Një «rob i zotit» në shërbim të të pastrehëve, të varfërve dhe narkomanëve

Në Zürich ka vdekur prifti Ernst Sieber, një figurë e njohur edhe përtej Zvicrës për angazhimin e tij humanitar. Gjatë luftës së Kosovës ai kishte strehuar edhe refugjatë shqiptarë. «Obligimi për t'i ndihmuar njerëzit në Kosovë nuk është i vështirë, por çlirues», thoshte atëbotë Sieber.

Ernst Sieber.



Disa e kanë krahasuar Ernst Sieberin me Nënë Terezën. Ky prift zviceran gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë në shërbim të njerëzve në vështirësi. Dorën e tij ndihmëtare Sieber ua ka ofruar të pastrehëve, rasteve të rënda sociale, të varurve nga droga, refugjatëve, të sëmurëve. Sieber vdiq të shtunën në moshën 91-vjeçare në Zürich. Në shumicën e gazetave zvicerane lajmi për vdekjen e tij u dha në ballinë, pasuar me portrete të gjata mbi veprimtarinë e këtij prifti të jashtëzakonshëm, i cili e quante veten «rob i zotit» në shërbim të atyre që kanë nevojë për ndihmë.

Kryetarja e Zürichut Corine Mauch tha se Sieber me angazhimin e tij ua ka shpëtuar jetën shumë njerëzve dhe është angazhuar për ata që s’janë të privilegjuar. Jacqueline Fehr, ministre kantonale e drejtësisë dhe punëve të brendshme, tha se prifti Sieber ishte personifikim i paralajmërimit se ne duhet tani dhe këtu të dëshmohemi me humanizmin tonë. Sieber ishte i njohur edhe përtej Zvicrës, qoftë si mysafir në debate televizive në Gjermani, qoftë si shpërndarës ndihmash në Afganistan. Kisha Katolike e Zürichut e lavdëroi priftin Sieber për dhurimin e ngrohtësisë shumë njerëzve në nevojë. Sieber ishte prift evangjelist. Në vitet ’90 ai ka qenë edhe deputet nacional.

Sieber u lind më 1927 në Horgen buzë Liqenit të Zürichut. Pas përvojës si argat në bujqësi në Zvicrën franceze, ai në vitet ’50 studioi teologjinë në Universitetin e Zürichut. Me imazhin e tij si prift i të pastrehëve ai u bë i njohur në vitin 1963, kur për shkak të acarit të madh qe ngrirë edhe Liqeni i Zürichut dhe Sieber strehoi të pastrehët në një bunker që i takonte qytetit të Zürichut.

Në vitin 1998 Sieber gjeti vend për të strehuar dhjetëra refugjatë nga Kosova afër Zürichut. Atëbotë Sieber bëri apel të hapen kufijtë për të ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë. «Obligimi për t’i ndihmuar njerëzit në Kosovë nuk është i vështirë, por çlirues», thoshte atëbotë Sieber. Gjatë karrierës së tij Sieber u përkrah me miliona franga nga qytetarët zviceranë dhe u nderua me shumë çmime. Opinioni zviceran do t’i thotë lamtumirë humanistit të madh Sieber më 31 maj në Kishen Evangjeliste të Zürichut (Grossmünster). Autoritetet kanë parashikuar se atë ditë nuk do të ketë mjaft vend në kishë për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në ceremoninë lamtumirëse për Ernst Sieberin, andaj është paraparë një ceremoni e dytë, më 2 qershor, në sheshin «Platzspitz» të Zürichut. Në vitet ’80 dhe ’90 ky shesh ishte qendër e konsumuesve të drogës nga Zvicra dhe vende të tjera të Europës. Kjo arenë e mjerimit pati tronditur opinionin. Prifti Sieber u angazhua edhe këtu për t’iu ndihmuar narkomanëve, jo për t’i mallkuar, siç bënte një pjesë e opinionit. Atëbotë në mesin e dilerëve që shisnin drogë në «Platzspitz» kishte edhe mjaft shqiptarë, sidomos nga Kosova.