Një mace, një agjent dhe zoti Trump

Mbi presidentin e ri amerikan dhe problemet që po i merr me vete në Shtëpinë e Bardhë. Dhe për restorantet e Thaçit dhe Haradinajt në Strassburg dhe në Washington.

Donald Trump.



Para se të shkruajmë për Donald Trumpin një shënim për krerët e fiseve tona. Ramush Haradinaj, shyqyr i liruar, por jo tamam, të enjten në mbrëmje kishte preferuar të dalë në një lokal të Strassburgut me një person të dënuar nga drejtësia amerikane për fajde, siç zbuloi portali Insajderi. Boll mirë! Hashim Thaçi kishte treguar pak më shumë stil – kuptohet me paratë e qytetarëve të Kosovës. Shujtën e tij e kishte ngrënë në restorantin «Tosca» në Washington, njërin prej më të shtrenjtëve në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Thaçi, edhe Haradinaj të gjitha këto sakrifica po i bëjnë për të mirën e Kosovës, për të mirën tonë. Po vjen një administratë e re në Washington dhe që të dy po përpiqen të bien në kontakt me përfaqësues të saj, të krijojnë lidhje, të kujtohen për miqtë e vjetër (si Robert Dole).

Tani kalojmë te tema e këtij teksti. Pas një pauze 6-mujore Donald Trumpi ka mbajtur të mërkurën një konferencë për shtyp – të parën si president i zgjedhur. Trump tregoi se si do ta bëjë Amerikën përsëri të madhe. Kuptohet pa dhënë detaje. Por gazetarët në sallë dhe mbarë bota e kishte mendjen tjetërkund: te një dosje e re, e cila përmban dyshime se Trump mund të shantazhohet nga Rusia me një «kompromat». Në zhargonin e shërbimeve sekrete ruse «kompromati» është një material komprometues.

Dosja është përpiluar nga ish-agjenti britanik Christopher Steele. Aty thuhet, mes tjerash, se rusët mund të disponojnë një incizim ku Trump shihet gjatë shfrenimeve seksuale në hotelin Ritz-Carlton në Moskë, me gjasë në nëntor 2013. Bëhet fjalë, pa hyrë në detaje, edhe për praktikën seksuale «golden shower». – Rrena, lajme të rrejshme, shpifje. Pak a shumë ky ishte reagimi i Trumpit në Twitter pasi mediat amerikane botuan dosjen. Kur Trump është tepër i zemëruar, ai shkruan e bërtet me 140 shkronja të mëdha – «fake news» ose «gjueti shtrigash». Twitteri është arma e tij më e dashur, kryesore. Ndoshta një ditë, i inspiruar nga kryeministri i Kosovës, Trump në Twitter do të shkruaj: «Qen, bir, qeni!»

Të mërkurën në mëngjes, pasi mediat amerikane njoftuan se autor i dosjes së re mbi harbimet seksuale të Trumpit në Moskë është Christopher Steele, në Londër vetë Christopher Steele u zgjua me gjasë i shqetësuar nga gjumi. Ai mori në krah macen e tij, i ra ziles së një fqinji dhe e luti atë të kujdesej për kafshën e tij shtëpiake – «për disa ditë». Kështu së paku shkruajnë mediat britanike. Steele përshkruhet si agjent serioz, i besueshëm dhe me përvojë. Për MI6, shërbimin sekret britanik, ai ka punuar në Rusi dhe në Francë – natyrisht i maskuar si diplomat. Megjithatë, çfarë ka përmbledhur ai në dosjen e tij mbi Trumpin nuk mund të verifikohet. Mund të jetë e vërtetë, mund të jetë gënjeshtër. Por materialin e tij e kanë pasur në dispozicion shërbimet sekrete amerikane. Ato vendosën që mbi përmbajtjen e dosjes ta njoftojnë presidentin aktual dhe atë të zgjedhur – Barack Obamën dhe Donald Trumpin.

