Ndre Bogdanit (1663), i padurueshëm .“ po aty, fq. 60 Relacioni i Gjergj Bardhit, në Arch. S. Congregazione, CS, vol. 21, fol. 53, kurse relacioni i Ndre Bogdanit, sipas J. Radonić, po aty, ff. 260-261. “Kështu, konflikti i tij me Patrikanën e Pejës, në themel të të cilit qëndronin interesat etnike shqiptare, erdhi duke u acaruar në atë shkallë sa Ndre Bogdani shkruante më 10 gusht 1670 së shqiptarët katolikë vuanin më tepër nga skizmatikët serbë se sa nga turqit myslimanë. Po të mos detyrohej patriarku serb, nënvizonte ai, të hiqte dorë nga kjo praktikë, katolikët shqiptarë do të detyroheshin të ktheheshin në ritin ortodoks.” Radonić, po aty, 342, 347.

[37]  “Katolikët vuanin më shumë nga telashet otodokse (greke), se sa nga sundimi turk. Me kërkesën e „grekëve“ është dashur të paguanin edhe kishat katolike për patriarkanën ekumenike në Konstantinopojë.”(…) Kështu kohë pas kohe, priftërisë ortodokse nga Patriarkana e Pejës, e favorizuar nga Perandoria Turke, i shkon për dore të sprapsë dhe ta shtypë ritin latin. Georg Stadtmüller, http://www.trepca.net/2003/0603/030624-islamizmi.te.shqiptaret-georg-stadtmuller.htm (20 shtator 2016).

[38] Saldam, Yelda, Language Use in Ottoman Empire and Its Problems, M. Phil. dissertation, University of Johannesburg, 2006/7, fq. 68.

[39] “E bija e mbretit serb Branković, Mara Despina, ndërkohë i lindi një varg fëmijësh Muratit të Dytë. Prej këtyne, djali i pagëzuem Mehmet, shumë shpejt në të ardhshmen, mbasi u ba padishah, u ul në fronin otoman.” (“Sırp Kralı Brankoviç’in kızı Mara Despina bu arada İkinci Murat’a bir sürü çocuk doğurdu. Bunlardan: (Mehmet) adını taşıyan oğlu, yakın bir gelecekte Osmanlı taht’ma Pâdişâh olarak oturacaktı.”), Ali Kemal Meram, Padişah Anaları ve 600 yıl bizi yöneten devşirmeler, Adet Öz Yayınları, 1997, fq. 111.

[40] Përpjekje të mëdha për zgjimin kombtar turk dhe ngjalljen e gjuhës turke e kanë ba shqiptarët mendjendritun! Ndër ta, natyrisht, shkëlqen dhe asht e pakrahasueshme ndihmesa e Sami Frashërit, qoftë kulturalisht, qoftë me ide politike. Edhe përpjekjet për themelimin e shtetit modern turk e kanë ba, prap, individë shqiptarë o me prejardhje shqiptare: Nijazi bej Resnja, Ibrahim Temo, Abedin Dino, Ragif Mulaj (i njohun si Mehmet Akif Ersoy), Kemal Ataturku, Salih Bozoku etj.

[41] “Gjuha otomane, e përdorun nga klasat e nalta e të arsimueme, përfshinte fjalë dhe shprehje të panumërta arabe dhe persiane. Disa shembuj të Divaneve – poezi dhe prozë e oborrit mbretnor otoman – janë aq të mbushuna me fjalë e shprehje arabe e perse sa asht vështirë me e gjetë një fjalë turke.” (“The Ottoman language, used by the literate upper classes, included innumerable Arabic and Persian words and phrases. Some samples of Divan – Ottoman court poetry and prose – are so full of Arabic and Persian expressions that i sis difficult to find a word of Turkish.”), Aksin, Sina, Turkey, from Empire to Revolutionary Republic: The Emergence of the Turkish Nation from 1789 to the Present, New York University Press, 2007, fq. 213.

[42] Malcolm, po aty, fq. 107

[43] “Megjithëse konvertimi në islam nuk kërkohej nga të pushtuemit, shumë të krishtenë dhe ndonjë hebre u konvertuen vullnetarisht për me siguru status të plotë në perandorinë e re. Shumica, sidoqoftë, vazhduen me i praktiku religjionet e tyne të vjetra.” (“Although conversion to Islām was not demanded of the conquered, many Christians and a few Jews voluntarily converted to secure full status in the new empire. Most, however, continued to practice their old religions without restriction.”), Encycopedia Brittanica, https://www.britannica.com/place/Ottoman-Empire , e datës 3 tetor 2016.

[44] Zhelyazkova, Antonina, po aty, fq. 261

[45] Nëse do të bazoheshim në regjistrimet otomane të shqiptarëve, fjala vjen, ashtu qysh po bazohet Kaleshi në regjistrimet e shek. XV, Ismail Qemali kishte me dalë Ismail Kemal Bey, Sami Frashëri kishte me dalë Şemsettin Sami, gjithnjë sipas regjistrit zyrtar të Perandorisë Otomane. Bile edhe Skënderbeu – gjithnjë sipas kritereve të Kaleshit – kishte me dalë i asimiluem sepse emni i tij në regjistrat otomanë ishte Iskender Bey.

[46] Malcolm, po aty, fq. 56.

[47] Nikollë Bratiçi, bir i Ndre Bratiçit, asht një nga kontrolluesit e besnikërisë së përkthimit të “Çetës së Profetëve” të Bogdanit nga italishtja (latinishtja) në shqip i cili thotë se shqipja asht “…Albanese mia lingua nativa” e nënshkrueme në Venedik me 1 prill 1685. Ndre Bogdani asht ungj i Pjetër Bogdanit, arqipeshkv, i cili jep pajtimin e tij për botim të nënshkruem me 1 tetor 1684.