Kulmet e fushatës për president të Amerikës

Debati i fundit televiziv kaloi, më 8 nëntor zgjidhet presidenti i ri i ShBA-ve. Tema të fushatës së kandidatëve kanë qenë afera e e-mailave, ngritja e një muri me Meksikën, video-skandali: Rekapitulim i një fushate të jashtëzakonshme nga Neue Zürcher Zeitung.

Ilustrimi: doddis77 / Shutterstock.com

Prej një gjysmë viti po zhvillohet fushata për postin më të lartë të SHBA-ve. Hillary Clinton është kandidatja e parë grua për presidente e nominuar nga një parti e madhe, kurse Donald Trump është kandidati më i kontestuar ndonjëherë për president të Amerikës. Në vazhdim vjen një kronologji e kulmeve të fushatës.

12 prill 2015: Clinton e shpall kandidaturën

Ajo prej muajsh llogaritej si favorite nga radhët e demokratëve. Në prill të 2015-tës ajo përmes një videoje e shpalli kandidimin e saj për postin e presidentes së SHBA-ve. Në vitet 1992 deri 2000 ajo kishte qenë Zonja e Parë e Amerikës, më pas ka shërbyer si senatore e New Yorkut, ndërsa më 2013 e mori postin e ministres së Jashtme.

16 qershor 2015: Trump del për republikanët

Manjati i imobilieve dhe ylli i spektakleve televizive Donald Trump e inskenon mediatikisht kandidaturën e tij si kandidat i republikanëve për president të SHBA-ve. Në fjalën e tij paraqitëse ai i quan meksikanët si dhunues dhe kriminelë.

25 korrik 2015: Afera e e-maileve e trondit Clintonin

Inspektorët e Ministrisë së Jashtme dhe të shërbimeve sekrete i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë  fillimin e hetimeve penale kundër Clintonit: Ekzistojnë dyshime se Clinton me shfrytëzimin e një serveri privat për e-mailet zyrtare i ka shkelur detyrimet e diskrecionit. Në gusht FBI i filloi hetimet për rastin.

6 gusht 2015: Trump e fyen moderatoren

Në debatin e parë televiziv të kandidatit republikan për president, Trump e ofendon moderatoren e Fox News. Ai pyetjet e saj të vështira i shpjegon me ate se ajo ishte me menstruacione. Ky pohim e zemëron opinionin publik.

17 gusht 2015: «Do të ngris një mur të madh»

Në një dokument lidhur me emigracionin Trump shpall tezën për ngritjen e një muri në kufi me Meksikën, të cilin do të duhej ta paguanin meksikanët. Kjo do të ishte zgjidhja e tij për emigracionin ilegal.

22 gusht 2015: Komisioni i Bengazit e heton Clintonin

Për tetë orë Clinton iu përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor të Kongrsit për Bengazin lidhur me sulmin ndaj konsullatës amerikane në Libi më 2012. Me rastin e këtij sulmi, pas të cilit supozohen përkrahës të Al Kaidës, humbën jetën ambasadori amerikan dhe tre të punësuar të tjerë. Në këtë kohë Clinton i shte ministre e Jashtme.

7 dhjetor 2015: Trump kërkon ndalim-hyrje për myslimanët

Si përgjigje ndaj një sulmi terrorist në San Bernardino të Kalifornisë Trump kërkon një ndalim kalimtar të hyrjeve të myslimanëve në SHBA dhe një detyrim-paraqitje për të gjithë ata që tanimë jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Me këtë ai po i nxit frikërat dhe dyshimin ndaj myslimanëve.

1 shkurt 2016: Zgjedhjet e brendshme në Iowa

Zgjedhjet e brendshme republikane dhe demokrate filluan në Iowa. Nga kandidatët republikanë fiton Ted Cruz më shumë se Donald Trump. Ndërsa te demokratët ngadhjen Clinton vetëm ngushtë ndaj senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, i cili më pas do të dalë një kandidat i fortë.

21 shkurt 2016: Jeb Bush dorëzohet

Ish guvernatori i Floridas shpall dorëheqjen nga fushata republikane. Djali dhe vëllai i dy presidentëve fillimisht llogaritej si favorit. Pas rezultateve zhgënjyese të para në Karolinën e Jugut, Bush pa që Trump e kishte kaluar përfundimisht.

1 mars 2016: E marta e shkëlqyer

Në këtë ditë, në zgjedhjet e brendshme në 13 vende menjëherë, Clinton dhe Trump fitojnë në një sërë prej tyre në kampet respektive. Konkurrenti i brendshëm i Clintonit, Sanders fiton në katër vende të rëndësishme, por Clinton fiton shumicën e shteteve.

4 maj 2016: Dorëzohen konkurrentët e Trumpit

Donald Trump pothuajse ka fituar si kandidat i republikanëve për president, pasi dy konkurrentët e tij të mbetur, John Kasich dhe Ted Cruz, ngrisin flamurin e bardhë.

