Një palë çorapë për 320 euro, një byzylyk për 2 mijë euro

Para «Vitit të Skënderbeut» po e shënojmë «Vitin e Saimirit»: Shqipëria në duart e një bande të drogës.

Foto: Shutterstock



Disa javë pas rizgjedhjes në postin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama po ballafaqohet me skandalin më të madh që qeverisjes së tij. Kanakari i tij, Saimir Tahiri, të cilin Rama e lavdëronte gjithandej si ministër shembullor të Brendshëm, i cili gjoja po luftonte krimin, përflitet si protagonist në muhabetet që zhvillonte një bandë që merrej me transportimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Një anëtar i bandës së përbërë nga familjarë të Tahirit, të cilëve ai ua kishte lënë në dispozicion veturën e tij, tregon se kishte blerë dy byzylykë: një për nënën (mamanë!), tjetrin për gruan e Tahirit. Vlera e stolive: 2000 euro për copë. Ose: dhjetë rroga të një argati që punon në ndërtimtari në Shqipëri. Pastaj trafikantët e dyshuar të drogës në përgjimet e policisë italiane flasin për gardërobën e shtrenjtë. Njëri madje ankohet se ka blerë një palë çorapë në vlerë prej 320 euro. Gati një rrogë mësuesi.

Në njërin ndër vendet më të varfra të Europës trafikantët e lidhur me pushtetin flasin për hallet e tyre me çorapë. Halle të tjera nuk kanë. Në Vlorë nuk i frikësohen policisë, bile dyshohet se banda e drogës e kontrollonte dhe e komandante policinë lokale. Në autoritetin kufitar në Durrës me gjasë kishin njerëz në sistemin e monitoronit të detit me radar, të cilët të dhënat ia përcillnin trafikantëve të drogës. Duket e llahtarshme, por edhe kjo mund të merret me mend: zyrtarët e shtetit mbase çdo ditë i kanë dorëzuar bandës së kontrabandistëve të drogës parashikimin e motit. «Sot kaloni me skaf se mban mot i mirë», «Nesër mos kaloni se deti ka dallgë», «Pasnesër kujdes se mund të zbuloheni nga policia financiare italiane». Dhe kështu me radhë. Në Porto Palermo dilerët shqiptarë presin bashkëpunëtorët e tyre italianë në fushën e krimit dhe skafi ankorohet afër apo në bazën e Ushtrisë Shqiptare, aty ku në epokën e shokut Enver Hoxha me gjasë ruheshin disa nëndetëse dhe zona ishte e izoluar për qytetarë të thjeshtë.

Kjo është Shqipëria e viteve të fundit: një vend nën kontroll të një bande të drogës. Një vend ku dilerët e drogës thonë se ministri i Brendshëm brenda një muaji ka fituar pesë milionë euro nga biznesi me drogë. Një vend ku dilerët thonë se ministrit nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro për një fushatë elektorale. Çfarë legjitimiteti ka një parti që fiton pushtetin me fushatë elektorale të financuar nga tregtia ilegale me drogë? Çfarë legjitimiteti ka një qeveri që krijon dyshime se ka fituar pushtetin me shitje të narkotikëve?

Një kryeministër që s’lë kritik pa fyer, një kryeministër që të gjitha mediat, pa asnjë dallim, i quan pjesë të kazanit medial, një kryeministër që akuzat për tolerancë ndaj kriminelëve i quan çorbë e vjetër – a e meriton një vend në Europë një kryeministër të tillë?

Në gjithë këtë histori të tmerrshme të një qeverie të dirigjuar nga krimi i organizuar kemi një fitimtar. Ai quhet Dritan Zagani, ish-shef i Antidrogës në Fier. Zagani tani është në një vend të sigurt, në Zvicër. Këtu ka marrë azil dhe ndihet komod, sepse akuzat e tij se Tahiri ka qenë pjesë e rrjetit te drogës së kushërinjve të tij Habilaj tani i konfirmoi policia italiane. Kur i ngriti këto akuza Zagani u ballafaqua me gjuhën e ashpër të Edi Ramës. Si kryeministër ai e quajti Zaganin «kriminel».

Para disa muajsh Zagani po fliste në një park në një qytet të Zvicrës. Nuk pranoi të zinim vend në ndonjë lokal nga frika se mund të përgjohej nga ndonjë pjesëtar i bandës Habilaj apo nga vartësit e Saimir Tahirit. Zagani ishte i vetëdijshëm se i kishte denoncuar ata që e konsideronin veten përmbi ligjin. Kur vitin e kaluar Edi Rama erdhi për vizitë në Bernë një gazetar zviceran e pyeti për Zaganin dhe për akuzat e ngritura prej tij. Rama si Rama: filloi të tallet me gazetarin zviceran, i cili po kryente punën e tij. Rama e trajtoi gazetarin si pjesë të «kazanit medial të Tiranës». Mendonte se edhe në këto vise mund të tallet me të gjithë.

Mandatin e ri në postin e kryeministrit Edi Rama e nisi me premtimin se viti 2018 do të jetë «Viti i Skënderbeut», por së pari shqiptarët po e shënojnë «Vitin e Saimirit». Ky është viti kur ambasadori amerikan thotë se Shqipëria kontrollohet nga disa familje mafioze. Dhe pushtetarët heshtin, sepse e kanë bishtin të zënë me derë. Ky është viti kur Edi Rama është mbështetur për muri dhe në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të shpëtuar lëkurën e vet, thotë se Tahiri «është një dru i shtrembër në mesin tonë». Kush e ka menduar se në aferën e madhe të drogës kryeministri i Shqipërisë do të jetë aq kreativ, saqë të citojë – me apo pavetëdije – filozofin gjerman Immanuel Kant, i cili thoshte se njeriu është i përbërë prej drurit të shtrembër?

Ashiqare po shihet se Tahiri nuk është druri i vetëm i shtrembër në skenën politike të Tiranës. Mund të shkruajë Edi Rama pandërprerë mesazhe e selame në profilin e tij në Facebook, por askush nuk do t’i besojë se nuk ka ditur asgjë për këtë hon me gjarpërinj. Nga kjo gropë droge e dallaveresh Rama e ka vështirë të dalë. Tragjedia e Shqipërisë është se nuk ka fuqi të shkëputet nga prangat që ia kanë vënë politikanët. Tragjedia e Shqipërisë është shndërrimi i saj në Republikën e Habilajve me presidentët Edi Rama dhe Saimir Tahiri.

Paramendojeni Saimir Tahirin në takim para dy-tri vitesh me kolegun e tij italian, me homologun e tij gjerman, austriak, grek, paramendojeni duke vizituar Kosovën dhe duke treguar broçkulla për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Dhe merreni me mend si mund ta kenë shikuar homologët e tij europianë këtë figurë: si një të dyshuar për tregti me drogë që prezantohet si ministër i Brendshëm i një vendi që synon të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Që të dihet njëherë e mirë: është Europa plakë e lavire që s’po i pranon bijtë e shqipes në gjirin e saj. Republika e Habilajeve qëmoti i plotëson kriteret për anëtarësim në BE. A e keni kuptuar këtë zonja Merkel, zoti Macron, zoti Juncker? Edhe Saimir Tahiri të mos bëhet merak: mund të shpëtojë si Ilir Meta. Dhe pas 4 vitesh i vjen rendi të bëhet president. Zëdhënës lirisht mund ta marrë njërin nga Habilajt.