Një murtajë dimërore

Kosova në një ditë janari të vitit 2019.

E pabesueshme se çfarë mund të bëjë vaki brenda një dite apo një nate dimërore në Kosovën e vitit 2019.



Kur askush nuk i beson askujt – çdokush beson në çdo gjë. Mijëra arsimtarë të Kosovës janë futur në grevë, qindra-mijëra nxënës janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Arsimtarët duan rroga më të larta, qeveria refuzon, lëshon pak pe, kërcënohet, nuk dorëzohet, frikësohet. Greva vazhdon, oferta e qeverisë nuk pranohet.

Para zgjedhjeve partitë (sidomos këto që tani janë në pushtet), nguteshin të organizonin ceremoni me premtime për rritje astronomike të rrogave. Sa e do rrogën, ti shoku mësues? E do 1000 euro? 1000 do ta kesh. Pastaj kryetari i partisë tjetër fliste me përqindje: rrogën do ta keni 20 për qind më të lartë, jo, jo, 30 për qind. Në garën për sa më shumë premtime politikanëve u trashet gjuha.

Tash punëtorëve arsimorë u janë kujtuar premtimet dhe janë futur në grevë. I duan rrogat më të larta. Por, në këtë dimër, si në shumë dimra të tjerë, në Kosovë çdo gjë politizohet. Greva, thonë segmente të partisë së kryeministrit, është e organizuar nga kryetari i shtetit për të dëmtuar – kryeministrin! Madje për ta detyruar të japë dorëheqje. Përse? Sepse kryeministri po refuzon «korrigjimin» e kufijve të Kosovës dhe po refuzon po ashtu heqjen e tarifës ndëshkimore ndaj prodhimeve serbe. Po përse të jetë kundër «korrigjimit» të kufijve ai që e pranoi «korrigjimin» e kufirit me Malin e Zi?

Për presidentin e Kosovës ky kundërshtim nga ana e kryeministrit është vetëm taktikë elektorale. Nëse bie qeveria e mbahen zgjedhjet, kryeministri mund të shfaqet para publikut si Rambo që kundërshtoi Serbinë dhe nuk e dëgjoi as Superfuqinë. Por, «çfarë kaçiku kemi ne që ta pengojmë paqen në Ballkan?», pyeti presidenti. Debati tashmë ka prekur atë pikën ku rivalët e thumbojnë njëri-tjetrin: «Ti je kundër Amerikës!» dhe «Ti je për ndarjen e Kosovës!»

Ja, pra, ku gjendemi: një grevë e arsimtarëve ka potencial të shndërrohet në test të besnikërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse çdo gjë në Kosovë është e politizuar dhe çdo pjesë e shoqërisë është e polarizuar. Marrëzia s’ka fund: ata që janë për heqjen e tarifës ndëshkuese mbi prodhimet serbe hiqen si proamerikanë, ata që insistojnë në mbajtjen në fuqi të tarifës ndëshkuese përshkruhen si antiamerikanë. Kësisoj biskotat serbe, për të cilat shumë kosovarë mendojnë se janë «prodhim vendor», shndërrohen në objekt të zënkave politike.

E pabesueshme se çfarë mund të bëjë vaki brenda një dite apo një nate dimërore në Kosovën e vitit 2019. Deri në ndeshjen e radhës: njëri matador tash është në Davos, tjetri në Kosovë. Ai tjetri para një viti ishte afër Davosit, në St. Moritz. Po greva? Po fëmijët e Kosovës, nxënësit, të cilët qe disa ditë janë viktima të papërgjegjësisë së të rriturve? Kush merakoset për ta. Do të rriten me ëndrrën për të ikur sa më shpejt nga vendi i tyre. Rroftë Amerika! Kjo parullë nuk ka asnjë kuptim tani, por ajo buçet me inercion. Çfarë mbetet? Ndoshta vetëm shpresa se në thellësitë e dimrit gjendet një verë e paharrueshme.