Një përçarës në krye të një kombi të përçarë

Ndonëse ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare, mbështetësit e kryetarit turk Rexhep Taip Erdoan po festojnë fitoren në referendumin për sistemin e ri presidencial. Gjysma e turqve i rezistuan fushatës pothuaj të dhunshme të Erdoanit dhe aparatit të tij. Kjo gjysmë synon një Turqi tjetër, properëndimore, demokratike. Fitorja e mangët e Erdoanit tregon sa shumë e ka përçarë ai shoqërinë turke.

Rexhep Taip Erdoan përherë ka qenë politikan gjaknxehtë, impulsiv, hatërmbetur, por gjatë javëve të fundit ai u shqua edhe si barabë i paedukuar, sidomos me shpifjet e rënda që ia bënte drejtpërdrejtë kancelares gjermane Angela Merkel. Foto: Shutterstock



Gjatë fushatës për referendum Rexhep Taip Erdoan përdori gati të gjitha metodat për të patur sukses projekti i tij për sistemin e ri presidencial. Kritikët turq të planeve të tij i quajti tradhtarë, i përqeshi dhe i denoncoi me fjalët më të rënda. Kritikët e jashtëm i goditi me fjalor primitiv – gjermanët për të ishin nazistë, holandezët po ashtu, me një fjalë tërë Europa s’ishte gjë tjetër veçse një grumbull shtetesh që ia kanë zili Turqisë së zhvilluar dhe të përparuar, andaj po përgatisin kryqëzatën e ardhshme. Erdoan përherë ka qenë politikan gjaknxehtë, impulsiv, hatërmbetur, por gjatë javëve të fundit ai u shqua edhe si barabë i paedukuar, sidomos me shpifjet e rënda që ia bënte drejtpërdrejtë kancelares gjermane Angela Merkel.

Qëllimi i presidentit turk ishte i qartë: duke krijuar përshtypjen se tërë bota perëndimore ishte kundër Turqisë, populli turk si në kohërat e lashta osmane duhej të bëhej bashkë për «inat të Europës». Kush nuk zinte vend në rreshtin e gjatë patriotik (një patriotizëm i interpretuar nga Erdoani), ai ishte i dyshimtë, agjent i amerikanëve dhe i europianëve. «Ne osmanët» kundër «të krishterëve», «gjysmëhëna» kundër «kryqit», «populli krenar turk» kundër «europianëve që vuajnë nën shtypje, nazizëm dhe nuk e dinë ç’është demokracia». Kjo ishte retorika e Erdoanit gjatë javëve të fundit.

Pas tentimit për grusht shteti në korrik 2016 Erdoan filloi një fushatë të egër kundër atyre që i shpalli armiq apo kundërshtarë. Në emër të luftës së pamëshirshme kundër pjesëtarëve të Lëvizjes Gülen, të ish-mikut të tij Fetullah Gülen, Erdoan suspendoi nga puna mijëra zyrtarë, arrestoi mijëra të tjerë (ushtarakë, policë, agjentë, arsimtarë, gazetarë, profesorë universiteti, gjyqtarë, prokurorë), mbylli mbi 150 shtëpi mediale. Brenda nëntë muajve Turqia u shndërrua në një shtet autokratik, një kazamat i hapur.

Duket se në referendumin e së dielës një shumicë tejet e ngushtë ka votuar që presidenti Erdoan të ketë kompetenca shumë të mëdha. Opozita ka folur për manipulime, por Erdoan dhe përkrahësit e tij tashmë kanë shpallur fitoren dhe duket e pabesueshme se ata do të heqin dorë prej saj. Që nga themelimi i Turqisë moderne më 1923 ky është vendimi me pasojat më të mëdha për sistemin shtetëror. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, sonte ka mbajtur një ndër fjalimet e tij të fundit. Në të ardhmen posti i kryeministrit nuk do të ekzistojë. Atë do ta ushtrojë presidenti Erdoan, ashtu siç parasheh Kushtetuta e re. Parlamenti do të jetë një muze, ku të zgjedhurit e popullit duhet t’i nënshtrohen vullnetit të shefit të shtetit. Ai do të ketë mundësi të miratojë vetë ligje. Të sundojë (disa thonë të qeverisë) me dekret. Të shpërndajë parlamentin kur të dojë. Gjykatësit e instancave më të larta do t’i emërojë vetë Erdoan. Kështu ai do të krijojë një sistem të ri të drejtësisë bazuar në përshtatshmërinë politike të kandidatëve. Dhe të përshtatshëm do të jenë vetëm ata që besojnë verbërisht në agjendën konservatore, islamiste, jotolerante të partisë së Erdoanit AKP. Në të ardhmen presidenti ka të drejtë të jetë edhe shef i partisë. Me fitoren e Erdoanit në Turqi varroset ndarja e pushteteve dhe pluralizmi humb çdo kuptim.

