Një popull që tërhiqet për hunde nga një autokrat

Negociatat e Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin janë kundër interesave të Kosovës, sepse përfaqësuesi i Prishtinës nuk ka mandat për këtë, por ai ka mandatuar veten, siç bëjnë zakonisht autokratët. Në këtë qorrsokak Kosovën e kanë futur ata deputetë që zgjodhën në krye të shtetit një figurë destruktive si «Komandant Gjarpri».

Ilustrimi: Shutterstock



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në opinion paraqitet si kryetar i Kosovës dhe përfaqësues i «unitetit të popullit», gjë që është shakaja më e madhe që nga shpikja e politikës, po qëndron sot në Bruksel, ku do të takojë kryetarin e Serbisë, Aleskandër Vuçiqin. Para se të shkojë në kryeqendrën e Bashkimit Europian, Thaçi përmes mediave sociale ka njoftuar se ka telefonuar me Vuçiqin, me ç’rast i ka uruar zgjedhjen në postin e presidentit. Kjo nuk është telefonata e parë e Thaçit me Vuçiqin. Ndërsa kryetari serb (më parë kryeministër) nuk krekoset publikisht për bisedat e tij telefonike me Thaçin, kryetari i Kosovës e ka shumë për zemër t’i tregojë opinionit dhe bashkësisë ndërkombëtare se sërish i ka telefonuar kolegut të tij serb.

Çka synon me këtë telefoniadë Hashim Thaçi? Është shumë e qartë se si politikan ai nuk ka kurrfarë autoriteti në shoqërinë e Kosovës për të mundësuar atë që në mënyrë patetike dhe mashtruese po quhet «pajtim mes dy popujve» apo «normalizim marrëdhëniesh». Si mund ta bëjë pajtimin me serbë Hashim Thaçi, me të cilin janë të hidhëruar së paku dy të tretat e elektoratit shqiptar të Kosovës dhe po të kishin mundësi do ta largonin nga posti i presidentit që sot, për të mos pritur të nesërmën? Është iluzion të besohet se pajtimi mund të arrihet me diktat nga lart, pa një debat të gjerë shoqëror, parlamentar, publik në Kosovë dhe në Serbi. BE prej vitesh beson në iluzionin se pajtimin e arrijnë «njerëzit e fuqishëm», pra mjafton që ata të thonë se u arrit pajtimi dhe kjo do të pranohet nga popujt me të kaluar të përgjakshme. Realiteti e ka treguar të kundërtën: as demarkacioni me Malin e Zi, as Asociacioni i Komunave Serbe nuk kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Në Bruksel Thaçi do të qëndrojë për të diskutuar, siç ka thënë, idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdohet dialogu në fazën e re dhe objektivat që synohet të arrihen në kuadër të procesit të normalizimit. «Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO», ka thënë Thaçi.
Në një situatë kur Kosova nuk ka parlament dhe kur tensionet politike mund të rriten për shkak se koalicioni rreth partisë së Thaçit nuk i ka numrat për të krijuar qeverinë, Thaçi sillet si autokrat dhe tërheq për hunde një popull të tërë me disa ide të turbullta për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërkohë që është parë se rezultatet e negociatave të deritanishme e kanë bërë Kosovën me fusnotë, në shumë organizata ndërkombëtare Serbia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës, procedurat e udhëtimit nëpër Serbi vazhdojnë të mbesin poshtëruese për kosovarët, të cilët në kufi duhet të zhvishen nga atributet shtetërore të Kosovës – duke fshehur pasaportën dhe çmontuar targat e Republikës së Kosovës.

Muhabetet e deritanishme të palës kosovare me Federica Mogherinin, Catherine Ashtonin, Robert Cooperin dhe burokratë të tjerë të BE-së, të cilët tregohen tepër tolerantë ndaj Serbisë, «prodhuan» të ashtuquajturin Asociacion të Komunave Serbe, një emër tjetër për një «Republika Srpska» brenda Kosovës. Këtë s’po e thonë vetëm zërat kritikë në Kosovë, por edhe media serioze perëndimore si «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Ndërsa parlamenti i ri ende nuk është konstituuar dhe qeveria e re nuk është formuar, Thaçi e ka mandatuar veten, siç bëjnë zakonisht autokratët, dhe po zhvillon negociata për Kosovën në Bruksel. Kjo është e patolerueshme dhe duhet të kundërshtohet jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga opinioni i gjerë dhe nga shoqëria civile e Kosovës (nga ajo pjesë të cilën nuk e ka blerë firma e Thaçit me akronimin PDK).

Është e qartë se Thaçi merr vendime mbi kokat e deputetëve të zgjedhur dhe duke injoruar qeverinë në detyrë me qëllim që të imponohet si gjoja «faktor i pashmangshëm» i të ashtuquajturit normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Por, sjellja e Kosovës para akteve të kryera, siç ka vepruar Thaçi me sherbëtorët e tij viteve të fundit, mund të ketë kundërefekt. Në zgjedhjet e 11 qershorit qytetarët e Kosovës e ndëshkuan partinë e Thaçit në mënyrë masive pikërisht për shkak të arrogancës që ka demonstruar gjatë qeverijes, në të vërtetë sundimit të Kosovës. Në vallen e re me Vuçiqin Hashim Thaçi është pothuaj krejtësisht i vetëm. Në anën tjetër të barrikadave është shumica e popullit shqipar të Kosovës, jo pse është kundër normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por kundër iluzionit të normalizimit, ndërkohë që Beogradi po bëhet faktor vendimmarrës edhe në çështjet e brendshme të Kosovës, përfshirë edhe krijmin e qeverisë.