Një pyetësor për vendlindjen

Pyetjet e famshme të shkrimtarit zviceran Max Frisch mbi vendlindjen.

Max Frisch.



Pyetja e parë: Kur gjendeni në botën e jashtme dhe takoni bashkëatdhetarë: A ndjeni mall për vendlindjen apo jo për shkak se takoni bashkëatdhetarë?

Pyetja e dytë: A ka vendlindja flamur?

Pyetja e tretë: Prej kujt mund të hiqni dorë më lehtë:
a. vendlindjes
b. atdheut
c. mërgimit

Pyetja e katërt: Çfarë quani vendlindje?
a. një fshat
b. një qytet apo lagje të qytetit
c. një pjesë të botës
e. një banesë

Pyetja e pestë: Ta zëmë se ju urrejnë në vendlindje: A mund ta mohoni se për këtë arsye nuk është vendlindja juaj?

Pyetja e gjashtë: Çka doni me gjithë zemër në vendlindjen tuaj?
a. natyrën
b. që njerëzit janë të ngjashëm me ju sa i përket zakoneve të tyre, domethënë se ju u jeni përshtatur njerëzve dhe mund të llogarisni në mirëkuptim?
c. traditat
d. që atje ia dilni pa ditur një gjuhë të huaj
e. kujtimet e fëmijërisë

Pyetja e shtatë: A keni menduar të mërgoni?

Pyetja e tetë: Cilat gatesa i hani nga malli për vendlindjen dhe a ndiheni për këtë arsye më rehat nëpër dynja?

Pyetja e nëntë: Ta zëmë se për ju vendlindja është një kodër malore me ujëvara: A emocionoheni kur në një pjesë tjetër të botës ndesheni me një kodër të njëjtë malore me ujëvara apo jeni të dëshpëruar?

Pyetja e dhjetë: Përse nuk ekziston e djathta pa vendlindje?

Pyetja e njëmbëdhjetë: Nëse e kaloni kufirin dhe gjendeni në vendlindje: A bën vaki të ndjeheni më i vetmuar pikërisht në këtë çast, kur malli për vendlindjen davaritet apo – për shembull – pamja e uniformave të njohura (punëtorët e hekurudhës, policia, ushtria etj.) forcon ndjenjën tuaj që keni një vendlindje?

Pyetja e dymbëdhjetë: Sa vendlindje ju duhet?

Pyetja e trembëdhjetë: Nëse jetoni si burrë e grua pa e pasur të njëjtën vendlindje: A ndiheni i përjashtuar nga vendlindja e tjetrit apo e çlironi njëri-tjetrin prej saj?

Pyetja e katërmbëdhjetë: Për aq sa vendlindja është qarku natyror apo shoqëror, ku ju jeni lindur dhe rritur, vendlindja është e shkëmbyeshme: A jeni mirënjohës për këtë?

Pyetja e pesëmbëdhjetë: Kujt?

Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: A ka treva të vendit, qytete, tradita etj., të cilat ju bëjnë të mendoni fshehurazi se ju do të kishit qenë më i përshtatshëm për një vendlindje tjetër?

Pyetja e shtatëmbëdhjetë: Çfarë ju bën të ndiheni pa vendlindje?
a. papunësia
b. ndjekja për arsye politike
c. karriera në mërgim
d. që ju gjithnjë e më shumë mendoni ndryshe nga njerëzit, të cilët e konsiderojnë vendlindje trevën e njëjtë si ju dhe e sundojnë atë
e. betimi i flamurit, i cili keqpërdoret

Pyetja e tëtëmbëdhjetë: A keni një vendlindje të dytë?

Pyetja e nëntëmbëdhjetë: …nëse po: A mund ta paramendoni një vendlindje të tretë apo të katërt apo i qëndroni besnik të parës?

Pyetja e njëzet: A mund të bëhet ideologjia vendlindje?

Pyetja e njëzët e një: … A ka vende, të cilat do t’ju tmerronin po të mendonit se do të ishte vendlindja juaj, për shembull Harlemi, dhe e vrisni mendjen se ç’domethënie do të kishte kjo apo i falënderoheni zotit?

Pyetja e njëzet e dytë: A e ndjeni botën fare si vendlindje?

Pyetja e njëzet e tretë: Siç dihet edhe ushtarët bien në territore të huaja për vendlindje: Kush e përcakton se çfarë borxhi i keni vendlindjes?

Pyetja e njëzet e katërt: A mund të mendoni fare pa vendlindje?

Pyetja e njëzet e pestë: Prej nga arrini në përfundimin se kafshët si gazelat, hipopotamët, arinjtë, pinguinët, tigrat, shimpanzat etj., të cilat rriten prapa grilave ose në torishta, nuk e ndjejnë kopshtin zoologjik si vendlindje?

(Pyetësori u shkrua më 1971 nga Max Frischi gjatë qëndrimit në SHBA. Është marrë nga: Ditarët 1966-71).
Përktheu: E.R.