Një rrëfim dashurie për shtëpinë botuese austriake «Wieser Verlag»

30 vjet më parë Lojze Wieser themeloi shtëpinë botuese «Wieser Verlag» në Klagenfurt të Austrisë. Falë angazhimit të tij janë botuar në gjermanisht vepra të Kasëm Trebeshinës, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Martin Camajt. «Kufiri i një shteti nuk është kufiri i gjuhës, e lëre më i kulturës». Me këtë moto Wieser i ka dhuruar lexuesve disa mrekulli. Një lavdërim me përulësi.

Lojze Wieser, botues austriak.



Kur doli në gjermanisht novela «Odin Mondvalsen» e Kasëm Trebeshinës, gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkroi: «Ky është një karagjozllëk nga një botë e mbrapsht». Që një vepër e Trebeshinës, njërit prej autorëve më të shtypur nga diktatura shqiptare, doli në gjermanisht në vitin 1994 – për këtë meritat i takojnë dy njerëzve: Lojze Wieser, themelues i shtëpisë botuese «Wieser Verlag» në Klagenfurt të Austrisë dhe Hans-Joachim Lankschit, i cili në opinionin shqiptar njihet si përkthyes me temperament.

Wieser e themeloi shtëpinë botuese më 1987. Sivjet ajo shënon 30 vjetorin e punës të frytshme botuese. Gjatë këtyre viteve ai ka arritur ta afrojë Europën perëndimore me Ballkanin, me letërsinë dhe me autorë që e kanë vështirë të depërtojnë në një botë letrare kryesisht të komercializuar. Një nga margaritarët e botimeve të Wieser është edhe novela «Odin Mondvalsen» e Kasëm Trebeshinës. Katër shqiptarë kërkojnë një gomar, por gjithçka përfundon ndryshe në botën e mbrapshtë shqiptare. Një Don Kishot shqiptar rrëfen për këtë botë nga perspektiva e çmendinës. S’duhet shumë fantazi për të ditur se kjo çmendinë është Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, kundër së cilës ishte rebeluar partizani i dikurshëm Kasëm Trebeshina.

«Ky libër është një dritare plot dritë», shkruan Wieser me të drejtë. Nga dritare nga terri, siç tregon ky fragment: «Më 37 Gusht më arrestuan ngaqë kisha zbritur në Mars.
Më rrethuan një numër i madh njerëzish me uniforma dhe më arrestuan në vend. Kur erdhën autoritetet e shtetit, më mbyllën në dhomë dhe filluan hetimet.
Bre, sa bukur!…
– Kur je nisur nga Zabotinlanda?
– Prej nga? – pyeta unë i çuditur.
– Ti mos më shiko si i çuditur! – tha rëndë Hetuesi. – Po e përsëris pyetjen: kur je nisur nga Zabotinlanda?
Ngrita supet.
– Qëllimi i udhëtimit?
– Të vij këtu në Mars.
– Ku?
– Në Mars.
– Ku?
– Të vij këtu ku jam dhe ku më mirë të mos isha…
– Shkruaj! – urdhëroi Hetuesi sekretarin e tij. – Erdha në Botën e Re për qëllime të dobëta spiunimi.
– Zotëri, unë nuk e thashë një të tillë!
– I pandehur, vetëm përgjigju! Cila ishte detyra juaj e veçantë?
Atë ditë nuk e di si vazhdoi puna më tej, por kur shfaqja filloi të përsëritej, m’u kujtua puna e gomarit dhe thashë:
– Ne u nisëm që të gjenim gomarin e Harizit të Dajlanit…
Sekretari nisi të shkruante, por Hetuesi i bërtiti me të madhe:
– Mos e shkruaj!
Dhe i urdhëroi rojet të më shtrojnë në dru.
Nuk e di sa herë u përsërit kjo gjë dhe sa herë më përcollën hetuesit tek mjekët dhe mjekët tek hetuesit, se injeksionet dhe fjalët u ngatërruan aq keq, sa edhe djalli vetë nuk i ndante dot si u bënë».

