Një libër për një miqësi

Ata u takuan para 12 vitesh dhe u bënë miq të mëdhenj: shkrimtari nga Prishtina Arif Demolli dhe albanologu zviceran Basil Schader. Tani, pak muaj pas vdekjes së Demollit, është botuar një libër me kujtime nga letërkëmbimi mes këtyre dy bashkëpunëtorëve. Një dokument thellësisht njerëzor.

Arif Demolli (1949-2017).



Në vitin 2005 Basil Schader do të takonte në Prishtinë  Arif Demollin në një nga seminaret për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë. Këto seminare i organizon Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Schader, atëbotë profesor në Shkollën Pedagogjike të Zürichut, i doktoruar ngaherë në pedagogji, më vonë i doktoruar edhe në gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës, tregoi menjëherë interesim për veprat e shkrimtarit kosovar, Arif Demolli.

Siç bën vaki në këso raste, autorët shkëmbejnë adresat dhe librat, nëse kanë botuar ndonjë. Demolli kishte botuar shumë libra – nga letërsia për fëmijë deri te romanet për të rriturit dhe tregimet humoristike. Jo gjithçka ishte letërsi botërore, por mes morisë së veprave kishte disa oaza letrare, të cilat Basil Schaderit i pëlqenin shumë. Kështu nisi një bashkëbisedim, i cili zgjati më shumë se një dekadë, nga viti 2006 deri në fillim të vitit 2017, kur Arif Demolli vdiq në Prishtinë.

Tani Schader (në bashkëpunim me Nuhi Gashin, një zyrtar të vyer të Ministrisë së Arsimit) ka botuar një libër me titullin: «I dashur mik!… Përzemërsisht. Kujtime nga letërkëmbimi elektronik mes Arif Demollit dhe Bazil Schaderit 2006-2017». Brenda kapakëve të këtij libri është përfshirë një përzgjedhje e letërkëmbimit elektronik mes Basil Schader dhe Arif Demollit. Ky letërkëmbim është dëshmi e një miqësie të sinqertë, plot respekt për njëri-tjetrin, me shumë dashuri për familjet e tyre dhe miqtë e përbashkët.

Arsyeja fillestare e ruajtjes së letërkëmbimit ishte kjo: pas njohjes me Demollin, Schader, një burrë të cilin nuk e lë rehat kureshtja e madhe, fundja ku mund të gjeni një njeri që në vend se të bëjë plane ku të shkojë të peshkojë pas pensionimit, shkon në Tiranë dhe doktoron në gjuhën shqipe, pra pas njohjes me Demollin, Schader filloi ta përkthejë në gjermanisht veprën «Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie», për të cilën pedagogu zviceran mendon se është libri më i arrirë i autorit kosovar.

Në librin «I dashur mik!… Përzemërsisht» janë përfshirë rreth 1250 imejla (emaila) të shkëmbyera mes dy njerëzve që u bënë miq. Shpesh, gjatë përkthimit, Schader ndeshet me sfida, siç ndeshet çdo përkthyes, andaj i drejtohet autorit me pyetje për sqarime shtesë, për shembull ç’sëmundje është fruthi dhe a e ka menduar autori vërtet fruthin apo ndonjë sëmundje tjetër, çfarë domethënë «hynë në hulli» (hynë nën rrugë, nën brazdë, e shkelën arën e lëvruar, sipas Demollit), ç’kuptim ka fjalia «ku është më së holli këputet». Etj. Dhe Demolli përgjigjet pa u vonuar. Natyrisht zvicerani dhe kosovari nuk flasin vetëm për çështje të përkthimit, por edhe për hallet e jetës dhe tunelet e burokracisë, ku nganjëherë shquhet toni sarkastik i Basil Schaderit.

Autorët, sidomos nga letërsitë periferike, siç është shqipja, shpesh e presin botimin e një libri në botën e jashtme me padurim, siç pritet lindja e një fëmije. Ashtu pret edhe Demolli dhe shpreson se kujtimet e fëmijërisë së tij nga një fshat i Gollakut do të zgjojnë interesim në qarqe letrare, por edhe te lexuesit në hapësirën e madhe gjermane.

Por, botimit s’po i dilte fati, së paku jo te shtëpitë e mëdha botuese gjermane. Falë angazhimit të Basil Schaderit një ditë përmes imejlit u lajmërua drejtori i shtëpisë botuese zvicerane Waldgut me një përgjigje që duket se ka entuziazmuar të dytë: përkthyesin dhe autorin. Libri u botua në gjermanisht, kuptohet sërish pas një pune titanike të përkthyesit, i cili organizoi edhe një prezantim të librit dhe të autorit në Zvicër. Nga fundi i letërkëmbimit të dy autorët i japin kurajë njëri tjetrit me rastin e pensionimit. Edhe në rastin e Schaderit dhe Demollit konfirmohet një e vërtetë e madhe: shumë njerëz ndërsa punojnë shpesh s’duan gjë tjetër veçse të vijë dita e pensionimit, por kur vjen ajo ditë shpesh shkakton dëshpërim të thellë. Sidomos në një ambient kosovar, ku pensioni është poshtërim; këtë gajle Schader së paku nuk e ka. Duke u adaptuar me ritmin e pensionistit ai i kthehet freskimit të njohurive të tij të greqishtes dhe latinishtes.

Libri, i ilustruar edhe me fotografi nga takimet dhe udhëtimet e përbashkëta të Schaderit dhe Demollit (shpesh të shoqëruar nga Nuhi Gashi), shpalos pamjen e një miqësie që tani është e konservuar me shkrim duke respektuar porosinë latine: verba volant, scripta manent (e thëna ikën, e shkruara mbetet). Me vdekjen e Arif Demollit, shkruan Schader, miqtë e tij humbën një njeri të mrekullueshëm, mendjehollë dhe me shumë humor. Libri është një përpjekje për të ruajtur kujtimin e tij «me respekt dhe dashuri të përjetshme».

Demolli u lind më 2 maj 1949 në fshatin Gllogovicë, të cilin jo vetëm në veprat e tij e quante Murrizajë. Pas studimeve në Degën e Albanologjisë në Universitetin e Prishtinës punoi gazetar te «Bota e re» dhe te revista për kulturë «Fjala». Më 1981 arrestohet si kritik i regjimit jugosllav dhe pas vuajtjes së dënimit dyvjeçar me burg i ndalohet punësimi në media, arsim dhe kulturë. Në vitet ’90 punon në gazetën «Fjala», një kohë edhe si kryeredaktor. Mes viteve 2003-2014 ishte zyrtar për tekste shkollore në Ministrinë e Arsimit të Kosovës. – Vepra «I dashur mik!… Përzemërsisht. Kujtime nga letërkëmbimi elektronik mes Arif Demollit dhe Bazil Schaderit 2006-2017» është publikuar nga Botimet Artini dhe ka 142 faqe.