Një njeri në jetën e tij

Foto: Shutterstock



Një njeri në jetën e tij s’ka kohë
Të ketë kohë për çdo gjë
S’ka vend të ketë vend
Për çdo dëshirë. Ekleziastët
e kishin gabim kur pohonin këtë.
Një njeri duhet të dojë dhe të urrejë njëherësh.
Me të njëjtët sy të qajë e të qeshë
Me të njëjtat duar të hedh gurë
Dhe t’i mbledh ato
Të bëjë dashuri në luftë
dhe luftë në dashuri.
Dhe të urrejë e të falë,
të kujtojë e të harrojë
Të rregullojë e prishë, të hajë e të tresë
Atë që historia e bën
Në kaq vite.

Një njeri në jetën e tij nuk ka kohë
Kur humbet ai kërkon
Kur gjen ai harron
Kur harron ai dashuron
Kur dashuron fillon të harrojë.

Dhe shpirti i ditur
Dhe shumë profesionist
Vetëm trupi i tij mbetet një amator
Kurdoherë. Ai provon dhe
mbledh rrëmujshëm
Nuk mëson dhe trulloset,
I dehur dhe i verbër
në kënaqësitë dhe dhimbjet e veta.
Në vjeshtë ai do vdes si një fik
Rreshkë, i ëmbël, plot me vetveten.
Fletët thahen në truall
Dhe degët e zhveshura tregojnë
Vendin ku ka kohë për gjithçka.