Një libër për Kosovën pas 30 vjet raportimi nga Ballkani

Duke marrë shembullin e UNMIK-ut Erich Rathfelder në librin e tij «Kosova – historia e një konflikti» i bën të qarta problemet e stabilizimit efektiv dhe ndërtimit të shtetit. Administratën e përkohshme ai e përshkruan si shembull për vendime të dyshimta ekonomike dhe si vatër të aventurierëve, kalorësve të fatit dhe përfituesve, të cilët në kuadër të aparatit gjigand dhe mirë të financuar në shumë raste para së gjithash kërkonin favore për vete. Se zemra e Rathfelderit rrah për palën shqiptare në konflikt vërehet në disa vende në argumentimin e tij.




Më shumë se 30 vite Erich Rathfelderi ka punuar si gazetar në Ballkan. Gjatë luftës në Jugosllavi ai raportoi nga Sarajeva e rrethuar dhe më vonë vazhdimisht nga Kosova. Në librin që po e paraqesim ai në 450 faqe skicon zhvillimet në Kosovë që nga vitet 80-të, nga konflikti serbo-shqiptar i viteve 90-të mbi ndërhyrjen e NATO-s më 1999 dhe krijimin e protektoratit të OKB-së deri te pavarësia njëanshëm e deklaruar e krahinës nga Serbia. Libri i tij i shkruar shkëlqyeshëm dhe me njohuri të mëdha rrumbullakohet pa fusnota dhe pa regjistër të literaturës. Ai ofron një pamje shumështresore dhe gjithsesi të pasur me aspekte të ballafaqimit për një trevë të ngarkuar me histori, e cila si për serbët ashtu edhe për shqiptarët në masë të njëjtë u bë projeksion i identitetit kulturor dhe historik si dhe simbol për konfliktet etnike të përvetësuara prej nacionalizmave të ndryshëm para portës së Europës.

Panorama e prezantuar nga Rathfelderi është e shtrirë nga strukturat e shtetit të përgjithshëm jugosllav dhe integrimit të shqiptarëve të Kosovës në ekonomi dhe shoqëri deri te perceptimi i tyre nga ana e popullsive sllave dhe brenda udhëheqjes jugosllave. Në bazë të shembujve historik ai hulumton akuzat shpeshherë të përmendura të nacionalistëve serbë dhe shqiptarë se shqiptarët, respektivisht serbët kanë kryer ndjekjen sistematike të «palës kundërshtare». Kështu autori pasqyron sidomos vuajtjet e popullsisë serbe dhe malazeze nën sundimin fashist gjerman dhe italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Akuzës serbe se shqiptarët në periudhën e pasluftës e kanë përzënë popullsinë serbe nga Kosova ai i kundërvënë si shpjegime zhvillimin demografik, shpërnguljet nga fshati në qytet si dhe zhvillimin e dobët ekonomik të Kosovës. Në vitin 1987 në Kosovë jetonin rreth 80 për qind shqiptarë dhe 14 për qind serbë e malazezë. Rrëfimi i gjatë i Rathfelderit ka të bëjë me shtypjen e shqiptarëve që nga viti 1912, ndërtimin e sistemit serb të aparteidit në Kosovë dhe gatishmërinë në rritje në krahinë që ky dominim të hiqet qafe me forcë. Derisa Kushtetuta e kroatit Tito (varrin e të cilit në vitin 1991 e mbrojtën ushtarët serbë të Armatës Popullore të Jugosllavisë përballë çetnikëve serbë) e vitit 1974 u garantonte shqiptarëve të Kosovës një autonomi të gjerë në shtetin federal, armata dhe policia pas vdekjes së mareshalit më 1980 hap pas hapi i dhanë fund asaj. Kushtetuta e re e vitit 1989 ia grabiti popullsisë shqiptare autonominë dhe ardhmërinë.

Kosova u bë top loje e mobilizimit nacional në Jugosllavi. Simbol i këtij mobilizimi ishte fjalimi famëkeq i Sllobodan Millosheviqit më 28 qershor 1989 (për Vidovdan) në Gazimestan. Deklaratat për shpalljen e pavarësisë të Kroacisë dhe Sllovenisë vulosën shpërbërjen e shtetit socialist jugosllav në qershor 1991. Pas shpërthimit të luftërave civile jugosllave në Kosovë gjendje mbeti e qetë për një kohë relativisht të gjatë. Rathfelder ndjek valët e migrimit të të rinjve shqiptarë, të cilët përballë perspektivave që mungonin në Prishtinë dhe Prizren niseshin drejt Europës perëndimore, shpesh merreshin me krim dhe sidomos në Gjermani personifikonin imazhin e mafies së Kosovës, e cila në Berlin dhe qytete të tjera i bënte konkurrencë strukturave ekzistuese të nëntokës.

Intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Marrëveshjen e Daytonit të vitit 1995 Rathfelder i interpreton si faktorë kyç për dinamizimin e ballafaqimeve në Kosovë. Ai shkruan se në perceptimin e shumë shqiptarëve të Kosovës Serbia kishte arritur që në Bosnjë, përkundër humbjes ushtarake, të çimentojë spastrimet etnike të luftës derisa bashkësia ndërkombëtare nuk mundi të shmang vdekjen dhe dëbimin. Me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mori primatin kundër partisë së moderuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) një forcë, e cila mori në dorë mbrojtjen e popullsisë shqiptare dhe në luftën për pavarësi i besonte forcës së armës. Rathfelder përshkruan konfliktin në eskalim e sipër mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë të dominuara nga serbët si dhe spastrimet etnike, vrasjet dhe dëbimet në fund të viteve 90-të. Internacionalizimi i konfliktit dhe lufta ajrore e NATO-s ndikuan që ushtria dhe policia jugosllave të braktisin krahinën. Stacionimi i trupave tokësore të NATO-s krijoi kushtet për përpjekjet e pastajme të OSBE-së, UNMIK-ut dhe Bashkimit Europian për të ndërtuar në Kosovë struktura funksionale administrative.

Në mënyrë të diferencuar Rathfelder analizon punën e organizatave shtetërore dhe joshtetërore në Kosovë. Për një kohë të gjatë në Europë mungoi uniteti mbi qasjen e duhur politike dhe sa i përket udhëheqjes në Beograd. Duke marrë shembullin e UNMIK-ut Rathfelder i bën të qarta problemet e stabilizimit efektiv dhe ndërtimit të shtetit. Administratën e përkohshme ai – përkundër sukseseve ekzistuese – e përshkruan si shembull për vendime të dyshimta ekonomike dhe si vatër të aventurierëve, kalorësve të fatit dhe përfituesve, të cilët në kuadër të aparatit gjigand dhe mirë të financuar në shumë raste para së gjithash kërkonin favore për vete. Rrogat e larta për specialistë vendorë, të cilët pas rekrutimit nga ana e organizatave ndërkombëtare mungonin në burokracinë kosovare, në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, i përngjanin «ikjes së trurit». Ngecja e ndërtimit, pritjet jorealiste të bashkësisë ndërkombëtare sa i përket bashkëjetesës së etnive në një bashkësi të dominuar nga shqiptarët dhe ambicia për pushtet, të cilën e deduktonin pjesëtarët e UÇK-së nga lufta çlirimtare, e penguan zhvillimin po ashtu. Një bilanc i shkurtër dhe i rezervuar tregon deficitet e mëdha, të cilat e dallojnë sot Kosovën nga një shtet që edhe ekonomikisht është i qëndrueshëm dhe që qytetarëve të vet u ofron një perspektivë të dobishme ardhmërie.

Libri i Rathfelderit përbëhet prej skenave kryesisht të shkurtra, të përmbyllura në vete, të cilat tregimit të tij në disa faza i japin karakterin e një «road movie». Vështrimet personale, reportazhet, bisedat me viktimat e luftës dhe të përndjekurit si dhe intervistat me vendimmarrësit politikë dhe ushtarakë janë montuar në një tekst të strukturuar kryesisht në mënyrë kronologjike, i cili ndërpritet vazhdimisht nga shpjegimet. Kjo e bën tekstin autentik dhe i jep gjallëri, por lexuesve pa njohuri, të cilët presion një paraqitje të përgjithshme të konfliktit të Kosovës, do t’ua vështirësojë orientimin. Se zemra e Rathfelderit rrah për palën shqiptare në konflikt vërehet në disa vende në argumentimin e tij. Megjithatë, paraqitja tregon objektivitetin e domosdoshëm, për shembull kur bëhet fjalë për përshkrimin e UÇK-së dhe të krimeve të saj apo për stacionimin e NATO-s në verën e vitit 1999, kur «fitimtarët» shqiptarë merrnin hak dhe ushtarët e KFOR-it nuk arritën t’i pengojnë sulmet dhe dhunën kundër banorëve serbë të Kosovës si dhe dëbimin e tyre. Nganjëherë duket se besimi i Rathfelderit në çështjen e drejtë shqiptare e tejkalon realitetin. Një thirrje e sinqertë e publicistit Veton Surroi për bashkëkombësit e tij më 1999 që të mos ushtrojnë dhunë kundër fqinjëve serbë mbase nuk ishte arsyeja për pushimin e trazirave: për këtë u kujdesën ushtarakët e huaj dhe policia si dhe fakti që në atë kohë pjesa më e madhe e pronës serbe jashtë qendrave kompakte serbe ngaherë ishte plaçkitur dhe pronarët ishin dëbuar.

Erich Rathfelder: Kosova – historia e një konflikti. Botoi: Suhrkamp, 459 faqe

Libri

Autori është historian i Europës Lindore dhe punon në Qendrën për histori ushtarake dhe shkenca sociale të Bundeswehrit (ushtrisë gjermane) në Potsdam.