Një refren me tren

Një tren i ka trazuar shpirtërat e miliona njerëzve. Një avaz i moçëm që nuk ndryshon. Opinioni i iluminuar reagon me humor, ai politik ndërkombëtar me diplomaci. Por mentaliteti i autorëve të incidentit nuk impresionohet as nga njëri, as nga tjetra.

Mitrovicë, 2014. Foto: Giannis Papanikos.



Nuk e kemi jetuar akoma një muaj të vitit të ri dhe kemi përjetuar gjithë këto ngjarje të trazuara. Fillimisht spikati ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, me një fletarrest të Serbisë. Së fundmi i ka dhënë karar treni rus, i nisur nga Beogradi për në Mitrovicë. Një kishë mobile e stilizuar me një urdhër laik në gjuhë biblike dhe të reja, me germa më të mëdha në serbisht, që sipas kësaj mistike politike, ta kuptojë edhe Zoti: «Kosovo je Srbija!». Një jehonë e diskurseve të njohura. Një deja vu. Refren.

Sidomos kjo meseleja e trenit shpeshherë është përcjellë me humor për dimensionin aventuresk që ngërthen rrugëtimi i këtij projekti. Madje në vetë opinionin publik serb. Një mënyrë për ta kaluar më me sportivitiet një incident thellësisht të pakëndshëm. Por, humori është shpotitja pas dështimit të një inskenimi, epilogu i të cilit, nëse do të implementohej, do të ishte tragjik. Sidomos për shqiptarët, të cilëve politika serbe ua nxin jetën prej dekadave me këso marifetesh.

Humori mund të interpretohet edhe si një lodhje e opinionit përparimtar me këto avaze që shqiptarët dhe serbët i kanë shtyrë disa herë në tragjedi, që nuk mund të harrohen. Incidenti me trenin për opinionin e iluminuar i ka dekonspiruar elitat politike serbe si autore të kësaj aventure pa shije dhe të rrezikshme. Por, ligjërimi i tyre nuk premton asnjë vetëdije se klasa politike serbe po sfilitet nga agresioni ndaj Kosovës. Pavarësisht që në ndonjë moment këndelljeje e kanë pranuar vetë, si vrasjen e disa serbëve në Pejë, se ishte vepër e shërbimeve sekrete serbe.

Si mund të ndodhë ndryshe? Një gjë që dihet, por që në këso momentesh meriton të sillet edhe një herë vëmendje: klasa politike serbe nuk është thjesht trashëgimtare e shkollës politike serbe, të cilën në asnjë moment nuk e ka karakterizuar ndonjë vizion tjetër, përveç pasionit për implementimin e planeve kombëtare shoviniste, sidomos në kurriz të shqiptarëve. Elitat që e qeverisin Serbinë janë pinjollët e drejtpërdrejtë të liderëve më mizorë serbë, zëdhënës dhe ministra të Slobodan Milosheviqit dhe Vojislav Sheshelit. Njerëz me gjithë ato kusure dhe të padistancuar ndonjëherë nga e kaluara a tyre.

Në vorbullën e një agresioni të vazhdueshëm, në një moment domosdo duhet reflektuar seriozisht për mënyrën e amortizimit të kësaj politike që po e mban në ankth gjithë rajonin e Ballkanit. Dhe, këtu nuk duket se ka nevojë për akademizma të pafund. Njëri ndër vëzhguesit më të impenjuar të zhvillimeve në rajon, Arbën Xhaferi, ka spikatur me insistimin e tij që vendosja e paqes pas një konflikti të gjerë si ky në Ballkan nuk mund të realizohet pa identifikimin dhe denoncimin e agresorit të tij. Ky sanksionim do ta kishte kursyer rajonin nga kokëçarjet që kemi sot për ruajtjen e një paqeje fragjile, pas gjithë atij terrori që ia ka vënë një njollë të pashlyer Evropës dhe kohës që po jetojmë.

Perëndimi ka dështuar që në Ballkan ta zbatojë një standard të vetin, të implementuar me sukses pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Atë të denacifikimit. Me ç’rast i ka diskualifikuar nga politika të involvuarit nëpër të gjithë rrathët koncentrikë të regjimit nazist në Gjermani dhe gjetiu. Kjo masë ka pasur sukses edhe për shkak të njëmendësisë me të cilën është zbatuar ajo, duke mos i kursyer as autoritetet e fushave të ndryshme, të cilat në ndonjë mënyrë, sado periferike, i kanë shërbyer atij sistemi. Ky standard i ka prekur edhe konsideratat për autoritetin e filozofëve, sociologëve, juristëve, teologëve e letrarëve të renomuar. Kujtoni pozitat e palakmueshme të Martin Heideggerit, Niklas Luhmannit, Carl Schmittit, Papa Benediktit të XVI, Günter Grassit etj., për faktin e përfshirjes së tyre në regjimin nazist, sado të rinj e të pavetëdijshëm dhe pavarësisht se janë distancuar pa ekuivoke nga ky fragment i jetëshkrimit së tyre.

Reagimet ndërkombëtare pas incidentit me trenin, sikur edhe për të gjitha incidentet e kësaj natyre, nuk dëshmojnë asnjë gjurmë të këtij parimi. Ato janë aq eufemike dhe ambivalente, asnjanëse, indiferente ndaj shkaktarit të incidentit të rrezikshëm. Këto qëndrime do të duhej të bëheshin objekt i humorit në opinion, sepse me seriozitetin e tyre nuk të motivojnë më shumë se për të qeshur.