Një platformë pa grada dhe viza

30 artistë figurativ shqiptarë prezantohen pranë 30 kolegëve të tyre nga bota. Për dy javë rresht, në një qendër të rrallë grafike në Cyrih.




Në lagje bie erë vajrash dhe rrëshire. Sa më pranë objektit, aq më e dendur bëhet ajo. Valët e saj të ndjellin te hyrja e bllokut 8 në Eglisstrasse të Cyrihut. Aty përshëndet një pllakat: «Ekspozita e 3-të: i ri dhe i vjetër, bardhë-zi dhe me ngjyra, nga: VeriLindjeJugPerëndim-i».

Gjuhë e njëjtë – kuptim i ndryshëm

Lartë puntoria, poshtë galeria. Në ambientet e saj po dynden vazhdimisht vizitorë. Mu si në afishe – i ri e i vjetër, «i njohur dhe i panjohur», do shtojë kuratori më pas. Artdashës, artistë, miq të nikoqirit, dashamirë, gazetarë, diplomatë, shqiptarë dhe zviceranë, burra, gra dhe fëmijë admirojnë të 61 veprat me të cilat janë stolisur muret e galerisë. Vija nga lindja – vija nga perëndimi, ngjyra të ngrohta si jugu dhe të ftohta si veriu, imazhe abstrakte dhe reale, mesazhe të fshehta dhe të qarta. «Artisti me veprën e tij ka menduar diçka, ka bërë diçka dhe ka thënë diçka», thotë kuratori dhe shton: «Gjuha e artit është e njëjtë, por nuk e kuptojnë të gjithë njëlloj».

Afishja e thotë në gjermanisht, por shumica e veprave janë nga autorë shqiptarë. Nga Kosova dhe Diaspora. Një pjesë e tyre janë aglez, francez… Secili prezantohet me nga një vepër. Janë grafika, shpjegon kuratori Adem Dermaku. «Teknikë e litografisë», precizon ai. Dermaku vet nuk ka përfituar nga fakti i të qenit nikoqir, për më tepër sepse prej disa vitesh punon në studion e rrallë të grafikës Steindruckerei Wolfensberger: Edhe ai prezentohet me një punim.

Një botë pa viza

Nuk është hera e parë që artistë shqiptarë ekspozojnë bashkë me kolegë nga Anglia, Franca dhe gjithandej. Një vepër e Ibrahim Kodrës, që bie patjetër në sy, do ta kishte për nder çdo galeri, dhe vendosja pranë saj e ka simbolikën e vet. Por, nuk është se prezentime të tilla ndodhin çdo ditë. Dhe privilegjin për të qenë në një shoqëri të tillë ndërkombëtare, pa hierarki dhe pa viza – aq më tepër për kosovarët – e siguron vetëm arti.

«Organizimi i ekspozitës nuk ka qenë gjëja më e lehtë», pohon kuratori Adem Dermaku. Përzgjedhja e veprave dhe autorëve, sidomos mbledhja e tyre nuk është patjetër një punë kreative. «Ka ndodhur që vepra të caktuara megjithatë të ndalohen në kufi dhe të ridërgohen, protokollohen…, dhe gjërat lidhen me afate», rrëfen Dermaku.

Ekspozita e ka të pamundur ta prezantojë një artist në të gjitha dimenzionet e krijimtarisë së tij. Me nga një vepër ajo ofron një dritare në botën e secilit prej tyre. «Falë me shnet» nga Henry Moore, Ibrahim Kodra, Gjelosh Gjokaj… Disa nga autorët nuk rrojnë më dhe ekspozimi i tablove të tyre është një homazh për veprën që kanë lënë pas.

Punë pas pune

Shtatë nga artistët shqiptarë të ekspozitës dhe disa nga ato zviceranë janë edhe personalisht të pranishëm: Christian Wetter, Valentin Magaro, Judith Peters, Vera Rothamel, Dieter Hall, Dominik Stauch, Nic Hess, Klaus Born, Kushtrim Sulejmani, Urim Berisha, Besim Morina, Visar Kryeziu, Nexhmedin Jonuzi, Avdi Hajdari. Ata shkëmbejnë me vizitorët dhe njëri-tjetrin. Artistët shqiptarë i preokupon jetësimi i shoqatës së artistëve figurativ në Zvicër dhe prezantimi i mirëfilltë i krijimtarisë së tyre. Ajo shpeshherë është vetëm produkt i punës pas punës. Rrallë kush mund të jetojë vetëm nga krijimtaria artistike, konfirmojnë me keqardhje ata.

«Shumica e veprave të ekspozuara shiten», ato janë në dispozicion për ambientet me shije të artdashësve, i bie hise ta pohojë kuratorit. Çmimet janë modeste: më e lira kushton 200, kurse më e shtrenjta 1’400 franga. Organizimin e ekspozitës e ka ndihmuar Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih. Mysafirët i përshëndeti edhe shefi i kabinetit të ministrit të diasporës, Kushtrim Sheremeti, i cili vjen gjithashtu nga komuniteti i artistëve. Ai shprehet i lumtur me organizimiet e diasporës dhe inkurajon ata në punën e tyre. Sheremeti paralajmëron një aktivitet të afërt kulturor të Ministrisë në pesë qendra të botës, ku ka përqëndrim të shqiptarëve.

I kënaqur me ekspozitën është edhe artisti dhe kuratori Adem Dermaku. Ai i shoqëron vizitorët në hapësirat e galerisë. Aty këtu qëndrojnë presat e teknikave të grafikës së ndërmarrjes. Ambienti industrial i jep ekspozitës më shumë sharm. Dermaku i përcjell me dashamirësi vizitorët. Në dalje edhe një herë afishja: Ekspozita do të jetë e hapur nga 8 deri me 22 maj. Jashtë – gati errësirë. Me vete – më shumë imagjinatë, pak erë vaj dhe rrëshirë…