Një njeri që lexon, qoftë edhe vetëm një libër në vit!

Festat e fundvitit në hapësirën mediale shqiptare sollën, siç bën vaki tradicionalisht, paradën e llumit, turpit dhe të konsumit pa shije. E mbi të gjitha, sollën edhe njëherë njeriun shqiptar të shfytyruar të kësaj kohe! Çka duhet të bëjë ky njeri në vitin 2017? Një listë me detyra - shtëpiake dhe joshtëpiake.



Një listë dëshirash për një njeri që mbase ende ekziston, por që mund të jetë mbuluar nga xixat, silikoni dhe idiotësia argëtuese e budallenjëve, e konsumeristëve, e të palexuarve.

Një njeri që lexon. Qoftë edhe vetëm një libër në vit!

Një njeri që nuk djeg bërllokun para dere ose prapa në oborr, për ta ndotur edhe më shumë ajrin.
Një njeri që jeton jetën jashtë qendrave tregtare.
Dikush që nuk derdh një kazan ujë për të larë një pirun.
Dikush që fik dritën kur nuk i duhet kujt.
Dikush që fik televizorin se nuk ka nevojë për «shoqërinë e tij» gjatë gjithë ditës.
Një njeri që nuk e kalon ditën duke bërë «kruga» me veturë.
Dikush që ecë të paktën 20 metra pa veturë apo taxi!
Dikush që kërkon kuponin fiskal sa herë blen një produkt apo paguan për një shërbim. (Kjo vlenë edhe për kuponat fiskalë në sallonet «haute-couture» dhe studiot e bukurisë të Prishtinës).

Një njeri që reziston!

Një student që shkon në ligjërata më çantë në shpinë, pa turp.
Një profesor universiteti që e paramendon mësimdhënien i pakollarisur.
Një profesore universiteti që e paramendon mësimdhënien pa taka dhe pa vizituar sallonet e bukurisë çdo javë.
Një universitet ku nuk lexohen kopje të skriptave.
Një mësuese të fillores që beson në shenjtërinë e mësimdhënies.
Një prind nxënësi që e kupton sa problematike është rezultati i PISA-s, anipse fëmija i tij mund të jetë i shkëlqyer e me krejt pesa!

Një njeri që vazhdon të rezistojë!

Një kryeqytetas «elitar» që ëndërr të vetme nuk e ka një shtëpi në lagje të izolouara.
Një njeri që vazhdon të mos i shtrijë policit 10 euro për të kaluar radhën.
Një njeri që ulet e pret në radhë në komunë për të nxjerrë një dokument, pa bërë manovra për të gjetur «një t’njofshëm».
Një njeri që sido që të jetë ekonomia e familjes, vazhdon t’i paguaj me rregull obligimet ndaj shtetit.
Veç një njeri! Një njeri i vetëm që në këto 17 vjet shtet, nuk e ka zhvatur vendin e tij asnjëherë të vetme. Që nuk i ka zhvatur resurset publike! Sistemin shëndetësor! Arsimin! Punëdhënësin e tij! Shtëpinë e tij!
Një gazetar me botë shpirtërore që del përtej Merdares.
Një portal informativ që mund të mbijetojë pa të pasmet e Kallashit!
Një artist që nuk është homofob!
Një intelektual që nuk është mizogjinist e racist!
Një artist që nuk është, para se gjithash, një kategori etnike!
Një besimtar i devotshëm që nuk e ka zvogëluar botën në një libër të vetëm të rënë nga qielli!

Një njeri të vetëm që vazhdon të rezistojë!

Një nënë beqare që rritë fëmijën e saj pa zhurmë, mespërmes zhurmës gjykuese të provincës.
Një njeri që në të drejtën e tij i ka dhënë fund martesës së tij për t’u shkëputur nga maskarada e të shtirurve.
Një njeri që vazhdon të lexojë poezi, në kohën kur lexohen «libra fast-food».
Një shkrimtar që vazhdon të shkruajë, jo vetëm të shes libra!
Një biznesmen që nuk fabrikon afatin e përdorimit të vajit, çokollatës e pastës së dhëmbëve.

Një njeri që lexon! Vetëm një libër në vit!

Një gjysh që nuk pi duhan në dhomën ku rriten mbesa e nipi i tij.
Një dhomë ndenje ku nuk shikohen telenovela mediokre bashkë me fëmijë 6-vjeçar.
Një baba që i lexon përrallën të birit apo të bijes para gjumit!
Një njeri që për shkak të mirësjelljes nuk e kalon kohën me telefon në dorë gjatë kohës kur drekohet apo darkohet.
Një prind që u blen më shumë libra fëmijëve se sa rroba të shoqërisë së konsumit.
Një prind i vetëm që bën një udhëtim me fëmijën e tij në vend të një «dasme të synetisë»!
Një burrë që ndanë, në mënyrë të barabartë, barrën e shtëpisë me një grua!
Një nënë që rritë djalin e saj pa i dhënë privilegjet patriarkale gjinisë së tij.
Një grua që vazhdon të mos bëjë punë shtëpie vetëm për faktin se është grua.
Një baba që u ndanë në mënyrë të barabartë pasurinë familjare djalit e vajzës!
Një familje që vazhdon të darkojë apo drekojë rregullisht së bashku për të ruajtuar dhe kultivuar harmoninë familjare.

Një njeri që lexon! Qoftë ky edhe vetëm një libër në vit!