Një president kundër frikës

Frank-Walter Steinmeier dëshiron të jetë president që u jep kurajë qytetarëve të Gjermanisë, por edhe të gjithë europianëve. Në kohërat e popullistëve ky është një lajm i mirë, por jo më shumë. Sa i përket Kosovës: Steinmeier ka qenë pjesë e vendimmarrjeve që nga viti 1999, kur Gjermania hyri në luftë për Kosovën, më 2008, kur njoftoi se Berlini njeh pavarësinë e Kosovës – dhe më vonë në procesin e stabilizimit të shtetit të ri. Një portret.

Frank-Walter Steinmeier.



Në fjalimin e tij të parë si president i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier premtoi se roli i tij në të ardhmen do të jetë ai i një politikani që angazhohet kundër frikës. Pas zgjedhjes së Donald Trumpit president i SHBA-ve dhe përballë rrezikut të triumfit të forcave populliste në Francë, Holandë dhe Itali Steinmeier synon të jetë jo vetëm president i gjermanëve, por edhe një figurë shpresëdhënëse për shumë europianë, të cilët e çmojnë paqen, mirëqenien, lirinë e lëvizjes dhe shkëmbimin e ideve në Europën e bashkuar. Steinmeier tha se në këto kohëra të stuhishme e shihte Gjermaninë si spirancë të shpresës: «Nëse tjetërkund lëkundet themeli, ne edhe më shumë duhet të mbrojmë këtë themel». Steinmeier u zgjodh president në raundin e parë – me 931 vota prej 1239 votave të vlefshme. Në Gjermani presidenti zgjidhet nga Asamblea Federale, e cila përbëhet nga anëtarët e parlamentit (Bundestag) dhe nga të deleguarit e landeve (krahinave).

Kush është presidenti i ri gjerman? Ai filloi të merret aktivisht me politikë para 26 vitesh – si ndihmësreferent për politika mediale në zyrën e kryeministrit të landit Niedersachsen. Kryeministër ishte njëfarë Gerhard Schröderi, i cili edhe sot lavdërohet se e ka zbuluar «Frankun», siç e quan. Jurist me profesion, fëmijë i një familjeje punëtoresh – babai ishte zdrukthëtar, gjyshi pjekës tullash me të cilat ishte ndërtuar Berlini – Frank-Walter Steinmeier është shembull i përkushtimit gjerman për punë, për shërbim, angazhim, devotshmëri. «Hajt Frank, bëje ti» – kjo ishte njëra ndër fjalitë që Schröder si kryeministër i landit Niedersachsen dhe më vonë si kancelar e kishte përmendur shumë shpesh. Steinmeier ishte ai që zhvillonte negociata me partnerët politikë dhe me opozitën, ai që me qasje diskrete arrinte marrëveshje politike, ai që nga prapavija, në heshtje, ia rrafshonte rrugën shefit. Revista «Der Spiegel» shkruan se Steinmeier është mjeshtër për të luajtur rolin e xhaxhait dashamirës, i cili kurrë nuk i harron rrënjët.

Nuk ka punë politike që s’e ka kryer Steinmeier. Ai ka qenë ministër i Jashtëm, kandidat për kancelar, shef i kabinetit të kancelarit, zëvendëskancelar, shef u grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD). «Gjithanshëm i përdorshëm» – kështu e quan «Der Spiegel» – dhe ky nuk është vetëm kompliment. Ka gazetarë gjermanë që Frank-Walter Steinmeierin e quajnë politikan monoton, sepse gjatë karrierës së tij politike nuk i ka përdorur shumë bërrylat për të depërtuar në rendin e parë të politikanëve. Ai më shumë ka vepruar në heshtje, nga prapavija. Si ministër i Jashtëm ai e ka përsosur rolin e politikanit që flet e flet dhe prapë nuk thotë asnjë fjali për të cilën mund të sulmohet. Vetëm njëherë, vitin e kaluar, Steinmeier e humbi pak kontrollin. Duke parë fushatën agresive elektorale të Donald Trumpit në SHBA ai e përshkroi biznesmenin amerikan me origjinë gjermane me fjalë drastike: «Predikues i urrejtjes». Ka publicistë gjermanë që e kritikojnë Steinmeierin për shkak se kurrë nuk ka gjetur fjalë të tilla të rënda për Vladimir Putinin. Madje ka kritikuar NATO-n se po vringëllon shpatat dhe po i bie daulleve të luftës, duke dërguar ushtarë dhe armë në Europën lindore. Politikanët rusë e patën pritur mirë këtë deklaratë të tij, ndërsa sot, pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit, Putini e përgëzoi dhe e ftoi të vizitojë Rusinë në çdo çast.

Steinmeier është vazhdues i politikës së afrimit me Rusinë përmes dialogut – një politikë e filluar në vitet ’70 nga korifenjtë e socialdemokracisë gjermane si Willy Brandt dhe Egon Bahr. Që nga viti 2008 Steinmeier viziton çdo vit qytetin e Jekaterinburgut. Para studentëve ai prezanton konceptin e tij të partneritetit për modernizim: Rusia eksporton naftë dhe gaz, Gjermania makina moderne dhe pajisje. Kështu synohet të zhvillohet Rusia dhe të shndërrohet në shtet të sundimit të ligjit dhe në demokraci. Parimisht me këtë qasje pajtohet edhe kancelarja Angela Merkel, por ajo është më kritike ndaj politikave agresive ruse kundër fqinjëve, sidomos kundër Ukrainës. Politikanët në Kiev kanë një mendim të qartë sa i përket homologëve të tyre në Berlin: Merkel është e mirë, Steinmeier tepër mirëkuptues ndaj Rusisë. Konflikti shpërtheu këto ditë, kur ambasadori gjerman në Kiev Ernst Reichel, i cili dikur ka qenë ambasador në Prishtinë dhe tepër i zellshëm në mbylljen e syve para krimit e korrupsionit të qeverive të prira nga PDK, tha se zgjedhjet në Ukrainën lindore mund të mbahen edhe nën praninë e trupave ruse. Reichel u ftua në ministrinë e Jashtme në Kiev dhe një deputet ngjyrosi para ambasadës gjermane me shkronja të kuqe fjalën «Nein» (Jo).

