Një linjë ajrore mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur në Washington në tubimin vjetor të American Israel Public Affairs Committee (Aipac), organizatës më të rëndësishme që lobon për shtetin hebraik. Gjatë fjalës së tij Rama ka treguar për historinë e gazetarit hebraik Leo Elton, i cili më 1935 erdhi në Shqipëri për të shqyrtuar mundësinë që Shqipëria të bëhet toka e dytë e hebrenjve. Rama paralajmëroi se këtë vit do të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Izraeli në Shqipëri përgjatë periudhës së verës - dhe tha: «Jam i angazhuar personalisht që të ndërtoj një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës, kryeqytetit tonë, dhe për këtë kemi angazhuar Daniel Libeskind». Libeskind është njëri prej arkitektëve më të famshëm të botës.

Edi Rama.



«Pikë së pari do doja t’ju them që jam shumë i nderuar dhe ndihem i përulur që flas përballë këtij auditori si kryeministër i Shqipërisë, një vend ku ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara fillimit të saj. Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një faqe e shkëlqyer e historisë sonë, por jo e vetmja që lidhet me marrëdhëniet midis hebrenjve dhe shqiptarëve. Paraardhësit tuaj erdhën të gjenin strehë në Shqipëri, edhe tre herë të tjera më përpara, në shekullin e parë, në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe në shekullin e shtatëmbëdhjetë e përherë e gjetën këtë strehë tek ne.

Kështu që marrëdhënia jonë me shtetin e Izraelit është mjaft speciale dhe e shkëlqyer dhe sigurisht që duam ta shohim të zhvillohet e duam të shohim që të ndodhin më shumë gjëra midis nesh. Meqë ra fjala, për herë të parë, këtë vit do të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Izraeli në Shqipëri përgjatë periudhës së verës. Kështu që unë dëshiroj fort, që ajo çka një herë e një kohë përkufizohej nga Leo Elton, në raportin e vet të 1935-ës, si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë për pushime. Kështu që jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri.

(…)

Dua të bashkëndaj me ju se jam i angazhuar personalisht që të ndërtoj një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës, kryeqytetit tonë, dhe për këtë kemi angazhuar Daniel Libeskind, që është autori i madh i muzeut hebraik në Berlin, që po punon me ne për këtë projekt. Ne duam që në këtë qendër të tregojmë historinë e marrëdhënieve tona për fëmijët tanë, por edhe për fqinjët tanë. E ndërkohë do të doja shumë të shihja një binjakëzim të kësaj qendre të ndërtuar në Jerusalem, ku të gjithë njerëzit e të gjithë feve dhe besimeve të mund të mësojnë historinë e jashtëzakonshme se përtej çdo feje e besimi, shqiptarët i panë hebrenjtë si njerëz ndaj njerëzish.

Shqipëria është një vend që ka një sërë besimesh fetare, myslimanë dhe të krishterë. Ne, kjo na bën tashmë që të jemi të radhitur në frontin e parë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ne gjithashtu kemi ndërtuar Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Tiranë dhe kryeministri Benjamin Netanyahu na ka premtuar që Izraeli do të jetë nga partnerët kryesorë, që ta shndërrojmë këtë qendër në një pikë referimi në të gjithë rajonin. Kështu që, unë besoj fort se Shqipëria përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm sesi një vend ku myslimanët e të krishterët bashkëjetojnë, është një vend që po ashtu mbron asgjë më shumë e asgjë më pak, por të njëjtat vlera që Izraeli mbron me ekzistencën e tij dhe me qëndrueshmërinë e tij.

(…)

Do doja të them që Shqipëria ishte vendi i parë në Europë, në vitin 1932, ku antisemitizmi ishte ndërkohë i përhapur kudo, që njohu të drejtën e komunitetit hebre që të organizohej e që të legjitimonte Shabatin. Historia është absolutisht e jashtëzakonshme, sepse hebrenjtë u shpëtuan jo vetëm nga familjet myslimane, por dhe nga kleri katolik. Është shumë e famshme historia e njërit prej klerikëve më të lartë të krishterë në Shqipëri, që pagëzoi shumë hebrenj që të ndryshonte identitetin e tyre e t’i mbronte nga nazistët. Kemi gjithashtu një episod interesant në të njëjtën kohë, ku një prej nazistëve më të lartë, Hermann Neubacher, në vitin 1943 thirri katër përfaqësues të katër komiteteve tona fetare e ju kërkoi që të jepnin listën e hebrenjve dhe listën e floririt që kishin. Ata dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve. Është një pyetje vërtetë e jashtëzakonshme sesi ka ndodhur që asnjë hebre nuk ju dorëzua gjermanëve nga shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo katolikë, por po ashtu është një leksion i shkëlqyer i historisë sonë dhe kjo është ajo, pse unë besoj fort se nuk duhet ta marrim të mirëqenë, por duhet të bëjmë gjithçka mundemi që për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, ky të mbetet një thesar, i cili duhet mbrojtur fort e që duhet të shërbejë si frymëzim për të ardhmen.

(…)

Deti Adriatik, me hyrjen e Malit të Zi në NATO është tashmë kufiri i NATO-s, në gjatësi, në shtrirjen e tij. Shihet natyrisht si mjaft i sigurt, por na duhet po ashtu që të luftojmë së bashku me partnerët tanë kundër kërcënimeve të përbashkëta. E kërcënime të përbashkëta përfshijë jo vetëm terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, por po ashtu, edhe burimet që i financojnë këto lloj veprimtarish, përfshirë lloje të ndryshme të kontrabandimit, të trafikimit të drogave e kështu me radhë.

Megjithatë, edhe pse e shoh se koha po më mbaron, dua vërtetë të falënderoj shumë ata që menduan të më ftonin, sepse nuk është thjesht një nder për mua, por është një nder për vendin tim e për bashkëqytetarët e mi, që të gjendem këtu me ju dhe t’ju dëshmoj miqësinë tonë mjaft të vjetër e të thellë. Sërish ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, ku ka shumë për të parë e për të mësuar dhe ku ka një hapësirë unike, ku bukuria e mikpritja jetojnë së bashku».