Një monument prej loti

Ka mbi 100 vjet që një komb i tërë po vajton për një grua. Për një zvicerane. Nuk ka njeri tjetër ndër shqiptarët që të jetë vajtuar kaq shumë. Më tepër nuk është qarë as për Enver Hoxhën, me formatin e njohur të zisë në sistemet komuniste.

Më 27 mars 2016 është 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit. Në biografinë e tij spikat fakti që në vitet 1887-1893 ai studioi për drejtësi në Universitetin e Gjenevës. Çajupi në këtë periudhë e njohu gruan e tij të ardhshme zvicerane. Por, jeta me shqiptarin që vinte nga një familje e kamur nuk u tregua gjithnjë kaq bujare. Ajo i dhuroi atij një fëmijë, por ia mori gruan. Në ditën e lindjes së djalit të tyre të vetëm, Stefanit. Këtë humbje Çajupi nuk e kapërdiu dot. Në dhjetëvjetorin e vdekjes së Evgjenisë, ai ia ngriti asaj një monument. Jo prej mermeri, a bronzi, por prej dhimbjeje. Çajupi e shkroi elegjinë «Vaje», një protestë te Zoti, në të cilën fjalët mbyten në lotët e dhimbjes për dritën e jetës së tij. Me këtë poezi, Çajupi i lëshoi Evgjenisë, së cilës nuk ia dimë as mbiemrin, certifikatën e pavdekësisë.

Nga kjo kohë, vjersha është përhapur me të madhe në opinionin shqiptar. Një poezi që ta këputë shpirtin. Ajo ngjit menjëherë. Teoricienët e letërsisë e çmojnë si më të bukurën e letërsisë shqipe. Që ia kalon edhe dhimbjes së elegjisë për Bajram Currin. Poezia mësohet tradicionalisht nëpër shkollat fillore në shqip. Përmendsh! Gjithsesi kështu ndodh në Maqedoni. Nuk mund të jetë ndryshe edhe në Kosovë. Do të ishte një paradoks që kjo të mos ndodhte në Shqipëri. Prej dekadash. Brez pas brezi. Në një ditë shkolle ajo recitohet nga të gjithë nxënësit e klasës, një nga një. Ata ngrihen në këmbë, gatiten, përkulin me nderim kokën, ngulin shikimin diku në thellësi të kohës dhe ua plasin ‹vajeve›: «Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë…»

Një njohje e dhimbshme dhe e hershme e shqiptarëve me Zvicrën. Kështu, zvicerania e parë për shqiptarët nuk është Helvecia, por Evgjenia. Mbase shumica e nxënësve shqiptarë nuk e dinë se ajo ishte një zvicerane. Atëbotë ndoshta nuk e dinin as se ku binte Zvicra, e jo më të përsiasnin për marrëdhëniet me të. Sot emigracioni i shqiptarëve në Zvicër e përmend këtë histori në takime kulturore. Nganjëherë në mënyrë shfajësuese për sjelljen e ndonjërit prej tyre në «Shtetin Evgjenik». Por, pavarësisht një situate të rrallë dhe dramatike, ky moment duket të jetë i panjohur për opinionin zviceran. Apo ndoshta atyre nuk u bën përshtypje fakti që një zvicerane është personazhi i elegjisë më të bukur të letërsisë së një komuniteti të madh emigrantësh në Zvicër, që ajo kujtohet me dhimbje vit për vit nëpër shkolla – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…? Apo mos ndoshta këtë histori tragjike dashurie e kanë errësuar histori të tjera tragjike kriminale?

Duket gati fyese që kjo histori të mos i ketë bërë përshtypje asnjë zvicerani. E, nuk mungojnë njerëzit që janë marrë sistematikisht me shqiptarët. Sidomos nëse vështrojmë nga perspektiva jonë që elementet shqiptare t’i gjurmojmë gjithandej, ku janë dhe ku nuk janë. Ndonëse ajo i afirmon ato pak fakte që flasin për dimensionin shqiptar te një personalitet a ngjarje dhe duke e braktisur hulumtimin dhe dokumentimin e mëtutjeshëm të tyre. E tillë është mbase historia e spiunit të Luftës së Dytë Botërore që i shiste anglezët te gjermanët, Iliaz Bazna – Ciceroni.

Insistimi ynë ndoshta shpreh kompleksin e një kombi të vogël dhe të shkelur nga historia, i cili kërkon mirënjohje dhe afirmim. Prandaj, edhe rreket sidomos për njerëz dhe ngjarje që bëjnë bujë. Dhe, këtu nuk po llogaris pretendimet megalomane dhe profane për origjinën shqiptare të faraonëve, e të ngjashme. Por, të tilla si për shkrimtarin e shquar argjentinas Ernesto Sabato. Për identitetin e tij të zbehur shqiptar, që ai e dëshmonte vetë me fjalët e nënës që i ishin skalitur në kujtesë: «Një çik bukë». Kjo ndoshta ishte edhe një arsye më shumë përse atij më 1996 iu dha Çmimi Kadare, por edhe ai Nderi i Kombit.

Mbase edhe historia e dashurisë së Orhan Pamukut me një shqiptare, me të cilën ai i ngryste ditët në qytetin që ndan kontinentet një kohë në rininë e tij, ishte një arsye më shumë për ta shpallur atë Doktor Nderi nga Universiteti i Tiranës. Dhe, me këtë histori e kemi prekur edhe dashurinë, edhe Zvicrën, edhe shqiptarët. Edhe njëfarë fataliteti. Sepse, prindërit e vajzës, për ta ruajtur nderin…, e ndanë atë nga Pamuku, duke e tërhequr në Zvicër.

Një pyetje ngel patjetër pezull: Pse nuk e shkroi Çajupi elegjinë e tij edhe në frëngjisht? Mbase për të njëjtën arsye për të cilën Orhan Pamuk opinionit shqiptar me rastin e laureimit të tij në Tiranë i foli në turqisht: Sikur t’ju drejtohem në anglisht, ju flas nga mendja; sikur t’ju drejtohem në turqisht, ju flas nga zemra – u shpreh ai. Çajupi foli në gjuhën e zemrës!

Jo thjesht për kurozitet, por më shumë si një homazh, le të kujtojmë me këtë rast një fatkeqësi tjetër të Çajupit që e lidh me Sabaton, dërmën e radhës që e goditi rilindasin: Ai, në moshë të rritur, e humbi edhe të birin Stefanin, mbase shqiptaro-zviceranin e parë. Ndërsa Sabato vuajti gjithë kohës për vdekjen e parakohshme të djalit të tij më të dashur.

Si do që të jetë, historia e Çajupit dhe e Evgjenisë meriton t’i rrëfehet opinionit zviceran. Një njohje më e thellë e rrit edhe rspektin për njëri-tjetrin, kujtimet e përbashkëta – solidaritetin me njëri-tjetrin. Dhe, nëse zviceranët vetë nuk kanë pasur rastin ta njohin këtë perlë tragjike, duhet t’ua ofrojmë ne. Nuk ka një gjest më prekës se zbulimi i një historie të përbashkët përmes një poezie: Ishim bashkë, u deshëm, vuajtëm fort dhe nuk e dinim… Dhe, nëse këtë nuk do ta bëjnë elitat e etabluara letrare shqiptare, që e kanë përkthyer prozën voluminoze të Viktor Hygosë, apo poezinë e vështirë të Sharl Bodlerit në shqip, apo që e kanë përkthyer me gjithë magjinë e saj veprën e Kadaresë në frëngjisht, duhet ta bëjnë elitat e reja. Më të sensibilizuar për një gjë të tillë duhet të jenë kuadrot e formuara për gjuhë dhe letërsi në Zvicër. Shqiptaro-zviceranët. Është histori e tyre.