Si diplomat Steinmeier ka qenë i vetëdijshëm se «Amerika është e pashmangshme. Rusia e patundshme». Këtë fjali e ka thënë Egon Bahr dhe Steinmeier vazhdon t’i përmbahet asaj, por presidenti i ri gjerman nuk do të shkonte aq larg, saqë ta arsyetonte pushtimin e Krimesë nga Rusia siç kishte vepruar ish-kancelari Gerhard Schröder. Ai pati thënë se edhe Perëndimi e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me rastin e intervenimit në Kosovë – një krahasim tejet i pavend, sepse të dy konfliktet kanë histori krejtësisht të ndryshëm. Por nga Schröderi nuk mund të pritet sinqeritet në analizat politike. Për një honorar të majmë ai punon për Gazpromin rus, ndërsa nuk përton të vijë në Beograd, të dalë në televizion me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq dhe ta lavdërojë atë aq përulësisht, saqë Vuçiqi duket si nip politik i Willy Brandit dhe jo i Vojislav Sheshelit.

Presidenti gjerman nuk ka shumë kompetenca. Fuqia e tij bazohet në aftësitë e tij retorike. Fjala e tij mund të ketë peshë kur është i aftë të komunikojë me popullin dhe të prezantojë Gjermaninë në botën e jashtme. Steinmeier tani duhet të matet me presidentë aq mendjemprehtë si Joachim Gauck apo Richard von Weizsäcker.

Sa i përket Kosovës: Steinmeier është politikani mbase më i informuar mbi historinë e konfliktit. Kur në vitin 1998 konservatorët e Helmut Kohlit humbën zgjedhjet dhe në pushtet erdhën socialdemokratët e Schröderit dhe të Gjelbrit e Joschka Fischerit, Steinmeier ishte ulur pranë tavolinës ku u mor vendimi që Gjermania të jetë pjesë e koalicionit të NATO-s për ndërprerjen e fushatës vrastare serbe në Kosovë. Më 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, Steinmeier, tashmë ministër i Jashtëm, njoftoi se Berlini e njeh shtetin e ri në Ballkan. Në vitet në vijim Gjermania ka qenë mbështetëse e integrimit të Kosovës në BE, por shpesh më shumë me fjalë se sa me vepra konkrete. Dhe veprat konkrete do të ishin pozicionimi i qartë kundër një klase primitive politike, e cila zhvatjen dhe manipulimin e ka ngritur në standard të punës. Në mungesë të alternativave serioze politike në Kosovë edhe gjermanët janë aranzhuar disi me këtë pushtet – duke i dërguar një mesazh të qartë popullit të Kosovës: «Ju jeni ata që vendosni kush do të sundojë vendin dhe jetët tuaja. Ditën e mirë».

Ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili ka folur për «Süddeutsche Zeitung» mbi ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, nuk ka qenë në gjendje të tregojë një anekdotë të vetme për Steinmeierin. Ai duket të jetë një politikan pa skandale, pa anekdota, pa afera. Në mediat e bulevardit Steinmeier hyri në vitin 2010 kur gruas së tij Elke Büdenbender ia dhuroi një veshkë. Steinmeier nuk flet për këtë episod, për të diçka e vetëkuptueshme. Schröder, i cili e kishte vizituar Steinmeierin në qendrën e rehabilitimit, tregon se asnjë fjalë nuk e kishin harxhuar për veshkën, kishin folur vetëm për politikë.

Elke Büdenbender është gjykatëse në Berlin. Kur burri i saj ishte shef i diplomacisë gjermane, ajo nuk i trajtonte lëndët që kishin të bënin me çështje të vizave – sepse kjo do të ishte konflikt interesi. Tani që Steinmeier është president, ajo ka vendosur të marrë pushim pa pagesë, që të mos ketë asnjë problem në lidhje me paanësinë në punë.

Presidenti i ri do të banojë në një vilë të shtetit, por qiranë duhet ta paguajë vetë. I pari i shtetit gjerman ka dy seli: Pallatin Bellevue në Berlin dhe Vilën Hammerschmidt në Bonn. Nuk janë rezidenca të mëdha dhe prestigjioze si, për shembull, pallati i Rexhep Taip Erdoganit në Ankara. Në Bonn presidenti mund të banojë, në Berlin jo. I fundit që ka banuar në Pallatin Bellevue ka qenë presidenti Roman Herzog, i cili vdiq para pak ditësh. Pasardhësit të tij Johannes Rau ai, sipas «Süddeutsche Zeitung», i kishte pëshpëritur në vesh: «Mos gaboni të banoni në Pallatin Bellevue. Nganjëherë keni ngrohje, nganjëherë ujë, por ujëra të zeza keni përherë».