Një rrëfim dashurie siriane

Regjisori britanik i filmave dokumentarë, Sean McAllister, rroku ballinat e gazetave më të mëdha në botë më 2011 kur ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng prej policisë sekrete siriane. Rrëmbimi i tij nënkuptonte se çifti të cilin po e filmonte atëherë duhej të largohej nga vendi, por kjo nuk i bëri të hiqnin dorë prej përfundimit të dokumentarit pas lirimit të regjisorit

Foto: OlegD/Shutterstock.com



Sean McAllister i dëgjonte prej qelisë britmat e revolucionarëve të Sirisë. Ishte tetori i vitit 2011 dhe vendi po rrëshqiste drejt luftës së ashpër. McAllister, regjiosr filmash dokumentarë, ishte kapur prej policisë sekrete siriane në Damask. Ia ishin mbyllur sytë dhe e kishin dërguar në burg, ku ishte bërë dëshmitar i trajtimit brutal të protestuesve dhe aktivistëve prej anës së regjimit të Assadit.

«Ka tortura që duket nuk kanë të sosur, dëgjoni djem me nga njëzetë vjet që rrihen me kamzhikë dhe shufra, dhe ata bërtasin. Britmat e tyre dëgjohen prej dhomave të ndryshme», kujton ai. «Ata i rrahin për orë të tëra derisa t’i dërgojnë në qeli pa dritare dhe ku nuk ka hapësirë as për t’u ulur».

Kur u lirua, dëshmia e McAllisterit bëri bujë të madhe në media, por në kohën kur mendjen e kishte te familja, ai po xhironte një dokumentar, që tani është dhënë premierë në Mbretërinë e Bashkuar. «A Syrian Love Story» shpalos rrëfimin e dy aktivistëve të martuar, Amer Daoud dhe Raghda Hasan, dhe të fëmijëve të tyre për një periudhë kohore prej pesë vjetësh.

Kur McAllister ishte arrestuar më 2011, autoritetet ia kishin sekuestruar pajisjet, ku kishte xhirime të çiftit që fliste zëshëm kundër regjimit dhe organizonte protesta. Por, kur policia kërkoi të tregonte ku ndodhej çifti, McAllister i udhëzoi gabueshëm, duke i dhënë Daoudit dhe Hasanit kohë për t’u larguar drejt Libanit.

«Në atë moment ndihesha tmerrësisht fajtor, por pas atij viti, gjendja ishte edhe më e tmerrshme, sepse ata po vuanin, të ngujuar në Bejrut», thekson McAllister. Duke qenë se ishte bërë edhe vetë pjesë e rrëfimit dokumentar, ai vazhdoi të xhironte jetën e familjes – dhe ata nuk e penguan në asnjë moment.

«Mua m’u mbush mendja se Seani ishte dritare shprese», thekson Daoudi. «Mendoj kështu meqë jemi aktivistë politikë. Si aktivist politik ju keni qëllime më të larta në jetë, mendoni për mesazhin që dëshironi ta jepni bindshëm dhe të komunikoni gjithashtu».

McAllister kishte arritur në Siri më 2008, duke kërkuar të largohej pak prej punës së tij në zona të luftës dhe kërkonte diçka kurreshtare nga jeta në një vend që njihej si «diktaturë funksionale». Për tetë muaj me radhë, po kërkonte rrëfimin që do t’ia mundësonte të shkonte përtej imazhit të përgjithshëm për Sirinë, të cilin zyrtarët shtetërorë  ua paraqisnin turistëve.  Dhe një natë në parkun e Damaskut, takoi Daoudin, që i tha: «Nëse përnjëmend dëshironi të xhironi një dokumentar për Sirinë, eja më xhiro mua».

McAllister kishte gjetur rrëfimin e tij për Sirinë – dhe kjo ishte një histori dashurie.

Anëtar i Organizatës për Clirimin e Palestinës, Daoudi kishte kaluar tri vjet në burg, ku kishte krijuar lidhje me vajzën në qelinë ngjitur. Krejtësisht ndryshe ishte e kaluara e Raghda Hasanit – ishte pjesëtare e sektit alavi, si presidenti Assad – ama ishte edhe disidente, revolucinare komuniste. Të dy krijuan një vrimë të vogël në murin që i ndante. Pasi biseduam gjerë e gjatë për muaj me radhë, ranë në dashuri. U martuan dhe patën fëmijë pas lirimit nga burgu.

«Krejt çfarë donim ishte të kalonim gjithë kohën së bashku – dhe asgjë nuk do të na ndante, madje as vdekja», kujton Daoudi.

