Një muze në asgjëkund…

Kosovës nuk i duhet kurrfarë muzeu mbi tmerret e luftës në një fshat të humbur në kufirin kosovaro-maqedonas. Muzeu duhet të jetë aty ku mund të shkojnë sa më shumë njerëz, pra në Prishtinë dhe jo në Bllacë. Por kjo qeveri edhe në kujtimin e viktimave të luftës sillet me papërgjegjësi epokale. Në krejt këtë tollovi është e habitshme që nuk dëgjohen zëra publikë që e kundërshtojnë këtë nismë të pamenduar të qeverisë.

Foto: Laura Hasani / Reuters



Një muze që lufton harresën. Një muze në nderim të refugjatëve të ndjekur nga forcat serbe në vitin 1999. Një muze në kujtim të viktimave. Me këso epitetesh e etiketash është prezantuar në opinion një muze që qeveria e Kosovës mendon ta ndërtojë në fshatin Bllacë, në kufirin kosovaro-maqedonas. Thuhet se ideator i këtij muzeu na qenkësh një këshilltar i Ramush Haradinajt, i cili në historinë e re të Kosovës më shumë është bërë i njohur duke mbledhur fonde për shefin e tij dhe duke i deponuar në bankë nga 9999 euro. Po t’i dorëzonte 10 mijë, do duhej të deklaronte burimin.

Haradinaj tashmë e ka vendosur «gurin themeltar» të muzeut në Bllacë. Më parë, në një mbledhje të kabinetit qeveritar, është aprovuar «propozim-vendimi për themelimin e Qendrës Përkujtimore të Holokaustit Shqiptar Bllacë 1999». Holokaust shqiptar? Ishte zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, që me gjasë është ndër të vetmit në qeveri që e di peshën, rëndësinë dhe domethënien e fjalës Holokaust, i cili kërkoi që fjala Holokaust të hiqet nga titulli i muzeut të iniciuar nga këshilltari i Haradinajt, Jahja Lluka. U propozua që fjala Holokaust të zëvendësohet me gjenocid. Nëse thuhet se në Bllacë ka ndodhur gjenocidi, si të kualifikohen krimet e Serbisë në pjesët e tjera të Kosovës? Kur njerëzit pa dije historike e memoriale, por me shumë muskuj e etje populliste duan të dalin në skenë me lloj-lloj idesh, atëherë ngatërrohen nocionet dhe muzetë hapen në asgjëkund.

Kosovës nuk i duhet kurrfarë muzeu mbi tmerret e luftës në një fshat të humbur në kufirin kosovaro-maqedonas. Mund të ketë atje një pllakë përkujtimore. Muzeu duhet të jetë aty ku mund të shkojnë sa më shumë njerëz, pra në Prishtinë dhe jo në Bllacë. Por kjo qeveri edhe në kujtimin e viktimave të luftës sillet me papërgjegjësi epokale. Një turist nga bota perëndimore që vjen në Prishtinë nuk do të shkojë në Bllacë ekstra për të parë muzeun e Jahja Llukës.

Shqiptarët e Kosovës duhet ta kujtojnë luftën, që ajo të mos përsëritet. Duhet të kujtojnë dramat e tyre njerëzore. Duhet të kujtojnë represionin. Aparteidin. Diskriminimin në baza etnike. Kjo nuk është fare kontestuese. Çka nuk shkon, çka është kontraproduktive është komercializimi politik i së kaluarës për interesa të politikës ditore. Një muze i vërtetë ka mision edukues, jo folklorik. Pasi u vendos «guri themeltar» i muzeut në Bllacë një rend me valle e me këngë ia dha ansambli «Shota». Ky ansambël e ka vendin në shumë aktivitete, por kurrsesi në një ceremoni që kujton viktimat e luftës. Ato duhet të kujtohen me pietet, me heshtje, pa fjalë të mëdha e pa zhurmë të muzikës. Por ndër viset tona me gjasë asgjë nuk mund të bëhet pa piskamë të pushtetarëve.

Kjo mendësi e ka mbuluar Kosovën me përmendore pa asnjë kriter. Mbi përmendoret e partizanëve të Luftës së Dytë Botërore janë «ndërtuar» përmendoret e heronjve të luftës së viteve 1998/99. Pas luftës në Kosovë janë zhvilluar dy gara. E para: kush po hap më shumë pika të karburantit, në Kosovë u themi pompa benzine. Gara e dytë: cila komunë dhe cili fshat do të ketë dendësinë më të madhe të përmendoreve, busteve, pllakave përkujtimore (pothuaj të gjitha këto të skalitura me një stil të keq dhe me sharm refuzues të socrealizimit). Tash do të shohim ndoshta mjeshtrit nga katundet e Dukagjinit se si do të nisen me kazma, çekanë e dalta drejt Bllacës për të ndërtuar muzeun e ri të menduar nga projektuesi i muzeut Jahja Lluka.

Në krejt këtë tollovi është e habitshme që nuk dëgjohen zëra publikë që e kundërshtojnë këtë nismë të pamenduar të qeverisë. Heshtin partitë opozitare, heshtin institucionet e kulturës e dijes, heshtin ato pak figura publike që kanë mbetur pa e shitur lëkurën, heshtin gjithë ata profesorë e ato profesoresha që marrin rroga të mira në Universitetin e Prishtinës, në Institutin Albanologjik, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, në Institutin e Historisë. Ndoshta edhe kjo heshtja ka një shpjegim: kur pushteti nuk e dëgjon zërin e askujt me dekada, zgjidhja më e mirë është heshtja. Në të vërtetë nuk është zgjidhja më e mirë, por është vetëm dorëzim para palaçollëkut pushtetor.