Një lugë përzemërsi

Një kujtim për Stevo Karapanxhën, kuzhinierin më simpatik mes Sllovenisë dhe Maqedonisë, i cili e bëri të popullarizuar Vegetën jo vetëm në Ballkan.

Foto: Internet



I. «Janë disa gjëra»
Ka njerëz nga Ballkani që në forume të internetit pyesin: ku është Stevo Karapanxha? Ku është kuzhinieri legjendar i Jugosllavisë së Titos? Çfarë ndodhi me të dhe pse humbi pa gjurmë autori i emisionit «Fshehtësitë e vogla të mjeshtërve të mëdhenj të kuzhinës»? Stevo Karapanxha dikur, në një kohë të largët, shfaqej në ekranet televizive mes Trigllavit (Slloveni) dhe Gjevgjelisë (Maqedoni) çdo të enjte, pak para fillimit të ditarit qendror të lajmeve, bashkë me moderatorin e famshëm kroat Oliver Mlakar. Elegant, i buzëqeshur dhe i përzemërt, një burrë vërtet i bukur si të ishte aktor i Hollywood-it – i tillë ishte Stevo Karapanxha. Kur fillonte emisioni i tij të gjitha amviset e Jugosllavisë ia shikonin buzët, sepse ai tregonte se si duhet përgatitur gjellët. Dhe në fund, me teatralizëm simpatik, Karapanxha ia hidhte gjellës një lugë Vegetë, mëlmesa më e njohur e Jugosllavisë. Emisioni hapej me këngën e Arsen Dediqit: «Janë disa gjëra / që s’i tregohen gjithkujt / që i pëshpëriten vetëm dikujt / ti e di». Stevo Karapanxha e dinte kujt duhet pëshpëritur recetat e tij të kuzhinës derisa gjysma e kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë rrinin para ekranit të vogël. Me një fjalë: Stevo Karapanxha ishte Jamie Oliveri i Jugosllavisë.

II. Mëlmesa e famshme
Gati dy decenie Karapanxha ishte shefi i kuzhinës jugosllave – së paku në televizion. Gjatë kësaj kohe ai krijoi mbi dy mijë receta, duke eksperimentuar me shumëllojshmërinë e kuzhinës dhe duke e zgjeruar atë me prurje të reja nga kuzhina ndërkombëtare. Meqë sponsor i emisioni të tij ishte firma Podravka, e cila ende e prodhon Vegetën, Karapanxha nuk harronte ta kripësojë gjellën me mëlmesën e famshme. Falë prezantimit simpatik nga Karapanxha Vegeta u bë e njohur përtej kufijve të Jugosllavisë, duke u shndërruar në njërin prej prodhimeve më së shumti të eksportuara të vendit. Me shpërthimin e luftës në fillim të viteve 90-të tregu jugosllav u shkatërrua dhe firma Podravka u përqendrua në eksport. Edhe Stevo Karapanxha u detyrua të braktisë televizionin, i cili tashmë dominohej nga nacionalistët e Franjo Tugjmanit, të cilët zienin supën e tyre të gërditshme. Kuzhinieri Karapanxha u dëbua nga puna, sepse ishte me origjinë serbe. Nëpër të njëjtën përvojë ai kaloi edhe në hotelin «Esplanade» të Zagrebit, ku humbi vendin e punës si shef i kuzhinës. Kolegët e deridjeshëm befas nuk flisnin me të, Karapanxha mbeti i vetmuar, emigroi – së pari në Itali, pastaj në Zvicër.

III. Kalorës i kuzhinës
Tani ai zien në restorantin e tij «Sonne» («Dielli») në Ennetbaden buzë lumit Limmat, jo larg Zürich-ut. Këtu Karapaxha përgatit gjella të llojllojshme; gazetat zvicerane kanë shkruar për të, edhe televizioni i Zvicrës ka qenë në këtë lokal të pëlqyer shumë nga vendasit, të cilët nuk e dinë se atyre po u zien ushqimin kuzhinieri më i njohur i Ballkanit. Shpesh Karapanxha përgatit edhe specialitete nga «Jugosllavia», siç thotë ai. Sarma të mbushura me mish, për shembull. Por edhe «Rösti», një specialitet zviceran me patate të grira. Karapanxha ishte 23-vjeçar kur filloi me shoun e tij televiziv. Shpejt u bë i njohur. Dhe një kohë ishte madje shef kuzhine në hotelin «Savoy» në Londër. Në shumë panaire ndërkombëtare të kuzhinës Karapanxha ishte përfaqësues i Jugosllavisë; shoqata e kuzhinierëve të Italisë e kishte shpallur «Kalorës të kuzhinës». Në një anketë të mediumeve kroate Karapanxha hyri në mesin e 10 koatëve më të famshëm. Pas vdekjes së Tugjmanit dhe demokratizimit të vendit në Kroaci është e mundshme që një serb të jetë ndër 10 kroatët më të rëndësishëm.

IV. Larg është Etiopia
Në fund të viteve 60-të, kur punonte në hotelin «Esplanade» të Zagrebit, Karapanxha për pak kishte pranuar ofertën të shkojë në Etiopi. Në atë kohë në Jugosllavi ishin themeluar qendra për përkrahjen e vendeve në zhvillim, të cilat kërkonin inxhinierë, mjekë – dhe kuzhinierë. Me ndërmjetësimin e Odës Ekonomike të Sllovenisë Karapanxha kishte zhvilluar një bisedë me ministrin e turizmit të Etiopisë, i cili i kishte ofruar një rrogë prej një mijë dollarësh. Përgjigjja e Karapanxhës kishte qenë e shkurtër: «Jo!» Pas pak qeveria e Etiopisë kishte ofruar një rrogë tri herë më të madhe, por kot. Ndërkohë edhe jugosllavët luftonin për ta mbajtur në punë Stevo Karapanxhën. Kështu ai në moshën 24-vjeçare u bë shef i kuzhinës me më shumë se 100 punëtorë, e cila kishte furrë të veten të bukës, ëmbëltore, kuzhinë për bankete dhe 12 salla.

V. Vegeta dhe Aromati
Tani në Ennetbaden të Zvicrës Karapanxha ofron një meny të begatshme. Ata që e kanë xhepin e fryrë mund të porosisin meny deri në 250 franga (rreth 230 euro) dhe vera të kuqe e të bardha deri në 500 franga (455 euro). Njerëzit e zakonshëm, ndërkaq, mund të ushqehen edhe për 16 franga (14,5 euro). Në atdheun e ri Karapanxha nuk e përdorë aq Vegetën. Zviceranët e kanë mëlmesën e tyre të quajtur Aromat, që njëjtë si Vegeta përbëhet prej llojeve të ndryshme të perimeve të terura (karota, qepë dhe bimë të tjera), pastaj kripë, sheqer dhe fshehtësi të tjera.