7 qershor 2016: Sanders nuk ka më shanse

Për pak muaj, senatori Bernie Sanders afirmohet si një yll politike nga një senator i panjohur. Demokratët janë të ndarë në dy kampe. Por Clinton del fituese, sepse në fillim të korrikut ajo e fiton shumicën e domosdoshme të votave të delegatëve.

5 korrik 2016: FBI tërhiqet nga padia

FBI i prezenton rezulatet e hetimit të serverit privat të e-mailave të Clintonit: Ajo nuk ka gabuar me qëllim, por nga pakujdesia. Për këtë FBI edhe tërhiqet nga rekomandimi për akuzë. Kurse shefi i FBI-së e kritikon Clintonin, megjithatë, me fjalë të ashpra.

12 korrik 2016: Mbështetje nga Sanders

Ish konkurrenti i brendshëm demokrat i Clintonit deklarohet për të: «Clinton do të jetë presidentja e ardhshme», shpall ai.

21 korrik 2016: Zyrtarizohet emërimi i Trumpit

Në konventën e republikanëve Donald Trump emërohet kandidat i Partisë Republikane për president.

28 korrik 2016: Hillary për presidente

Nuk vonon edhe te demokratët: Konventa e Partisë Demokratike e shpall Hillary Clintonin zyrtarisht si kandidate për presidente të SHBA-ve. Është hera e parë që një parti e madhe futet me një kandidate grua në betejën për në Shtëpinë e Bardhë.

1 gusht 2016: Afera Khan e shtyn Trumpin në defansivë

Trump e fyen familjen e një ushtari të rënë amerikan, Khan. Polemika zgjat rreth një javë, duke qenë se ai zvarritet nëpër kryetytuj të gazetave me fyerje të reja. Afera tregon që Trump provokohet lehtë dhe i sulmon pa takt personat të cilët tradicionalisht e votojnë partinë e tij.

12 gusht 2016: Clinton e publikon tatimin

Ajo e ndjek një traditë të 40 viteve të kaluara: Clinton e publikon tatimin. Kurse Trump refuzon vendosmërisht t’i nxjerrë këto dokumenta.

1 shtator 2016: Trump viziton Meksikën

Trump e takon në Meksikë presidentin Enrique Peña Nieto. Me këtë rast lind një debat tjetër, nëse me këtë rast është folur edhe për ngritjen e një muri me Meksikën. Ministri i financave, i cili e kishte nxitur këtë takim, pak më pas dorëhiqet.

11 shtator 2016: Clinton preket nga një ndezje mushkërishë

Në manifestimet e sulmeve të 11 shtatorit në New York Clinton pëson një dobësim, i cili regjistrohet me një smartfon. Pas shumë orëve pasigurie njoftohet se ajo kishte një ndezje mushkërish. Asnjëri prej kandidatëve nuk nxjerr dëftesa të gjendjes shëndetësore.

26 shtator 2016: Debati i parë televiziv

Në takimin e parë midis Clintonit dhe Trumpit para kamerave ky i fundit fillimisht paraqitet agresiv, por e huq ta sulmojë atë lidhur me çështjen e e-mailave dhe atë të Bengazit. Kurse demokratja ka një paraqitje sovrane.

1 tetor 2016: Fshehje e taksave

«New York Times» publikon pjesë nga deklarimi i tatimit të Donald Trumpit nga viti 1995. Ai nxjerr që Trump për 18 vite eventualisht nuk ka paguar fare tatim.

7 tetor 2016: Kurthi i Trupit

Vetëm pak para debatit të dytë televiziv, «Washington Post» publikon një video nga viti 2005, ku Trump mburret me sulme seksuale ndaj grave. Republikanë të rëndësishëm ia kthejnë shpinën atij. Trump kërkon ndjesë për pohimet e tij përpiqet t’i relativojë si ato gjepura burrash.

9 tetor 2016: Debati i dytë televiziv

Në duelin e dytë televiziv Trump paraqitet në mënyrë agresive dhe paralajmëron ta burgosë Clintonin nëse bëhet president.

12 tetor 2016: «Jo në rregull»

Zemërimi nga pohimet seksiste të Trumpit në një video po vazhdon. Mijëra amerikanë shkëmbejnë në rrjetet sociale për përvojat e tyre me ngacmimet seksuale nën siglën «#NotOkay».

19 tetor: Debati i fundit televiziv

Sipas anketimeve, edhe debatin e fundit e ka fituar Clinton. Kurse Trump ka dalë më i diciplinuar nga debatet e kaluara. Ai e ka merakosur opinionin me paralajmërimin e tij për mosnjohjen eventuale të rezultatit të zgjedhjeve. Me këtë ai e vë në pyetje shtetin ligjor. ks