Një lajm i mirë për «europianët» në lëvizje

Javën që shkoi në Bruksel është arritur marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e financuara nga Bashkimi Europian. Një reflektim i shkurtër për programin Erasmus Plus dhe përfitimet potenciale të institucioneve arsimore kosovare.



Është arritur marrëveshja për përfshirjen e Kosovës në programet e financuara nga BE. Deri më tani Kosova ka qenë i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor i papërfshirë në këto programme. Ndoshta programi më i rëndësishëm në këtë pikë mbetet skema për shkëmbime në sektorin e arsimit dhe kulturës «Erasmus Plus». Në parim kjo marrëveshje i mundëson universiteteve, bizneseve, kuvendeve komunale, organizatave që merren me hulumtime, dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë të përfitojnë nga fonde të majme të BE-së për trajnime, studime dhe shkëmbime përvojash me institucione simotra nga të gjitha vendet e BE-së. Sigurisht, shumë nga sukseset e pritura të këtij programi do të varen nga mënyra se si institucionet arsimore në Kosovë do t’i qasen këtij programi dhe do ta zbatojnë atë.

I konceptuar për periudhën gjashtëvjeçare (2014-2020), «Erasmus Plus» ka një buxhet prej 14.7 miliardë euro dhe përfshin një gamë të gjerë organizatash, universitetesh dhe institucioneve trajnuese e arsimore dhe bizenseve private. Në fokus të programit janë skemat zhvillimore të arsimimit të të rinjëve, sportit dhe programeve për studim gjatë gjithë jetës. «Erasmus Plus» është program shtesë nën kupolën e programit «Erasmus» të BE-së i themeluar në vitin 1987. I emëruar sipas filozofit holandez Desiderius Erasmus të Roterdamit, programi ka për synim shkëmbimet ndëruniversitare dhe të studentëve. Desiderius Erasmus ishte i njohur për përvojat e tij studimore në shumë vende të Europës dhe shquhej si kritikues i fortë i dogmatizmit.

Praktikisht, ky është lajm i mirë posaçërisht për studentët kosovarë, qofshin këta nga institucione publike apo private të arsimit të lartë, për mundësinë për të kaluar një semester ose një vit të tërë akademik në një nga universitetet e 28 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe vendet joanëtare si Lihtenshajnin, Norvegjinë, Zvicrën dhe Turqinë. Departamentet e universiteteve kosovare që tani mund të fillojnë kontaktet me departamente simotra në universitetet e BE-së për të parë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim qoftë kjo për programet baçelor si dhe për ato master. Sigurisht, derisa për universitetet kosovare shumë nga destinacionet e universiteteve perëndimore mund të jenë tërheqëse, e njëjta nuk vlen edhe për universitetet në Paris, Londër, Bruksel e Berlin. Numri potencial i studentëve kosovarë që do të mund të mësyjnë këto universitete është natyrisht shumë më i madh se sa numri i studentëve të interesuar nga këto vende për të kaluar një semester në universitetet kosovare. Pjesëmarrja e Kosovës në «Erasmus Plus» është posaçërisht e mirëseardhur për sektorin e trajnimeve profesionale. Në rastin ideal, hidraulikë, suvatorë dhe profesionistë të tjerë do të kishin mundësinë për të kaluar disa muaj në qendra trajnimi në Gjermani, Zvicër apo Holandë për t’u aftësuar tutje në lëmi të tyre.

Duhet pasur parasysh se sukseset e këtyre projekteve janë në masë të madhe të ndikuara nga përgatitja profesionale dhe serioziteti që universitetet kosovare, sidomos ai publik, do të kenë në mbarëvajtjen e tyre. Për t’u bërë partnerë të denjë të këtyre programeve është e domosdoshme që një pjesë e lëndëve të jepen në gjuhën angleze, në mënyrë që studentët e huaj të mund të ndjekin ligjëratat. Për këtë shkak, bëhet ende më i rëndësishëm fakti për të punësuar asistentë dhe profesorë të cilët kanë titujt dhe kredencialet e nevojshme për pozita universitare. Kjo do të thotë, rishikim i kuadrit universitar i cili është akomoduar në universitetin publik në saje të favoreve partiake e familjare.

