Një serb – mohues i gjenocidit – bëhet kryetar i Srebrenicës

«Këtu është Serbi» dhe «Kjo është fitore». Me brohoritje të tilla nacionalistët serbë po festojnë fitoren në zgjedhjet komunale në Srebrenicë, aty ku ushtria serbe më 1995 kreu gjenocid kundër boshnjakëve. Kryetari i ri i qytetit quhet Mladen Grujaçiq. Kryetari i deritanishëm Qamil Durakoviq frikësohet se boshnjakët do të largohen nga ky qytet.

Supozohet se në masakrën e Srebrenicës forcat serbe vranë rreth 8 mijë boshnjakë, shumica prej të cilëve tashmë jaë identifikuar dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në Potoçari afër Srebrenicës. Foto: Shutterstock

Në qytetin e Srebrenicës po mbretëron atmosferë e frikës. Në rrugë po patrullojnë forca policore për të penguar incidentet mes boshnjakëve dhe serbëve. Pas lajmit se në zgjedhjet lokale të së dielës kryetar i ri i qytetit është  zgjedhur Mladen Grujaçiq, kandidat i partive politike serbe, mbështetësit e tij kanë brohoritur «Këtu është Serbi» dhe «Kjo është fitore». Kryetari i deritanishëm Qamil Durakoviq frikësohet se boshnjakët do të largohen nga ky qytet. Ai deklaroi se me fitoren e Grujaçiqit jeta në Srebrenicë për boshnjakët bëhet e pamundshme.

«Bëhet fjalë për konceptin. Nëse ju si individ madhëroni kriminelin e luftës dhe me fotografinë e tij paraqiteni publikisht, nëse fushatën tuaj në dhjetë, pesëmbëdhjetë ditët e fundit e ka drejtuar Vojislav Shesheli, atëherë kjo flet shumë. Nëse jeni boshnjak që keni mbijetuar gjenocidin, atëherë kjo flet mjaft për atë se sa ai është i gatshëm të punojë në interes të të gjithë qytetarëve», ka deklaruar Durakoviq për Radion Europa e Lirë.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se, sipas palës boshnjake, fitorja e Grujaçiqit ishte siguruar nga tre mijë serbë, të cilët në ditën e zgjedhjeve erdhën nga Serbia. Durakoviq tha se bëhet fjalë për njerëz që para shumë kohësh janë larguar nga Srebrenica dhe jetojnë në Serbi, por ende kanë të drejtë të zgjedhin dhe votojnë në Srebrenicë.

Me zgjedhjen e Grujaçiqit për herë të parë pas luftës një serb vjen në krye të qytetit të Srebrenicës. Për boshnjakët ky qytet në lindje të Bosnjës ka rëndësi të madhe simbolike, morale dhe nacionale si vend i përkujtimit të krimit më masiv serb të luftërave ballkanike të viteve ’90. Para zgjedhjeve në qarqet nacionale dhe nacionaliste boshnjake, por edhe në disa media të Sarajevës ishte bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm që Srebrenica të mos bie në duar të serbëve – kësaj radhe të politikanëve si Grujaçiqi. Kryemyftiu i Bosnjës Husein Kavazoviq gjatë verës i kishte quajtur serbët «vllahë» të cilët nuk guxojnë të qeverisin Srebrenicën. Cilësimi i serbëve si vllahë përjetohet si fyerje nga ana e serbëve – njëjtë siç e përjetojnë shqiptarët cilësimin «shiptari».

Grujaçiq ishte kandidat i pavarur i cili u përkrah nga të gjitha partitë e entitetit serb të Bosnjës. Publikisht ka thënë se për të rrëfimi për gjenocidin në Srebrenicë është farsë. Ai është ish-kryetar i organizatës së familjeve të luftëtarëve dhe të të vrarëve dhe civilëve të zhdukur te Srebrenicës. Në ditën kur Radovan Karagjiqi u dënua, mes tjerash, për gjenocid në Srebrenicë, ai publikoi fotografinë e tij në profilin personal në Facebook dhe shkroi: «Idemo dalje» («Vazhdojmë»). Me sa duket boshnjakët nuk kanë arritur të mobilizohen për të penguar zgjedhjen e Grujaçiqit.

Sipas marrëveshjes së Daytonit të gjithë qytetarët e Bosnjës kanë të drejtë vote në ato lokalitete ku kanë jetuar para luftës. Por shumica e banorëve të Srebrenicës janë të shpërndarë nëpër botë dhe me gjasë vetëm një pjesë e tyre kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për të zgjedhur pushtetin komunal. Mes të mbijetuarave të gjenocidit në Srebrenicë tani ekziston frika se edhe përkujtimi i krimeve të ushtrisë së Ratko Mladiqit më 11 korrik do të vështirësohet. Supozohet se në masakrën e Srebrenicës forcat serbe vranë rreth 8 mijë boshnjakë, shumica prej të cilëve tashmë jaë identifikuar dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në Potoçari afër Srebrenicës.