Një plak

Foto: Shutterstock



Në një skutë të kafenesë gjithë zhurmë
përkulur mbi tryezë rri një plak,
me një gazetë përpara, pa shoqëri.

Dhe mes përbuzjes të pleqërisë së mjerë
mendon se sa pak gëzoi vitet
kur kishte dhe forcë, dhe gojëtari, dhe bukuri.

E di se shumë u plak; e ndjen, e shikon.
Dhe ajo kohë kur ishte i ri përngjan
si dje. Ç’largësi e vogël, ç’largësi e vogël.

Dhe mendon si Urtësia e mashtronte
dhe si e besonte kurdoherë – çfarë çmendurie!
gënjeshtaren që thoshte: «Nesër. Ke shumë kohë ende».

Kujton vrullet që përmbante dhe sa
gëzim flijonte. Çdo rast tanimë i humbur
maturinë e pamend e qesëndis.

… Por ngaqë mendoi e kujtoi shumë
plaku u trullos. Dhe mbështetur
mbi tryezën e kafenesë ra në gjumë.

Përktheu: Llambro Ruci