Një orë zvicerane për mareshalin e Jugosllavisë

Ditari zviceran (2): Më 1962 qeveria zvicerane nuk ia uroi ditëlindjen autokratit jugosllav Josip Broz Tito. 10 vite më vonë, në 80-vjetorin e lindjes, urimet nga Berna u shoqëruan me një orë të shtrenjtë të markës IWC.

Josip Broz Tito



Nga prizmi perëndimor Jugosllavia në vitin 1962 ishte një shtet diktatorial, por më i hapur se vendet e Europës Lindore nën tutelën sovjetike. Ndonëse Zvicra kishte njëfarë interesi sidomos ekonomik për thellimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë e atëhershme, megjithatë qeveria në Bernë ishte e kujdesshme që të mos demonstrojë një afërsi të dukshme me regjimin e Beogradit, fundja bëhej fjalë për një regjim komunist. Kështu në vitin 1962, kur autokrati jugosllav Josip Broz Tito festoi 70-vjetorin e lindjes, Zvicra ishte vendi i vetëm i Europës që nuk ia uroi ditëlindjen zyrtarisht.

Dhjetë vite më vonë gjërat kishin ndryshuar: më 1972, në 80-vjetorin e lindjes, Tito kishte arritur zenitin e pushtetit. Kishte hequr nga posti i ministrit të Brendshëm rivalin dhe nacionalistin serb Aleksandër Rankoviq, i njohur edhe si shtypës brutal i shqiptarëve, dhe ishte bërë lider i lëvizjes së të painkuadruarve, siç quheshin shtetet që nuk i përkisnin as bllokut sovjetik, as atij atlantik. Nga Perëndimi Tito shihej si një monark i dobishëm dhe në mediat perëndimore ngjallte kërshëri për shkak të stilit ekstravagant të jetës – me cigare puro, orë të shtrenjta, vizita në vende të ndryshme me anijen e tij «Galeb», takime me artistë të njohur botërorë.

Në vitin 1967 Tito vizitoi panairin e Zagrebit dhe, ndërsa u ndal te pavijoni zviceran, i tha ambasadorit Hans Keller se kishte disa orë zvicerane të markës Patek, Rolex dhe Omega. Më 1969 Tito dhe Keller u takuan sërish në panairin e Zagrebit dhe sërish Tito filloi të flasë për orët zvicerane, siç tregojnë aktet diplomatike të ministrisë së Jashtme në Bernë. Diplomati me gjasë e kuptoi mesazhin dhe më 1972, në 80-vjetorin e lindjes së Titos, u propozoi eprorëve të tij në Bernë që qeveria e Zvicrës t’i dhurojë Titos një orë për ditëlindje.

Por, zyrtarët në Bernë ishin skeptikë dhe dorështrënguar. Punëtorët e protokollit thanë se deri më tani konfederata zvicerane kishte ndarë dhurata vetëm për Papën Gjonin XXIII dhe Palin IV si dhe për princin Franz Joseph II të Liechtensteinit. Këtë praktikë e ndryshoi qeveria zvicerane në mbledhjen e 17 majit 1972, kur vendosi t’i bëjë një dhuratë Titos. Natyrisht nuk bëhej fjalë për një çokollatë, as për djathë, por për një orë, një IWC (International Watch Company) të tipit «Da Vinci», prodhuar në fabrikën e famshme të orëve në Schaffhausen. Tito iu falënderua fabrikës së orëve me një fotografi të tijën, në të cilën shkruante: «Jam mirënjohës për këtë dhuratë dhe konsideroj se kjo është ora më e mirë që kam pasur».

Zvicra me këtë dhuratë nuk i bënte nder vetëm Titos. Dhurata ishte edhe një reklamë e mirë për industrinë e orëve të Zvicrës, e cila në atë kohë në Jugosllavi eksportonte më shumë sahate se në të gjitha vendet e Paktit të Varshavës. Në takimin lamtumirës me Titon në Karagjorgjevë më 1974 ambasadori Keller kishte regjistruar me gëzim se mareshali kishte folur së paku 10 minuta me tone të larta për industrinë e orëve të Zvicrës. Në një raport për ministrinë e Jashtme në Bernë ambasadori po ashtu nënvizonte se në paraqitjet publike Tito e bartte orën IWC.