Por në kohën kur McAllisteri kishte takuar atë dhe fëmijët e tij, zonja Hasan ishte burgosur përsëri për shkak se kishte shkruar një roman për lidhjen e çiftit, përfshirë edhe shumë gjëra të tjera që lidheshin me jetën e tyre. Zonja Hasan ishte liruar përsëri më 2011 si pjesë e amnestisë, një prej kundërpërgjigjeve të Qeverisë ndaj Pranverës Arabe.

Por nuk kaloi shumë kohë para se familja të detyrohej të shpërngulej në Liban dhe aty martesa nisi të merrte teposhtën. Meqë nuk e përballonte dot të jetonte larg revolucionit për të cilin ishte djegur në shpirt e punuar fort, zonja Hasan u rikthye në Siri. Dhe pa të, burri dhe fëmijët nuk mund të kërkonin azil në Evropë.

Familja u bashkua përsëri përfundimisht dhe kërkoi statusin e refugjatit në Francë, por azili – jeta e refugjatit – nuk u solli lumturi. Në skenat e xhiruara në banesën e çiftit – festivali i filmit dokumentar i Sheffieldit, i cili nderoi filmin me çmimin kryesor sivjet, tërhoqi paralele me punën e Ingmar Bergmanit – shikuesi është dëshmitar i akuzave dhe kundërakuzave të ashpra të çiftit. Ka një aferë. Ka një përpjekje për vetëvrasje.

«Ishte e tmerrshme», thotë McAllister, «sepse ata ishin në Albi, në këtë pjesë të bukur e idilike të Francës, që besoj se është si ëndërr – dhe po mendoja të kthehesha në fillim të këtij udhëtimi, kur ata ëndërronin lirinë dhe në njëfarë forme të tmerrshme, sepse kjo ishte liria që kërkonin», kujton ai. «Por në kërkim të saj kishin humbur shumëçka dhe njëri-tjetrin – dhe ata nuk po mund ta gjenin veten ose ta kuptonin se ku ishin».

Ata nisën të kërkonin prej McAllisterit që t’i jepte kuptim gjithçkaje të tyre. E thërrisnin rregullisht në telefon, duke i kërkuar të shkonte në Francë që të vepronte si këshilltar ose gjykatës në zënkat e tyre. Në vend të kësaj, ai u bë dëshmitar, megjithëse me autoritet për të ndërhyrë.

«Kur ishte e burgosur, ai të donte», kujton McAllister t’i ketë thënë në një moment zonjës Hasan. «Të gjitha sirianët i duan të burgosurit», ia kishte kthyer ajo.

«Jo», thekson McAllister, «ai e donte gruan e tij».

Shpreshherë shohim familjen teksa shikon xhirimet e McAlisterit ndërmjet viteve 2010-2011 – një përkujtues për jetën që kishin pasur dikur dhe për gjendjen nëpër të cilën po kalonte rrethi dhe vendi i tyre. Madje shumë prej miqve tani ishin të vrarë.

Zonja Hasan tani jeton në Turqi, ku ka marrë një detyrë politike në qeverinë opozitare siriane. Daoudi ende jeton në Francë, bashkë me fëmijët. Ai e ka shikuar versionin përfundimtar të dokumentarit të McAllisterit në një laptop ulur në një kafene.

«Kur e shikova, u ndala dhe mendova: ‹Jam unë aty, është gruaja dhe fëmijët e mi›. Dhe nuk mund t’i ndalja lotët», thekson Daoudi. «Qava për orë të tëra sa isha vet, duke ndjerë keqardhje për veten dhe jetën time, duke më ardhur keq për fëmijët, duke më ardhur keq për Raghdan. Si jemi tani dhe si kemi mundur të jemi – të gjitha këto mendime nuk më ndahehsin prej kokës disa ditë me radhë pasi pashë filmin».

Daoudi beson se martesa e tij nuk do të shkonte në fund të pusit në qoftë se në Siri do të mbretëronte paqja. «Jam i sigurt», thekson ai, «sepse kemi një histori të mrekullueshme dashurie».

Kur McAllister nisi të xhironte më 2010, nuk mund ta parashikonte Pranverën Arabe ose luftën civile. Ai punoi në film si «argat i dashurisë» pa ndonjë përfitim deri më 2013. Pastaj, në javët e fundit, bash në kohën e emetimit të filmit, pasoi një zhvillim i papritur – ngritja e paparashikuar e interesimit publik për vuajtjen e refugjatëve sirianë.

BBC