Një shqiptare do mbajë më 1 Gusht fjalën e festës federale të Zvicrës: Ajo thërret për zgjim

Nazmije Ismaili është caktuar për fjalimin e festës së 1 Gushtit. Me rastin e 725-vjetorit të formimit të Zvicrës një zonjë nga Romanshorni me rrënjë shqiptare do t’i thërrasë të rinjtë për më shumë angazhim politik.

Me fjalimin e festës federale në Amriswil Nazmije Ismailit do t’i përmbushet një ëndërr. Politikanja nga radhët e rinisë liberale me prejardhje shqiptare do të flasë për vlerat zvicerane, afërsinë e saj me Thurgaun dhe të ardhmen e të rinjve. Ajo dëshiron t’i thërrasë të ata për një angazhim më të madh politik. Shumë me rëndësi për 27-vjeçaren është pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje. Për këtë nder ate e kishte propozuar Partia Liberale e Amriswilit, e cila këtë vit e cakton personin që do t’u drejtohet njerëzve në festën federale.

Për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe të të rinjve në festë, Nazmije Ismaili do t’i shfrytëzojë rrjetet sociale. Fakti që të rinjtë nuk kanë shumë interesim për zhvillimet politike, sipas saj, ka të bëjë me ofertën e madhe në jetën private. «Rinia më përpara ka demonstruar më shumë dhe ka menduar më shumë për të mirën e përgjithshme», e citon Thurgauer Zeitung e sotme Nazmije Ismailin. Kurse kohë moderne domethënë t’i ekspozohesh konkurrencës, të dish më shumë, të mësosh më shumë, të arrish qëllime gjithnjë e më të mëdha – «të japësh maksimumin në çdo drejtim».

Nazmije Ismaili vetë është interesuar gjithnjë për politikën. Për të ka qenë gjithnjë me rëndësi që ta thotë mendimin e saj dhe t’i motivojë të rinjtë të marrin pjesë në votime – edhe përpara se të angazhohej aktivisht në partinë liberale, FDP, si e paparti. Tani në maj të këtij viti Nazmije Ismaili është zgjedhur në kryesinë e të rinjve liberale të Thurgaut. Ajo është përgjegjëse për «eventet». Për më tepër Ismaili është anëtare e Komisionit të Kontrollit të Punës e qytetit të Romanshornit dhe nënkryetare e FDP-së lokale e udhëheqëse e fushatës zgjedhore. Qëllimi i saj është që pas katër vjetësh të futet në parlamentin kantonal.

Nazmije Ismaili është rritur në Arbon, ndërsa prej pesë vitesh jeton ë Romanshorn. Familja e saj vjen nga Tetova. Ajo ndihet si zvicerane dhe këtu e ndjen veten si në shtëpinë e vet. Ismaili e përshëndet faktin që shqiptarët të cilët jetojnë në Zvicër po shihen gjithnjë e më pozitivisht. «Imazhi i mirë nuk vjen sot për nesër dhe nuk vjen vetvetiu», thekson politikanja e re. Sa i përket angazhimit politik dhe shoqëror të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër ajo thotë këtë: «Në parim secili duhet të vendosë vetë se çfarë është me rëndësi për njërin a për tjetrin.»

Festa kombëtare në Amriswil do të mbahet më 1 gusht; Nazmije Ismailit fjalimin e saj do ta mbajë në ora 17 në sheshin e Entit të Rrugëve. Ajo e ka përfshirë në fjalimin e saj edhe një poezi të veten për Thurgaun, me të cilin është fort e lidhur. ks