Një ndarje e vështirë

Presidenti maqedonas është konfirmuar si nyjë e krizës politike atje. Por, për zgjedhjen e tij, fajtorë janë edhe shqiptarët. Nga ana tjetër, partia e Ahmetit premton një vetëhetim! Po çfarë fshihet pas kësaj?




Maqedonia nuk po gjen paqe. Ajo po ecën nëpër teh të shpatës. Para ca ditësh, nga kulla e partisë së Ali Ahmetit doli tymi i bardhë: Ajo ka vendosur të koalicionojë me socialdemokratët. Pavarësisht dramaticitetit me të cilin partia i prodhon lajmet, këtu nuk ia doli. Ajo nuk arriti të tërheqë më gjatë vëmendjen nga vetja, sepse ky kumt nuk bëri më përshtypje. Partia nuk kishte rrugë tjetër, pos të futej në koalicion me Zoran Zaevin.

E para, sepse VMRO, e cila shihej si preferenca e partisë së Ahmetit, u dekonspirua hapur si albanofobe. Ajo i ofroi Zaevit numrat për ta formuar qeverinë, me kusht që ai ta refuzonte atë që tani njihet si platforma shqiptare. E dyta, këcënimi për të dalë në opozitë ishte më shumë një blof. Partia, përveç të tjerave, e ka shumë të qartë urtësinë e moçme të konfirmuar edhe politologjikisht: Larg syve – larg zemrës.

Lajm të bujshëm po bën refuzimi i presidentit Gjorgje Ivanov për t’ia dorëzuar Zaevit mandatin për formimin e qeverisë. Sipas juristëve, një hap antikushtetues, një përpjekje e dëshpëruar, me çka ai e dekonspiroi veten përfundimisht si vegël e Nikola Gruevskit. Në fakt, një drojë e harruar për shkak të ekzibicioneve të partisë së Ahmetit me mbledhjet e tij më të rënda se kuvendet e dymbëdhjetë fiseve…

Presidenti Ivanov refuzoi t’ia dorëzonte mandatin Zaevit me motivacionin e rrezikimit të unitetit të Maqedonisë për shkak të pranimit të platformës shqiptare. Një argument i cili nuk qëndron, jo vetëm juridikisht, por as politikisht. Këtë kusht ai nuk e kishte vënë për mandatin e Gruevskit. Për të mos u hyrë pastaj informacioneve që të njëjtën e kishte ofruar edhe ky i fundit dhe se dallimet kishin konsistuar në raportin me Prokurorinë Speciale.

Presidenti Ivanov, në fakt, refuzimin e mandatit të Zaevit e mbështet edhe me përfshirjen e Shqipërisë në këtë çështje, duke e konsideruar atë si një përzierje në punët e brenshme të Maqedonisë. Akoma më keq: një konspiracion. Analistët politikë, të cilët nuk janë të paktë dhe prandaj nuk ka mundësi t’ia huqin secilën herë, i kanë kritikuar postimet grindavece të autoriteteve shqiptare në këto momente lidhur me akuzat e Ivanovit.

Heshtja e Shqipërisë e Kosovës kur shqiptarët në Maqedoni janë në hall është e rëndë. Por, platforma shqiptare, pas fragmentimit të elektoratit shqiptar në Maqedoni për faqe të zezë, erdhi si një shpresë. Pavarësisht nëse është iniciuar nga Edi Rama apo nga Ali Ahmeti, apo nga të dy bashkë, kjo duhet vlerësuar. Aq më tepër tani që mbi ta po reshin shumë akuza. (Kujto Marrëveshjen e Prizrenit mes faktorit politik e ushtarak shqiptar më 2001 që u pranua…).

Për fenomenin Ivanov, i cili mund të mos mbetet një përjashtim në histori, shqiptarët nuk mund të amnistohen plotësisht nga përgjegjësia. Sikur dihet, për zgjedhjen e presidentit duhej një pjesëmarrje prej 50 për qind e trupit votues në Maqedoni. VMRO nuk e kalonte atë pa votat e shqiptarëve, të cilët kërkonin një kandidaturë konsesuale. Por, ata e lejuan në heshtje uljen e censusit në 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, duke e defaktorizuar veten.

Nëse kalohet ngërçi me presidentin, partia e Ahmetit do të rifitojë vëmendjen e opinionit kur të mësohen resorët e ministrat e saj. Ajo madje e ka hedhur gurin e ri me tezën për hetimin e njerëzve të saj. Ende nuk është e qartë se si duhet të ndodhë ky hetim; por mund të supozohet se ai synon rehabilitimin e funksionarëve të përfolur për integritetin e tyre. Me qëllim të përfshirjes së këtyre emrave në qeverinë e re, apo funksione të tjera.

Ajo që deri më tani është parë, nuk është një ogur i mirë: Në mbledhjet e partisë nuk janë dukur ministrat që erdhën pas audio-aferës Xhaferi-Mehmeti. Ata nuk janë anëtarë të Kryesisë, por janë zv.kryeministra e ministra të saj! Një debat i mirëfilltë demokratik nuk e pranon luksin e përjashtimit të këtij formati. Kjo e lë një shije të hidhur për konceptin e demokracisë që e kultivon partia.

Përzgjedhja e njerëzve për ministra do të tregojë më së voni nëse partia e Ahmetit ka zënë mend nga dështimi spektakolar në zgjedhje dhe është përshëndetur me kulturën e vjetër. Spikatja e mungesës së ministrave të rinj në debatet e brendshme nuk duhet interpretuar si lavdërim i performansës së tyre, por si deficit demokratik; se ata ishin të përkohshëm, kot; se të përfolurit e moçëm janë pjesë e vendimmarrjes.

Ndonjë parti tjetër shqiptare në Maqedoni është katandisur akoma më keq. Ato nuk arrijnë të shkëputen nga lideri. Madje edhe kur ai e kërkon këtë, ndonëse, sikur duket ashiqare, jo njëmend. Së paku dy herë në karrierë. Kjo nuk duhet të përbëjë ndonjë ngushëllim për të tjerat. Janë dy modele që nuk duhet t’u shërbejnë si shembull partive të reja që pretendojnë t’i përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni.