Një mikeshë e orëve të para

Në shikim të parë Huma Abedin është e kundërta Hillary Clintonit: rreth 30 vite më e re, e gjatë, esmere, e ndrojtur. Në të vërtetë, ajo është njeriu i saj më i besuar dhe këshilltarja më e ngushtë – prej 20 vitesh. Portret i Neue Zürcher Zeitung.

«Unë kam një vajzë. Nëse do kisha edhe një tjetër, ajo do të ishte Huma», kështu e ka përshkruar Hillary Clinton më 2010 raportin me këshilltaren e saj Huma Abedin. Këtë vjeshtë të dy gratë e festojnë jubileun e tyre të 20-të të njohjes dhe bashkëpunimit, të kurorëzuar me fushatën për në Shtëpinë e Bardhë. Abedin është bashkëpunëtorja që ka punuar më së gjati për Clinton. Sot ajo zyrtarisht është zëvendës-shefja e fushatës zgjedhore. Në të vërtetë, ajo është dora e djathtë e Clintonit dhe e besuara e saj. Disa thonë se vetëm Bill Clinton është më i afërt për të se Adedini.

Rrugët e tyre janë takuar rastësisht. Studentja 21-vjeçare e gazetarisë aplikoi në vitin zgjedhor 1996 për një praktikë në shtabin e shtypit të Bill Clintonit, por e dërguan në zyrën e Zonjës së Parë. Këtë takim Abedini e ka përshkruar në një intervistë të rrallë si një takim fati: «Shkurt pas njoftimit për fitoren e zgjedhjeve, ajo dhe Billi erdhën te bashkëpunëtorët. Hillry më shtërngoi dorën, aty i ndeshëm shikimet. Dhe mendova, uau, e pabesueshme, kjo është e mrekullueshme.» Edhe Clinton dukej e bindur nga gruaja e re me rrënjë arabe, sepse nga ajo vjeshtë Abedini ka qëndruar gjithmonë përkrah saj: Ajo ka qenë këshilltarja personale e Clintonit në kohën e saj si senatore dhe gjatë kandidimit të saj të pasuksesshëm për presidente më 2008 dhe asistentja e saj personale në Ministrinë e Jashtme. Nëse Clinton fiton më 8 nëntor, Abedini përflitet si shefe shtabi.

Atë nuk e pengon fakti që qëndron nën hijen e Clintonit. Për revistën «Vogue» është shprehur: «Nuk e kam ndjerë kurrë ambicien për të qenë shef. Unë i ndihmoj Hillarysë t’ju ndihmojë të tjerëve.» S’ka fjalim të Clintonit që nuk e autorizon Abedini; nuk ka vendim fushate, ku ajo nuk ka ndikuar. Ajo e këshillon kandidaten për presidente edhe në çështje të veshjes. Abedini është motori dhe memorja e aparatit të Clintonit. «Unë e di si i do gjërat Hillarya», thotë ajo.

Interesant është sfondi personal i besimtares myslimane: Ajo ka lindur si një ndër katër fëmijët e një aktivisteje indiane për të drejtat e njeriut dhe një profesori pakistanez në shtetin Michigan të SHBA-ve. Si dyvjeçare, familja e Abedinit u vendos në Arabinë Saudite. Fëmijët atje kanë ndjekur shkolla britike dhe, përveç anglishtes, kanë mësuar edhe hindishten, gjuhën urdu dhe arabishten. Për të studiuar gazetarinë Abedini u vendos në kryeqytetin amerikan. Ajo llogaritet suflerja e Clinonit sidomos për çështje të Lindjes së Afërt, duke shërbyer nganjëherë edhe si përkthyese.

Edhe pse më me qejf qëndron në prapaskenë, kohëve të fundit ajo po del gjithnjë e më shpesh në fokus. Më 2012 republikanët e akuzonin si simpatizante të vëllazërisë myslimane, çka merret si një pretendim i pabazë. Emri i saj shfaqet gjithashtu edhe në lajmet e publikuara lidhur me aferën e e-mailave të Clintonit. Pyetja që shtrohet është: Sa paq e ka ndarë ajo rolin e saj të dyfishtë si bashkëpunëtore e Fondacionit Clinton dhe në Ministrinë e Jashtme. Gjithsesi, deri më tani asaj nuk i është gjetur ndonjë shkelje ligji.

Në fund, është jeta private e Abedinit që po bën kryetituj: Burri i saj, kongresmeni i New Yorkut, Anthony Weiner, u bë gazi i botës me fotografitë intime dhe aferat e publikuara. Abedini i ka qëndruar atij për gjatë kohë pranë, por në fund të gushtit u nda nga ai, pasi Weiner kishte postuar sërish foto intime, në të cilat madje dukej edhe djali i tyre. Krizën e kësaj martese e dokumenton filmi «Weiner», që në pranverë u shfaq në kinematë amerikane. Disa media shkruajtën se skandali i Weinerit po i hap probleme edhe fushatës së Clintonit. Ndërsa ajo këtë e sheh ndryshe. Pyetja me të cilën përfundon raporti është: A mos i bashkon këto gra edhe më fort përvoja e tradhëtisë së burrave. ks