Përkundër fushatës së egër rezultati i referendumit tregon se gjysma e Turqisë e refuzon planin e Erdoanit. Kundër Kushtetutës së re votuan qytete si Izmiri, Stambolli, Ankaraja. Këta njerëz meritojnë respekt nga të gjithë demokratët në botë për guximin e tyre për të kundërshtuar një aparat represiv gati të ngjashëm me juntat latinoamerikane. Erdoan fitoi në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme. Kundërshtarët e referendumit nuk patën qasje në mediat e mëdha; nuk u ftuan në emisionet qendrore; fushatën e dominoi Erdoani me zërin e tij të çjerrë, me britmat e pafundme dhe me kërcënime.

Me fitoren tepër të dyshimtë në referendum Erdoan dhe mbështetësit e tij vendosën t’i kthehen kultivimit të ëndrrës mbi madhështinë e dikurshme osmane. Me këtë vendim Erdoan ia kthen shpinën Europës. Ka gjasa që Brukseli tani të suspendojë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, të cilat prej vitesh edhe ashtu kanë stagnuar për shkak të tendencave gjithnjë e më autoritare të Erdoanit. A mund të jetë Rusia aleat i Turqisë? Erdoan është përpjekur t’i normalizojë marrëdhëniet me Vladimir Putinin dhe ia ka arritur deri diku, por ekonomia turke varet nga shkëmbimet me vendet e BE-së. Kundrejt dollarit valuta turke lira brenda një viti ka humbur 30 për qind të vlerës. Numri i turistëve që nga viti 2015 ka rënë për një të tretën.

Erdoan mund ta stabilizojë pak vendin nëse si president i gjithëfuqishëm liron nga burgu kundërshtarët politikë, por ky gjest vështirë mund të pritet prej tij. Ai nuk është demokrat i vërtetë, por luftëtar që vringëllon pandërprerë kamxhikun. Rezultati i ngushtë i referendumit tregoi se Erdoan dhe partia e tij AKP kanë krijuar një bazë të fuqishme të elektoratit sidomos në trevat rurale, në qytetet provinciale, në zonën buzë Detit të Zi, në Anadoll. Me ton polemik mund të thuhet: në Turqi fitoi katundaria kundër shtresave urbane. Por elitat shpeshherë arrogante të Stambollit, Izmirit dhe Ankarasë me vite i kanë shikuar me përçmim «turqit e zinj» nga Anadolli dhe zonat e tjera të prapambetura. Erdoani ka bërë shumë për këto pjesë të Turqisë. Ai jo vetëm ka investuar në infrastrukturë dhe ka mundësuar një zhvillim të hovshëm ekonomik, por është kujdesur që gratë të mos shtypen më vetëm pse bartin shami. Në të kaluarën gratë nuk mund të bënin karrierë nëse bartnin shami, tani mund të bëjnë karrierë me shami, por jo pa e marrë lejen e burrit. Ky është sistemi i vlerave që e ka imponuar Erdoan. Por s’mund të mohohet kujdesi i tij për shtresat që me dekada nuk i përkrahte askush. Tani zejtarët dhe sipërmarrësit e vegjël mund të marrin 13 mijë euro kredi pa kamatë. Për kthimin e tyre garanton shteti. Rroga minimale është rritur, tatime të caktuara janë ulur. Dhe gjyshet që kujdesen për nipër e mbesa marrin 113 euro në muaj – krahas pensionit eventual. Sa për krahasim: në Kosovë një arsimtar që ka punuar 40 vjet merr 75 euro pension.

Në mesin e politikanëve autokratë të Ballkanit fitorja e Erdoanit me siguri do të mirëpritet. Sa më shumë që paralizohet Europa, sa më të zbehta shanset për integrim në BE, aq më të trimëruar do të jenë autokratët në Beograd, Shkup, Tiranë, Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë për të imituar sulltanin e ri të Ankarasë dhe krejt Turqisë. Presidenti i ri serb pas fitores në zgjedhjet e fundit zhvilloi një bisedë telefonike me Erdoanin dhe e ftoi për vizitë në Beograd. Aleksandër Vuçiq tregoi me krenari se Erdoan e ka pranuar ftesën me kënaqësi.