Një mallkim për një popull

Elizabeth Barrett Browning.



Një engjëll që fliste, mbrëmë kam dëgjuar,
Ai tha: «Shkruaje me dorë!»
Mallkimin për një popull, shkruaje për mua
E hidhe mbi detin perëndimor.

Belbëzova fjalët, duke i ngrënë:
Zot! Mos qoftë e thënë!
Nëse mallkime të tjera ka,
Zgjidh një që nuk zë tim vëlla.

Mirënjohja i lidh me mua,
gjaku, por dhe i dua,
matanë detit janë vëllezërit e mi
më shtrëngojnë dorën gjithë mirësi!

«Atëherë» tha zëri «mallkimin patjetër,
në mbrëmje ta shkruash në letër!
Për shkaqe të larta do hidhet mallkimi
si kupa e qiellit që shkrep nga gjëmimi!»

«Jo, kështu», ju përgjigja, «se gjithmonë
zemra më pikon,
vendit tim të zezat i kanë rënë në prag,
fëmijë këmbëzbathur, rrugët bëjnë me gjak!

Për nderet që merr kush kundërshton,
atë që rrugën e drejtë tregon:
për lëmoshën e dhënë nga një derë,
që tamam, për një puthje, s’u hap asnjëherë!

Për hir të lirisë që çdo ditë
ngushtohet e çohet në zgrip:
atdhetarizmi vdiq, tani kemi vlera,
egoizëm, mburrje dhe të tjera plehra!

Për klikën sunduese në parlament
që dhe mirëdashjen e blen me ryshfet!
Kujt vendi tjetër t’i jap një mallkim,
ma rënduan shpirtin këto të vendit tim?»

«Atëherë» tha zëri «mallkimin patjetër,
në mbrëmje ta shkruash në letër!
Nëse ke fuqi të shohësh dhe urresh
Hapi portën nëmës dhe çdo gjë do kesh».

«Oh, jo kështu!» Qe përgjigjja ime!
«Shko e gjej një burrë që të bëjë mallkime,
se unë që jam grua në jetë kam mësuar
si zbutet një zemër nga sytë e lotuar!»

«Atëherë» tha zëri «mallkimin patjetër,
në mbrëmje ta shkruash në letër!»
«Ditën dhe natën» i thashë përsëri,
«ca gra qajnë dhe nëmin, s’çuditet njeri!»

«Ndaj në vend të tyre, ti në këtë natë
do qash e do shkruash nëmën gjerë e gjatë
se mallkimi i grave është i thellë si det
i hidhur, i thartë, i mirë me lezet».

Kështu unë e shkrova, mbajta vërtet zi,
«Të gjitha» i thashë, «lexoji aty!»
Pasi u kënaq, ma dha prapë në dorë,
E hodha mbi detin perëndimor.

Përktheu: Laureta Petoshati