Një roman për Lubisha Beara, kasapin e Srebrenicës

Gazetari kroat Ivica Gjikiq ka botuar një roman rreth jetës së kriminelit serb të luftës në Bosnje, Lubisha Beara, ku ai përshkruhet si «bashkëkrijues dhe organizatori kryesor operacional» i masakrave të Srebrenicës.

Në romanin e tij historik, Beara, të publikuar së fundmi, gazetari dhe shkrimtari kroat Ivica Gjikiq ofron një profil të thellë të kolonelit serb të Bosnjës, Lubisha Beara, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që ka kryer gjenocid kundër boshnjakëve të Srebrenicës në korrik 1995.

Gjikiq tha për BIRN se ai donte të shkruante në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, dhe kur filloi kërkimin shkencor për mënyrën se si janë organizuar në fakt vrasjet më mizore masive në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, Beara doli si personazhi kryesor.

Beara, i cili ishte shefi i sigurisë së personelit kryesor të ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, ishte «i ligu në qendër të gjenocidit në Srebrenicë», sepse e paraqiti planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjeve si «punë serioze dhe të përgjegjshme», tha Gjikiq.

Gjenocidi rëndoi kryesisht mbi aftësitë organizative të Bearas dhe mbi fuqinë e autoritetit të tij, dhe për këtë arsye ai «nuk ishte një ekzekutues i thjeshtë, por bashkëkrijues dhe organizator kryesor operacional i gjenocidit», shpjegoi ai.

«Ishte ai që… konceptoi dhe bëri veprimet kryesore në organizimin dhe ekzekutimin e gjenocidit, dhe kjo do të thotë se ai kërkoi për ata që do të vrisnin, përcaktoi vendndodhjen e përdorur për vrasjen; koordinoi mobilizimin e qindra autobusëve dhe kamionëve për transportin e të burgosurve në kampet dhe vendet e ekzekutimit, si dhe gjeti makineri e njerëz që do të gërrmonin varrezat masive», shtoi ai.

Gjikiq, 39 vjeç, punoi si gazetar nga viti 1997 e më pas për të përjavshmen kroate anti-establishment Feral Tribune dhe deri kohët e fundit ishte kryeredaktor në gazetën javore Novosti, ku aktualisht punon si gazetar.

Interesi i tij për Srebrenicën filloi më shumë se një dekadë më parë; që atëherë ai ka lexuar mbi 100 mijë dokumente gjyqësore për këtë çështje.

Duke biseduar me njerëzit që kishin kontakte personale ose biznesi me Bearan, libri i Gjikiq përpiqet të eksplorojë jetën e kolonelit para se të fillonin luftërat në vitin 1991.

I lindur në vitin 1939, Beara ka jetuar në Split në Kroaci për një pjesë të madhe të jetës, ku u bë një oficer i rangut të lartë në Armatën Popullore Jugosllave, JNA.

Gjikiq shpjegon se Beara kaloi nga të qenit një fanatik jugosllav dhe admirues i udhëheqësit komunist Josip Broz Tito, në një nacionalist serb në vitet 1990.

Ai thotë se në fillim të viteve 1990 duket se ndodh një prerje si me thikë në jetën e Bearas, kur ai braktisi çdo gjë që besonte më parë dhe e zëvendësoi atë me «përmbajtje krejtësisht të kundërt ideologjike».

«Por mua më duket se kjo ndarje, në fakt, mund të mos ketë qenë aq dramatike dhe e thellë sa duket në pamje të parë – një besim zëvendësohet nga një tjetër brenda natës, por mentaliteti dhe mënyra e arsyetimit ishin të njëjta; besnik dhe i bindur, me mendje ithtari dhe totalitar», sugjeron Gjikiq.

Sipas tij, Beara ishte konsistent në «dëshirën e tij për të provuar besnikërinë dhe mungesën e dyshimit në lidhje me urdhrat dhe vendimet e atyre që ai i shihte si autoritetet dhe idhujt – për një kohë të gjatë ishte Tito, i cili u zëvendësua nga Sllobodan Millosheviçin, dhe në fund ishte [shefi i ushtrisë serbe të Bosnjës] Ratko Mlladiqi».

Shkrimtari tregon se ajo që e befasoi më shumë në lidhje me Srebrenicën ishte se «as në mes të ushtarëve, as në mesin e civilëve nuk ka pasur shumë rezistencë ndaj operacionit për të vrarë të burgosurit boshnjakë».

Në librin e tij, ai tregon se ishte duke u përpjekur të eksploronte diçka që ishte «ndoshta përtej të kuptueshmes», por pa e kaluar gjykimin dhe pa gjetur justifikime.

«Unë u përpoqa të shteroj gjenocidin në faktet më themelore dhe metodat e njerëzve specifikë, sidomos ato të kolonel Bearas, dhe u përpoqa të arrij te motivi që i nxiti ata të marrin pjesë në vrasje, dhe kush organizoi vrasjen, përsëri kryesisht kolonel Beara», tha ai. Beara mori një dënim më të gjatë me burg se ish-kreu serb boshnjak Radovan Karaxhiq nga gjykata e krimeve të luftës së OKB-së në Hagë, por Gjikiq thotë se ai nuk gjen asnjë kuptim në krahasimin e vendimeve të dhëna nga gjykata, rolin e të cilës, pavarësisht të gjitha gabimeve të saj, ai e sheh si «më shumë pozitiv se sa negativ, sidomos kur është fjala për gjenocidin në Srebrenicë».

Gjikiq thotë se ai besonte se ndërgjegjësimi i publikut për natyrën e krimeve të kryera kundër boshnjakëve të Srebrenicës po rritet ngadalë në Serbi dhe më ngadalë akoma në entitetin e mbizotëruar nga serbë të Bosnjës, Republika Srpska.

Qeveritë në Serbi dhe Republika Srpska mohojnë se vrasjet përbëjnë gjenocid. Por ky lloj i mohimit, sugjeroi ai, «nuk ka dëmtuar faktet, por njerëzit që i mohojnë ato… dhe kjo sjell dhimbje të re për viktimat».

Ai theksoi megjithatë se nuk kishte ambicie për të «ndryshuar botën apo të ri-edukuar njerëzit» me romanin e tij. «Libri Beara është rezultat i nevojës sime të brendshme për të treguar diçka që besoj se është e rëndësishme të thuhet», tha ai.

(Botuar së pari në: http://www.reporter.al/shtylla-e-gjenocidit-te-srebrenices-behet-antagonist-ne-nje-roman/)

Dialogplus gëzon të drejtën e ribotimit.