Të njëjtin kriter të cilësisë duhet pasur edhe për studentët nga Kosova që do të transferohen nëpër universitete europiane. Këto të fundit monitorojnë në vazhdimësi cilësinë e studentëve që vijnë nga universitete të caktuara dhe raportojnë në fund të programeve. Duke qenë se ky program do të menaxhohet nga vetë administratat e universiteteve kosovare, ka mundësi që jo gjithmonë studentët që do të përfitojnë nga këto bursa të jenë në bazë të meritokracisë. Për të dhënë vetëm një shembull, programi i BE-së për bursa studimore në nivelin baçelor, master, doktoraturë dhe postdoktoraturë për Ballkanin Perëndimor Basileus (2008-2013) për shumë kohë është mbajtur pothuajse sekret në Universitetin e Prishtinës. Njohuri për këtë mundësi studimi jashtë kanë pasur kryesisht vetëm ata që kanë pasur lidhje me administratën universitare apo me politikëbërësit që kanë qenë të lidhur drejtpërsëdrejti me nënshkrimin e marrëveshjes. Shumë studentë kosovarë që kanë përfituar nga bursat e këtij programi më shumë janë njoftuar nga burime në Bruksel se sa vetë universitetin e tyre.

Një barrë e madhe e mbarëvajtjes së këtyre programeve bie mbi supet e administratës, e cila të paktën duhet të jetë e përbërë nga një staf që është në gjendje të komunikojë rrjedhshëm të paktën në gjuhën angleze. Përvojat nga universitetet belge kanë treguar se në rastet e çalimeve administrative, universitetet shpeshherë i anulojnë marrëveshjet duke qenë se ato bëhen vështirë të zbatueshme që në procesin e dokumentacionit.

Që nga themelimi i tij, programi «Erasmus» ka qenë padyshim projekti më i suksesshëm i Bashkimit Europian i cili ka ndihmuar në krijimin e një gjeneratë të tërë europianësh të cilët i njohën dhe jetuan për së afërmi të mirat e «projektit europian» si për shembull lirinë e lëvizjes, njohjen e krediteve universitare dhe mundësinë për të studiuar në gjuhën angleze në Skandinavi, në jug të Italisë apo në vendet baltike. Studimet tregojnë se personat që kanë pasur përvoja studimore nëpër vende të ndryshme kanë 85 për qind më shumë shanse për të gjetur punë pas diplomimit, ndërkaq 92 për qind e punonjësve tregojnë se përvoja të tilla luajnë rol kyç në punësimin e aplikantëve.

Që nga viti 1987 kur ka filluar programi «Erasmus» europianët kanë njohur dhe prekur nga afër vendet, universitetet dhe sistemet e vendeve tjera anëtare të BE-së. Shumë sosh gjatë këtyre shkëmbimeve mësojnë nga pak edhe gjuhët e vendeve përkatëse. Shumë të tjerë krijojnë lidhje të tjera afatgjata me këto vende qofshin ato të punës apo personale. Aspekti romantik i programit «Erasmus» po ashtu nuk ka kaluar pa u vënë re. Në vitin 2011, shkrimtari italian Umberto Eco e quajti programin «Erasmus» si «revolucion seksual» të Europës. «Erasmus ka krijuar gjeneratën e parë të europianëve», i kishte thënë ai aso kohë gazetës italiane La Stampa. «Gjatë këtyre këmbimeve një i ri katalanas takon një vajzë flamane, dashurohen, martohen dhe kështu bëhen europianë, ashtu si edhe fëmijët e tyre». Sipas Ecos, programi «Erasmus» duhet të bëhet i detyrueshëm jo vetëm për studentët, por edhe për shoferët e taksive, zdrukthëtarët, hidraulikët dhe punëtorë të tjerë. Në fakt, fenomeni i «bebeve të Erasmus-it» është tashmë i mirënjohur duke qenë se shumë çifte e familje të reja u krijuan pikërisht nga këto programe shkëmbimi. Në një studim të kryer nga vetë Bashkimi Europian në vitin 2014 për ndikimin edukativ, kulturor dhe shoqëror të programit «Erasmus» thuhet se që nga viti 1987 rreth një milion fëmijë kanë lindur si rezultat i lidhjeve ndërmjet nacionaliteteve të ndryshme të krijuara gjatë programeve të «Erasmus».

Pra këta «europianë të rinj», të cilët i përshkruan Eco janë bërë europianë duke rrëzuar mure kulturore, gjuhësore e politike. Nuk janë bërë të tillë as me dekret, as me retorikë boshe apo me videospote si ai për «europianët e rinj» kosovarë, i përhapur me aq pompozitet në euforinë e shpalljes së pavarësisë. Hapja e edhe një mundësie për shkëmbime studimore i jep më shumë mundësi studentëve kosovarë për ta prekur, jetuar dhe demitizuar «Europën». Ndryshe nga misionet europiane që operojnë në Kosovë, festimet e «Ditës së Europës» në izolim, duke u bërë pjesë e programeve të tilla, edhe të rinjtë kosovarë do të kenë mundësi që të përjetojnë më afër «Europën» me të mirat dhe jo të mirat e saj.