Një përpjekje për të shantazhuar Perëndimin

Muhabetet për ndarjen e Kosovës, propozimi i Edi Ramës për «president të përbashkët» të Shqipërisë dhe Kosovës, kërkesat pothuaj të çdoditshme të liderëve serbë për vendosjen e një kufiri mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan («razgraničenje») dhe për «kompromis me shqiptarët» tregojnë se kur popullistët nuk ndërtojnë shtete funksionale për anëtarësim në BE, ata i çojnë selame botës se tani do t'i kallim kasollet.

Në pazarin politik: E. Rama dhe A. Vuçiq.



Brohoritja që po dëgjohet në mediat sociale se «përse po nervozoheni me Edi Ramën dhe jo me Serbinë që e kundërshton pavarësinë e Kosovës» është me të vërtetë absurde. Ata që shpërndajnë këso supozimesh pavullnetshëm i barazojnë Aleksandar Vuçiqin dhe Edi Ramën. Dhe këtë e bëjnë madje në emër të patriotizmit. Nga Vuçiqi shqiptarët e Kosovës nuk presin asnjë të mirë. Nga Edi Rama po. Sepse nuk është (ose: nuk do të duhej të ishte) kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Të gjitha lojërat e tij populliste e kanë një qëllim: t’i bëhet me dije Brukselit se «po nuk na pranuat shpejt në BE, rendi paqësor në Ballkan do të përmbyset». Është një përpjekje për të shantazhuar BE-në që rajoni të anëtarësohet pa u plotësuar kushtet nga kandidatët përkatës. Ndoshta edhe kjo është e kuptueshme: Shqipëria e ka humbur një çerekshekulli në beteja të brendshme politike dhe njerëzit po e humbin durimin ndërsa politikanët e saj po e zbulojnë se nacionalizmi të ofron edhe njëfarë lezeti që zakonisht nuk zgjat shumë.

Kosova po i humb dy dekada vendnumërim sa i përket ndërtimit të shtetit funksional. Po, pavarësia është e arritur e madhe, por si e tillë ajo nuk hahet. Duhet parë efektet e saj. Vendet e punës. Zhvillimin ekonomik. Mbrojtjen e ambientit. Barazinë sociale. Sistemin e përparuar arsimor. Nëse gëzimi i vetëm i një shoqërie është Rita Ora, një këngëtare britanike me origjinë kosovare, e cila është prodhim i rrethanave londineze dhe jo meritë e Kosovës, atëherë ambiciet për këtë vend nuk qenkan të mëdha.

Meqë ambiciet janë të vogla, muhabetet për ndarjen e Kosovës, propozimi i Edi Ramës për «president të përbashkët» të Shqipërisë dhe Kosovës, kërkesat pothuaj të çdoditshme të liderëve serbë për vendosjen e një kufiri mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan («razgraničenje») dhe për «kompromis me shqiptarët» tregojnë se kur popullistët nuk ndërtojnë shtete funksionale për anëtarësim në BE, ata i çojnë selame botës se tani do t’i kallim kasollet. Kallja e kasolleve ka ndodhur më 1997 në Shqipëri dhe vendi u shndërrua në protektorat ndërkombëtar. Me qeverisjen nga protektorët ndërkombëtarë janë «mësuar» edhe shqiptarët e Kosovës. Duke menduar gabimisht se pasi bota na çliroi më 1999, ne tashmë jemi të licencuar si viktima dhe mbrojtësit tanë nuk na lejojnë të bëjmë gabime të mëdha, shqiptarët e Kosovës kanë mbetur në një qorrsokak dhe pa projekt për të pastruar skenën politike nga kakistokratët (kakistokracia është qeverisje e përbërë prej qytetarëve më mizorë të mundshëm).

Serbia politike ende vazhdon të përkundet në ëndrrën e vizatimit të kufijve të rinj në Ballkan. Nëse s’mund të realizohet ideja e një Serbie të Madhe dhe të shtrirë nga bregdeti i epërm kroat deri para portave të Selanikut, përse të mos provohet kështu: ta ledhatojmë pak Edi Ramën dhe ta ndajmë Kosovën, pastaj i vjen radha Bosnjës. Serbia e Madhe dhe e Re nga Banjalluka në Mitrovicë, së paku. Si askund tjetër nacionalizmat në Ballkan ushqejnë njëri-tjetrin. Kur e pa Franjo Tugjmani se Sllobodan Millosheviqi futi nën kontroll më shumë se gjysmën e Bosnjës, autokrati kroat sulmoi myslimanët e Bosnjës në përpjekje për të marrë një copë territor. Rezultati: vitin e kaluar Gjykata e Hagës e shpalli Kroacinë shtet agresor ndaj Bosnjës. Duke e ushqyer njëri-tjetrin me nacionalizëm Millosheviq dhe Tugjman shkaktuan shumë tragjedi në Ballkan. (Tugjmani vetëm në një projekt të luftës dështoi: nuk arriti t’i mashtrojë liderët seriozë shqiptarë të Kosovës që në fillim të viteve ’90 të hapin «fronin e jugut»: një luftë e nisur atëherë, pa e kuptuar bota perëndimore se gjendja në Kosovë është bërë e padurueshme, do të kishte për pasojë dëbimin e përhershëm të shumicës së shqiptarëve të Kosovës).