Domethënë, është një dosje që s’mund të hidhet si një çamçakëz në shportën e bërllokut. Buzzfeed dhe CNN, dy media amerikane që botuan dosjen, nuk mund të konsiderohen joserioze, përveç se nga Trumpi. Këto dy shtëpi mediale presidenti i zgjedhur amerikan i sulmoi hapur në konferencën e tij për shtyp. Një gazetar britanik mori guximin dhe pyeti, me kujdesin e duhur, nëse Trump pendohet mbi sjelljen e tij në Moskë, një sjellje që mund të vë në pozitë të jetë i shantazhuar nga Kremlini, nga Vladimir Putini, për të cilin Trump gjen përherë vetëm fjalët më të mira.

Trump tha se në udhëtimet jashtë shtetit ishte përherë i kujdesshëm, pastaj tregoi diçka personale: tha se kishte frikë nga bakteret. Disa gazetarë filluan të qeshin, të tjerët pyeten veten: a po e demanton Trump orgjinë seksuale në Moskë a jo? Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» kështu e përshkruan konferencën e parë për shtyp të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump: «Politikë si gjueti e lepujve: njerëzit e tij janë yshtësit, ai vetë katundari me çifte. Donald Trump e skicon botën siç i pëlqen. Gazetarët e poshtëruar prej tij diskutojnë se si duhet të sillen ndaj tij. Ndërkohë në Londër kthjellohet rrëfimi për ish-spiunin e aftë Mr. Steele». Mbi raportin e gjatë qëndron ky titull: #FuckYouVeryMuch.

Agjenti Steele në vitin 2009 u largua nga shërbimi sekret britanik. Themeloi firmën «Orbis Business Intelligence». Mediat amerikane dhe britanike njoftojnë se Steele ishte angazhuar nga Jeb Bush, vëllai i ish-presidentit George W. Bush, të hulumtojë mbi lidhjet e Trumpit me Rusinë. Jeb Bush e humbi garën për kandidat presidencial brenda Partisë Republikane relativisht shpejt. Pastaj thuhet se Steele u pagua nga demokratët. Rrjedhimisht, ata e morën të parët dosjen, pastaj shërbimet sekrete (ose e kundërta), dikur dosja përfundoi edhe në sirtarët e mediave. Në çastin kur me përmbajtjen e dosjes u njoftuan Obama dhe Trump ishte vetëm çështje orësh ose ditësh kur do të publikohej.

Të premten e ardhshme Trump do të betohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas të gjitha gjasave. – Sipas një dokumenti të Ministrisë së Jashtme në Washington të ftuar në këtë ceremoni nga bota e jashtme janë vetëm përfaqësuesit diplomatikë në Washington. Shkurt dhe anglisht në dokument thuhet: delegacionet e huaja nuk janë të ftuara në këtë ceremoni. Duke qenë i informuar për këtë, Hashim Thaçi shkoi në Amerikë dhe nisi të tallej me Ramush Haradinajn, i cili thoshte: «Kam ftesë nga Trumpi». S’kishte ftesë nga Trumpi. As nuk ishte i ftuar në ceremoninë e inaugurimit. (Ishte i ftuar në aktivitete para ceremonisë, tubime nëpër bare e salla të Washingtonit).

Haradinaj i mbetet borxh opinionit të tregojë nëse kishte vizë për të hyrë në SHBA. Por këtë mund ta dëshmojë kur të kthehet së shpejti në Prishtinë. Kësaj radhe me siguri pa qilim të kuq të Hashim Thaçit. Një gjë është e sigurt: në inaugurimin e Trumpit nga Kosova është e ftuar vetëm ambasadorja e Kosovës. Të tjerët – komandantë, heronj të shpallur e të vetëshpallur, opozitarë, figura cirku, bashkëpunëtorë të Serbisë dhe Rusisë, hajdutë e të korruptuar, kusarë e shumarë – tregojnë përralla. Siç kanë treguar që nga viti 1999. Duhet të jenë të lumtur që ka njerëz që u besojnë dhe madje votojnë për ta.