«Čahorče – përkthyer lirshëm i bie <Mbas Kodrës> – quhet një vend në Klagenfurt ku u rrit botuesi Lojze Wieser. Atëbotë, në vitet ’50, 95 për qind e banorëve të atyshëm, flisnin sllovenisht, pjesa tjetër gjermanisht. Sot është tamam e kundërta. Ndoshta Wieser e ka parandier këtë, kur si i ri themeloi një shtëpi botuese dhe deri më sot ka mbetur i përkushtuar në përkthimin dhe përhapjen e sllovenishtes dhe gjuhëve të tjera të shtyra në këndin europian». Kështu e përshkruan radioja publike austriake zanafillën e «Wieser Verlag». Lojze Wieser është përpjekur ta bëjë të dukshme një botë të panjohur kulturore – dhe ia ka dalë, duke botuar deri më sot 1400 libra. Mes tyre edhe «Buzëqeshja në kafaz» të Ali Podrimjes dhe «E di një fjalë prej guri» të Azem Shkrelit. Në poezitë e Podrimjes përshkruhen rrethanat e ferrit kosovar të viteve ’90. Autori shkruan kryesisht nga distanca: në vitin 1992 Podrimja qëndroi tre muaj në vilën «Waldberta» buzë liqenit të Starnbergut në Bavari, i ftuar nga Drejtoria e Kulturës e qytetit të Münchenit. Nga «qetësia mbretërore e vilës Waldberta» Podrimja reflekton mbi udhët e shqiptarëve mes kërbaçit të policit serb dhe ikjes në Europën Perëndimore me një trastë me ëndrra: një ditë do të kthehemi, një ditë Kosova do të jetë e lirë, një ditë do të kemi shtet, një ditë… Në këtë qark sillet edhe poeti.

Ndërsa në poezinë e Azem Shkrelit dominojnë motivet e kristalta nga zonat pothuaj alpine të Kosovës – nga Gryka e Rugovës, nga treva e Shkrelëve të Rugovës, me të cilët Azem Shkreli kuvendon me fjalë prej guri, me ironi, me urtësi, ashtu mes gurit e barit, mes kallinjve dhe këngës vajtimtare, aty ku fjalët dalin nga rrezet dhe frika zbutet me pikat e shiut. Krahas Podrimjes, Shkrelit dhe Trebeshinës «Wieser Verlag» ka botuar – natyrisht – edhe Martin Camajn. Në vitin 1999 në Klagenfurt doli vëllimi dygjuhësh me poezi i Camajt: «Me pendlat e korbit të bardhë».

Në 30-vjetorin e punës si botues Lojze Wieser ka thënë disa fjalë. «Pasha shpirtin! Çka janë 30 vjet? Së paku janë gati gjysma e viteve të mia. Çka më pati thënë shefi legjendar i programit të botimeve të shtëpisë botuese Gallimard, François Erval, para tri dekadave e gjysmë: <Duhet të jeni shumë këmbëngulës, rreth 25 vjet, 30 vjet!>. I dashur zoti Erval, këmbëngulës kemi qenë, por shumë gjëra i kemi paramenduar më të lehta. Tash një bilanc: çfarë ka mbetur nga ajo që kemi bërë në 30 vitet e kaluara?

Në fillim të viteve ’80 në tryezat e librarive nuk gjendej asnjë libër e përkthyer në gjermanisht nga gjuha ime (sllovene, v.j.), gjuhë dhe kultura të tjera të panumërta të Europës Juglindore ishin pa vatër, të shtypura dhe prisnin të bëheshin të njohura për publikun e gjerë. Kufiri i një shteti nuk është kufiri i gjuhës, e lëre më i kulturës. Këtë jemi përpjekur ta bëjmë, si falënderim kemi marrë kërcënime me vrasje dhe një pako me bombë. Të zemërohem për këtë apo të them: tepër nder na keni bërë?

A ka pasur momente kur pasioni i botimit të librave është lëkundur nga dyshimi? Çfarë kemi mundur të bëjmë më mirë, cilat gabime i kemi bërë, në cilat dërrasa të kalbura nuk kemi shkelur? Ç’të bësh! Kënaqësia me polifoninë e literaturave, ndërmjetësimi i kulturave, të cilat duhet zbuluar, ky kozmos i mrekullive, në të cilin kam nderin të marrë pjesë – athua njeriu mund të marrë dhuratë më të bukur? Të palëkundur do të vazhdojmë, pak krenarë për atë që kemi arritur dhe kureshtarë për atë që mund të vijë. Ejani me neve – do të jetë një udhëtim i bukur!»