Edi Rama nuk interesohet për detaje të tilla. Ai vitet ’90 i ka kaluar si mondialist nëpër botë dhe indiferent ndaj zhvillimeve në Kosovë. Siç kanë qenë shumë publicistë e politikanë të Shqipërisë, të cilët sot nxjerrin flakë nga goja me parulla patriotike. Ata që sot çirren për bashkim me Kosovën, në vitet ’90 sajonin lajme se si maloku Sali Berisha i ka vënë tanket në drejtim të Jugosllavisë për të nxitur konflikt në Kosovë. Kishte edhe politikanë që në mënyrë demonstrative shkonin për vizitë në Beograd, ku takoheshin me politikanë serbë dhe kështu synonin t’ia bënin me dije Perëndimit se «ne të Tiranës» nuk kemi problem me serbët. Ata gazetarë të Tiranës që e dinin rëndësinë e Kosovës dhe shkruanin për shtypjen e shqiptarëve të atjeshëm, shiheshin si të dyshimtë, si sherbëtorë malokësh. Është shumë mirë që këto kohëra të vështira për shqiptarët kudo në Ballkan morën fund. Dhe njohja me njëri-tjetrin në dy dekadat e fundit ka prodhur miqësi të çmuara dhe të rëndësishme – përtej emocioneve romantike e boshe.

Edhe tani duhet lënë anash romantikën. Pavarësia e Kosovës është realitet dhe jo projekt sanitar. Për ta zhbërë Republikën e Kosovës nuk pyeten vetëm shqiptarët – siç nuk po pyeten sot vetëm sirianët. Kur hapet Kutia e Pandorës shumë shtete mund të kenë interes për të ndërhyrë në lojën e madhe të vizatimit të kufijve. Në rastin e Kosovës: Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiqi mund të hapin kapakun e Kutisë së Pandorës, pastaj është një akter që mezi po pret të «angazhohet»: Rusia e Vladimir Putinit. A ka garanci se ndërhyrjen e mundshme ruse në Ballkan do ta ndalë Amerika e Donald Trumpit dhe Europa e lodhur nga krizat dhe nga presioni i popullistëve, shumica prorusë? Kaq larg Edi Rama me gjasë nuk është i aftë të mendojë.

Ai erdhi në Kosovë si mysafir, por u soll si një njeri që e humb kontrollin nga pijet e banketit festiv dhe dëshiron të rrëzojë tavolinën. Në një datë me simbolikë të fuqishme kur shënohet 10-vjetori i pavarësisë, ai në të vërtetë e vë në dyshim jetëgjatësinë e Republikës së Kosovës duke propozuar «president të përbashkët». Një post i tillë domethënë limitim i sovranitetit edhe ashtu të rrezikuar të Kosovës nga Serbia. Hedhja në ajër e Kosovës së pavarur domethënë: ndarje territoriale dhe zhvendosje e një numri të caktuar të popullsisë. Pastaj «krahina e mbetur e Kosovës» mund të bashkohet me kë të duan, por vetëm si e nënshtruar dhe e dështuar si shtet. Sjellja e Edi Ramës është keqpërdorim mikpritjeje dhe goditje e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës. Edhe kësaj radhe ai, mes rreshtash, goditi lëvizjen për pavarësi të Ibrahim Rugovës, duke thënë se kur «konformizmi e rënia e idealeve dukeshin si fat i pashmangshëm» nga «gjiri i popullit dolën heronjtë».
Kjo është edhe një tendencë për të shkelur njërën lëvizje dhe për të favorizuar tjetrën. Por Kosova nuk do të ishte çliruar pa njërën prej këtyre lëvizjeve. Ambicia e Ramës për të rishkruar historinë e Kosovës mund të marrë përmasa edhe më të gjera nëse shqiptarët e Kosovës dhe politikanët e saj pranojnë rolin e «lopëve». Dhe këtë rol disa prej tyre e kanë pranuar, vetëm me kusht që të mos i pengojë askush në misionin e shenjtë të mbushjes së xhepave.